Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MBJÉLLË (i, e) mb. 1. Që është mbjellë me farë ose me fidanë barishtesh, pemësh a drurësh. Tokë (arë, fushë, ngastër) e mbjellë. Sipërfaqe e mbjellë.
2. Që është futur në kokën e dikujt, që është ngulitur te dikush. Ideja e mbjellë në kokën e tij.
3. Që është përhapur, që është shkaktuar, që është futur. Mosbesimi i mbjellë në popull. Përçarja e mbjellë prej tyre.
4. Që është mbjellë në kokë (për flokët), që është bërë transplant floku. Flokët e mbjellë në kokë.
✱Sin.: i futur, i ngulitur, i transplantuar.
MOSPRANÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Moskryerje e një veprimi që na kërkohet ta bëjmë ose që pritet ta bëjmë, mospëlqim, kundërshtim, refuzim; kund. pranim. Mospranimi i gjirit nga fëmija. Mospranimi për ta ftuar të panjohurin në shtëpi. Mospranimi i përdorimit të armëve. Mospranimi i saj për të dhënë intervista. Frika nga ndryshimet sjell mospranim të përvojave të reja.
2. Kthim mbrapsht, kundërshtim për ta marrë në dorëzim diçka; kund. pranim. Mospranim i marrjes në dorëzim të sobës së prishur. Mospranim i mallit me defekt në magazinë.
3. E drejta për të mos pranuar një kërkesë, një ofertë a një propozim që na bëhet, mosmarrje parasysh, hedhje poshtë e diçkaje, kundërshtim, refuzim; kund. pranim. Mospranimi i punës së ofruar (i detyrës, i përgjegjësisë). Mospranimi i rolit të drejtuesit në kompani. Mospranimi i kërkesave të kompanisë për zgjatjen e orarit të punës.
4. Hedhje poshtë a kundërshtim i një pikëpamjeje a ndjenje, mosmarrje në konsideratë, kur nuk pranojmë ta besojmë diçka, mohim, refuzim; kund. pranim. Mospranimi i gabimeve nuk të bën profesionist. Mospranimi i pikëpamjeve të tjetrit. Mospranimi i pikëpamjeve politike (kundërshtuese, të ndryshme, të çuditshme). Mospranimi i një ideologjie. Mospranim i një mendimi (i një faji, i një kritike, i një akuze). Mospranimi i dështimit në dashuri. Mospranimi i zhgënjimit (i humbjes).
5. Kundërshtimi për ta pranuar dikë në një marrëdhënie a si anëtar në një organizatë, si pjesëmarrës në një veprimtari etj., refuzim; kund. pranim. Mospranimi i nxënësit në mësim për shkak të ardhjes me vonesë. Mospranimi në punë i personave të paaftë. Mospranimi i dikujt në shoqëri (në grup, në ekip, në klub).
6. mjek. Vjellje, kur e nxjerr jashtë trupit (një ushqim, ilaç a lëng); reagim i trupit me dhimbje pas ngrënies ose pirjes së diçkaje. Mospranimi i disa ushqimeve nga stomaku.
7. mjek. Refuzim i pranimit të një organi ose indi të transplantuar nga trupi duke e luftuar me antitrupa, shkatërrim i organit a indit të transplantuar me antitrupa; kund. pranim. Mjekët po përpiqen të shmangin mospranimin e organit të transplantuar nga trupi.
✱Sin.: kundërshtim, mospëlqim, refuzim, mohim, mospajtim, mosmiratim.
TEJMBJÉLLË (i, e) mb. 1. bujq. Që është i tejmbjellë, i artisur. Bimë e tejmbjellë.
2. mjek. Që është transplantuar (për një organ). Organ i tejmbjellë.
TRANSPLANTÚAR (i, e) mb., mjek., bujq. Që është transplantuar; i tejmbjellë. Organ i transplantuar. Veshkë e transplantuar.
TRANSPLANTÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb., mjek., bujq. Që mund të transplantohet; që është i përshtatshëm për t’u transplantuar, i tejmbjellshëm. Veshka është organ i transplantueshëm. Bimë e transplantueshme.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë