Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BLÓZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Lëndë e zezë si pluhur që lë tymi kur kalon nëpër oxhak ose në vende të tjera. Bloza e oxhakut. Bloza e barutit. Era e blozës. Ngjyra e blozës. Zë (lë) blozë. U nxi nga bloza. Pastroj (heq) blozën. I zi si blozë. Blozës i thonë edhe "çagjë".
2. kim. Pluhur i zi që del nga djegia jo e plotë e disa lëndëve dhe që përdoret në industri; mbeturinë pas djegies së qymyrit; zgjyrë. Blozë aktive. Blozë shtazore. Blozë për ngjyrosje.
3. bujq. (lat. Ustilago) Pluhur i zi që mbush pjesët e bimëve të prekura nga disa kërpudha; purth, tymth. Blozë e veshur (e zhveshur). Bloza e grurit (e elbit, e tërshërës). Bloza e misrit.
✱Sin.: thirr, zhym, pështymë, çagjë, zgjyrë, tymth, purth.
♦ U bë blozë. 1. (diçka) shih u bë shkrumb. 2. (dikush). I ra vlera fare, humbi çdo vlerë; u bë leckë. E ka zemrën blozë (dikush) është shpirtkeq, është zemërzi.
TËRSHËR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT bot. (Lat. Avena sativa) 1. Bimë e ngjashme me grurin, me kërcell të hollë, të drejtë e të gjatë rreth një metër, me fara të mbledhura tufë, të veshura e me dy hala ose në trajtë dhëmbëzash, që përdoren kryesisht si ushqim për kuajt dhe shpendët. Tërshëra e bardhë (tërshëra pranverore). Tërshëra e kuqe (tërshëra dimërore). Tërshërë e verdhë. Kashtë tërshëre. Miell tërshëre. Bukë tërshëre. Tërshëra është tagji shumë e mirë për kalin. Arë me tërshëre tërshërishtë. Ndryshku i tërshërës (bujq.) sëmundje që prek kërcellin dhe gjethet e tërshërës. Bloza e tërshërës (bujq.) sëmundje që prek tërshërën; pjesët e prekura mbushen me pluhur të zi; urth, tymth.
2. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje tërshërash. Tërshërë e egër (lat. Avena fatua) bar i keq njëvjeçar i ngjashëm me tërshërën, që dëmton rëndë të lashtat. Tërshërë e zbehtë (bot.) bimë barishtore shumëvjeçare, me kërcell të hollë deri një metër të lartë, me zhardhok të shkurtër, me gjethe të gjera e me lule të mbledhura si fshesë, që bën disa kallinj të vegjël.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë