Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AGJËRÓNJ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT krahin. 1. zool. (lat. Ardea cinerea) Shpend uji me qafë të gjatë, me këmbë të gjata e me sqep të hollë e të mprehtë, me një tufë puplash të zeza në krye dhe në krahë, që jeton në ligatina (moçalishte, këneta, rreth pellgjeve, liqeneve etj.) dhe që ushqehet kryesisht me gjallesa ujore që i gjuan zakonisht në cekëtinat ku jeton. Agjëronjë deti (liqeni, kënete etj.). Agjëronjë e hirtë. Agjëronjë e bardhë. Agjëronjë e larme.
2. fig. Grua e dobët dhe e hollë, thatanike. Si agjëronjë deti. Fillake si agjëronjë.
✱Sin.: çafkë, çafkëthime, çafçak, çajme, çapë, çape, çapëthime, çapke, gatë, gatëz.
AKTVLERËSÍM,~I m. sh. ~E, ~ET zyrt. Dokument zyrtar që vërteton një vlerësim të kryer për diçka, si për një çështje trashëgimie (pasuri e paluajtshme, pasuri e luajtshme) etj.; akt vlerësimi. Aktvlerësim i pasurisë së trashëguar. Aktvlerësim i pasurisë ujore. Aktvlerësim i projektit ekonomik. Aktvlerësim i programit mësimor.
AMFIPÓDË,~T m. sh., zool. (lat. Amphipoda) Familje e karkalecave të detit ose të lumit me rreth 9000 lloje, të ngjashëm me gaforret, por me trup të shtypur anash, me dy palë antena të gjata me cilindra dhe qime të ndjeshme, që jetojnë në tokë e në ujë e që njihen si grabitqarë. Trupi i amfipodëve. Amfipodët si pastrues të mjediseve ujore.
AMÚR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. zool. (lat. Ctenpharyngodon idella) Peshk i ujërave të ëmbla, me ballë të gjerë e luspa të mëdha, me shpinën të gjelbër e me barkun në ngjyrë të çelët, që mund të rritet mbi një metër dhe të peshojë deri 30 kg e që ushqehet me bimë ujore (kallamishte, kërpudha, thjerrëza uji, bar etj.); amuri i bardhë; krapi i barit, krapi indian Amuri i zi (lat. Mylopharyngodon piceus) krapi aziatik mishngrënës, që jeton në ujëra të ëmbla, me gjatësi mbi një metër, me peshë deri njëqind kilogram e që ushqehet kryesisht me kërmij, molusqe dhe midhje.
2. fig. Ai që ikën e fshihet nga sytë e të tjerëve. Iku, u bë amur humbi nga sytë, u tret larg,
ANAKÓND/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Eunectes murinus) Gjarpri më i madh, johelmues, që jeton në mjediset ujore të Amerikës tropikale; boa e madhe e viseve pyjore të Amerikës së Jugut, që jeton në ujë dhe në tokë dhe rritet deri dhjetë metra gjatësi e që ushqehet me brejtës, me zogj, me breshka të vogla, me peshq, me derrkucë uji etj.; anakonda e madhe, anakonda e gjelbër.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloj anakondash: Anakonda e verdhë (lat. Eunectes notaeus) anakondë me ngjyrë të verdhë, më i vogël se anakonda e gjelbër, e gjatë deri në katër metra, që jeton në rrjedha ujore e në mjedise kënetore; anakonda paraguaiane. Anakonda eni (lat. Eunectes beniensis) bollë johelmuese deri pesë metra e gjatë, që jeton në këneta dhe në zona të tjera baltore a moçalore.
ANKORÍM,~I m. sh. ~E, ~ET det. 1. Veprimi kur ankoroj ose kur ankorohem.
2. Lëshim i spirancës së anijes në fund të ujit; ndalim ose qëndrim në vend i anijes; të ankoruar. Ankorimi i anijes. Vendi i ankorimit. Porti i ankorimit. Zona ujore e ankorimit. Kapiteni dha urdhër për ankorim. Llojet e ankorimit. Simbolet e ankorimit.
ARAP,~III m. sh. ~Ë ~ËT zool. (lat. Anura) Lloj gjallese e rendit zoologjik të amfibëve me trup të shkurtër, pa bisht në fazën e rritur, me lëkurë të lagësht, shpesh pa luspa, me gojën e madhe e sy të mëdhenj e të dalë jashtë, që rritet në zona ujore e pyje të lagështa, ushqehet me insekte (mushkonja, miza etj.); bretkosa e gjelbër, bretkosa e drurëve, bretkosa helmuese, zhaba e zakonshme.
✱Sin.: fulterëz, bishtfulterje, bubejkë, maçarrungë, thithëlopë.
ARKEOLOGJÍ,~A f., hist. Shkencë historike që studion kulturën dhe jetën e popujve në kohët e lashta, duke u mbështetur në kulturën materiale, monumentet e sendet që kanë mbetur prej tyre nën tokë e që zbulohen me anë të gërmimeve. Arkeologjia shqiptare. Qendra e arkeologjisë. Të arriturat e arkeologjisë. Arkeologjia parahistorike (historike). Arkeologjia e terrenit. Zbatimi i shkencave natyrore në arkeologji. Arkeologjia nënujore nënfushë e arkeologjisë që studion mbetjet materiale në mjediset ujore a nënujore. Arkeologjia eksperimentale nënfushë e arkeologjisë me karakter praktik, që studion e hulumton në mënyrë sistemore mbetjet dhe gjetjet materiale arkeologjike me qëllim rindërtimin dhe testimin e teknikave dhe të proceseve të përdorura nga kulturat e lashta. Arkeologjia ajrore merret me mbledhjen e të dhënave arkeologjike, kryesisht përmes regjistrimeve dhe fotografimeve nga ajri.
ARKËKÓSH,~I m. sh. ~Ë, ~ËT zool. (lat. Anadara corbuloides) Lloj molusku, butak i njohur për guaskën e tij me ngjyrë të bardhë ose kafe, të brinjëzuar, të trashë e të fortë, në trajtë barke, i cili jeton në dete të cekëta dhe ushqehet me mbetje të lëndëve organike ujore. Rëndësia ekologjike e arkëkoshëve. Guaska e arkëkoshit.
ARTÉRI/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. anat. Enë gjaku që del nga zemra dhe shpërndan gjakun e pastër me oksigjen në gjithë pjesët e trupit; pjesë e sistemit qarkullues që ka rol thelbësor në shpërndarjen e gjakut dhe të oksigjenit në trup. Arteria e mushkërive. Arteriet e zemrës (koronare). Arteriet e kokës dhe të qafës (karotide). Arteriet e bllokuara të zemrës. Struktura e mureve të arterieve. Zgjerimi (tkurrja) i arterieve.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme të arterieve: Arterie bazilare enë gjaku e përbërë prej dy arterieve që furnizojnë trurin me gjak të pasur me oksigjen. Arterie buzore enë gjaku që furnizon me gjak buzët dhe indet e saj përreth. Arterie cerebrale tri çifte arteriesh që furnizojnë trurin në tri anët e tij me gjak të pasur me oksigjen. Arterie cistike enë gjaku që furnizon me gjak të pasur me oksigjen fshikëzën e tëmthit dhe kanalin cistik. Arterie e gjymtyrëve enë gjaku që furnizojnë me gjak të pasur me oksigjen indet e buta, kockat, dhe strukturat tendinore të gishtave të duarve e të këmbëve, duke përfshirë lëkurën, muskujt dhe ligamentet. Arterie e meningjeve (e cipave të trurit) enë gjaku që furnizon meningjet e parme e të pasme me gjak të pasur me oksigjen. Arterie faciale enë gjaku që furnizon me gjak strukturat sipërfaqësore të fytyrës. Arterie femorale enë gjaku që furnizon dhe ushqen me gjak arterien e jashtme të kofshës. Arterie gastrike enë gjaku që furnizon me gjak stomakun. Arterie hepatike enë gjaku që furnizon me gjak mëlçinë, pankreasin, zorrët dhe organet përreth. Arterie iliake enë gjaku që furnizon me gjak pjesën lumbare (të fundshpinës). Arterie karotide enë gjaku që furnizon me gjak kokën dhe qafën. Arterie koronare enë gjaku që furnizon me gjak muskujt e zemrës. Arterie oftalmike enë gjaku që furnizon me gjak gropën e syrit, strukturat e hundës, të fytyrës dhe meningjet. Arterie pankreatike enë gjaku që furnizon me gjak pankreasin. Arterie pulmonare enë gjaku që dërgon gjakun e çoksigjenuar të zemrës në mushkëri. Arterie rektale enë gjaku që furnizon me gjak kanalin anal, muskujt dhe lëkurën e zonës anale. Arterie temporale enë gjaku që buron nga karotidet dhe furnizon me gjak skalpin, tëmthat dhe pjesën e përparme të kokës. Arterie vertebrore enë gjaku që furnizon me gjak muskujt e qafës, palcën e kurrizit, trurin e vogël dhe brendinë e trurit të madh.
3. fig. Rrugë e rëndësishme, vijë kryesore për komunikimin, për shpërndarjen e energjisë, të ujit etj.; degëzimi i një organizmi ekonomik, shoqëror, politik etj., me anë të të cilit zhvillon veprimtarinë e vet. Arterie kryesore (e rëndësishme). Arterie elektrike (ujore). Arteriet e minierës. Arteriet e shoqërisë (e ekonomisë). Tregtia dhe arteriet tregtare në Ilirinë e Jugut.
ASOCIACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Grup individësh, organizatash ose entitetesh të tjera që bashkohen për një qëllim të përbashkët. Asociacioni i komunave. Formimi i asociacionit. Asociacioni i shoqatave kulturore. Asociacion humanitar. Asociacion biznesor. Asociacion historik (politik, social, shoqëror, etik, antropologjik etj.). Asociacion me bazë etnike.
2. Organizëm juridik me status ligjor, shoqatë, klub etj. Asociacioni i ekologjistëve. Asociacioni i shkrimtarëve. Asociacioni i mjekëve.
3. psikol. Lidhja ndërmjet përmbajtjeve të ndryshme psikologjike apo aktiviteteve psikomotorike; lidhje mendore midis koncepteve, ngjarjeve, gjendjeve mendore e shpirtërore që dalin nga përvoja individuale. Asociacion përfytyrimesh (mendimesh). Asociacion idesh (fjalësh). Ngjall asociacione. Lojë asociacionesh. Zinxhir asociacionesh.
4. Marrëdhënia ndërmjet ndryshoreve (variablave) që nuk janë të pavarura, lidhje e ndryshoreve e mbështetur në kategori cilësore. Asociacioni i ndryshoreve.
5. bot. Njësi bazë sistematike (sintaksonomike) në shkencën e bashkësive bimore (familje, gjini etj.); grupime bimore me përbërje të ngjashme flore, me kushte të ngjashme ekologjike mjedisore dhe me ngjashmëri në pamje. Asociacion bimor karakteristik për zonën. Asociacioni Evropian për Fara.
5. zool. Grupim e sistemim i kafshëve në bashkësi më të mëdha duke pasur parasysh kushtet e rrethanat ekologjike, përfshirë ato klimatike. Asociacioni i parë (i dytë etj.). Asociacion i rritjes së temperaturave. Asociacion i specieve ujore.
6. kim. Grumbullimi i molekulave ose i joneve në grupime më të mëdha, ku forcat që mbajnë të bashkuara njësitë përbërëse janë më të dobëta se ato që çojnë në krijimin e një lidhjeje kimike. Krijimi i asociacioneve hidrogjenore. Asociacionet e çifteve jonike. Asociacioni i atomeve.
✱Sin.: bashkim, shoqëri, lidhje, shoqërim, shoqatë, grup, grupim, aleancë.
BASÉN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pellg a rezervuar i hapët për të grumbulluar ujë ose lëngje të tjera; bërrakë, ujëmbledhës, gomën. Baseni kryesor. Basene ujore. Basen ujëmbledhës. Basen prej betoni. Uji i basenit. Peshqit e basenit. Basen i pashtershëm. Basen i vogël për rritjen e troftës.
2. gjeogr. Pellg2. Baseni i përroit. Basene të mrekullueshme.
3. det. Pjesa e thelluar e detit afër portit ku qëndrojnë anijet. Baseni i portit.
4. Ndërtim i veçantë zbukurimi me gurë dhe me çimento etj., në parqe, në lulishte etj., që mbushet me ujë. Baseni i shatërvanit.
5. gjeol. Vend me shtresa të pasura mineralesh a lëndësh të tjera. Basen nafte. Basen qymyrguri.
✱Sin.: bërrakë, pellg, syenë, hurdhë, ujëmbledhës, gomën.
BATISFÉR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. gjeogr. Thellësia e detit. Batisfera e detit.
2. tek. Aparat si dhomë sferike që lëshohet me kabllo nga anija për të matur dhe për të studiuar thellësitë detare, oqeanike etj.; hidrostat. Batisferë moderne. Ekspedita me batisferë. Ekuipazhi i batisferës. Zhytja e batisferës. Të dhënat e mbledhura nga batisfera.
3. gjeogr. Mbështjellja ujore e Tokës.
BIMËSÍ,~A f., përmb. Tërësia e bimëve që rriten në një vend; bimët që rriten mbi tokë a në ujë, bota e bimëve; përmb. gjelbërim; bot. florë. Bimësi tokësore (ujore, nënujëse). Bimësi e dendur (e pasur). Bimësi e lartë (e ulët). Bimësi mesdhetare (tropikale). Bimësia e Shqipërisë. Bimësia e maleve (e fushave, e kënetave). Bimësia e detit. Zhvillimi i bimësisë. Harlisja e bimësisë. Mik i bimësisë.
BOLLSHMËRÍ,~A f., libr. Të qenët i bollshëm a i mjaftueshëm; bollëk, plotni. Bollshmëria e burimeve ujore. Bollshmëria e korpusit letrar.
BRÉSHK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Testudo hermanni) Kafshë e vogël zvarranike që e ka trupin të futur në një guaskë kockore pulla-pulla, e rrumbullakët lart dhe e sheshtë poshtë, që ka katër këmbë të shkurtra dhe ecën shumë ngadalë. Breshkë toke. Breshkë uji breshkujëse. Breshkë kënete (deti). Gropë breshke. Vezë breshke. Samar (guaskë) breshke. Grurë breshke (bot.). Liri i breshkës (bot.). Lule breshke (bot.). Trëndafil breshke (bot.). Ecën si breshkë ecën shumë ngadalë. Si kokë breshke. - Po ç’shikon andej-këtej, / Moj breshk’ e ugareve? / Kërkoj udhën e s’e gjej, / O petrit i maleve. (folk.). S’ka fushë pa breshkë. (fj. u.). Lisit të rrëzuar edhe breshka i hip përsipër. (fj. u.). Druan breshka se i mbarohet dheu. (fj. u.). Mos u sorollat si breshka në ujë. (fj. u.). E keqja vjen me këmbët e kalit dhe ik me këmbët e breshkës. (fj. u.). Pak nga pak e dalëngadalë, edhe breshka e hip malë. (fj. u.).
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të breshkës. Breshkë deti (lat. Dermochelys coriaceae; Chelonia) lloj breshke e ujërave të ngrohta me guaskë brinake, me këmbë të përshtatura për të notuar, që mund të qëndrojë për një kohë të gjatë nën ujë e që ushqehet me kafshë të vogla e bimë. Breshka guallbutë (lat. Eretmochelus imbricata) lloj breshke kryesisht ujore, me samarin e mbuluar me një shtresë lëkure të butë, me turi të zgjatur si feçkë për të marrë frymë kur trupin e ka nën ujë, me buzë të tulta e të buta që mbulojnë sipërfaqen e nofullave dhe që ushqehet me insektet e ujit, me gaforre të vogla e butakë. Breshkë kafshuese (lat. Chelydra serpentina) lloj breshke e ujërave të ëmbla, që peshon rreth njëzet e pesë kg, me nofulla të fuqishme të pajisura me kreshta të mprehta brinore, sa mund të këputin gishtin e njeriut. Breshkë lëkurore (lat. Dermochelys coriaceae; Chelonia) breshkë deti me lëkurë të trashë në vend të guallit të brirtë, që peshon deri gjashtëqind kg, me gjatësi deri dy-metra dhe me gjerësi një metër e gjysmë. Breshkë mali (lat. Testudo marginata) breshkë me guaskë kockore të zezë, me pulla të zbërdhulëta, e përhapur në viset e ngrohta të Ballkanit e që ushqehet me bimë. Breshkë me pllaka (lat. Testudo hermanni) breshkë deti me trup shumë të madh e me kokë si sqep, që rron në oqeanet me ujëra të ngrohta. Breshka qafëgjatë (lat. Chelodina longicollis) lloj breshke me qafë të gjatë, pothuaj sa vetë gualli i saj, që bën të mundur kapjen e presë, sepse merr frymë mbi sipërfaqen e ujit, ndërsa trupi i qëndron nën ujë. Breshkë toke breshkë e ugareve. Breshkë e ugareve (lat. Testudo hermanni) breshkë me guaskë kockore, me pulla ngjyrë kremi në të verdhë e me vija të errëta, me gjatësi rreth një metër, që peshon rreth pesëdhjetë kg dhe që është e përhapur në viset e nxehta. Breshkë e zezë breshkë lëkurore.
2. zool. Breshkëz2.
3. mjek. Breshkëz3. E mjekonin për breshkë.
4. bot. Breshkëz4. Nga breshka e ullirit del fidani i ri.
5. bised. Lëvozhga e fortë që mbështjell zakonisht kokrrat e disa pemëve (e lisit, e valanidhit etj); gujavë, gëzhojë. Breshka e valanidhit. Breshka e arrës përdoret për të ngjyer leshin.
6. det., bised. Një lloj çikriku për ngritjen e velave etj.
7. krahin., fig., keq. Grua e pazonja, e ngathët në punë.
♦ Ecën me *hapin e breshkës (dikush). Gjer në *gju të breshkës tall. I ka hipur breshkës (dikush) iron. ecën shumë ngadalë, vonohet shumë; punon shumë ngadalë, zvarritet në punë, nuk përparon shpejt. (E kërkoi) si breshka gozhdën (dikush) e kërkoi vetë të keqen; nuk e kuptoi të keqen dhe nuk e shmangu, sikur e deshi vetë; (shkoi, vajti) si breshka te nallbani; (shkoi, vajti) si cjapi te kasapi; ngriti këmbën e nguli gozhdën; i ha koka për brirë (dikujt). *Kos breshke përçm. E ngriti këmbën si breshka (dikush) keq. shih (e kërkoi) si breshka gozhdën (dikush). Qesh *kërmilli kurrizin e breshkës iron. (Shkoi, vajti) si breshka te nallbani (dikush) e kërkoi vetë të keqen, vajti symbyllur tek e keqja; ç’kërkoi e gjeti; (e kërkoi) si breshka gozhdën; (shkoi, vajti) si cjapi te kasapi; (e kërkoi) si dhelpra në pazar; ngriti këmbën e nguli gozhdën.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë