Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DÁLLG/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Valë e madhe në det, në liqen etj., që ngrihet e lëviz me vrull. Dallgë të fuqishme. Dallgët e detit. Nëpër dallgët e lumit. Kreshta (shkuma) e dallgëve. Forca (fuqia) e dallgëve. Det me dallgë. E rrëmbeu (e përpiu, e përplasi) dallga. Ka dallgë. Çan dallgët. U bëri ballë dallgëve. E hodhën dallgët në breg.
2. fig. Diçka që të kujton valët e detit ose që lëviz si ato; valëzimi i flokëve. Dallgët e grurit (e thekrës). I ka bërë flokët me dallgë.
3. fig. Grumbull i madh njerëzish, që vërshojnë me vrull e pa u ndalur dhe që lëvizin valë-valë. Dallgë njerëzish. Dallgët e demonstruesve.
4. Shi me erë të fortë; shtrëngatë, furtunë. Mbrëmë bëri dallgë e madhe. I theu dallga pemët.
5. fig., kryes. sh. Vështirësi, ndryshime e përpjekje të mëdha e të njëpasnjëshme në jetën e njerëzve a në rrjedhën e ngjarjeve, ngritje e ulje në jetë që kërkojnë përpjekje të mëdha për t’i kapërcyer; vërshimi papërmbajtur ndjenjash (zemërimi, urrejtjeje etj.); valë. Dallgët e jetës. Dallgët e luftës.
6. fig. Vërshim i papërmbajtur ndjenjash; valë. Dallgët e zemërimit (e urrejtjes).
✱Sin.: valë, tallaz, valomë, shkulm, shkul, grumbull, shi, erë, shtrëngatë, furtunë, shqotë, rrymë, vrull, vrundull, vështirësi, ndryshime, përpjekje, zemërim, urrejtje.
♦ E kanë kapur dallgët (dikë) është zemëruar shumë, është tërë inat; po shfryn e po turfullon nga inati; është me dallgë (dikush). Merr dallgë (dikush a diçka) shpërthen me vrull, nuk përmbahet dot më; merr hov. Si të vijë dallga si të paraqiten rrethanat, si të jenë kushtet, si ta sjellë rasti.
VÁL/Ë,~AI f. sh.~Ë, ~ËT 1. Shtresë uji në sipërfaqen e detit, të liqenit të lumit etj., që lëviz me ulje e ngritje zakonisht nga era dhe që duket sikur zhvendoset drejt bregut; dallgë; shkulm. Kreshtat e valëve. Valët e detit (e lumit). Lartësia e valës. U krijuan valë. Përplasen (thyhen) valët. Det me valë. Çau valët. Ngrihen valë. Valë të shkumëzuara. Bën valë. Vjen vala. Ujitje me valë ujitje duke e lëshuar ujin me vrull në gjithë arën, ujitje me përmbytje.
2. Diçka që i ngjan dallgës së ujit ose që lëviz dallgë-dallgë; turmë njerëzish që lëvizin në trajtën e dallgëve; rrymë. Valët e rërës. Valët e grurit në arë. Valët e flamurit. Valët e flokëve. Valë të nxehta ajri. Valët e demonstruesve. Vala goditëse e ajrit rrymë e fortë ajri, që shkaktohet nga shpërthimi i një arme bërthamore.
3. fiz. Dridhje të rregullta të ajrit, në trajtë dallgësh të vogla, që shkaktohen nga lëkundjet e një trupi tingëllues në një mjedis; dallgë drite ose dallgë grimcash elektromagnetike, që krijojnë një fushë e përhapen në një drejtim a në një mjedis të caktuar. Valë tërthore (gjatësore). Valë të gjata (të mesme, të shkurtra). Valë elektromagnetike. Valët e radios. Valë televizive. Valë zanore. Valët e zërit. Valët e dritës.
4. kryes. sh. ~A, ~AT Bula a flluska me ajër, që formohen në ujë ose në një lëng kur zien. Lëshon vala.
5. fig., bised. Radhë, herë. Valën tjetër. Këtë valë. Valë pas vale herë pas here. Kishte valën.
6. fig. Lëvizje përpara e me vrull e diçkaje, që rritet gjithnjë e më shumë; rrjedhë a rrymë e fuqishme; shfaqja e fortë, e beftë dhe e vrullshme e diçkaje (zakonisht e pakëndshme) a përsëritja e saj; shpërthim i një ndjenje etj.; dallgë. Valë e fuqishme. Valë të nxehti (të ftohti). Valë grevash (demonstratash). Valë krimesh. Valë e re refugjatësh. Valë gëzimi (entuziazmi). Valë dashurie. Valë gëzimi (pakënaqësie). U ngrit (ra) vala.
✱Sin.: suvalë, valomë, tallaz, valëzim, dallgëzim.
♦ U bëra (jam) *pikë e valë. Bëri *lot e valë (dikush). (Është) në valë të gjakut (dikush) është në moshë të re e gjithë energji, është në kohën e rinisë; i vlon (i zien, i gufon, i lëvrin) gjaku (dikujt). (Është) në valë të shpirtit (dikush) shih po heq (po jep) shpirt) (dikush). Më ka rënë vala në kokë. 1. Më ka pushtuar një dëshirë e zjarrtë, më ka goditur dashuria për dikë etj.; më është ngulur në kokë një mendim që më mundon. 2. Më ka zënë një hall i madh; më zien (më mizëron) koka. Kam valë mbi krye kam shumë shqetësime e telashe, sa nuk di ç’të bëj, s’di ngat’ia mbaj; më avullon koka (kryet); më luajti kapaku (tabani) i kokës; më luajti mendja; më del tym nga koka; më del zjarr nga koka; kund. fle në një krah. Merr valë (diçka) nis të ngrihet, të fuqizohet a të zhvillohet shumë; gjallërohet, ndizet; merr hov. E mori vala (dikë). 1. Shkoi pas të tjerëve dikush pa bindjen e vet, bëri si të gjithë, u bashkua vetiu me shumicën; e mori rryma; e mori rrjedha. 2. I ranë fatkeqësi të mëdha dikujt, ka pësuar humbje, po dështon e po bie poshtë e më poshtë; mori tatëpjetën (dikush); mori teposhtën (dikush). E mori me valë (dikush) e nisi me rrëmbim a me vrull diçka; e nisi me të ashpër (një bisedë) dhe u acarua me dikë, u rrëmbye, u nxeh; iu nxeh gjaku1 (dikujt); iu ndez (iu avullua) gjaku (dikujt). E zuri vala (dikë) bëri siç bënin të tjerët, shkoi pas të tjerëve; e mori vala.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë