Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ADMINISTRATIVÍSHT ndajf., drejt. 1. Në mënyrë administrative; në përputhje me rregullat e procedurat administrative, nga ana administrative; nga pikëpamja e lidhjeve administrative; zyrtarisht. Administrativisht i sistemuar. Administrativisht i varur (i pavarur). Lidhet (varet) administrativisht. U strukturua administrativisht. Bën pjesë administrativisht. Iu përgjigj administrativisht.
2. Me rrugë administrative, nëpërmjet administratës, me anë të urdhrave e të vendimeve të administratës. Zgjidh administrativisht një çështje. U vendos administrativisht. U trajtua administrativisht. E dënuan administrativisht. Vendim i drejtë administrativisht.
ÁH/ËR,~RI m. sh. ~RA, ~RAT 1. Ahur. Ahri u vendos pas kullës. - A i ngujove lopët në ahër?
2. Kati përdhes i kullës, ku mbahet vetëm gjëja e gjallë (lopë, kuaj, dele, dhi). Shtëpinë e kishin ahër kuajsh thuhet kur nuk mbahet pastër shtëpia. Një ahër pleh - një hambar drithë. (fj. u.).
✱Sin.: katua, quar, plevicë, pleme, patoz.
AJËRSJÉLLËS,~I m. sh. ~, ~IT tek. Pajisje, aparat që sjell ajër; sistemi si tërësi pajisjesh, gypash, tubash etj., që sjell ajrin në një mjedis banimi a pune. Struktura e ndërtimit të ajërsjellësit. Ajërsjellës bashkëkohor. Vendos ajërsjellës në fabrikë (në minierë).
ALKÓV/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. arkit. Lloj kthine ose dollap i futur thellë në mur; dollap ku vihet shtroja e mbuloja e shtretërve; kamare, musendër. U ekspozua në një alkovë të muzeut. Alkovë dhome. Alkovë fshati.
2. Kthinë e vogël që krijohet brenda një banese a shtëpie për të plotësuar një mungesë hapësire të nevojshme, dhomë. Vë rrobat në alkovën e dhomës së gjumit. U vendos në një alkovë të rrethuar me perde. Alkovë e vogël. Fjeti në alkovën në përdhese.
AMERIKANOCENTRÍZ/ËM,~MI m. Ideologji ose botëkuptim që vendos Amerikën në qendër të analizës, të kulturës ose të historisë; vlerësim ose gjykim i kulturës joamerikane nga aspekti i kulturës amerikane (gjuhë, komb, psikologji, mendësi, zakone, fe etj.); ngritje e etnisë ose kulturës amerikane mbi etnitë ose kulturat e tjera. Amerikanocentrizëm i hapur. Kritikë ndaj amerikanocentrizmit.
ANAKRONÍK,~E mb., libr. 1. Që i vendos ngjarjet e dukuritë e një kohe në një kohë tjetër, që i ngatërron periudhat historike të kohës, që është jashtë kohës. Trajtim (pasqyrim) anakronik.
2. Që nuk u përshtatet kërkesave e kushteve të kohës së sotme, që nuk është aktual, që i ka kaluar koha, i vjetruar; mospërputhje kohore ose kulturore; i dalë mode. Mendime anakronike. Vepër anakronike. Njeri anakronik.
✱Sin.: jashtëkohor, i vjetruar, i tejkaluar, i tejshkuar, i prapambetur, i moçmuar, arkaik.
ANTIDAT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Vendos qëllimshëm një datë paraprake; vendos një datë të pasaktë, të mëhershme a të mëvonshme se data e saktë, paradatoj; pasdatoj. Antidatova ditën e lindjes. Antidatova kontratën. Antidatoj qëllimisht dokumentin (letrën).
ANTIKËRPUDHÓR,~E mb., biol. Që është kundër kërpudhave, që lufton kërpudhat. Veprimi antikërpudhor i vajrave bimore. Vajra antikërpudhore. Sherbela ka efekt antikërpudhor, ndihmon te rregullimi i menstruacioneve, vendos ekuilibrin hormonal dhe parandalon problemet e menopauzës.
ANTROPOCENTRÍK,~E mb., filoz. 1. Që e vendos njeriun në qendër të universit; që e vështron dhe interpreton botën sipas njohjes dhe përvojës njerëzore.
2. Që ka të bëjë me antropocentrizmin; që i përket antropocentrizmit, i antropocentrizmit. Shoqëri antropocentrike. Njeri antropocentrik. Perspektiva antropocentrike. Botëkuptimi antropocentrik. Politikat mjedisore antropocentrike.
ANTROPOCENTRÍZ/ËM, ~MI m., filoz., hist., mit. Botëkuptim ose ideologji që e vendos njeriun në qendër të gjithçkaje; qëndrim se njeriu është pjesa më e rëndësishme dhe më e vlefshme e botës, qëndrim se njeriu është referenca kryesore për vlerësimin e çdo gjëje në botë. Antropocentrizmi modern (klasik). Aktivistët e mjedisit kritikojnë antropocentrizmin. Ndikimi i antropocentrizmit në zhvillimin e qytetërimit.
APOSTILATÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT zyrt. Ai që bën shënime, që nënshkruan dhe që vendos vulën në një apostilë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë