Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ATEST/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR zyrt., kal. 1. Njoh zyrtarisht me anë të një dëshmie një gradë a një titull që i jepet dikujt pas mbarimit të një forme studimi a të një shkalle kualifikimi; vërtetoj, dëshmoj, lëshoj dëshmi; përcaktoj shkallën e aftësive profesionale dhe të përgatitjes arsimore e kulturore të një individi. Atestoj shkallën e aftësive profesionale. Atestoj diplomën universitare të arritur jashtë shtetit.
2. Njoh me shkrim zyrtarisht, si përfaqësues i një organi kompetent me autorizim të veçantë, një prodhim ose një patentë (zbulim) sipas verifikimit të cilësive përkatëse standarde të përcaktuara me ligj.
✱Sin.: certifikoj, njoh, pranoj, dëshmoj, vërtetoj, konfirmoj, verifikoj, dokumentoj.
HAKËL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Shqyrtoj a ushtroj kontroll mbi dikë a mbi diçka, mbikëqyr, vërtetësoj, verifikoj. Hakloj shtëpinë. Hakloj shpenzimet financiare.
2. Kërkoj të gjej a të zbuloj diçka sipas disa të dhënave paraprake, e gjurmoj; e shqyrtoj sipas të dhënave që njoh dhe mbledh, hetoj, hulumtoj. Hakloj rrethanat e ngjarjes.
✱Sin.: shqyrtoj, kontrolloj, vërtetoj, vërtetësoj, verifikoj, gjurmoj, hulumtoj, hetoj.
HOMOLOG/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. drejt. Sanksionoj me vendim gjyqi.
2. tek. Provoj a verifikoj përputhshmërinë a përshtatshmërinë e pjesëve të veçanta të automjetit në tërësinë e tij, bazuar në kriteret, që parashtrohen nga organet e ndryshme rregullatore të një vendi; e certifikoj.
✱Sin.: sanksionoj, certifikoj, standardizoj, ligjëroj, miratoj, vendos, provoj, verifikoj.
KALIBR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal., kryes. spec. 1. Kontrolloj a verifikoj kalibrin e diçkaje sipas kërkesave të duhura, zakonisht para përdorimit a funksionimit etj. Kalibroj farërat.
2. I jap formën a cilësinë e duhur një vegle, një detali etj.; e bëj në kalibrin e duhur. Kalibroj predhën. Kalibroj një vegël.
KALÍB/ËR,~RI m. sh. ~RA, ~RAT spec. 1. usht. Diametri i brendshëm me përmasa të caktuara i një tubi, i tytës së një arme etj. Pushkë me kalibër 0. 72 mm. Kalibri i pushkës. Mat (verifikoj) kalibrin.
2. tek. Përdorëse a vegël e posaçme për të matur ose për të verifikuar cilësitë e duhura të një detali, të një malli etj. Kontrolloj (verifikoj) përmasat e instrumentit me kalibër.
3. edhe fig. Cilësi pozitive e dikujt; nivel i lartë i dikujt a i diçkaje; shkallë. Lojtar (sportist) i kalibrit ndërkombëtar. Arritje të kalibrit të lartë.
✱Sin.: përmasë, shkallë, nivel.
KONTROLL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Bëj a ushtroj kontroll, shqyrtoj gjendjen e vërtetë për diçka, me qëllim për të zbuluar realitetin; mbikëqyr. Kontrolloj shpenzimet (llogarinë, biletat). Kontrolloj dijet e nxënësve i bëj nxënësit provim për të vërtetuar të nxënët. Kontrolloj cilësinë e mallit. S’lanë gjë pa kontrolluar. Kontrolloj veten zotëroj veten.
✱Sin.: mbikëqyr, shqyrtoj, verifikoj.
KRÉH vep., ~A, ~UR 1. Drejtoj, rregulloj, shpleks a shkrif flokët me krehër. Kreh flokët (kaçurrelat).
2. Kashais një kafshë, pastroj lëkurën dhe rregulloj qimet e një kafshe me kashai. Kreh kalin.
3. Shkoj leshin a pambukun në krehër ose në një makinë për ta shprishur, gërhanoj. Kreh leshin.
4. edhe fig. Verifikoj dhe pastroj udhën e dikujt ose mjedisin ku ai duhet të kalojë, duke bërë të gjitha shërbimet e duhura. Krehu rrugën ku do të kalojë pararoja.
5. fig. Rishikoj, korrigjoj edhe një herë tjetër një tekst a shkrim se mos ka shpëtuar ndonjë gabim gjuhësor a shkencor; rikorrigjoj, lëmoj. Kreh artikullin para botimit.
✱Sin.: gërhanoj, lënur, shkriftoj, shpleks, kashais, rikorrigjoj, lëmoj.
♦ I kreh *bishtin (dikujt) keq. Nuk ka *krehër që e kreh (dikë).
TEST/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Provoj, kontrolloj diçka për të parë nëse funksionon, nëse është e vërtetë ose sa cilësore është. Testoj një pajisje elektronike para se ta blej.
2. Verifikoj aftësitë, dijet ose qëndrueshmërinë e tyre te dikush. Testoi nxënësit (studentët).
3. mjek., edhe jokal. Bëj testin e një vaksine etj., bëj analizë a kontroll mjekësor. Testoi vaksinën. U testua për një sëmundje.
✱Sin.: provoj, kontrolloj, verifikoj, mat, vlerësoj, ekzaminoj.
VERIFIKÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur verifikoj a verifikohet diçka, provim. Verifikimi i një çështjeje. Verifikimi i dokumenteve.
2. Prova e kontrollit që bëhet për të vërtetuar saktësinë e diçkaje. Verifikime të kohëpaskohshme. Doli nga verifikimet që u bënë.
✱Sin.: vërtetim, vërtetësim, kontroll, kontrollim.
VERIFIK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Provoj vërtetësinë a saktësinë e diçkaje duke e kontrolluar, duke e parë a duke e studiuar edhe një herë ose duke e ballafaquar me një tjetër; vërtetoj diçka. Verifikoj një çështje (një dokument). Verifikoj shifrat (llogarinë). Verifikoj në praktikë.
✱Sin.: kontrolloj, studioj.
►VËRTETËS/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR 1. vetv., vet. v. III Provohet vërtetësia e diçkaje; verifikohet. U vërtetësuan dokumentet. U vërtetësuan faturat.
2. pës. e VËRTETËSÓJ.
✱Sin.: vërtetoj, verifikoj.
VËRTETËS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Provoj vërtetësinë e diçkaje; verifikoj. Vërtetësoj dokumentet. Vërtetësoj me origjinalin. Vërtetësoj dëftesën. Vërtetësoi faturat.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë