Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ÚJ/Ë,~I m. sh. ~ËRA, ~ËRAT 1. Lëng pa ngjyrë e pa erë, që mbush lumenjtë, liqenet, detet etj., buron nga toka a bie si shi dhe përdoret për t’u pirë, për të larë etj.; vend ku është grumbulluar a ku rrjedh ky lëng; kryes. sh. lëng i tillë i përzier me kripëra minerale, që del nga toka dhe që përdoret për mjekim; tretësirë e përftuar nga hedhja e një lënde në këtë lëng, e cila përdoret për të pirë, për mjekim etj. Ujë i pijshëm. Ujë i kripur (i njelmët). Ujë i ëmbël ujë që nuk përmban kripë gjelle (ujë krojesh, lumenjsh etj.). Ujë i gazuar. Ujë i oksigjenuar ujë që ka dy atome oksigjeni. Ujë i rëndë (fiz., kim.) lëng me dendësi më të madhe se uji i zakonshëm. Ujërat e bardha ujërat e reshjeve. Ujërat e zeza ujërat e përziera me jashtëqitjet e njerëzve. Ujë i ndenjur (i fjetur, i amullt). Ujërat kombëtare (asnjanëse). Ujërat territoriale brez ujërash të detit a të liqenit gjatë brigjeve të një shteti, që përfshihet brenda kufijve të tij. Ujërat nëntokësore. Ujëra minerale. Tokë nën ujë tokë që në kushte natyrore mund të ujitet. Uji lan gjithçka, veç faqen e zezë jo (fj. u.). Mulliri bluan me aq ujë sa ka (fj. u.). Uji që nuk ecën, s’pihet (fj. u.). / tretësirë e përftuar nga hedhja e një lënde në këtë lëng, e cila përdoret për të pirë, për mjekim etj. Ujë trëndafili. Ujë gëlqereje (çimentoje).
2. fig., keq. Diçka e tepërt në një vepër të shkruar, në një krijim etj.. Ia hoqi ujin tekstit.
3. Lëngu i një organizmi a i një bime. Ujërat e gruas (fiziol.) lëngu që rrethon fëmijën gjatë barrës. I mblodhi ujë gjuri. Fshikëza e ujit (anat.) fshikëza e urinës.
4. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për disa kafshë e bimë që rrojnë a rriten në pellgje, në lumenj, në liqene, në këneta e në det, si edhe për disa sende që treten në këtë lëng. Gjarpër (breshkë, shpend) uji. Mëllagë (fier) uji. Bojëra uji.
5. sh. Rrathët e trungut të pemës kur pritet për së gjeri; ujëset. Mëndafsh me ujëra.
6. si mb. Shumë i lagur, qull. U bë ujë (në djersë).
7. si mb., fig. I hollë a shumë i njomë. Preshi është ujë ende.
8. si ndajf. Shumë mirë, rrjedhshëm; në majë të gishtave.. E di mësimin ujë.
✱Sin.: lëngëtyrë, lëtyrë, qull, palcë, përmendsh, urinë, ujëse.
♦ M’u bë barku ujë shih m’u bë zemra ujë. M’u bë gjaku ujë. 1. U frikësova shumë, u tremba, u tmerrova; më ngriu (m’u pre) gjaku; m’u prish gjaku. 2. U shqetësova pa masë, u trondita thellë; u mërzita a u zemërova shumë; m’u bë gjaku lëng; m’u bë gjaku (zemra) bozë. S’bëhet gjaku ujë nuk mohohen lidhjet e gjakut a lidhjet e afërta farefisnore, sido që të jetë puna; do të mundohesh e do të sakrifikosh për njerëzit e tu kur janë në vështirësi, do t’i njohësh si të tutë e do t’i duash në çdo rrethanë. M’u bë mendja ujë s’jam në gjendje të mendoj si duhet, s’arsyetoj dot; m’u prish mendja; humba torruan; humba busullën. Më bëhet rruga ujë gjithçka më shkon mbarë e pa asnjë pengesë; më shkon vaj; më shkon grurë. I bën *petullat me ujë (pa vaj) (dikush). M’u bënë sytë ujë. 1. M’u lodhën sytë shumë (kur lexoj gjatë e pa ndërprerje). 2. Kam qarë shumë, kam lotuar shumë; më kulluan sytë1. 3. (për dikë a për diçka) shih më kulluan sytë2 (për dikë a për diçka). Iu bënë trutë ujë (dikujt) keq. nuk mban mend asgjë, harron gjithçka, nuk është në gjendje të arsyetojë (nga pleqëria, nga sëmundja etj.). U bë ujë (dikush). 1. U lag krejt me ujë, u lag gjer në palcë nga shiu etj.; u bë qull; u bë pellg; u bë dordolec; u bë si gjuha në gojë; iu lag gjuha në gojë (dikujt). 2. keq. E lëshoi veten krejt nga frika a nga turpi; hoqi dorë nga qëndresa a nga këmbëngulja; u zbut fare, u shtrua. U bë për ujë të ftohtë (dikush) u nxeh keq, u zemërua shumë; nuk gjen qetësi nga inati. U bëra për ujë me kripë jam shumë i lodhur, jam i rraskapitur, jam aq i këputur sa s’mbahem dot në këmbë. Bëhet ujë e kripë (diçka) zhduket si pa e kuptuar, humbet e s’duket më, tretet. U bë uji *narden shaka. M’u bë zemra ujë u ligështova, nuk më mbajnë më fuqitë; u trishtova shumë e u këputa nga një fatkeqësi a nga diçka tjetër e rëndë; m’u ligështua (m’u lig) zemra; më lëshoi (më la) zemra; më këputet shpirti (për dikë a për diçka). Ma bëri barkun ujë (dikush a diçka) shih ma bëri zemrën ujë (dikush a diçka). Ma bëri gjakun ujë (dikush). 1. Më frikësoi shumë, më trembi, më tmerroi; ma ngriu (ma preu) gjakun; ma prishi gjakun. 2. Më shqetësoi pa masë, më tronditi thellë; më mërziti e më zemëroi shumë; më futi një ankth të rëndë; ma bëri gjakun lëng; ma bëri gjakun (zemrën) bozë. S’e bëj gjakun ujë nuk i mohoj lidhjet e gjakut a lidhjet e afërta farefisnore, sido që të jetë puna; mundohem e sakrifikohem për njerëzit e mi kur janë në vështirësi, i njoh si të mitë e i dua në çdo rrethanë, nuk i mohoj e bëj ç’të mundem për ta. Ma bëri mendjen ujë (dikush a diçka) më bëri që të mos jem në gjendje të mendoj si duhet, ma dobësoi krejt asyen, më turbulloi. I bën *petullat me ujë (pa vaj) (dikush) iron. Ma bëri rrugën ujë (dikush) më ndihmoi e më krijoi kushte që gjithçka të më shkojë lehtë e mbarë, më hoqi çdo pengesë, ma lehtësoi të përparoj a të arrij diçka; ma pastroi rrugën (udhën). M’i bëri sytë ujë (dikush a diçka). 1. M’i lodhi sytë (leximi etj.); më bëri që të më lotojnë sytë shumë. 2. Më bëri që të qaj shumë dikush, duke e pritur me mall; më bëri të derdh shumë lot nga malli. Më bëri ujë (dikush a diçka) më lagu krejt, më lagu deri në palcë; më bëri qull; më bëri pellg. E bëj ujë (diçka) e mësoj shumë mirë një mësim a e zotëroj shumë mirë një profesion; e mësoj përmendësh, e thaj. E bëri për ujë të ftohtë (dikë). 1. E shau dhe e qortoi rëndë sa s’i ra të fikët; s’i la gjë pa thënë dikujt, sa ai s’di ku të futet e s’e mbledh dot veten; e bëri për ujë në zemër; i dha (i hoqi) një dajak (të mirë) (dikujt). 2. E nxehu keq, e zemëroi shumë; e bëri të mos gjejë qetësi nga inati. 3. E rrahu keq, sa humbi ndjenjat; e bëri për ujë me kripë. 4. E mundi keq (në një ndeshje, në një lojë etj.); i dha (i hoqi) një dajak (të mirë) (dikujt). E bën ujë e kripë (diçka) e zhduk si pa e kuptuar, e tret sa s’duket më. E bëri për ujë me kripë (dikë). 1. E lodhi shumë, e rraskapiti, e këputi sa s’mbahet dot në këmbë. 2. E rrahu keq, sa ia ka bërë trupin tërë plagë; e bëri për ujë të ftohtë. E bën ujin *mullar (dikush). Më bëri për ujë në zemër (dikush a diçka) shih ma bëri zemrën ujë (dikush a diçka). Bën një *vrimë në ujë (në qiell, në shoshë) (dikush). Ma bëri zemën ujë (dikush). 1. Më mallëngjeu, më ngashëroi; më ligështoi, më trishtoi shumë, më preku thellë; ma bëri barkun ujë; më bëri për ujë në zemër. 2. (dikush a diçka). Më trembi shumë, më tmerroi, më lemerisi; ma bëri gjakun ujë; më bëri për ujë në zemër. Nuk bie në ato ujëra nuk përzihem në një punë të pistë; nuk bashkohem me mendime a me pikëpamje të gabuara, nuk hyj në rrugë të keqe. I ra ari në ujë (dikujt) u zemërua menjëherë me dikë; i mbeti hatëri nga sjellja e keqe, nga një veprim i gabuar a nga një qëndrim i papritur i dikujt. Nuk ra sheqeri (kripa) në ujë mospërf. 1. Nuk ka ndonjë ngutje të madhe, pret puna, s’kemi pse nxitojmë për diçka. 2. Nuk ndodhi ndonjë e keqe e pandreqshme, nuk u bë hataja; nuk u prish (nuk u shemb) bota. Ra në ujë (diçka) dështoi; u shua e s’ndihet më, humbi, u tret. I ra ujë i valë (dikujt) u tremb shumë e u dëshpërua, u shqetësua shumë nga diçka që i erdhi e papritur; i dogji shumë për diçka; e goditi një e keqe. *Bujashkë mbi ujë (dikush) mospërf. Të çon në njëqind (në dyzet) *çezma e s’të jep ujë (dikush). Të çon në *krua (në shtatë kroje) e s’të jep ujë (dikush). Të çon të pish ujë (dikush) është më i zoti nga të gjithë, ua kalon të gjithëve; ua hedh të gjithëve, është i shkathët e i aftë të mashtrojë a të gënjejë me lehtësi; të jep ujë me bisht të lugës. Çon (shpie) ujë në mullirin (e dikujt) bën diçka që shkon në dobi të dikujt tjetër, i sjell përfitime një tjetri; ndihmon e përkrah dikë, i cili përfiton e i merr të mirat. Ta çon (ta shkon) ujin nën *rrogoz (nën hasër) (dikush). Ta çon (ta shkon) ujin nën *vete (dikush). Doli mbi ujë (dikush). 1. I shpëtoi rrezikut; i kaloi vështirësitë, e kapërceu një gjendje të vështirë a të rëndë dhe është më mirë; doli në sipërfaqe. 2. Doli mbi të tjerët, u dallua, duket a shquhet mbi të gjithë (për të mirë a për të keq). 3. (diçka). keq. U zbulua, u bë e dukshme, e shohin të gjithë; u bë e njohur, u bë e qartë; doli në sipërfaqe; doli në shesh. I doli ujët e zi (uji i zi) (diçkaje) u shkatërrua krejt, u përmbys nga themelet (një ndërtesë, një qytet etj.). Sikur ujë (ujë i zi) të dalë! le të ndodhë ç’të ndodhë, le të dalë ku të dalë, edhe keq po të dalë, le të bëhet; tym të bëhet! tym të dalë! (tymi le t’i dalë!); të bëhet ç’të bëhet!; të dalë ku të dalë! Doli *vaj mbi ujë (dikush). Dehet me ujë (dikush) iron. gëzohet a entuziazmohet kot, rrëmbehet me pak gjë; e humb shpejt mendjen, turbullohet e mashtrohet lehtë; dehet pa pirë. S’di t’i japë ujë *gomarit (dikush) mospërf. Dy ujë e një oriz shpejt e shpejt e fare pa kujdes; me nxitim e keq, me cilësi të dobët; duke e prishur; shkel e shko; dy hunj e një purtekë. I ecën kungulli mbi ujë (dikujt) i shkojnë punët mbarë e mirë, ka sukses në një punë; ka fat e nuk pëson gjë. Fut ujë në të katër anët (diçka) nuk është si duhet, ka shumë të meta e mungesa, nuk ecën fare, nuk vlen; nuk mbahet, nuk mbrohet, nuk ke ç’bën me të. Të fut në ujë (në pus, në lumë, në det) e të nxjerr pa u lagur (dikush) është shumë i zoti dhe i zgjuar, sidomos për të mashtruar të tjerët; është i shkathët dhe i vërtit punët si të dojë, pa pësuar asgjë. *Gogël mbi ujë mospërf. *Gogël në ujë. Hajde *bukë të të ha, hajde ujë të të pi tall. E hedh farën në ujë (dikush) bën një punë që nuk ka duk, nuk e shpie diçka në atë drejtim që të vlejë, bën një punë pa fryt; prashit (mih, lëron) në ujë; e hedh farën në shkëmb. E hodhi një gur në ujë (dikush) e provoi një herë diçka, bëri një provë pa e ditur nëse do të ketë sukses; bën diçka për të parë nëse mund ta arrijë atë që do; hodhi një gur në lumë; hodhi një gur në pus. E hedh me gur në ujë (diçka) nuk e zë në gojë fare, nuk e përmend askund, e mbuloj a e fsheh përfundimisht; e fshij nga mendja, e zhduk nga kujtesa. E hodhi në ujë (diçka) e prishi a e harxhoi kot, e përdori pa asnjë dobi (zakonisht për paratë e pasurinë); e shpërdoroi kot diçka. I hedh ujë verës (dikush) mundohet ta nxjerrë një faj a një gabim më të lehtë nga ç’është në të vërtetë; e zbut diçka të ashpër, e paraqit si të qetë; përpiqet ta japë më të butë një gjendje të acaruar; e zbut egërsimin e dikujt a një grindje; e hollon qumështin. I hedh ujë zjarrit përpiqem të qetësoj një gjendje të acaruar, të sheshoj mosmarrëveshjet a të shuaj një sherr; i ul gjakrat; kund. i hedh benzinë (vajgur) zjarrit. (Humb) si *kripa në ujë (dikush a diçka). Ka hyrë në ujë (dikush) shaka. i është rrëgjuar trupi, është zvogëluar; është dobësuar nga shëndeti a është mbledhur nga pleqëria, nga të ftohtët etj. I hyri uji nën *rrogoz (nën hasër) (dikujt). (Janë) si dy *pika uji. Jam në ato ujëra ia kam hyrë një pune a një çështjeje e vazhdoj të merrem me të; thuajse po i futem diçkaje, për atë po përgatitem. Jam mbi ujë jam në një gjendje të pasigurt e të paqëndrueshme, nuk e di si do të më vejë puna; e ndiej veten ngushtë; i kam rrënjët mbi ujë. Jam as në ujë e as për ujë. 1. S’kam asgjë për të bërë, e ndiej veten si njeri i kotë e i padobishëm; rri pa bërë gjë e pa asnjë synim a qëllim. 2. Jam keq e mos më keq, s’ka ku të shkojë më keq; s’ka mbetur e keqe pa më gjetur. (Jam) si uji me zjarrin (me dikë) nuk më bashkon asgjë me dikë, nuk shkoj a nuk përshtatem fare me të, jam krejt e kundërta e tij dhe s’mund të rri asnjë çast me të; jam kundër dikujt, nuk mund të pajtohem fare me të në mendime, në sjellje e në veprime. S’të jep (një pikë) ujë (dikush) nuk kujdeset fare për askënd, s’të jep asnjë ndihmë; nuk mundohet fare t’i gjendet dikujt kur ky ka nevojë. Të jep ujë (dikush) ta çon (ta shkon) ujin nën rrogoz (dikush). Të jep ujë me *bisht të lugës (dikush). Të jep ujë me *opingë (dikush). Të jep ujë me *shoshë (dikush). Të jep ujë me *shpinë të dorës (dikush). Sikur u jep (u bart, u mban) ujë të vdekurve (dikush) është shumë i dobët nga shëndeti, mezi mbahet në këmbë; i numërohet uji në gurmaz (dikujt); e ka qafën me një dell. Sa ka *deti ujë e rërë. S’kam *nge të pi ujë. I kam rrënjët mbi ujë nuk kam mbështetje, jam pa themel të shëndoshë; jam në një gjendje të pasigurt; jam mbi ujë; qëndroj (mbetem) në ajër. E kam ujin në *arë. E kam ujin në *fund të arës. E kam ujin në *krye të arës. S’ka ujë në sy (dikush). 1. shih i ka plasur cipa (e ballit) (dikujt). 2. Është shumë i varfër, s’ka asgjë, është i shkundur. *Kashtë mbi ujë mospërf. Kërkon *sheqer e kripë në ujë (dikush) tall. T’i lash *këmbët e t’i pish ujin (dikujt). I lëshon ujë mullirit (dikush) flet shumë e pa i peshuar fjalët mirë, grin; nuk ka masë e rend në të folur; nuk e përmban veten, nxitohet. Nuk i merr ujë *lopata (dikujt). Nuk i merr ujë *luga (dikujt) tall. S’i merr ujë *kacia (dikujt). I merr *koshi ujë (dikujt). S’i mban *lugu ujë (dikujt). E mbaj me ujë të ngrohtë (të vakët) (dikë) e mbaj me fjalë të mira e me shpresa, pasi nuk dua a nuk mundem ta ndihmoj, t’ia zgjidh hallin, t’ia plotësoj kërkesën etj., e mbaj me premtime të kota për ta shtyrë ca më tutje zgjidhjen; i qëndroj pranë dhe e ngushëlloj për diçka, duke i dhënë shpresë e duke e këshilluar të ketë durim. (E mbaj) si ujët e pakët (dikë a diçka) e mbaj me shumë kujdes, e ruaj si diçka shumë të vlefshme, të rrallë e të çmuar; përkujdesem veçanërisht për të; e kam si qyqja verën; mezi e kam (dikë); e kam me kimet; (e ruaj) si i varfri kaun (diçka). Nuk mban më ujë pilafi (orizi, vera) puna ka ardhur në një pikë sa nuk pret më, nuk ka si shtyhet më tej një çështje; nuk durohet dot më, nuk e shtyn dot më tutje; u mbush kupa; u derdh kupa; ka ardhur kandari në bisht; ka vajtur (ka shkuar) thika në kockë. Mban *verë e pi ujë (dikush). Mbush *tagarin me ujë (dikush). Mbush (mban) ujë me *shoshë (me shportë) (dikush). Mbytet në një *filxhan (me) ujë (dikush). Mbytet në një *gisht ujë (dikush). Mbytet në një *gotë (me) ujë (dikush). Mbytet në një *lugë (me) ujë (dikush). Mbytet në *lumë pa ujë (dikush). Mbytet në një *pikë ujë (dikush). I ndez *pushka në ujë (dikujt). E ndez zjarrin në ujë (dikush) është shumë i zoti, përballon çdo vështirësi, ia del në çfarëdo situate; bën atë që s’ta pret mendja; nxjerr ujë nga guri; nxjerr vaj nga guri. Ngatërron ujërat (dikush) krijon probleme duke i përzier e duke i ngatërruar punët; e bën rrëmujë diku a diçka; përzien gjëra që s’duhen përzier. E ngre (çon) ujin *përpjetë (dikush). Të nis me *shoshë për ujë (dikush). Noton në një *gisht ujë (dikush). Noton në të njëjtat (në po ato) ujëra (me dikë) keq. ndjek po atë rrugë si dikush tjetër, ka pak a shumë po ato mendime e pikëpamje, është e vepron njësoj si ai; është në po atë gjendje të padëshirueshme. I numërohet (i duket) uji në gurmaz (dikujt) është shumë i dobët, të vjen keq ta shohësh; i numërohen brinjët (fijet e brinjëve); është bërë bark e shpinë (dikush). Nxjerr *gjalpë nga uji (dikush). Nxjerr *sheqer nga ujët e detit (dikush). I nxjerr ujët. 1. (dikujt). I merr gjithçka dikujt, e shtrydh mirë; e shfrytëzon deri në pikën e fundit. 2. shih i nxjerr ujët e zi (dikujt a diçkaje). 3. (diçkaje). I shkon deri në fund, e zbulon plotësisht; i nxjerr tabanin; i nxerr (i zbulon) rrënjët. Nxjerr ujë nga guri (dikush) shih nxjerr vaj nga guri (dikush). E nxjerr ujin në *vatër (dikush). I nxjerr ujët e zi. 1. (diçkaje). E shkatërron diçka nga rrënjët, e përmbys krejt. 2. (dikujt). E mundon shumë dikë, i merr shpirtin duke e detyruar të bëjë një punë shumë të rëndë; e qorton rëndë dikë, e dërrmon moralisht; i nxjerr ujët. Si *peshku në ujë. Si *peshku pa ujë (në të thatë, në zall). Peshkon në ujë të turbullt (në ujëra të turbullta) (dikush) keq. punon tinëz, vepron në mënyrë jo të ndershme, duke u munduar të përfitojë nga vështirësitë, në të cilat gjendet dikush, një vend etj. ose nga paqartësitë a rrëmuja e çastit; e turbullon një gjendje me qëllim që të nxjerrë përfitime. Ka pirë shumë ujëra (dikush) ka parë shumë gjëra në jetë, ka përfituar e ka mësuar shumë; ka njohur shumë gjëra e ka përvojë të madhe; ka pirë ujë në shumë burime (kroje); (është) i rrahur (i regjur) me vaj e me uthull. Pi ujë (te dikush) keq. është vegël e dikujt, bën punën e tij; ushqehet me mendimet e dikujt; ka mbrojtjen e mbështetjen e dikujt, është njeriu i tij; i shkon pas ujërave (dikujt). Nuk pi ujë (diçka) nuk ka vlerë; nuk shkon, nuk ecën, nuk e ha njeri; nuk ndikon për asgjë; nuk ha bukë; nuk zë vend. Kam pirë ujë në një krua (me dikë) e kam pasur shok a mik të ngushtë dikë, jam shumë i afërt me të; e njoh prej kohësh dhe nga afër; jam prej një vendi me dikë; kam ngrënë me një lugë (me dikë). Ka pirë ujë në shumë burime (kroje) (dikush) ka përvojë të gjatë, ka kaluar shumë vështirësi, halle etj., është përballur me shumë probleme në situata të ndryshme, është i rrahur nga jeta e ka përvojë të madhe; ka pirë shumë ujëra; (është) i rrahur (i regjur) me vaj e me uthull. Një *pikë ujë në det (në oqean). Prashit (mih) në ujë (dikush) shih rreh ujë në havan (dikush). (E pret) si ujët e pakët (e ftohtë) (dikë a diçka) e pret me dëshirë të madhe e me padurim, mezi pret që të vijë dikush a diçka ose të ndodhë diçka; e do shumë dikë, ka mall të madh për të, do që ta shohë sa më parë. *Pupël mbi ujë mospërf. *Pus pa ujë. Ia qiti nderin në ujë (dikujt) keq. është mosmirënjohës, është bukëshkalë; ti i bën mirë e ai ta kthen me të keq; e ka vrarë e mira (dikë); e zuri e mira (dikë); të shkel bukën (me këmbë) (dikush); kund. nuk e bën bukën baltë (dikush). Rreh (grin, shtyp) ujë në havan (dikush) merret me një punë të kotë, humb kohën kot duke bërë diçka që s’jep fryte; mundohet kot për diçka a flet kot e nuk e dëgjon njeri; prashit (mih) në ujë; flet në erë; çan dërrasa.; grin sallatë ; grin lakra ; i bie legenit . Ka rrjedhur shumë ujë ka kaluar një kohë e gjatë dhe kanë ndodhur shumë ngjarje; diçka është harruar, pasi ka kaluar shumë kohë. E spërkat me ujë trëndafili (dikë a diçka) e zbukuron, e paraqit më të mirë nga ç’është, ia mbulon të metat dikujt a diçkaje. *Stuhi (furtunë, shtrëngatë) në gotë të ujit iron. Ta shet ujin për *raki (për verë) (dikush). (Shkoi) *gur në ujë (në lumë) (dikush a diçka). I shkon (i vete) pas ujërave (dikujt) e ndjek dikë në sjellje e në veprime; bën sipas dëshirave e interesave të tij; ndjek rrugën (e dikujt); pi ujë (te dikush). I shkon uji nëpër shalë (dikujt). 1. Nuk i bën dot ballë një pune, një sulmi etj.; s’e mban e s’e përballon dot diçka. 2. Trembet shumë, tmerrohet, i shpëton nga frika; i shpëton shurra përçm. vulg. U shkri (u tret, humbi) si *kripa në ujë. E shkruaj në ujë (diçka) e quaj të humbur diçka a bëj që të harrohet shpejt; e shkruaj në akull; e shkruaj në rërë. Shpon në ujë (dikush) shih bën një vrimë në ujë (në qiell, në shoshë) (dikush). Shto ujë e shto miell (dikush) mospërf. e zgjat a e zvarrit një punë pa fund, duke e rritur pa nevojë vëllimin e saj; e zmadhon diçka, nuk e mbyll a nuk e përfundon, duke shtuar vazhdimisht diçka e duke kapërcyer përmasat; shton punë; shto miell e shto ujë. Nuk turbullon *hurdhë me ujë (dikush). Nuk turbullon ujë (dikush) është i urtë dhe nuk sjell ngatërresa e shqetësime për të tjerët, nuk përzihet e nuk hap telashe. Turbullon ujërat (dikush) e ndryshon një gjendje duke ndërhyrë e duke vepruar, vë në lëvizje këdo e gjithçka të fjetur për të arritur një qëllim. Ujë i bekuar (i tërbuar) shaka. rakia. Sa ujët e detit jashtëzakonisht shumë, pa masë. Ujë i fjetur shpërf. njeri i ngathët e i pazoti, i mpitë, i fjetur. Ujët e hollë (e vogël) euf. shurra e njeriut; nevoja e vogël. Ujët e madh (e trashë) euf. jashtëqitja e njeriut, muti; nevoja e madhe. Ujë për meshë njeri shumë i drejtë e i urtë. I vete uji në *çezmë (dikujt). E vë barkun në ujë rri pa ngrënë për një kohë të gjatë; mbaj pehriz. Nuk e vë ujin në *zjarr (dikush). Më vjen uji në *lug. I vjen uji në *mulli (dikujt). *Vrimë në ujë. I ka zënë *lopata ujë (dikujt). Më zuri *luga ujë.
VÁD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Tërësia e vijave që bëhen në një arë a në një kopsht dhe e lugjeve që vendosen për të ujitur; vijë për ujitje; sasia e ujit që duhet për të ujitur një arë a një kopsht. Vadë e gjerë (e ngushtë). Tokë nën vadë tokë që mund të ujitet, tokë nën ujë. Tokë mbi vadë tokë që nuk mund të ujitet. Erdhi vada. Lëshoi vadën. Po pret vadën. Ka radhën e vadës. Një vadë ujë. Shteroi vada. Ia qiti vadat (vijat) arës. E shtriu vadën me tubacione. E bëri vadën gati me lugje. Kemi shpëtuar qysh kur na erdhi vada.
2. Ujitje, vaditje. Po merrej me vadën e arës.
3. Rendi i ujitjes; radha e marrjes së ujit për ujitje. Koha (dita) e vadës. Sot ka vadën. Po pret vadën.
✱Sin.: vijë, kanal, rrëkajë, çurg, rrëke, jaz, she.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë