Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
INÁT,~I m. sh. ~E, ~ET bised. 1. Ndjenjë shqetësimi, trazimi e hidhërimi që na pushton kur nxehemi me dikë a për diçka; humbja e gjakftohtësisë, e durimit etj., zemërim, egërsim. Inat i madh. Në inat e sipër. Mori inat. Ka inat. Shfryn (nxjerr, e përmban) inatin. E zuri (e kapi, i hipi) inati. Më vjen inat. I ra inati. Flet (përgjigjet, thërret) me inat. U tërbua (plasi) nga inati. Qan nga inati. Inati – dëmi i kokës. (fj. u.)
2. Ndjenjë pakënaqësie, zemërimi, hakmarrjeje a armiqësie kundrejt dikujt, urrejtje për dikë a për diçka; mëri. Inate të vjetra. Mban inat me dikë. S’ka më inat me të. E ka marrë inat. E kam inat dikë a diçka e urrej. I mbaj inatin i rri i zemëruar, i mbaj mëri gjatë. Ia kam inatin ruaj ende një ndjenjë pakënaqësie, zemërimi, urrejtjeje etj. ndaj dikujt, i mbaj dikujt zemërimin e përpiqem t’ia nxjerr. E pa me inat. Ia bëri për inat.
3. Kokëfortësi, kryeneçësi. Inat prej derri. E mori me inat një punë. Nga inati nuk e bëri.
✱Sin.: zemërim, vrer, zburth, duf, egërsim, tutarak, hidhërim, mëri, lëndi, pezëm, pezmatim, acarim, mllef, zët, maraz, tërsëllëm, lendi, kokëfortësi, gjaknxehtësi.
♦ Ha inat (dikush). 1. Përpiqet të dalë e tija; ngul këmbë me kokëfortësi në të vetën, nuk lëshon. Përpiqet t’ia kalojë dikujt, hahet me dikë. Ia kam inatin (dikujt) ruaj ende zemërimin a urrejtjen kundër dikujt dhe përpiqem t’ia nxjerr e të hakmerrem. Kija inatin e foli hakun! (dikujt) jepi atë që i takon, vlerësoje drejt dikë a punën e tij, pavarësisht se s’të pëlqen; edhe kur s’e do, thuaj të vërtetën për të; rri shtrembër e fol drejt! S’lidhet inat (me dikë) nuk ia del dot dikujt duke i mbajtur inat; pëlcet (edhe) derrin (dikush). I mbaj inat (mëri) (dikujt) i rri i zemëruar, nuk i flas e nuk i afrohem; nuk ia harroj atë të keqe që më ka bërë; e mbaj kokën mënjanë. Ia nxori inatin (dikujt) e trajtoi keq a e ndëshkoi pa të drejtë dikë në inat e sipër; gjetiu e kishte inatin e gjetiu e shkarkoi.
SAHANLLÁK,~U m. Inat. Kur e kap sahanllaku, mos iu afro. Nuk ia di ti sahanllakun e tij. Kur t’i kalojë sahanllaku, do të flas me të.
✱Sin.: nevrikosje, zemërim, vrer, zburth, duf, egërsim, tutarak, hidhërim, mëri, lëndi, pezëm, pezmatim, acarim, mllef, zët, maraz, tërsëllëm, lendi, kokëfortësi, gjaknxehtësi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë