Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BARAZÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Të qenët i barabartë në madhësi, në shkallë, në cilësi etj. me një tjetër, të qenët baras, njënjëshmëri; kund. pabarazi. Barazi e plotë. Barazia e forcave. Sipas parimit të barazisë. Raporte barazie.
2. drejt. Gjendje e barabartë e njerëzve në shoqëri, të cilët kanë të drejta të njëjta politike e qytetare dhe marrëdhënie të barabarta me pronën shoqërore; e drejta për të qenë i barabartë me një tjetër; kund. pabarazi. Barazi e plotë. Barazi kombëtare (shoqërore). Barazi juridike (ekonomike). Barazi para ligjit. Barazia e qytetarëve (e gruas me burrin). Barazia gjinore. Parimi i barazisë. Lufta për barazi. Duhet drejtësi, barazi, vëllazëri dhe jo djallëzi. Shkelja (prishja) e barazisë midis shtetasve.
3. gjuh. Krahasim i sendeve në shkallë të barabartë; kund. pabarazi. Shkalla krahasore e barazisë një nga shkallët e krahasimit të mbiemrave e të ndajfoljeve kur sendet a cilësitë që krahasohen janë në një shkallë të barabartë.
✱Sin.: njënjëshmëri, njëjësi, barazim, paritet.
BASHKËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. vet. nj. Të pasurit diçka të përbashkët me një tjetër, prania e një tipari të përbashkët me një tjetër; lidhja e dy a më shumë gjërave sipas diçkaje të përbashkët. Bashkësi ekonomike. Bashkësi (lidhje) gjuhësore. Bashkësia e territorit. Bashkësi idesh (qëllimesh, interesash, pikëpamjesh). Bashkësi mendimi (veprimi). Brenda bashkësive.
2. Grup njerëzish që janë të lidhur e të bashkuar nga prejardhja, nga kushtet e jetesës, nga veçoritë kombëtare, nga interesa e qëllime të përbashkëta etj.; grup vendesh a popujsh që lidhen nga kushte historike ose nga interesa të përbashkët ekonomikë, shoqërorë e politikë. Bashkësi e qëndrueshme. Bashkësi ekonomike (territoriale). Bashkësi kombëtare. Bashkësi shtetesh. Bashkësia iliro- shqiptare. Bashkësia evropiane.
3. hist. Formë e organizimit të shoqërisë në rendin e komunës primitive kur njerëzit i zotëronin së bashku mjetet e prodhimit dhe vetëqeveriseshin; formë e tillë që u ruajt pjesërisht edhe më vonë; komunë. Bashkësia primitive. Bashkësi fisnore. Bashkësitë fshatare. Prona e bashkësisë. Shthurja e bashkësisë.
4. fet. Grup murgjish a fetarësh që banojnë në një manastir; vëllazëri; grup i madh njerëzish të një besimi fetar. Bashkësi fetare. Bashkësia ortodokse (katolike, myslimane, bektashiane).
5. mat. Tërësi njësish ose elementesh që kanë një veti të përbashkët, karakteristike vetëm për to (si tërësia e numrave natyrorë, tërësia e nxënësve të një klase, tërësia e drurëve të një pylli etj.). Bashkësi e pafundme (e kufizuar, e mbyllur). Bashkësia e numrave. Sistemi i bashkësive.
6. gjeol. Tërësia e zonave dhe e shtresave gjeologjike që kanë të përbashkët përbërjet, ndërtimin etj. Bashkësi gjeologjike.
VËLLAZËRÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. përmb. Tërësia e vëllezërve, vëllezërit. U mblodh (erdhi) vëllazëria.
2. nj. Lidhja e ngushtë e dashuria ndërmjet vëllezërve ose ndërmjet njerëzve të një gjaku; të qenët vëlla me dikë. Të ruajmë vëllazërinë! E kanë ruajtur vëllazërinë. E kanë të shenjtë vëllazërinë.
3. etnogr. Nënndarje e një fisi, i cila përbëhet nga disa familje të mëdha ose nga disa grupe familjesh të së njëjtës prejardhje nga ana e babait me pronë të përbashkët dhe ndahej në disa barqe sipas numrit të djemve. Vëllazëri të mëdha (të vogla). Vëllazëri me pesë barqe. Fis me tri (me katër, me gjashtë) vëllazëri. Janë në një vëllazëri.
4. vet. nj. Shoqëri a miqësi e ngushtë e disa njerëzve që i lidhin interesat dhe qëllimet e përbashkëta; lidhje e dashuri prej vëllezërish. Kemi vëllazëri me të. Forcuan vëllazërinë.
5. vjet. Bashkim i disa njerëzve që janë të një kombësie a kombi ose që kanë interesa e qëllime të njëjta, të cilët formojnë një shoqëri me synime të caktuara, shoqëri, shoqatë. Vëllazëritë atdhetare (kombëtare). Vëllazëritë e shqiptarëve jashtë atdheut. Anëtar i vëllazërisë. Themeluan një vëllazëri. Vëllazëritë e arbëreshëve të Kalabrisë.
6. fet. Grup murgjish a fetarësh të tjerë që banojnë në një manastir a që janë të lidhur nga qëllime e synime të përbashkëta, bashkësi fetare. Vëllazëri fetare. Vëllazëria e Manastirit. Vëllazëri e shenjtë. Bënte pjesë në vëllazërinë e manastirit.
✱Sin.: vëllezër, miqësi, shoqëri, shoqatë, bashkësi, çetë, vëllazërim.
VËLLAZËRÍM,~II m. 1. Veprimi kur vëllazëroj a vëllazërohem. Vëllazërimi i kombeve (i palëve). Vëllazërim pas mosmarrëveshjeve. Vëllazërim me njëri-tjetrin.
2. Gjendja kur krijohen marrëdhënie vëllazërore ndërmjet palëve a ndërmjet dy personave. Frymë vëllazërimi. Vëllazërimi i shqiptarëve jashtë atdheut.
3. përmb. Vëllazëri.
✱Sin.: vëllazëri, pajtim.
ÇÉT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Grup i vogël njerëzish të armatosur me një komandant a njësi e vogël luftarake. Çetat e kreshnikëve. Çetë luftëtarësh. Çetat e lirisë. Çetat e maleve. Çetë kusarësh. Lufta e çetave. Luftëtarët e çetës. Dolën në çetë. U mbush mali me çeta. Edhe në çetat patriotike ka pasur gra.
2. Grumbull njerëzish; grup. Çetë njerëzish. Çeta e krushqve. Çetë fëmijësh.
3. Lojë çetash; prekja që i bën një lojtar kundërshtarit në këtë lojë. Çeta me të lënë. Çeta me të mbyllur. Luajmë çetën. Ia la çetën (dikujt) e mashtroi, ia hodhi.
4. Njësia më e madhe e organizimit të fëmijëve në një shkollë ose kamp në periudhën e diktaturës komuniste. Çeta e pionierëve. Çeta e shkollës. Çeta e kampit. Udhëheqësi i çetës.
5. etnogr., vjet. Grup familjesh me prejardhje të përbashkët, vëllazëri; farefis. Agai i çetës. Martesa jashtë çetës. Nuk ka çetë këtu ai nuk ka farefis të tij këtu. Mbledh çetën.
6. krahin. Lagje.
7. vjet. Çetim. Doli për çetë.
✱Sin.: vëllazëri, farefis, grup, çetim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë