Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DASH,~I m. sh. DÉSH, DÉSHTË 1. Mashkulli i deles. Dash i bardhë (i zi). Dash i egër dash me brirë të përkulur që rron zakonisht në pllajat e maleve të larta. Dash shyt. Dash i tredhur (tredhak). Dash vargër. Dash race. Dashi i këmborës dashi që i prin tufës së dhenve. Mish dashi. Kokë dashi. Brirët e dashit. Mori dash delja u ndërzye. Zihen si deshtë. Dash deti (zool) pelikan. Avash, avash bëhet shelegu dash. (fj. u.). Dashit të rritur nuk i dridhet briri. (fj. u.). Çdo dash (berr) varet nga këmbët e veta. (fj. u.). Shyqyr që u ther dashi, të hamë nga një copë mish. (fj. u.). Dashit të mirë i vihet këmbora. (fj. u.). Çupën e bukur e mbajnë në gojë, dashit të mirë i vënë këmborë. (fj. u.).
2. kryes. sh. Pjesët e dala prej guri në të dy anët e vatrës. Deshtë e oxhakut. Deshtë e zjarrit.
3. hist., usht. Tra i madh me majë prej metali, që përdorej si mjet për të shpuar muret e kështjellave a për të shpërthyer portat e tyre. E goditnin portën me dash. I shembën muret me dash.
4. astrol. (lat. Aries) Një nga dymbëdhjetë yjësitë e zodiakut; shenjë e horoskopit.
5. fig. Njeri i shëndoshë, i bukur dhe i hijshëm (sidomos për fëmijët). - Dashi i nënës!
♦ U bë shelegu dash arriti në kohën e vet çdo gjë ose çdo njeri, u plotësua a u krye; kaloi koha që duhej për diçka. E bën shelegun dash (dikush) shih e bën mizën (pleshtin) buall (dikush). Dash me flokë burrë i shquar, burri më i mirë në një fshat, në një rreth familjar etj.; dash me këmborë. Dash me këmborë. 1. Njeri i zoti e i shquar, i pari ndër të tjerët; dash me flokë. 2. Kryetari i familjes a i fisit; udhëheqës, prijës. Si dashi me këmborë me siguri e me krenari; duke qëndruar në ballë; pa iu trembur syri (dikujt). Dashi i kurbanit (dash kurbani) ai, të cilit i ngarkohet faji i të tjerëve, ai që vuan për fajin e tjetërkujt dhe që ndëshkohet për të fashitur një gjendje të acaruar. Si dashi me rrurëzën shumë mirë, në pajtim të plotë njëri me tjetrin. S’është dash për atë këmborë (dikush) mospërf. shih s’është cjap për atë zile (dikush). Kërkon *brirët e dashit (dikush). Kërkon *shtjerrat e deshve (dikush). Kujto *mikun e bëj gati dashin. Tredh dashin (dikush) është shumë i fortë, kryen dhe përballon çdo punë, sado e vështirë qoftë; ka shpatulla arushe; e kafshon frerin me dhëmbë; ia shkul gjuhën ujkut.
DËLÍR vep., ~A, ~UR kal. 1. Pastroj. Dëlir tokën (nga gurët, nga ferrat). Dëlir oborrin. Dëlir tryezën (sofrën). Dëlir dhomën (shtëpinë). Dëlir plagën. Dëlir dhëmbët. Dëlir grurin (orizin, fasulet). Kripa të dëlir. E dëliri era kohën (qiellin) e kthjelloi.
2. I heq një peme a një bime degët a gjethet e thara; krasit. Dëlir duhanin.
3. fig., bised. Çliroj (një vend).
4. E çliroj dikë nga një detyrim; e bëj të dalë i larë nga një faj; i pastroj ndërgjegjen. Dëliri veten. E dëliri prej betimit.
5. euf. Tredh. E dëliri thiun.
✱Sin.: pastroj, krasit, heq, çliroj, shporr, tredh.
MÁJ/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Skaji më i hollë dhe i mprehtë i diçkaje, pjesa e sipërme dhe më e lartë që vjen duke u holluar; thumb. Maja e shpatës (e thikës, e bajonetës, e gjilpërës, e turjelës). Maja e gozhdës. Maja e shkopit. Majë pene pjesa e metaltë e penës për të shkruar. E bëj me majë diçka e mpreh. I bëj majën lapsit e mpreh që të shkruajë.
2. Pjesa e fundit e diçkaje që vjen e zgjatur dhe më e hollë a më e ngushtë; skaji i fundit të diçkaje. Maja e gishtit. Maja e hundës. Maja e gjuhës. Këpucë me maja. Gur me majë. Eci në majë të gishtërinjve.
3. Pjesa më e lartë e një mali, e një druri, e një trupi etj., që vjen më e ngushtë nga pjesa tjetër; pjesa e sipërme e diçkaje. Hipi në majë të malit. Rri në majë të shkëmbit. Mbjell vreshtin në majë të kodrës. Shoh nga maja e kullës (e çatisë). Hipi (u ngjit) në majë të pemës. Maja e kësulës. Nga maja e shkallës vërej bulevardin. Maja e kokës çaçka e kokës. Pa hipur në majë nuk mund të shohësh luginën. (fj. u.).
4. fig., bised. Pika më e mirë ose në niveli më i lartë që arrin diçka, kulmi. Drejt majave më të larta të diturisë. Këto poezi përbëjnë majën më të lartë të artit të tij.
5. fig. Pjesa më e mirë a më e zgjedhur e diçkaje; ajkë. Maja e miellit. Maja e djalërisë.
✱Sin.: thumb, cep, çukë, majoke, majole, majuc, cikol, xip, xipë, kreshtë, puç, shtang, skape, çupejkë, krecë, çyçë, kulm, paskajë, paskaq, paskraq, ajkë.
♦ Bën majë (diçka). 1. Nis të mbijë, sapo ka shpërthyer e po del në sipërfaqe. 2. Sapo fillon të duket së largu; shfaqet a duket tutje. 3. Duket sheshit, shfaqet haptazi. Ia bëj me majë (dikujt) e nderoj, e pres me gjithë të mirat; i bëj hatrin; kund. nuk e vë në shpatull të pulës (dikë). E bëj majë e krye (dikë) e çmoj shumë, ia vlerësoj lart meritat e cilësitë; e lavdëroj; e ngre lart. Më ra maja e gjuhës përdhe u lodha shumë së foluri për të njëjtën gjë; më vajti goja prapa qafës; më vajti (më shkoi) goja (buza) te veshi (prapa veshit); më ra goja; më zuri gjuha (goja) lesh. Ma pruri (ma solli) (shpirtin) në majë të hundës (dikush) më mërziti shumë, sa s’e duroj dot; më inatosi aq shumë sa nuk e përmbaj dot veten; më plasi shpirtin; më plasi buzën; m’u bë gur në opingë. *Breshri e rreh e hunda me majë iron. I doli *huri në majë të kokës (dikujt). Më ka dalë në majë të flokëve (diçka a dikush) më ka mërzitur shumë, s’e duroj dot, nuk e përmbaj dot veten; më plasi buza (me dikë a me diçka); ma solli në majë të hundës; ta pjek peshkun në buzë (dikush); ma poqi buzën (dikush); jam mbushur deri në fyt (me dikë a me diçka). I fërkon majat e gjilpërave (dikush) shih i hedh benzinë (vajgur) zjarrit (hedh benzinë në zjarr) (dikush). (Flet) si *e ëma e Zeqos në majë të thanës (dikush) bised. Fle në majë të dëllinjës (dikush) fle dosido, nuk ka kërkesa, e zë gjumi edhe pa rehati; bën si të ndodhet a si të vijë puna, bën si bën në çdo rrethanë a në çfarëdo kushtesh. *Fund e majë (e krye). Në *fund e në majë (e në krye). *Gjel (këndes, kaposh) në majë të plehut. *Gjilpërë pa majë. Të hedh e të pret në majë të gishtit (dikush) është shumë i shkathët dhe i fortë; duron shumë a qëndron pa u mposhtur, është më i zoti; s’do t’ia dijë, nuk ke ç’i bën; t’i ha arrat; e tredh dashin; t’i shkosh nën krah (dikujt); kund. s’ka këllqe (kërçikë, kryqe) (për diçka). Më ka hipur në majë të kokës (dikush a diçka) më ka mërzitur e më rëndon shumë, mezi po e duroj, nuk e duroj dot më; nuk më përfill fare. (Është) me dy *fara në majë (dikush) mospërf. (Janë) si *gjilpërat majë më majë. Jam në majë të gjembit jam shumë i shqetësuar e në merak të madh për diçka, s’jam i qetë fare deri sa ta zgjidh; jam mbi gjemba. Është në majë të kalit (dikush) shih është (flet) kaluar (dikush). Jam majë më majë (me dikë) nuk shkoj mirë me dikë, zihem e grihem orë e çast, jam në grindje të vazhdueshme me të; i kemi marrëdhëniet shumë të acaruara e nuk i bëjmë lëshime njëri-tjetrit; e kundërshtoj haptas e me guxim; (jemi) si gjilpërat majë më majë; shkoj majë më majë (majë e brisk. (Është, bie) shtatë *hostenë e një në majë (me dikë). (Është) tri në *degë e dy në majë (dikush) iron. (S’të jep) një majë gjilpëre (dikush) nuk të jep asgjësend, është shumë dorështrënguar; s’të jep asnjë thërrime. E ka arsyen në majë të shpatës (dikush) keq. nuk vepron me urtësi e drejtësi, i zgjidh çështjet si do vetë, sepse hiqet si më i fortë se të tjerët; është sherrxhi i madh, grindet e zihet me të tjerë për hiçmosgjë, është i gatshëm të bëjë sherr në çdo rast; e kërkon sherrin me qiri; tërheq buallin për bishti. I kanë (i kanë vënë, i shpunë, i ngritën) gjilpërat majë më majë shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, janë shumë të acaruar, zihen e grihen dhe nuk pajtohen, nuk i bëjnë asnjë lëshim e nuk i hapin rrugë njëri-tjetrit; shkojnë majë më majë (majë e brisk); (shkojnë) si macja me miun; (shkojnë) si qeni me macen; shkojnë thikë e brisk; shkojnë gjak e lak. S’ke ku të futësh majën e gjilpërës (diku) shih s’ke ku të hedhësh mollën (diku). E ka hundën në majë të çatisë (dikush) përb. shih e mban hundën në qiell (dikush). I ka (lotët) në majë të syrit (dikush). 1. Qan lehtë, është gati të qajë edhe për gjënë më të vogël. 2. Është shumë i ndjeshëm, preket shpejt; është zemërbutë. 3. Ankohet shumë, qahet për hiçmosgjë; është qaraman. E ka në majë të gjuhës. 1. (dikush). Ta jep përgjigjen menjëherë, ta kthen përgjigjen në çdo rast, aty për aty; është i shkathët nga goja; e ka te buza. 2. (diçka). E përsërit shpesh diçka; s’e ka zor ta thotë a ta kërkojë diçka. 3. v. I. Jam gati ta them diçka, por s’e them dot në këtë çast; e di mirë, por s’më vjen ndërmend tani, nuk më kujtohet aty për aty a nuk më del nga goja; e kam në gojë; më erdhi në dhëmbë. E ka në majë të thoit (diçka) e bën pa vështirësi diçka, e ka fare të lehtë; e përballon pa u munduar fare; e zotëron mirë (një punë, një mjeshtëri); nuk e ka për gjë; e ka bukë e djathë; e ka një kafshatë bukë; e ka gjethe; s’e ka për gajle. E ka mendjen në majë të kësulës (të qeleshes) (dikush). 1. Është mendjelehtë, nuk mendon e nuk gjykon thellë; i ka mendtë në majë të thanës. 2. Mendon gjithnjë për të njëjtën gjë; i rri (i rreh) mendja në një vend (dikujt). I ka mendtë në majë të thanës (dikush) është shumë mendjelehtë e i papjekur; e ka mendjen në majë të kësulës (të qeleshes); nuk i ka mendtë në kokë. Ka tri *qime në majë (dikush) përçm. Ka tri *thërrime në majë (dikush) mospërf. E luan (e sjell) në majë të gishtit (të gishtave) (dikë) e sorollat a e tall si do vetë; ia hedh, ia punon; e vë në lojë; e luan në tel; e luan në litar. Maja e ajsbergut libr. pjesa e dukshme, më e vogël, e diçkaje të keqe a të rrezikshme, pas së cilës fshihet gjithë e keqja. Majë e brisk me inat e i zemëruar, duke e kundërshtuar në çdo çast, pa u frikësuar prej dikujt; dhëmbë për dhëmbë; brisk më brisk. Nga maja e flokut te thonjtë e këmbëve në të gjithë trupin, krejt; i tëri; tërësisht. Në majë të gishtave shumë mirë, duke e njohur plotësisht, duke e ditur ujë; përmendsh. Majë më majëI mbushur plot, sa nuk nxë më (për një enë etj.); buzë më buzë. Majë më majëII duke ia kthyer fjalën dikujt në çast, duke iu përgjigjur aty për aty; flakë për flakë. Majë mielli diçka shumë e mirë ose e zgjedhur. Maja e piramidës libr. grup njerëzish në krye të shtetit, të një partie etj., drejtuesit më të lartë, udhëheqësia; paria. Majë plori shih buzë gjyshi. Majë pa rrëzë gjë e pamundur; diçka që nuk mund të ekzistojë. Mban *draprin në thes e majën jashtë (dikush). (E mbaj) si *zogun në majë të gjembit (dikë). Më mbinë *qepët nga maja (me dikë). Ç’ngre maja e boshtit shumë pak (për ushqime etj.), me kursim, sa për të jetuar; sa për të mbajtur shpirtin; sa për të mbajtur frymën. E nxjerr në majë (diçka) e zgjidh a e përfundoj një punë, e mbaroj, e çoj deri në fund; i jap majë (diçkaje); e nxjerr në krye; ia dal mbanë (diçkaje); i jap rrugë (diçkaje); e nxjerr në dritë. E sjell (e luan) në *majë të gishtit (majë gishtave) (dikë). Shkova në majë të briskut shih shkova në teh të briskut. Shkojnë majë më majë (majë e brisk) shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, grinden vazhdimisht; janë majë më majë; i kanë (i kanë vënë) gjilpërat majë më majë; shkojnë thikë e brisk; (shkojnë) si qeni me macen; (shkojnë) si macja me miun. Sheh gjer te maja e hundës (dikush) keq. shih nuk sheh më larg se hunda e vet (përtej hundës së vet) (dikush). Kur të shohë majën e veshit pa pasqyrë (dikush) shih kur të shohë zverkun pa pasqyrë (dikush). (Shpëtoi) për një majë gjilpëre (dikush) shpëtoi për pak gjë; (shpëtoi) për një fije floku; (shpëtoi) për një qime. I vë majën (diçkaje) e çoj deri në fund, e mbaroj; ia vë majën mullarit. S’e vë as në majë të gishtit (dikë) as që mund të krahasohet me mua; nuk hahet dot ai me mua, as që dua t’ia di për të; s’e vë as në gishtin e vogël. E vë në majë të hostenit (dikë) e tall, e qesëndis; e bën fare qesharak; e vë në bisht të lahutës; e vë në lojë. Ia vë majën mullarit e çoj punën deri në fund, e kryej ashtu si duhet; e zgjidh diçka drejt; i vë majën (diçkaje). Vë majat nga thembrat (dikush) iron. shkon andej nga ka ardhur; ia mbath, kthehet e ikë me turp; vë thembrat nga majat; vë ballin nga thembrat. Vë *thembrat nga majat (dikush) iron. Më erdhi (qumështi i nënës, shpirti) në majë të hundës. 1. Jam lodhur shumë, jam rraskapitur; s’mbaj më; më erdhi (shpirti) te hunda; më erdhi (shpirti) në fyt. 2. keq. Jam shumë i mërzitur a i inatosur me dikë a me diçka; nuk e duroj dot më, më është neveritur fare; më hipi (më erdhi) zemra në fyt; më erdhi mëlçia në grykë; më plasi buza; jam mbushur deri në fyt.
PËRSHTÉRP vep., ~A, ~UR kal. 1. Tredh.
2. Shterpëzoj.
RRAH vep., ~A, ~UR 1. kal. Qëlloj dikë me dorë, me shkop a me diçka tjetër disa herë, duke i shkaktuar dhembje; i bie. E rrahu shumë (fort, rëndë, tepër, keq, paq). E rrahu me pëllëmbë (me thupër, me shkop, me kamxhik).
2. fig. bised., kal. Fitoj kundër dikujt (në një lojë), e mund. E rrahu në bilardo. I patën rrahur në shah.
3. kal. Përplas diçka me një tjetër ose pas një tjetre; përplas në ajër (krahët). Rrah këmbët (thembrat). Rrah duart (shuplakat) duartrokas. Zogjtë rrahën krahët. Rrah qepallat (qerpikët). Topi rrahu shtyllën.
4. fig., kal. Shqyrtoj me imtësi e nga shumë anë, bisedoj hollësisht për diçka; trajtoj. E rrahën mirë çështjen. I patën rrahur të gjitha mendimet.
5. kal. Përpunoj një lëndë, duke e goditur, duke e përzier a duke e ngjeshur me forcë shumë herë me një mjet a me duar. Rrah qumështin (kosin). Rrah vezët. Rrah baltën (brumin) gatuaj baltën (brumin). Rrah grurin (qeshqekun). Rrahin orizin (fasulet) zhveshin orizin (fasulet) duke i goditur me shkop. Rrah leshin (pambukun) shkrifëroj leshin (pambukun) me shkop. Rrah hekurin (bakrin) farkëtoj hekurin (bakrin).
6. kal. Bëj një punë duke goditur, duke trokitur etj., i bie shumë herë. Rrah strallin. Rrahu çekanin. Rrihte dyshekun (qilimin, rrobat) godas me shkop për të shkundur dyshekun (qilimin, rrobat). Do ta rrihte me shkop (me çekan, me tundës).
7. kal., vet. v. III Godet me forcë duke u përplasur mbi diçka, bie me vrull e dendur mbi diçka (zakonisht për dukuritë e natyrës). E rreh shiu (breshri, era, dëbora). Rrufetë rrahin pyllin. Deti pati rrahur brigjet. E rrihte të ftohtët (thëllimi).
8. kal. I bie diçkaje disa herë duke nxjerrë një zhurmë a krismë; trokas. Rrah derën. Rrah daullen. Rreh kambanën. Rrah kohën trokas këmbën ose dorën për të përcaktuar ritmin, kur luhet një pjesë muzikore.
9. kal. Qëlloj një vend shumë herë me armë zjarri. Rrahën shënjestrën. E rrahu me top (me mitraloz, me mortajë). E rrahën me zjarr.
10. kal., vet. v. III Godet, qëllon shumë herë një armë zjarri. Rreh topi (mortaja, mitralozi).
11. fig., kal. Shkoj e vij rregullisht nëpër një rrugë, e bëj zakonisht rrugën nga një vend në një tjetër; endem për shumë kohë në një vend, zakonisht të largët, shkel, bredh. Ka rrahur rrugët (udhët, fshatrat, qytetet). Ka rrahur botën (detet). Rreh rrugën Tiranë-Shkodër. Ka rrahur dheun (dynjanë) ka udhëtuar shumë, nuk ka lënë vend pa shkelur.
12. jokal. Anoj; mbaj anën e dikujt. Ai rreh nga unë.
13. bised., kal. Hekuros. Rrah këmishën (rrobat). Rrah me hekur.
14. euf., kal. Tredh. Rrahën demin (dashin, cjapin).
15. jokal., vet. v. III. Punon duke trokitur me rregull, regëtin (për zemrën, damarët etj.). Rreh zemra. Rrahin damarët. Më rreh plaga ndiej dhembje të vazhdueshme në një plagë që po zë qelb, më lufton plaga.
16. fig., jokal. (me një folje në mënyrën lidhore). Përpiqem të bëj diçka, mundohem, bëj çmos. Rrah të them. Rrihte ta gjente me mend.
17. fig., jokal. Synoj, kam qëllim, më punon mendja diku (edhe në një varg togjesh frazeologjike); bëj me ngulm diçka. E di ku rreh e di ku synon. Aty rreh ajo fjalë. Aty i rreh çekani. Rreh larg ai me këto fjalë. Këtu duhet të rrahim më shumë.
✱Sin.: qëlloj, bie, godas, mund, mbyt, ngjesh, rrapangjesh, zhdëp, shqep, gdhend, shkopit, kopanis, ënjt, tund, përplas, shkel, anoj, hekuros, tredh, regëtij, synoj, gjakos, fshikulloj, kamxhikoj, zdrugoj, skuq, nxij, prish, stapis, zbruj, shpërbluaj, testëroj, shemb, shkatërroj, përsiat, shoshit, trajtoj, peshoj, pleqëroj, pleqësoj, përbluaj.
♦ *Qan pa rrahur (dikush). Rreh *benë (dikush). Ia rrah *çekanët (dikujt). I rreh (i shtie) dyfeku *lart (dikujt) iron. Rraha (çava) *dynjanë. Rraha (çava) *dheun. Rreh (vret) *gjetkë (dikush). Rreh *gjoksin (dikush). Rraha *jetën. E ka rrahur *jeta (dikë). Rrahin një *këmborë. I rreh *krahët (dikujt). Rreh *kraharorin (dikush). Nuk rreh në atë *krah (dikush). Rreh (nget) *larg (dikush). Rreh (vret) *lart (dikush). E rrah me *mend (diçka). Rrah *mendjen (për diçka). I rreh *mendja (për diçka). I rreh (i rri) mendja në një *vend (dikujt). Për të rrahur *murin mospërf. Sa rreh *qerpiku. S’rrah (dot) as *qerpikët. I rreh *supet (dikujt). Ia rrahu *syrin (dikujt). I rreh *shpatullat (dikujt). I rrahin *teneqenë (dikujt). I rrahin *tupanin (dikujt). Rreh *ujë në havan (dikush). Rraha (çava) *vendin. Nuk rreh *vesh (dikush). Më rreh *zemra (për dikë a për diçka). Sa të më rrahë *zemra.
TREDH vep., TRÓDHA, TRÉDHUR kal. 1. Heq, rrëgjoj a mpij organet mashkullore të një kafshe a të një njeriu; e bëj shterp një mashkull. Trodhi demin (dashin, cjapin, ftujakun, karçinin).
✱Sin.: çjerr, dëlir, skopis, rrah, zhburrëroj, zhburrnoj.
♦ Tredh *dashin (dikush). Ia trodhi *koqet (dikujt) keq. vulg.
ÇJERR vep., ÇÓRA, ÇJÉRRË kal. 1. I heq rripa a copa duke e kapur në diçka të mprehtë ose duke e tërhequr fort; gris; shqyej. Çjerr rrobat. Çjerr me thikë. E çori në gozhdë. I ka çjerrë nëpër ferra.
2. E ndaj më dysh a në copa duke e tërhequr fort nga anët me një lëvizje të menjëhershme një rrobë, një letër etj.; gris. Çjerr një letër (një fletë). Çjerr këmishën (pantallonat).
3. Çaj lëkurën e trupit me thonj a me diçka të mprehtë, gërvisht thellë lëkurën për së gjati. Çjerr dorën (fytyrën). E çori me thonj. E çori macja.
4. fig. Hedh poshtë një marrëveshje, e prish; gris. Çjerr traktatin.
5. fig. I shkaktoj një dhembje therëse, e shpoj, e gërvisht. Të çjerr veshët. Të çjerr barkun. Sikur më çjerr nga brenda. Të çjerr zemrën të copëton zemrën, të pikëllon.
6. euf. Tredh. Çjerr cjapin (dashin, mëzatin). Çjerr kalin.
7. krahin. Shpoj një enë. Çjerr ibrikun (kusinë).
8. jokal. Ndiej një dhembje therëse sikur më shpon diçka. Më çjerr barku.
✱Sin.: gris, shqyej, ndaj, çaj, heq, shpoj, gërvisht, prish, copëtoj, tredh.
♦ E çjerr ku s’arnohet (diçka) e dëmton a e prish një punë sa nuk mund të ndreqet më. Më çori *barkun (dikush a diçka). Ia çori *cipën (dikujt) keq. Çjerr (shkul) *faqet (dikush). Ia çjerr (ia heq, ia gris) *maskën (dikujt) keq. Më çori *veshët (dikush). Çora *zërin (për diçka).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë