Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BISHTMBLÉDHUR mb., fig. I urtësuar, i mundur; kund. bishtpërpjetë.
MBLÉDHUR (i, e) mb. 1. Që është grumbulluar. Lulet (bimët) e mbledhura në fushë. Pasuria e mbledhur. Botime me materiale (këngë) të mbledhura nga folklori.
2. Që është vjelë (për frutat). Manaferrat e mbledhura.
3. Që i ka ndërtesat pranë e pranë, i përqendruar në një vend; i përmbledhur; kund. i shpërndarë. Qytet (fshat) i mbledhur.
4. Që është përthyer, është palosur ose është mbledhur shuk a si lëmsh; i mbështjellë. Me flokë të mbledhur. Me trup të mbledhur. Me vela të mbledhura.
5. fig. I shtruar, i bindur e i urtë, që nuk bredh rrugëve kot. Njeri i mbledhur.
6. Që nuk harxhon, i rregullt (dikush). Është i mbledhur për shtëpi.
✱Sin.: i grumbulluar, i vjelë, i përqendruar, i përmbledhur, i mbështjellë, i shtruar, i rregullt, i përmbajtur, i urtësuar, i shtrënguar.
♦ E ka mendjen të mbledhur (dikush) është i qetë e i sigurt për diçka, e ka hequr merakun; e ka mendjen të fjetur; e ka mendjen top. Me *mendje të mbledhur.
QÚMËSHT,~I m. 1. Lëng i bardhë nga gjiri i gruas dhe i femrave të disa kafshëve, që është ushqim për të vegjlit e tyre dhe për njeriun. Qumësht gjiri. Gjëndrat e qumështit. Periudha e qumështit koha gjatë së cilës të vegjlit ushqehen me gji. I erdhi qumështi. Ia preu qumështin fëmijës nuk i jep më të pijë nga gjiri. Qumësht i hollë (i trashë, i lyrshëm). Qumësht lope (deleje, dhie, pele, buallice). Qumësht kutie (i kondensuar). Ajkë qumështi. Prodhime qumështi. Qumësht pluhur. Salcë qumështi. Shishe qumështi. Përshesh me qumësht. Byrek me qumësht. Akullore me qumësht. Kakao me qumësht. Një shishe qumësht. Tund qumështin. E zë qumështin kos. Qengj qumështi qengj pirës, që ushqehet vetëm me gji. Fazë e qumështit periudhë e misrit dhe e disa bimëve të tjera kur mbushen me lëng e rritin kokrrat. Ethe të qumështit (mjek.) (lat. Febris lactea). Lopë qumështi lopë që mbahet për të mjelë. Ngjyrë qumështi i bardhë, por që nuk të vret sytë, i bardhë i ëmbël. Qumësht i leshtë qumësht dhensh. Qumësht i dhirtë qumësht dhish.
2. Pjesa e parë e emërtimeve të pathjeshta që shënojnë lloje të ndryshme qumështi a të produkteve të përftuara prej tij. Qumështi i parë kulloshtër. Qumësht acidofil produkt i fermentuar i qumështit, i përftuar nga mpiksja e tij me maja. Qumësht blete produkt sekrecioni i gjëndrave faringale të bletëve me vlera të larta ushqimore. Qumësht i kondensuar qumësht i trashë në formën e një lëngu viskoz, që mund të prodhohet me sheqer ose pa sheqer dhe që mbahet i ambalazhuar në kuti metalike ose në kuti kartoni të veshura nga brenda me letër alumini. Qumësht i pasterizuar qumësht i përpunuar me ngrohje në temperaturat 65°-97°C, gjatë së cilës zhduken vetëm format vegjetative të mikroorganizmave. Qumësht pluhur qumësht i thatë në formë mielli, që përftohet nga tharja e tij dhe që mbahet në kavanoza apo i paketuar. Qumësht i sterilizuar qumësht i përpunuar me ngrohje në temperaturë mbi 100°C, gjatë së cilës janë zhdukur jo vetëm mikroorganizmat vegjetativë, por edhe sporet e tyre. Qumësht i skremuar produkt i përftuar nga centrifugimi i qumështit të plotë, duke larguar një pjesë të yndyrës së tij, të vitaminave e lecitinës dhe që përdoret drejtpërdrejt për njerëzit, për viçat dhe për prodhimin e gjizës.
3. Lëng i bardhë që kullon nga kërcelli ose nga pjesë të tjera të disa bimëve; që del kur treten disa lëndë në ujë. Qumësht bajamesh. Qumështi i fikut. Qumësht gëlqereje. Qumësht kokosi lëng i ëmbël, i bardhë, që formohet nga tuli i frytit të arrës së kokosit, me përmbajtje të lartë të vajit dhe sheqernave me vlera ushqyese.
✱Sin.: tambël, hirrë.
♦ Me *ajkë qumështi. Ajo *lopë atë qumësht bën. U bë qumësht e mjaltë (dikush) është zbutur, i ka zbritur inati; është urtësuar, u shtrua; u bë vaj; u bë qengj. I ra luga në qumësht (dikujt) i shkojnë punët mbarë; jeton mirë e pa vështirësi, nuk vuan; i doli qumështi mbi përshesh; i vjen e mira në derë. Ra nga qumështi në uthull (dikush) u egërsua, i hipi zemërimi a inati, kaloi nga një gjendje e qetë në një gjendje të acaruar; u bë inatçor; Ra nga *uthulla në qumësht (dikush). Më doli qumështi (tambli) i nënës u lodha jashtë mase, hoqa mundim të madh, u rraskapita; më doli shpirti; më doli shkumë (nga goja). I doli qumështi mbi përshesh (dikujt) jeton shumë mirë, është shumë mirë nga gjendja ekonomike, ka çdo gjë me bollëk; i ra luga në qumësht. *Dele pa qumësht (pa bulmet). I dogji qumështi (tambli) e i fryn kosit (dikush) shih u dogj nga qulli e i fryn kosit (dikush). E hollon qumështin (dikush) e zbut muhabetin a sherrin; i paraqit gjërat më të buta se ç’janë; i hedh ujë verës. (Është) *mjaltë e qumësht (e sheqer) (dikush). I ka buzët me qumësht (dikush) është ende i parritur, është si foshnjë; nuk është rrahur nga jeta, nuk ka përvojë, është i papjekur, si fëmijë; i mban goja erë qumësht (dikujt); s’i kanë dalë ende dhëmbët (dikujt); është në pelena; është në shpërgënj; sa ka dalë nga veza; është filiz (i ri). E ka *mjaltë e qumësht (mjaltë e sheqer) (me dikë). Kërkon qumësht nga cjapi (dikush) shih kërkon qiqra në hell (dikush). Kërkon qumësht nga delja shterpë (dikush) shih kërkon qiqra në hell (dikush). Lisi i *qumështit (i tamblit) etnogr. I mban goja erë qumësht (dikujt) është ende foshnjë, është fare i mitur; i ka buzët me qumësht (dikush). I nxori qumështin e nënës (dikujt). 1. E rrahu shumë rëndë, e shqepi, e zhdëpi; ia mori shpirtin; i nxori shkumë (nga goja.). 2. E mundoi përtej fuqive të tij; e shfrytëzoi deri në palcë; ia mori shpirtin; i nxori shkumë (nga goja); i nxori vaj. Qumësht (tambël) dallëndysheje. 1. Ushqim shumë i zgjedhur, i rrallë e i shtrenjtë; diçka shumë e mirë dhe e veçantë. 2. Diçka shumë e rrallë, që nuk mund të gjendet. Është rritur me *ajkën e qumështit (me ajkë qumështi) (dikush). Ta shet hirrën (shëllirën) për qumësht (dikush) të mashtron, ta hedh; ta jep a ta paraqit diçka pa vlerë si diçka me shumë vlerë; ta shet ujin për raki (për verë); ta shet sapunin për djathë; t’i shet krundet për miell. Tregoi edhe qumështin e nënës (dikush) nuk mbajti asgjë të fshehtë, i tregoi të tëra, zbuloi gjithçka dinte, i nxori të gjitha (zakonisht i detyruar a me dhunë); i zbrazi barkun (dikujt). E ka mësuar me qumështin e nënës (diçka) është rritur dhe është edukuar që në vogëli me diçka, e ka bërë natyrshëm e pak e nga pak krejt të vetën. Më erdhi qumështi i nënës (shpirti) në *majë të hundës.
ZBÚTUR (i, e) mb. 1. Që është bërë i butë në të prekur; që i është hequr ashpërsia; që është bërë si brumë, zakonisht duke u njomur me ujë, i zbrujtur (për një gjë të fortë a të thatë); që është bërë i butë duke u nxehur në zjarr (për metalet etj.); kund. i ashpër. Lëkurë e zbutur. Tokë e zbutur. Bukë e zbutur. Zift (dyllë) i zbutur. Sustë e zbutur. Dardhat e zbutura vijnë pak si të nxira, po nuk janë të kalbura.
2. Që është bërë më i këndshëm e më i pëlqyeshëm për veshin a për syrin; që është bërë i shtruar e i ëmbël, që s'ka më vrazhdësi; kund. i ashpër. Dritë e zbutur. Ngjyra të zbutura. Nota të zbutura. Me zë të zbutur.
3. Që është zbutur (për kafshët e egra); që është përmirësuar me anë të shartimit (për bimët); kund. i egër. Kafshë e zbutur. Tigër (majmun) i zbutur. Një lloj i zbutur i ujkut. Bualli i zbutur i ujit. Një anëtar i zbutur i familjes së kuajve. Pemë e zbutur.
4. fig. Që është bërë i urtë, i shtruar e i bindur (për njerëzit); që është qetësuar; që është bërë dashamirës; kund. i egër. Qëndrim i zbutur. Vështrim i zbutur. Ishte pak më i zbutur. Doli më i zbutur nga mbledhja. Dukesh më i zbutur së më parë.
5. Që i është ulur pjerrësia; që është bërë më i sheshtë (për kodrat, tokat etj.). Kodra të zbutura. E tatëpjetë e zbutur. Djerre të zbutura.
6. fig. Që i ka rënë vrulli e forca e mëparshme, që nuk është më i egërsuar. Det i zbutur. Mot i zbutur.
7. Që i është ulur grada e fortësia, që është bërë më i butë (për pijet alkoolike); që i është hequr një pjesë e kripërave minerale (për ujin); kund. i fortë. Raki (uzo) e zbutur. Ujë i zbutur.
✱Sin.: i butë, i butësuar, i zbrujtur, i brumëzuar, i brydhët, i njomur, i qullur, i lagur, i lagshtë, i mbrydhët, i dyllëçitur, i ndulkët, i squllët, i urtësuar, i fashitur, i tutëluar, i fishkur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë