Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GÓJËZ,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Gojë e vogël. Gojëz e bukur. Të lumtë gojëza!
2. Shufër hekuri a litar, që u vihet në gojë kafshëve bartëse (kalit, mushkës etj.), që lidhet me kapistrën dhe që duke e tërhequr shërben për të ndryshuar drejtimin e kafshëve a për t’i ndaluar ato etj. I vë gojëzën kalit.
3. Thurimë prej teli, si shportë, që u vihet në gojë disa kafshëve (qenit, kalit etj.) që të mos kafshojnë e që të mos hanë gjatë rrugës etj. I vë (i heq) gojëzën qenit (kalit).
4. Maja e kthyer e shtizës, e grepit etj., që shërben për të kapur perin a fijen e leshit ose të pambukut gjatë thurjes, gjatë qëndisjes etj. Gojëza e shtizës. Gojëza e grepit. U thye gojëza. Kap fijen me gojëz.
5. Vrimë a hapësirë me trajta të ndryshme ku vendoset diçka; foleja e një vegle, e një mjeti etj. Gojëza e sqeparit. Gojëza e dërrasës pjesë e hapur a e thelluar e një dërrase ku futet një dërrasë tjetër. Gojëza e fishekut. usht.
6. Sythi i çorapit, i trikos etj., thyesë; ilik, thile. Gojëza të ngushta (të lira). I iku gojëza. E filloi trikon me njëqind gojëza.
7. Hapësirë ndërmjet dy radhëve të fijeve në tezgjah, ku kalon drugëza gjatë endjes. U hap gojëza. Shkon (kalon) nëpër gojëz.
8. Vendi ku hapet një vijë e vogël uji në një kanal për të vaditur; sasia e ujit që hyn në këtë vijë. Gojëzat e kanalit. Gojëz kullimi. Çel (hap) një gojëz. Morën një gojëz ujë.
9. kryes. sh., bot. Gropëza shumë të vogla në pjesën e poshtme të gjethes, që zakonisht dallohen me mikroskop. Gojëzat e gjethes.
10. Torkë leshi, shkul i vogël. Bleu dy gojëza lesh. Ngjyej gojëzat.
11. veter. Sëmundje që u bie bagëtive e i bën të nxjerrin jargë nga goja. I zuri gojëza dhentë. U ra gojëza dhenve.
✱Sin.: ngojëz, mëgojëz, turizë, gojcë, ilik, thile, fole, syth, shkul, filiqe.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë