Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
TRE- (TRI-) fjalëform. Pjesë e parë e disa numërorëve të përngjitur dhe e disa fjalëve të përbëra, me kuptimin “tre (tri)”; “me tre (tri)...”, “që ka tre (tri)...” (p.sh. tredhëmbësh që ka tre dhëmbë; po ashtu: tridhjetë, trefazor (fiz.), trefletësh, trembëdhjetë, tremuajsh, tremujor, trepalësh, treqind, trerrokësh, trevjeçar, trevjetor etj.).
♦ Bën dy *pendë me tre qe (dikush) iron. Më bëjnë sytë tre e tre nuk shoh mirë, nuk i dalloj gjërat qartë, më dyzohen pamjet (zakonisht nga një sëmundje a nga një shqetësim i madh); më bëjnë sytë katër. Do (kërkon) *zgjedhën me tre qe (dikush) tall. Është me tri *vidha (dikush) mospërf. Tre *pëllëmbë burrë keq.
TREFLÉTËSH,~E mb. 1. tek. Që përbëhet nga tri faqe; që është me tri fletë (për dalta, gozhdë etj.). Daltë trefletëshe. Gozhdë trefletëshe.
2. Që përbëhet nga tri pjesë (fletë), që ka tri pjesë (fletë). Qilim trefletësh.
TËRFÍL,~I m. 1. bot. (lat. Trifolium) Bimë barishtore me kërcell të drejtë e të hollë, me degëza të vogla që kanë në krye tri gjethe së bashku në trajtë zemre (ndonjëherë edhe më shumë nga 4-7), me lule të vogla në ngjyrë të kuqe, të trëndafiltë, të verdhë a të bardhë, që lulëzon në muajt qershor-korrik dhe që mbillet e përdoret si ushqim për bagëtinë ose për të pasuruar tokën; tetelinë, tërfojë, trefletësh, trifol. Tërfil foragjer. Gjethet e tërfilit. Mbjellin tërfil. Korr tërfilin. Tërfil me katër gjethe (fig. për shkak se është i rrallë, quhet si fatsjellës në dashuri). Livadh (çair) me tërfil. Tërfil plagësh (bot.) luleleshe.
2. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje tërfili. Tërfili aleksandrin (lat. Trifoliutn alexandrinum) tërfil me gjethe të gjera vezake që lulëzon nga qershori në tetor, me lule të bardha në të verdhë të zbehtë që mund të zgjaten në fund të lulëzimit e që mund të mbillet edhe si foragjere; bersim. Tërfili amerikan (lat. Petalostemon violaceum, Dalea purpurea) tërfil me lule të purpurta që përdoret si bimë zbukuruese. Tërfili australian (lat. Marsilea drummondii) bimë ujore me origjinë nga Australia që i ka rrënjët në shtresa balte nën ujë, e cila, kur rritet lëshon gjethe të cilat formojnë një shtrat pluskues mbi sipërfaqen e ujërave të qeta. Tërfili i bardhë (lat. Trifolium leucanthum) bari i mitilit, tërfili lulebardhë. Tërfili i fushave (lat. Trifolium campestre) Tetelina e egër, tërfili i saritë, tërfojna e saritë. Tërfili i kënetave (lat. Menyanthes trifoliata) bari i mushkërive, tërfili i ujit. Tërfili i livadheve (lat. Trifolium pratense) bari i arave, bari i draprit, derdelina, dordolina, gërklani, mitili i bjeshkëve, tërfili i arave, tërfili i kuq.
3. Motiv zbukurues me këtë formë kryesisht në ndërtesat e stilit gotik.
4. Stringël me këtë formë që vendosin njerëzit në veshje (mbi gjoks).
5. Letra spathi (në lojën me letra).
✱Sin.: tetelinë, tërfojë, trefletësh, trifol, dordolinë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë