Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANGLOFONÍ,~A f., libr. 1. Grup vendesh në të cilët anglishtja është gjuhë e parë, gjuhë zyrtare ose gjuhë e rëndësishme kulture. Revista shkencore për anglofoninë. Anglofonia e Afrikës, si trashëgimi e rrethanave politiko-historike.
2. Bashkësia anglishtfolëse. Ndikimi i anglofonisë në politikën ndërkombëtare.
ANTIKITÉT,~I m. 1. Periudha e botës së vjetër skllavopronare greke e romake; kultura dhe trashëgimi i kësaj bote; lashtësi. Antikiteti grek (romak). Qytetërimi i antikitetit. Shkrimtarët (filozofët) e antikitetit. Heronjtë e antikitetit.
2. sh. ~E, ~ET Monumente dhe vepra arti, që kanë mbetur nga lashtësia; sende të vjetra, të rralla e të çmueshme. Gjurmimi i antikiteteve. Gjetje të reja të antikitetit.
BREZ,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Rrip i gjerë e i gjatë prej leshi, prej pambuku etj., që përdoret në disa krahina për ta ngjeshur në mes, duke e mbështjellë disa herë rreth e rreth; rrip i gjerë prej lëkure, prej metali etj., që ngjishet në mes e shërben për të mbajtur fishekë a armë, për stoli etj. Brez pambuku (mëndafshi, meshini). Brez i argjendtë. Brez burrash (grash). Brezi i martesës (etnogr.). Brezi i fishekëve (i armëve). Armët e brezit armë të vogla (si koburja, thika etj.), që mbahen në brez. Ngjesh (shtrëngoj) brezin. Zgjidh brezin. Mikja me shami pas brezi, / Zemrën flakë seç ma ndezi. (folk.). Kush vete me lugë në brez, me zahmet rri në trapezë. (fj. u.). Revolja i ka lezet brezit të trimit. (fj. u.). Mos e lësho brezin zvarrë. (fj. u.).
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta në fushën e sportit etj. Brez i bardhë (sport.) brez i sportistit të shkallës më të ulët në xhudo a në karate. Brez i kuq (sport.) brez i mjeshtrit të madh i arteve marciale. Brez sigurimi rrip që ngjeshin punëtorët në mes dhe që e lidhin te një mbajtëse e sigurt kur bëjnë punime në vende të larta; rrip që lidhin udhëtarët në automjete, aeroplanë etj. për të shmangur dëmtime fizike në rast rreziku. Brezi i shpëtimit rrip i gjerë prej gome që fryhet e ngjishet në mes dhe që shërben për të shpëtuar njeriun nga mbytja në ujë. Brez i zi (sport.) brez i sportistit të shkallës më të lartë në xhudo a në karate.
3. Rrip i gjatë e i gjerë, zakonisht i leshtë, me të cilin lidhim fëmijën në djep; ndrizë, dizgje. E lidhi (fëmijën) me brez.
4. Mes2,3. Deri në brez. Brezi i duhanit gjethet e duhanit që mblidhen gjatë një vjeljeje, fletët e një dore. Lidh brezin me shami. Ngjesh në brez. Një brez njeriu i lartë.
5. Pjesë e diçkaje (e një sipërfaqeje etj.) që ka trajtë të zgjatur e të kufizuar dhe që dallohet nga e tëra; hapësirë në trajtë rripi. Brez pyjor (kodrinor). Brez kufitar. Brez mbrojtës. Brez i bleruar. Brez i kuq (i zi, i bardhë). Brez toke. Brez resh. Brez drite shirit drite në mjedis të errët. Një brez me bojë. Brezi i uljes (i ngritjes) rrip me gjatësi të caktuar brenda aeroportit ose brenda fushës së aviacionit për uljen a për ngritjen e avionëve. Brezi i sulmit (brezi i kalitjes) (usht.) vend i pajisur me gardhe, me gropa, me tarabë, me llogore etj., ku zhvillohet stërvitja ushtarake e nxënësve në shkolla, e ushtarëve në reparte etj. Ujitje me brez. Dele me brez. Kishte rënë një brez borë.
6. Dru i gjatë a shtresë betoni që vihet përgjatë murit me qerpiç, me gurë ose me tulla, për ta lidhur ose për ta forcuar. Brezi i poshtëm (i sipërm). Brez muri. Brez hekuri (betoni). Breza kundër tërmetit. Drurë për breza. Mur me breza.
7. gjeogr. Pjesë e sipërfaqes së Tokës ndërmjet dy paralelesh ose dy meridianësh; zonë e Tokës që kufizohet nga paralele të caktuara dhe që dallohet prej zonave të tjera nga ndryshime të klimës, të bimësisë etj. Brez gjeografik. Brezi i ftohtë (i ngrohtë, i nxehtë, mesatar). Brezi arktik. Brezi tropikal. Brezi i borës.
8. Tërësia e të lindurve të një gjaku kundrejt të parëve të përbashkët; tërësia e njerëzve, që kanë pak a shumë një moshë, përkundrejt paraardhësve e pasardhësve të tyre; njerëzit e një moshe a me moshë të afërt, që jetojnë në të njëjtën kohë ose që lidhen nga veprimtaria e përbashkët, që kanë qëllime të përbashkëta etj.; brezni. Brezi i parë (i dytë, i tretë). Brezi i ri (i vjetër). Breza të gjakut (etnogr.) pasardhës nga ana e babait. Breza të gjinive (etnogr.) pasardhës nga ana e nënës. Brezat e kaluar (e ardhshëm). Breza luftëtarësh. Brezat e pasluftës. Gjatë disa brezave. Beja e rreme të ndjek gjer më shtatë breza. (fj. u.).
✱Sin.: rrip, brezar, shokë, qemer, ndrizë, dizgje, baç, çimboskë, retër, bel, ndërmjet, përmjet, rrip, rriponjë, shirit, rripëtirë, vilar, vilazë, shokë, tërthorëse, boshtivan, brezare, zonë, krahinë, vend, rajon, trevë, brezni, bark, moshë, thark, leni, pot, korë.
♦ U bë brez (dikush) u dobësua shumë, u tha fare, u tret; u bë kockë e lëkurë (dikush); u bë cironkë (dikush); u bë çengel (dikush); u bë kërrabë (dikush). M’u bë *pallaskë pas brezit (dikush). Brez pas brezi që në kohë të lashta e pa ndërprerje; nga njëri brez në tjetrin; nga brezi në brez; atë pas ati; babë pas babe; bark pas barku; djalë pas djali; bir pas biri; djep pas djepi; gjysh pas gjyshi; gjysh stërgjyshi; rrënjë pas rrënje. Nga brezi në brez vazhdimisht, pa ndërprerje, në rrjedhë të pandërprerë (për trashëgimi kulturore etj.); brez pas brezi. Brezi i qiellit astr. ylberi; shoka e kumbarës krahin. Brezi i zonjës astr. ylberi; brezi i qiellit astr.; shoka e kumbarës krahin. Hedh një brez (një shtresë) ha pak, sa thyej urinë; zë fundin e barkut. E heq brezin *zvarrë (dikush) keq. E ka barkun pa brez (dikush) ha shumë, s’ka kufi në të ngrënë, s’ngopet kurrë; s’i mbushet barku (dikujt). I ka *të shtatat në brez. Lëshon brezin (i pari) (dikush). 1. Jep shkak për grindje, hap sherr; është gati të ndeshet me dikë; kërkon gjemb për këmbë; kërkon këmbë për gjemb. 2. Bën lëshime; tërhiqet; i bën (i lëshon, i hap) rrugë (dikujt). Me *lugë në brez keq. Me *peshqir në brez keq. Rri me *duar në brez (në ijë, në mes, në gji, në xhepa) (dikush). Ia shkel brezin (dikujt) i përgjigjet ngacmimit për sherr, hyn në grindje me dikë që do të zihet; e kërkon edhe vetë shkakun për t’u grindur. Me *shpatë në brez keq. Shpëtoi me *kulaç pas brezi (dikush). Shtrëngoj brezin mblidhem e detyrohem të jetoj me më pak mjete e më keq, shpenzoj më pak para dhe rroj në kushte më të vështira; përpiqem të duroj e të përballoj skamjen duke kursyer shumë; shtrëngoj rripin; e mbledh (e rrudh) dorën; e shtrëngoj dorën. Vë (vesh, ngjesh) dy breza (dikush) bëhet burrë, burrërohet, piqet e hyn në rrethin e burrave. E zbraz *koburen që në brez (dikush) tall.
GJALL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. 1. Jetoj; rroj në njëfarë mënyre. Gjallonte me të keq jetonte duke përballuar me vështirësi jetesën. Gjallonte vetëm.
2. fig. Bëj një jetë të zbrazët; rroj sa për të ngrënë. Si popull kishim një trashëgimi, e cila gjallonte kudo.
3. vet. v. III Rritet, jeton (për një kafshë a për një bimë). Gjallon bari kudo.
HÍS/E,~JA f. sh. ~E, ~ÉT bised. 1. Pjesa që i bie dikujt, kur ndahet një e tërë a një trashëgimi; pjesë. Tri hise qumësht. Mori hisen e vet. I bëri hise edhe vëllait. Ka hise në diçka. I ra në hise. I hyri në hise dikujt u bë pjesëtar pa të drejtë. E ndau në tri hise. I dha secilit hisen e vet. Është hisja ime.
2. Herë. Pesë hise më shumë. Dy hise më mirë. Dhjetë hise më e bukur. Njëqind hise më i mirë.
3. etnogr. Tërësia e fëmijëve dhe e pasardhësve të secilit djalë me gruan e vet brenda familjes së madhe patriarkale; bark. Ia fiku hisen. Iu shqim (iu shkretua) hisja.
✱Sin.: pjesë, trashëgimi, herë, bark.
♦ Më ra për (në) hise (diçka) krahin. më takoi mua të më ndodhë diçka, unë paskam qenë caktuar për diçka; kjo më mbeti mua. I hyri në hise (dikujt) krahin. u soll padrejtësisht me të; ia uli vlerat; i hyri në hak. Është në hise me dreqin (dikush) keq. është njeri i prapë; bën vetëm të këqia; ka shejtanin në bark. Ka hise me shejtanin (dikush) keq. shih është në hise me dreqin (dikush) keq.
LEGATÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Ai të cilit i lihet një pjesë e trashëgimisë edhe pse nuk ka të drejtë në trashëgimi.
MBET (MBES) vep., ~A, ~UR jokal. 1. Qëndroj në vend, nuk shkoj dot më tutje; ngec diku e nuk lëviz dot më; nuk luaj nga vendi, qëndroj aty ku jam, ngel. Mbeti makina në baltë. Mbeti kali. Mbeti prapa (në fund, në bisht). Mbeti në Fier, s’e arriti trenin. Më ka mbetur ora. I mbeti kafshata në fyt. Mbeti sharra (pyka, gozhda) në dru. Mbeti tapa brenda në shishe. Mbeti mbyllur në dhomë. Mbeti në pus (në fund të detit).
2. fig. Ngec në diçka, nuk veproj a nuk shkoj dot më tej, ngel në vend. U doli një vështirësi në punë, po nuk mbetën, e kapërcyen. Mbetën në vend nuk po përparojnë. I mbeti goja s’fliste dot.
3. Vazhdoj të qëndroj diku ose në një gjendje të caktuar më shumë se ç’parashikohej, se ç’duhej a përgjithnjë; merrem gjatë me diçka, ngel mbi të. Mbeti me këmbë (shtrirë, varur). Mbeti në diell (në shi). Mbeti rrugëve. Mbeti në shtëpi tërë ditën. Mbeti edhe dy javë te prindërit. Mbeti në fshat. Mbeti në mërgim. Mbeti në klasë nuk e kaloi klasën (për nxënësit). Mbeti në matematikë. Dera mbeti hapur. Nuk mbeti asnjeri në zyrë. Mbeti duke folur. Mbeti mbi libra.
4. Bie ose ngelem në një gjendje të caktuar (zakonisht jo të mirë), ngel pa diçka a pa dikë, ngel, mbetem; pësoj diçka (edhe në një varg njësish frazeologjike); më krijohet për një kohë një gjendje e caktuar (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore). Mbeti me barrë (shtatzënë). Mbeti e ve. Mbeti jetim. Mbeti i vrarë (i plagosur, i ngrirë). Mbeti gjallë. Mbeti i kënaqur (i dëshpëruar). Mbeti i mahnitur (pa gojë, pa mend). Mbeti gojëthatë. Mbeti keq (si peshku pa ujë, si peshku në zall). Mbetsh me shëndet! (ur.) Mirë mbetsh! (ur.) Mbeti (është) teneqe (dërrasë, kripë, pip) mbeti pa asgjë, mbeti pa një lek në xhep.
5. Vazhdoj të jem si edhe më parë, ngel ai që kam qenë; vazhdoj të mbaj të njëjtin qëndrim; ruaj po ato veti, tipare, cilësi e pikëpamje që kam pasur, nuk ndryshoj (edhe në një varg njësish frazeologjike); më ngel për një kohë të gjatë në mendje një shqetësim, një dëshirë e paplotësuar, një fyerje etj. (përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore). Mbetën miq (shokë të pandarë). I mbeti besnik shoqërisë së vjetër. Mbeti i ndershëm tërë jetën. Mbeti sakat (çalaman, qorr, shurdh). Mbeti i pagdhendur (mendjelehtë). Mbetën pa nënë (pa babë, pa fëmijë, pa shokë, pa miq, pa njeri). Mbeti pa gjë (pa para, pa këpucë, pa rroba). Mbeti pa sy (pa një krah). Mbettë pa gojë! (mallk.) Mbeti me gisht në gojë (me lugë të zbrazur). Mbeti në mendimin e parë (në të vetën). Mbeti fishek (bilbil, brisk, katil, gisht) dikush mbeti fare pa gjë, mbeti pa para. Mbeti ngushtë (hollë). Mbeti zbathur (lakuriq). Mbeti vetëm (qyqe). Si ka qenë ashtu ka mbetur. I mbeti merak (brengë, peng, kunj, gozhdë). I mbeti murriz në zemër (thikë në zemër).
6. vet. v. III Ngel diçka pa u harxhuar, pa u përdorur, pa u dhënë etj., tepron një pjesë; tepron pak kohë, ngel; ngel një send ose një numër i caktuar njerëzish (pasi largohet ose pasi vdes a vritet dikush); i ngel si trashëgim a si detyrim dikujt; shtyhet diçka për t’u shqyrtuar a për t’u zgjidhur më vonë, lihet për më vonë. Mbeti edhe pak çaj. I kishin mbetur pak të holla. Hëngrën ato që kishin mbetur nga dreka. Nuk mbeti gjë për në darkë. I mbeta një mijë lekë kam për t’i dhënë edhe një mijë lekë. Mbetën edhe dy orë ditë. Kohën që u mbeti e shfrytëzuan mirë. Edhe pak punë mbeti. Edhe sa kilometra mbetën? Ka mbetur edhe një copë rrugë. I kanë mbetur vetëm muret. I kanë mbetur katër fëmijë. Nga gjithë grupi mbetën vetëm tre veta. U shua i tërë fisi, s’ka mbetur më asnjeri. Pasuria (trashëgimi) i mbeti të birit. Shtëpia i mbeti të vëllait. Fëmijët i mbetën nënës. Ç’u mbeti nga babai e ndanë bashkë. I mbeti barrë. Mbetën edhe dy pika pa u shqyrtuar. Çështja mbeti për muajin tjetër.
7. Nuk arrij ta mbaroj një punë, ngel diçka pa u bërë. Mbeta pa vajtur. Mbeti pa ngrënë. Mbeti pa u martuar. Mbeti toka pa mbjellë. Mbeti çështja pa u zgjidhur. Na mbeti puna përgjysmë (në rrugë, në mes të rrugës).
8. vet. v. III Ngulet, përqendrohet diku, nuk shqitet, ngel (për sytë, mendjen etj.) (përdoret me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën dhanore). I mbetën sytë atje. I mbeti mendja te fëmija (te puna). I mbeti goja tek i biri vazhdimisht flet për të.
9. Vritem a vdes, bie. Mbeti në luftë (në fushën e betejës)! Mbeti në dhe të huaj. Mbeti në vend vdiq menjëherë.
10. bised. Bie në marrëveshje me dikë për të bërë diçka, lidh besë a fjalë për diçka. Mbetën në fjalë që të shkonin të dy. Mbetëm që të niseshim herët.
11. bised. Nis, filloj; ia jap. Mbeti e i tha. Ia mbeti me dru.
♦ Mbeti (qëndron) në *ajër (diçka). Mbeti (ngeci) në *baltë (dikush). Ka mbetur *bërllok (diçka). I kanë mbetur vetëm *brinjët (dikujt). Më mbeti *cingare (diçka). Mbeta *cullak krahin. Më mbeti *çiban (dikush a diçka). Më mbeti (më ngeli) në *derë (dikush a diçka). Mbeta *dërrasë. Të mbetet (të ngelet) në *dorë (ndër duar) (dikush a diçka). Mbeta (ngela) *duarthatë. Ka mbetur në *dushk (dikush) keq. Mbeta (jam) pa një *dysh. Mbeta (jam) *fishek bised. Mbeta pa *fjalë. Mbeti (ngeli) pa *frymë (dikush). Më mbeti (më ngeci, më ngeli) në *fyt. Mbeta *gisht. I mbeti (i ngeli) *goja (dikujt). I mbeti (i ngeli) në *gojë (dikush a diçka). Mbes pa *gojë. Mbes *gojëhapur. Mbeta *gojëthatë. Më ngeci (më mbeti) në *gojë (diçka). I mbeti *gozhdë (diçka). Më mbeti (më ngeci) në *grykë (diçka). Më mbeti në *gunë (dikush a diçka). S’mbeti *gur mbi gur. I mbeti *hatri (dikujt). Mbeti (është, qëndron) në *hava (dikush a diçka). Mbeti në *hije (dikush a diçka). Mbeta *kalli. Ka mbetur në *këmishë (dikush). Mbeta *kërcure. Mbeta *kripë (e shëllirë). Ka mbetur (është) *krunde (dikush). Më mbeti *kunj (diçka). Mbeta *lakuriq (në diell). Mbeti në *letër (diçka). Më mbeti *lëkura (diku). Mbeti në *lëndinë (dikush). S’i ka mbetur *lëng (dikujt). Mbeti (ngeci) në *llucë (dikush). Mbeti (ngeci) në *llum (dikush). Mbeti pa *mend (në kokë) (dikush). I mbeti (i ngeli) *mendja (te dikush a te diçka). Më ka mbetur (më ka ngelur) në *mendje (diçka). I ka mbetur vetëm *mezhda (dikujt). Më mbeti *mëllë (diçka). Mbeti (ngeci) në *moçal (dikush). Më mbeti (m’u bë) *pajë (dikush a diçka). Mbeti pas (*prapa) (dikush). Më mbeti *peng (në zemër) (diçka). Më mbeti *peronë. Mbeti (është) *pezull (varur) (dikush a diçka). Mbeti (u bë) *pilaf (dikush) iron. Mbeta *pipë. Mbeti *prapa (pas) (dikush). Më mbeti në *qafë (dikush). I mbeti *qejfi (dikujt). Mbeta *qiri. Mbeta *qiri në këmbë. Mbeta *qyqe. Mbeti rrugëve (*udhëve) (dikush). Mbeti në rrugë (në *udhë) (në mes të rrugës) (në mes të udhës) (diçka). Mbeti në *rrugë (të madhe) (në mes të rrugës, në mes të katër rrugëve) (dikush). Mbeta *squfur. I mbeti *syri (i mbetën sytë) (te dikush a te diçka). S’i mbeti (s’i ngeli) *sy e faqe (dikujt). Mbetsh me *shëndet! ur. Mbeta *shtang. Mbeta *shtog. Kam mbetur *trëndelinë. Mbeti *shul (dikush). Mbeta *teneqe. Ka mbetur (është) *trokë (dikush). Mbeti *udhëve (rrugëve) (dikush). Mbeti në *udhë (të madhe) (në mes të udhës, në mes të katër udhëve) (dikush). Ka mbetur (është) (ende) tek *ura (dikush) iron. Mbeti (është) varur (*pezull) (dikush a diçka). Mbeti në *vend (dikush a diçka). S’i ka mbetur *yndyrë (dikujt). Mbeti në *zall (dikush). Më ka mbetur në *zemër (dikush a diçka).
MBROTHËS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Mbroth. Mbrothësoj një trashëgimi (një vend). Mbrothësoj gjënë e gjallë.
MONOHIBRÍD,~I m. sh. ~Ë, ~ËT biol., mjek. Pasardhës i dy bimëve a i dy individëve që ndryshojnë në lidhje me një çift të caktuar gjenesh; trashëgimi e tipareve të kontrolluara nga një gjen i vetëm.
PAPRÍSHSH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që nuk është i prishshëm; që nuk mund të prishet. Trashëgimi e paprishshme.
PESËQINDVJEÇÁR,~E mb. Që është pesëqind vjeç. Trashëgimi pesëqindjeçare. Pushtimi pesëqindvjeçar.
PJESËTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që bën pjesë në një grup shoqëror, në një kolektiv, në një organizatë etj., anëtar; pjesëmarrës. Pjesëtarët e familjes. Pjesëtarët e ekipit të hendbollit. Pjesëtarët e skuadrës së zhytësve. Pjesëtarët e ekspeditës.
2. Secili nga ata që marrin pjesën e vet kur ndahet një pasuri a diçka tjetër. Nuk ishte pjesëtar në atë trashëgimi.
✱Sin.: bashkëpjesëtar, anëtar, pjesëmarrës, ortak, mis.
PËRBOTËRÚAR (i, e) mb. Që është përbotëruar, që është bërë botëror. Shkrimtar (piktor, kompozitor) i përbotëruar. Letërsi (kulturë, trashëgimi) e përbotëruar.
TRADÍT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. kryes. sh. Pasuri shpirtërore, pikëpamje, zakone, legjenda, virtyte etj., që janë formuar historikisht në jetën e një populli dhe që ruhen, trashëgohen e nga njëri brez në tjetrin; trashëgimi e arritjeve më të mira nga brezat e kaluar nëpërmjet fjalës, shkrimit a shembullit. Traditat kombëtare. Traditat patriotike (luftarake). Traditat e së kaluarës. Ruajmë (trashëgojmë) traditat. Në respekt të traditave. Zhvillojmë traditat më të mira. Tradita shqiptare e mikpritjes. Mbaj (braktis, ruaj, vazhdoj, humb, ndjek, tradhtoj, përcjell, respektoj, shkel) traditën.
2. Zakon që është krijuar për të bërë diçka, diçka që ngulitet duke u përsëritur vazhdimisht, mënyrë të menduari dhe të vepruari që na e kanë përcjellë brezat; praktikë, rit. Tradita e përkujtimit të heronjve. Tradita e festimit të Vitit të Ri. Është bërë traditë. Hyri si traditë. Krijohet tradita. Për traditë. I janë rikthyer traditës. Lidhja me traditën.
3. Përvojë e pasur, e ruajtur, e trashëguar dhe e çuar a zhvilluar më tej. Shkollë (uzinë) me tradita të mira. Familje me tradita. Ka tradita. Është bërë tashmë traditë.
4. let. Trashëgim i arritjeve më të mira në fushën e letërsisë e të artit, gjithçka e mirë e përparimtare që na kanë lënë brezat e kaluar në këtë fushë. Ruajtja e traditave. Mbështetja në traditën tonë të Rilindjes.
✱Sin.: praktikë, rit, zakon, trashëgim.
TRASHËGÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Mbetje e një pasurie pas vdekjes së pasardhësit të drejtpërdrejtë. Trashëgimi i shtëpisë (i tokës) së prindërve nga fëmijët.
2. Pasuri që i kalon dikujt e që bëhet pronë me ligj a me testament pas vdekjes së pronarit. La një trashëgim. E ka trashëgim me testament nga daja.
3. biol., gjenetikë. Veti fizike a tipare të karakterit, që kanë kaluar nga prindërit e paraardhësit e tjerë te pasardhësit; veçori fizike a morale që trashëgohen nga një brez tek tjetri. E ka trashëgim nga i ati (nga e ëma, nga gjyshi) këtë talent.
4. Çdo gjë përparimtare, që është krijuar nga paraardhësit në fushën e kulturës, të artit, të shkencës etj., që është ruajtur e pasuruar brez pas brezi dhe që e marrim si diçka me vlerë, e përdorim dhe e zhvillojmë më tej. Trashëgim i pasur (i shëndoshë). Trashëgimi kombëtar. Trashëgimi kulturor (letrar, artistik, shkencor). Ruajmë (studiojmë, zhvillojmë më tej, pasurojmë) trashëgimin. Vjen (ruhet) si trashëgim. E kemi trashëgim nga të parët.
5. Urim që i bëhet dikujt me rastin e fejesës a martesës. Me trashëgime! (ur.) U trashëgofsh! (ur.). U trashëgofshi! (ur.).
✱Sin.: trashëgimi, ruajtje.
TRASHËGIMÍ,~A f. 1. drejt. Kalim me ligj a me testament i pasurisë së dikujt që vdes pasardhësve; e drejtë për të trashëguar një pasuri. Trashëgimi ligjore. U la fëmijëve një trashëgimi të madhe. Trashëgimi me testament. E drejta e trashëgimisë. Radha e trashëgimisë. Trashëgimia e një mbreti froni (mbretëria, pasardhësi) i tij.
2. biol., gjenetikë. Aftësi e qenieve të gjalla për të ruajtur brez pas brezi ngjashmërinë e tipareve karakteristike dhe të funksioneve të organizmit; tejçim i gjeneve dhe i tipareve nga prindi te fëmija. Teoria e trashëgimisë. Dukuria e trashëgimisë.
3. Veti fizike a tipare të karakterit, që kanë kaluar nga prindërit e paraardhësit e tjerë te pasardhësit; veçori fizike a morale që trashëgohen nga një brez të tek tjetri; trashëgim. Trashëgimi e madhe. Trashëgimia e pasur kulturore e popullit shqiptar. Trashëgimia kombëtare shqiptare.
TRASHËG/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. Marr si trashëgim një pasuri a diçka tjetër me testament pas vdekjes së dikujt, e bëj pronë timen diçka me anë të trashëgimisë, marr trashëgim. Trashëgoi shtëpinë nga i ati. Atë tokë e kanë trashëguar brez pas brezi. Trashëgoi pasurinë. Kush duron, trashëgon. (fj. u.) i duruari, i fituari.
2. biol., gjen., kal. Marr e ruaj disa veti fizike a tipare të karakterit të prindërve ose të paraardhësve, marr veti fizike e morale të paraardhësve. Bukurinë e ka trashëguar nga e ëma. E trashëgon nga i ati talentin për muzikë. Fëmijët kanë trashëguar tiparet e babait. Ngjyrën e syve e trashëgon nga e ëma.
3. kal. Marr ose kam të drejtë të marr pushtetin pas vdekjes së mbretit (sipas ligjeve në fuqi në shtetet mbretërore). Trashëgoi fronin (pushtetin).
4. kal. Marr, ruaj, zhvilloj e pasuroj më tej një trashëgimi kulturore, artistike, shkencore etj., marr diçka nga e kaluara, nga kultura a nga jeta e brezave të mëparshëm; bëhem vijues i një veprimtarie të shquar, i një tradite etj. E kemi trashëguar nga e kaluara. Trashëgojmë traditat më të mira të të parëve.
5. bised., jokal. E kaloj jetën të gëzuar me gruan (ose me burrin) dhe me fëmijët; e gëzoj diçka gjersa të jem gjallë. Të rroni dhe të trashëgoni! (ur.). E trashëgofsh të ritë! (ur.). E trashëgofsh emrin! (ur.). Të rroni e ta trashëgoni shtëpinë e re! (ur). Mos e trashëgoftë! (mallk.) Mos pastë a mos lëntë pasardhës!
✱Sin.: marr, ruaj, gëzoj.
TRASHËGUESHMËRÍ,~A f. Të qenët i trashëgueshëm; trashëgimi. Trashëgueshmëria e tipareve. Trashëgueshmëria e sëmundjeve.
VÁLL/E,~JAII f. sh. ~E, ~ET 1. Kërcim me lëvizje ritmike me muzikë nga dy a më shumë veta, të zënë zakonisht dorë për dorë duke kërcyer rreth e përqark sipas ritmit të muzikës shoqëruese; lloj kërcimi, gjatë të cilit bëhen lëvizje të rregullta të trupit e të gjymtyrëve dhe krijohen figura të ndryshme; muzika a kënga që shoqëron këto lëvizje; vargu i valltarëve. Valle klasike. Valle popullore (shqiptare). Valle simfonike. Heqësi i valles. Dredh vallen e heq bukur një valle. Valle dyshe. Valle shqiptare (arbëreshe). Valle e përpunuar. Valle burrash (grash). Vallja e brezave. Suitë vallesh. Ritmi i valles. Grupi i valleve. Ansambli i këngëve dhe i valleve. Kërcej (luaj, hedh, heq) një valle. Ia merr valles. Nisi një valle. E dredh vallen. U këput vallja. Hyj në valle.
2. Pjesë a vepër muzikore me ritëm, me masë e me kohë për të tilla lëvizje e për këtë lloj kërcimi. Valle simfonike.
3. fig. Punë a sipërmarrje që kërkon mundim për t'u kryer; punë e vështirë; kokëçarje. Hyri (u fut) në valle. Ia hyri valles. Hodhi (hoqi) një valle i hyri një pune me telashe. Hyri në valle e s’del dot. Po hyre në valle, duhet të kërcesh. (fj. u.). Nuk ia hyj asaj valleje. E kanë lënë jashtë valles nuk e kanë ftuar diku; nuk i kanë dhënë ndonjë punë.
✱Sin.: kërcim, ballo, vallez.
♦ Ku i bie *daulles unë e ku e hedh vallen ti! Di *këngë jashtë valles (dikush) iron. Doli nga vallja (dikush) u largua nga një punë ose nga një vështirësi e rrezikshme a e ndërlikuar, u mënjanua, u shmang, u tërhoq; doli nga loja; kund. hyn (futet) në valle. E futi në valle (dikë) e bëri të hyjë në një punë të vështirë a me telashe, e përfshiu në një punë me të tjerët; e bëri të marrë pjesë në një punë. E hap vallen shumë (dikush) e kalon masën e shpenzimeve, e tepron, harxhon më shumë se mundësitë që ka; tregohet më shumë nga ç’duhet i dhënë, i hapur a dorëlëshuar; zgjerohet më shumë se sa pritet. I hedh këmbët sipas valles (dikush) vepron sipas kushteve dhe mjedisit ku është, bën sipas rrethanave a si e do puna; u përshtatet dëshirave të të tjerëve; kërcen (i hedh këmbët) sipas avazit. Hedh valle në *tepsi (dikush) tall. Hedh vallen e vdekjes (dikush). 1. iron. Është në çastet e fundit të jetës, po vdes. 2. (dikush a diçka). Është duke u shkatërruar; po i vjen fundi, po mbaron; ra kambana e vdekjes (për dikë); është në shtratin e vdekjes. Hyn (futet) në valle (dikush) përzihet në një punë a në bisedë me të tjerët, hyn në një punë të vështirë a që ka kokëçarje; hyn(futet) në lojë; kund. doli nga vallja. Është (rri) jashtë valles (dikush) nuk merr pjesë në një punë a në një bisedë me të tjerë; nuk përzihet me të tjerë në një punë jo të pastër e nuk mban përgjigjësi; rri mënjanë. E kërcen vallen deri në fund (dikush) e çon deri në fund diçka që ka nisur, edhe kur nuk i pëlqen, e përfundon diçka që ka filluar. E kanë lënë jashtë valles (dikë) nuk e kanë ftuar të marrë pjesë në një punë, në një festë, në një trashëgimi etj., e kanë përjashtuar nga rrethi; e kanë mënjanuar. Lodra bie për tjetër valle. 1. Është fjala për diçka tjetër, gjetkë rreh muhabeti; rreh (nget) larg (dikush); godet (qëllon) larg (dikush); vret larg (dikush). 2. Kanë ndryshuar punët dhe koha nuk punon më për ty. Luan vallen në *tepsi (dikush). Nis vallen kur pushon daullja (dikush) iron. kujtohet shumë vonë, do që të bëjë diçka kur i ka kaluar koha; kërcen pas dasme. Shkon pas valles (së dikujt) keq. bën siç thotë dikush tjetër; i plotëson dëshirat e kërkesat, e ndjek e bën si ai; i shkon (i vete) sipas avazit (dikujt); i mban avazin (zërin) (dikujt); i mban ison (i bën iso); shkon pas qerres (së dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë