Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NGÚLTAS ndajf. 1. Në mënyrë të përqendruar në një vend a në një pikë; pa ia ndarë sytë. Më shikonte (vështronte) ngultas.
2. Me ngulm, me këmbëngulje; pa iu ndarë. Beson (shpreson) ngultas. Pyeste ngultas. Pres ngultas një njoftim.
✱Sin.: ngulas, ngulmas, vendosmërisht, ngulazi, ngulmazi, përqendrueshëm, këmbëngultas.
PAVENDOSMËRÍSHT ndajf. Jo me vendosmëri; kund. vendosmërisht.
PRÉRË ndajf. 1. Me pak fjalë, pa e zgjatur, shkurt; në mënyrë të prerë, në mënyrë të vendosur. Foli prerë. U përgjigj prerë. Urdhëroi prerë.
2. Troç, hapur; në mënyrë të qartë, shkoqur. Shprehet prerë. Dallohet prerë. E përcaktoi prerë.
3. Mes për mes e drejt, shkurt, trup. I ra fushës (pyllit, malit) prerë.
4. Patjetër, pa dyshim. Prerë, (që) do të niset.
5. Buzë më buzë, rrafsh. Një shinik prerë me misër. E mbushi prerë.
✱Sin.: preras, prerazi, copë, troç, shkurt, shkoqur, trup, përmes, rrafsh, vendosmërisht, kategorikisht, faqeza, hapur, sheshit, qartë, bam, çiltas, rrumbullak, drejt, drejtpërdrejt.
PËRFUNDIMÍSHT ndajf. 1. Në mënyrë të plotë, në mënyrë përfundimtare. Zgjidh (përcaktoj) përfundimisht.
2. Në mënyrë të vendosur dhe përgjithnjë, njëherë e mirë. Heq dorë përfundimisht. Vendos përfundimisht.
3. Shkurt, si përfundim. Përfundimisht, nuk e pashë më.
✱Sin.: plotësisht, shkurt, pakthyeshmërisht, vendosmërisht, përgjithnjë, tërësisht, krejtësisht.
SOLEMNÍSHT ndajf. 1. Në mënyrë solemne, me madhështi të veçantë. Përkujtuan (kremtuan) solemnisht ngjarjen e shënuar.
2. Në mënyrë shumë të vendosur, serioze dhe me madhështi. Deklaroi (shpalli) solemnisht. Premtoi solemnisht. Miratoi solemnisht.
✱Sin.: madhërisht, vendosmërisht.
SËPÁT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Vegël dore prej hekuri me teh të mprehtë nga njëra anë, me mykë nga ana tjetër dhe me një vrimë ku futet bishti prej druri, e cila përdoret për të prerë dhe për të çarë dru. Sëpatë e mprehtë. U gjet një sëpatë e lashtë prej guri. E mbante me kujdes presën e sëpatës. E kishte vrarë bishti i sëpatës. Sëpata e druvarit. Mprehte sëpata. Çaj dru me sëpatë. I ra me sëpatë cungut.
2. Vegël e tillë me qafë e me bisht të gjatë, që përdorej si armë lufte dhe për t'u prerë kokat të dënuarve me vdekje. Luftëtar me sëpatë. I druheshin sëpatës së xhelatit.
✱Sin.: sakicë, sakavicë, naxhake, cakorre, çokë, kepore, nagaçe, sakë, latë, latore, latushë, latoshe, balltje, balltuke, qylyke, qafore.
♦ I ra sëpata në *gur (dikujt). Del si *lisi para sëpatës (para sharrës, para farkës) (dikush). Si *lata edhe sëpata keq. E mban sëpatën nën *gunë (dikush). E pret *lisin me një sëpatë (me një të rënë) (dikush). E pret *malin me një sëpatë (me një të rënë) (dikush). Ia preu me sëpatë (dikujt) ia tha hapur, ia tha copë; nuk ia zgjati, nuk i dha mundësi të kundërshtonte a të parashtronte arsyet e veta për diçka; ia preu shkurt e pa mëdyshje; e kundërshtoi prerazi dhe ashpër; nuk i bëri asnjë lëshim; ia preu me thikë (me brisk). Nuk i pret sëpata (dy herë) në një vend (dikujt) nuk thotë të njëjtën gjë dikush, e ndryshon mendimin shpesh; flet kot e pa lidhje, llomotit vend e pa vend. Qan *pylli për sëpatë. (Shkoi, humbi) si sëpata pa bisht (dikush a diçka) humbi krejt dhe kot, shkoi dëm, pa i hyrë në punë askujt; (shkoi) për dhjamë qeni; (shkoi) si qeni në vresht (në rrush) (dikush); (humbi) si pluhuri në erë; e mori ora e ligë (dikë). Me sëpatën e dardharit haptas, drejtpërdrejt e trashë, pa i rënë rrotull, prerazi e vendosmërisht; pa kursyer asnjë dhe asgjë. Me sëpatë të madhe me kërcënime; me dhunë, me forcë. I vuri sëpatën (diçkaje) shih i vuri kosën (diçkaje). E vret mizën me sëpatë (dikush) e tepron në mënyrën a në mjetin që zgjedh për të bërë diçka të vogël; i zmadhon tepër gjërat; gjuan një zog me top. S’i zë sëpata në një vend (dikujt) nuk i qëndron fjalës së dhënë, sillet e flet si t’ia dojë puna; nuk e mban fjalën, nuk është i qëndrueshëm e i besës, e dredh; s’ka lidhje burri (dikush) përb.; (është) mësallë me dy faqe (dikush); e kthen pjatën nga të katër anët (dikush) keq.
VENDOSMËRÍSHT ndajf., libr. Në mënyrë të vendosur; me vendosmëri. Qëndroi vendosmërisht. E mbrojti vendosmërisht. E hodhi poshtë vendosmërisht.
✱Sin.: fuqimisht, kategorikisht, këmbëngultas.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë