Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BALÁD/Ë,~A f. ~A, ~AT 1. let. Poemë e vogël ose vjershë në vargje të rregullta, me karakter tregimtar, zakonisht me frymë popullore e lirike, që rrëfen një ngjarje historike, legjendare a heroike. Baladë popullore (heroike). Baladë për Skënderbeun. Balada e murimit. Balada arbëreshe.
2. muz. Pjesë muzikore për zëra ose për vegla, që ka karakter tregimtar e heroik. Këndoi një baladë.
KALLËZÚES,~II m. sh. ~, ~IT 1. let. Ai që tregon një përrallë, një tregim a diçka tjetër; tregimtar.
2. drejt. Ai që kallëzon në organet përkatëse një faj që ka parë vetë, një ankesë etj.; ai që bën një padi ndaj dikujt; paditës. Ajo debatoi me kallëzuesin.
✱Sin.: tregimtar, kallëzimtar, denoncues, paditës.
LIGJËRÍM,~II m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur ligjëroj, kur flas në mënyrë të zgjeruar e të qëllimshme mbi një temë; mbajtja e një ligjërate a e një fjale para të tjerëve. Ligjërimi i tij në kuvend zgjati mbi një orë.
2. gjuh. Gjuha e gjallë kur e flasim a e shkruajmë, gjuha në çastin e përdorimit të saj nga njerëzit. Gjuha dhe ligjërimi. Stili i ligjërimit.
3. gjuh. Variant i gjuhës me disa veçori dalluese, që përcaktohen nga rrethanat në të cilat bëhet kumtimi dhe nga qëllimi i kumtimit; stil i gjuhës; mënyrë të foluri; mënyra e shqiptimit në të folur. Ligjërimi letrar ligjërim i normëzuar që përdoret nga njerëzit e shkolluar, gjuhë letrare. Ligjërimi bisedor. Ligjërimi libror. Ligjërimi poetik. Ligjërimi i thjeshtë. Ligjërimi dialektor. Ligjërim tregimtar. Ligjërim i plotë (i lirë). Ligjërim i hollë (i trashë).
4. E folme; gjuhë. Ligjërimi i krahinës (i fshatit). Ligjërimet arbëreshe.
5. Kuvend, bisedë. U mblodhën në ligjërim.
6. fig. Zëri i disa zogjve që këndojnë ose cicërojnë bukur, kënga e zogjve; shushurimë a fëshfërimë e ëmbël që të ngjall kënaqësi. Ligjërimi i bilbilit. Dëgjohej ligjërimi i lumit (i drurëve, i pyllit).
✱Sin.: e folur, lexim, fjalim, shqyrtim, kuvendim, pleqërim, këndim, cicërimë, shushurimë, fëshfërimë, e folme, gjuhë, stil, shqiptim, kuvend, bisedë.
MAHITÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që bën shaka e shpoti me të tjerët, ai që bën mahi; shpotitës, hokatar, shakaxhi. Një mahitar i shkëlqyer. Ishte mahitar, tregimtar dhe rapsod i talentuar.
2. Gënjeshtar, rrenacak. Mos i beso shumë atij, është mahitar i madh.
✱Sin.: hokatar, shakaxhi, shpotitës, gënjeshtar, rrenacak.
PËRSHKRÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur përshkruaj ose kur përshkruhet diçka. Përshkrimi i natyrës (i ngjarjeve).
2. Ajo që shprehim me shkrim a me gojë kur duam të japim pamjen e jashtme të një njeriu, të një sendi, të një vendi etj. ose të shtjellojmë si u zhvillua një dukuri a një ngjarje; tregim i hollësishëm për diçka. Përshkrim i plotë (i gjallë, i qartë). Bëri një përshkrim të mirë (të hollësishëm). E njohëm nga përshkrimi i tij.
3. let. Lloj tregimtar i prozës së shkurtër letrare a publicistike, në të cilin jepen, pa hyrë në analizën e lidhjeve të brendshme të gjërave, tiparet e një njeriu, të natyrës etj. ose përshkruhet një dukuri e jetës, një ngjarje etj. Përshkrim letrar. Përshkrim i shkurtër (i goditur). Botoi një përshkrim tërheqës.
✱Sin.: tregim, kallëzim, rrëfim, përvijim, skicim, skicë.
TIPOLOGJÍ,~A f., libr. Klasifikimi i qenieve, i sendeve, i gjuhëve dhe i dukurive të ndryshme sipas tipareve thelbësore të përbashkëta, ndarja e tyre në tipa; klasifikim, renditje, radhitje, kategorizim, nomenklaturë, taksinomi; klasifikim i tipave. Tipologji e librit. Tipologji fjalorësh. Tipologjia e gjuhëve (gjuh.). Tipologjia e teksteve (gjuh.) klasifikim i teksteve në pesë tipa (tregimtar, përshkrues, argumentues, shpjegues, urdhërues). Tipologjia e romanit (let.). Tipologji ekonomike (soc.). Tipologji e strukturave shoqërore (soc.).
✱Sin.: klasifikim, renditje, radhitje, kategorizim, nomenklaturë, taksinomi.
TREGIMTÁR,~E mb. Që ka të bëjë me tregimin, që i përket tregimit; që është mbështetur në tregime, që ka karakterin a natyrën e një tregimi, që shtjellohet si tregim. Eposi tregimtar. Prozë tregimtare. Poemë tregimtare. Burime tregimtare. Me karakter tregimtar.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë