Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►AMORTIZ/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR vet. v. III 1. ek., vetv. Zvogëlohet ose ulet vlera e një mjeti pune, e një ndërtese, e një objekti, e një pajisjeje etj., si rrjedhojë e përdorimit të vazhdueshëm, të konsumimit fizik ose të vjetërsimit; zëvendësohet shkallëshkallshëm kjo vlerë me një pjesë nga të ardhurat prej prodhimeve të nxjerra. Makina amortizohet pas disa vjetësh. Gjithçka amortizohet me kohën. Skaneri u amortizua ekonomikisht kur u prodhua model i tij i ri.
2. tek., vetv. Zbutet ose dobësohet (një goditje, një zhurmë etj.). Zhurma amortizohet me pajisje të posaçme.
3. fig., vetv. Zvogëlohet ose zbutet një ndjenjë, një shqetësim, një trazim, një tendosje, një konflikt, një dëm me kalimin e kohës. Me fjalë ngushëlluese amortizohet humbja. U amortizua trazimi i madh i qytetarëve. Keqkuptimet mes tyre u amortizuan dhe ata rifituan besimin tek njëri-tjetri.
4. pës. e AMORTIZÓJ. Kriza e shkaktuar u amortizua nga ndërhyrjet e qeverisë.
✱Sin.: zvogëlohet, pakësohet, ulet, bie, zbutet, dobësohet, lehtësohet, humbet, harxhohet, konsumohet.
ANKTH,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Ëndërr e rëndë, gjatë së cilës na duket sikur na zihet fryma dhe tronditemi ose trembemi. Ankth i rëndë. Ankth ëndrre (zhgjëndrre). Gjumë me ankthe. Zgjohem nga një ankth. Ankthi i fëmijërisë.
2. fig. Ndjenjë e rëndë ndrydhëse, shtypëse; shqetësim i madh për fatin e dikujt ose për fundin e diçkaje. Ankthi i pritjes. Me ankth në zemër. Jam në ankth. Pres (shoh, ndjek) me ankth. E zuri një ankth. U çlirua (shpëtoi) nga ankthi. Jetoj me ankth.
3. psikol., mjek. Çrregullim emocional ose psikik që shfaqet si një shqetësim i madh ose si një krizë paniku. Ankth akut. Ankth kronik.
✱Sin.: makth, angështi, frikë, druajtje, tutë, shqetësim, trazim, tronditje, pasiguri, stres, panik.
MOSTRAZÍM,~I m. 1. Pamundësi a refuzim për të trazuar dikë a diçka, mosngacmim, mospërzierje, mosngatërrim; kund. trazim. Sekreti i çomlekut është mostrazimi i qepëve gjatë zierjes. Mostrazimi i shtetit në punët e besimit fetar. Kjo situatë ndihmon në mostrazimin e ujërave.
2. Mungesë shqetësimi a tronditjeje, mosprishje e terezisë, mosturbullim; kund. trazim. Mostrazimi dhe heshtja që ofron ajo nuk është zgjidhje. Mostrazimi i gjakut me të huajin.
NAKATÓSJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Përzierje, trazim, ngatërrim. Nakatosja e makaronave me orizin. Nakatosja e punonjësve të administratës. Nakatosja e gjuhëve (e dialekteve). Nakatosjet e popullsisë urbane me atë rurale.
NGACMÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi dhe gjendja kur ngacmoj ose kur ngacmohem. Ngacmimi me fjalë (me dorë). Gjendje ngacmimi. Ngacmimet e njerëzve në rrugë. Ngacmimi në rrjetet sociale. Ngacmime seksuale. Ngacmimi i fijeve nervore.
2. fiziol. Tërësia e ndryshimeve që ngjasin në një ind të gjallë, kur mbi të vepron diçka nga bota e jashtme dhe që sjell një përgjigje ndaj saj; ndijimi që provojmë nga një ngacmues. Ngacmime të jashtme (të brendshme). Kam një ngacmim në zemër.
3. elektr., tek. Krijimi i një fushe magnetike të nevojshme për të vënë në veprim një motor elektrik. Ngacmim i pavarur. Ngacmim në seri. Ngacmimi i motorit elektrik.
4. Diçka që na jep shtysë të bëjmë a të ndryshojmë diçka. Çdo ngacmim pozitiv i vlen procesit për ta pasuruar dhe për ta bërë atë më dinjitoz. Ngacmimi për të folur. Për herë të parë, ajo ndiente ngacmimin e lirisë.
5. fig. Diçka që na shqetëson. Sikur të mos mjaftonin ngacmimet e përditshme...
✱Sin.: ngasje, prekje, çikje, shpim, gudulisje, trazim, tanim, ngarje, cytje, luajtje, ngallmim, gërgamë, gërgasë, gërgitje, cingërisje, cimbisje, kunjim, ngallitje, ngjallje, xëgitje, kunjëzim, cimbidhje, gjallërim, shtytje, nxitje, ngucje, shqetësim, thumbim, qatër, shpoti.
NGATËRRÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur ngatërroj, ose kur ngatërrohem; kund. çngatërrim, shkoklavitje. Ngatërrimi i punëve (i çështjeve). Ngatërrimi i emrave (i datave). Ngatërrimi i mendimeve. Ankthi i ngatërrimit të linjave.
2. kryes. sh. Rrethana që e vështirësojnë dhe e ndërlikojnë diçka, ndërlikime. Sjell ngatërrime.
✱Sin.: trazim, ndërliksje, mbështjellje, çorientim, pështjellim, çoroditje, ndërthurje, përzierje, shkartisje, koklavitje, ndërlikim, ngatërresë, grindje, pleksje, mpleksje, lajthitje, shprishje, tollovitje, kokolepsje, tutëlim.
PEZMATÍM,~I m. 1. Veprimi kur pezmatoj ose kur pezmatohem. Pezmatimi i gjëndrave të grykës. Pezmatimi i plagës. Pezmatimi i cipës së hundës.
2. fig. Zemërim i madh për një sjellje të keqe, për një fyerje a padrejtësi që na bëhet etj.; inat, pezëm, acarim. Pezmatim i madh. Me një ndjenjë pezmatimi. E përmbajti (e fshehu) pezmatimin. E pa me pezmatim.
✱Sin.: pezëm, mahisje, acarim, infektim, zemërim, malcim, trazim, irritim, inat.
PRÉKJ/E,~A f. 1. Veprimi kur prek ose kur prekem. Prekja e mushkërive nga sëmundja. Ndalohet prekja me dorë!
2. Aftësia e njeriut a e kafshës për të ndijuar diçka duke e prekur; të prekurit. Shqisa (ndjesia) e prekjes. Provoj me anë të prekjes.
3. Lidhje; kontakt. Ka prekje. Është në prekje.
✱Sin.: përkitje, takim, pjekje, çekje, çikje, cekje, cikje, ngacmim, cenim, të prekur, trazim, shkelje, dhunim, rrokje, ndryshim, goditje, dëmtim, mallëngjim, shqetësim, emocionim, skërfitje, tronditje, fyerje, ndikim, veprim, përfshirje, përhapje, shtjellim, përçikje, përmendje, lidhje.
PËRPÚSHJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur përpush ose kur përpushem. Përpushja e zjarrit.
2. kryes. sh. Lëvizje të shqetësuara që bën dikush nga dhembjet ose nga ndonjë ngacmim tjetër i fortë a i papritur; lëvizje a përpjekje të kota; përpëlitje.
✱Sin.: shpërpushje, shpupurishje, shpuzitje, prushitje, përshkënditje, shpupuritje, zhguritje përpëlitje, shprishje, trazim, hapje, shpurritje, shkërmoqje, gërryerje, përpjekje.
PËRZÍERJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur përziej ose kur përzihem. Përzierja e bukës (etnogr.) pritja që i bëhej nuses në shtëpinë e babait një javë pas martesës.
2. Gjendja kur përziej ose kur përzihem. Përzierja e ngjyrave. Përzierja e betonit (e llaçit). Përzierja në punët e brendshme të dikujt.
3. Lëndë që ka dalë nga përzierja e dy a më shumë lëndëve të tjera. Përzierje bojërash. Përzierje rëre dhe argjile. Përzierje gazesh. Përbërja e një përzierjeje.
4. E përzier. Kam përzierje në stomak.
5. Lërim i tokës për së dyti. Përzierja e arave buzë përroit.
6. keq. Futje e njerëzve në ngatërresa a grindje. Përzierja e tij me trafikantët e qenieve njerëzore do të kishte pasoja jo të vogla për të gjithë njerëzit e familjes.
✱Sin.: nakatosje, shkartisje, karashtisje, tundje, lëvrim, lërim, bashkim, trazim, ngatërrim, e përzier.
PËSHTJELLÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur pështjelloj diçka ose kur pështjellohem. Pështjellimi i çështjes.
2. Grumbullim pa rregull e pa kriter njerëzish a gjërash në të njëjtin vend; rrëmujë ku s’e merr vesh i pari të dytin, tollovi, trazirë. Pështjellim i madh në sallë. Pështjellim në stadium. Mbillnin (shkaktonin) pështjellim.
3. Mungesë lidhjeje a bashkërenditjeje midis pikëpamjeve e qëndrimeve, kontradikta të brendshme të thella e pa ndonjë rrugëdalje, mungesë rregulli e njësimi; paqartësi e madhe në teori e në veprimet praktike; rrëmujë. Pështjellim politik (ideologjik).
4. elektr. Pështjellje. Pështjellime të veçuara (të izoluara). Pështjellimet e elektromotorëve. Tel bakri për pështjellime.
✱Sin.: ngatërrim, ngatërresë, çrregullim, koklavitje, turbullim, çaprazim, çatrafilim, shthurje, çoroditje, trazirë, tollovi, zallahi, zallamahi, rrungajë, çarravi, paçariz, rrëmet, paqartësi, çorbë, pështjellje, grumbullim, përzierje, trazim, vërdallë, zhurmë, gurgule, rrëmujë, shamatë, turbullirë, hutim, kontradiktë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë