Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BRAZILIÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Banor vendës i Brazilit ose ai që e ka prejardhjen nga Brazili. Brazilianët e parë. Në gjuhën e brazilianëve. Si trajner të ekipit kishin ftuar një brazilian. Brazilianët shquhen për mjeshtërinë e futbollit.
KAM vep., PÁTA, PÁSUR 1. kal. Zotëroj një pronë, një pasuri etj.; jam pronar i diçkaje; është imja, më përket mua. Kam shumë para (prona). Kam dy shtëpi (një apartament, një makinë). Kam shumë botime (libra). Kam sa për vete (sa për të jetuar). Më mirë të dish sesa të kesh (fj. u.).
2. kal. Jam në lidhje të caktuara gjaku a farefisnie me dikë; jam në lidhje familjare me dikë. E kam baba (nënë, grua, burrë, krushk, kushëri, kunat). Kam dy fëmijë (dy vëllezër, dy kunata).
3. kal. Jam me dikë në lidhje a në marrëdhënie të afërta a miqësore, shoqërore, profesionale etj. E kam shok (mik, armik). E kam pasur drejtor (shef, koleg, partner, mësues, trajner, student). Kam shoqëri (miqësi, muhabet) me dikë. E kam kujdestar (nën kujdestari). Kemi marrëdhënie (lidhje) të mira (të ngushta). Kanë mosmarrëveshje (kontradikta) ndërmjet tyre.
4. edhe fig., kal. Zotëroj një veti a cilësi të caktuar, gëzoj një të drejtë etj. që s’e kanë të tjerët; ndiej diçka, provoj një ndjenjë në veten time; ndodhem a bie për disa kohë në një gjendje të caktuar emocionale, shpirtërore etj. Ka shpirt (zemër, shëndet) të mirë. Ka talent (aftësi, zotësi, prirje, vullnet, iniciativë). Ka fuqi (forcë). Ka kulturë (përvojë). Kemi prova (dëshmi) të reja. Kemi të drejta (por edhe detyra). Ka zakonet (huqet) e veta. Ka merita (të meta, gabime, përgjegjësi, autoritet, pushtet). Ka durim duron. Ka fat është me fat. Ka lejë (ftesë, fletëhyrje). Ka faj është fajtor. Ka kujdes është i kujdesshëm. Ka dashuri (simpati) për dikë. Ka pasur disa sëmundje ka kaluar disa sëmundje. Ka uri (etje). Ka grip (ethe, kollë, dhembje, temperaturë). Ka shpresë (dyshime, merak) shpreson (dyshon, merakoset). Kam vapë (gjumë). Ka frikë (shqetësime). Nuk e di se ç’kam! Kam dy javë (dy ditë) pushim.
5. kal. Është pjesa ime përbërëse (natyrore ose rastësore); ekziston tek unë, në trupin tim, në gojën time etj. qysh kur jam lindur. Kam dy duar e dy këmbë. Kam lëkurën delikate. Kam një plaçkë në sy (një dhëmb të prishur në gojë). Kam një gjemb në këmbë. Ç’e ke atë në kokë? E kam në shtëpi (në xhep).
6. kal. I përmbahem (një mendimi a një pikëpamjeje). E kam të qartë se... Kam mendimin (pikëpamjen) se…
7. kal., vet. v. III Ndodhet dikush a diçka në një vend të caktuar; është i pranishëm (një njeri, një kafshë a shpend etj.). Kishte shumë njerëz në shesh. Në kafaz ka një zog.
8. bised., edhe jokal., vet. v. III Është realisht, ekziston (një dukuri a një send etj.). Kishte ujë (bileta, vapë, çdo gjë tjetër). Ka leverdi (diçka) është punë me leverdi; s’ka pse të shqetësohemi. Ka lagështirë (dallgë, mjegull). Ka (do të ketë) shi (borë) do të bjerë shi (borë).
9. edhe jokal., vet. v. III Është normale, me përmasat e duhura (nga madhësia, numri, përbërja substanciale etj.); përmban, përbëhet. Dora ka pesë gishta. Makina ka katër vende. Karroca ka dy ndenjëse. Shtëpia ka tri kate dhe një papafingo. Dhoma ka dy dritare (dy krevate). Qyteti ka mijëra banorë. Klasa ka 20 nxënës.
10. edhe jokal., kryes. v. III Në bashkëvajtje me pjesëza mohuese dhe e ndjekur me folje ose me emra veprimi formon togfjalësha me kuptimin «nuk është e mundshme të kalosh, të bëhet (diçka), të zhvillohet etj.». S’ka ku të kalosh nuk mund të kalosh dot atje. S’ke ku ta gjesh s’mund ta gjesh dot. Nuk ka shpëtim nuk mund të shpëtohet. S’ka rrugëdalje. S’ka të sharë. S’ka të ngopur nuk po ngopet.
11. kal. Në bashkëvajtje me disa emra formon togfjalësha me kuptim foljor që tregojnë një gjendje a një ndjenjë të caktuar etj. Kam punë jam i zënë (me punë); po punoj. Kam një hall. Kam durim duroj. Kam përkrahjen (mbështetjen) e dikujt. Kam një kërkesë (një ankesë, një sqarim). Ç’ kemi andej nga kryeqyteti?
12. kal. Në bashkëvajtje me folje në të kryerën e thjeshtë tregon një veprim a gjendje të përfunduar ose të mbaruar. Kaq e pati edhe ai mbaroi, vdiq dhe ai. E pati ajo punë u krye, mori fund ajo punë.
13. kal. E quaj, e konsideroj për diçka a si diçka. E kam për nder. E kam si detyrë.
14. kal. Më sjell ose më ka sjellë një pasojë (të mirë a të keqe). Kam suksese (fitime). Kam lodhje. 15. kal. Bëj diçka (një veprim a një punë në mënyrë të caktuar). E kam pa (me) hile (me djallëzi, me gjithë zemër). E ke kot.
16. bised., kal. E shes a e mbaj diçka me një çmim të caktuar. E ke shumë shtrenjtë (lirë). Sa i ke vezët (ullinjtë)?
17. jokal. Them, flas; përgjigjem shpejt (në të kryerën e thjeshtë me trajtën e shkurtër të përbërë ia të përemrit vetor). Po, ia pati ai menjëherë.
19. gjuh. Përdoret si folje ndihmëse për formimin e kohëve të përbëra foljore. Kishte qenë edhe ai. Ka merituar duartrokitje. Do të ketë ikur a vdekur.
✱Sin.: zotëroj, paraqet, ekziston, çmoj, konsideroj, vlerësoj, mbaj, shes, ndiej, përfshin, ndodhet, gjendet, mbaroi, përfundoi, (i) përgjigjem.
♦ *Aq e ka. *Aq e pati zakon. iron. (dikush a diçka). *Aty ta kam (fjalën)! Një e dy e si ma ke *balashin iron. S’ka *bar (ilaç) (për dikë a diçka). S’kam *bark. Një *bark kam! *Ç’bretkun ke? keq. E *di ç’ke ti? Ç’djallin (*dreqin) ke? keq. Ç’ dreqin (*djallin) ke keq. E kam me *bereqet (diçka). S’pata *besë. Nuk ka *besë (dikush a diçka). Kam të bëj (me dikë). 1. Jam farefis me dikë, kam lidhje gjaku me dikë. 2. Kam njëfarë lidhjeje me dikë dhe duhet ta njoh mirë, më lidh puna a një çështje tjetër e dua ta di se kush është e si është. 3. vet. v. III (me diçka). Lidhet, i përket diçkaje, ka lidhje me të. E ka në *bërryl (dikë). S’ia kam *borxh (dikujt). S’ka *brirë (diçka). E ka te *buza (dikush). Nuk ka *cak (dikush). Kam *cipë. S’ka *çapok (dikush). S’ka *çare vjet. E ka në *çark (dikush). S’ka *çelës që i bie (dikujt). S’e ka (s’e vë, s’e fut) në *defter (dikë a diçka) mospërf. S’ka *derman (dikush a diçka). S’ka *dert (dikush) vjet. Të ketë *ditë (dikush) ur. etnograf. Ka *dorë (dikush) keq. E ka në *dorë (dikë a diçka). E kam në *dorë (në duar) (diçka). Pastë *dritë ur. S’ka ç’të *duhet! Ka *dukë (diçka). Si e ka *dukën? E kam më *dysh. S’ka (s’e ka) një *të dytë (dikush). E ka *dhjamë (me dikë). E kam *eshkë (gojën). E ka për *fis (dikush). S’ka *fre (dikush). S’kam *frymë. Ka *fytyrë (dikush). S’ka *gajle. Nuk e ka për *gajle. *Gaz paç! ur. Ka *gisht (në diçka). Ka *gojë (dikush). S’ka *gojëI (dikush). S’ka *gojëII (dikush) keq. E kam në *gojë (dikë a diçka). E ka grurë (me dikë). E ka (e mban) në *grusht (dikë). E ka në *gjak (diçka). E kam *të gjallë (dikë a diçka). Nuk ka *gjasë (për diçka). Nuk e ka *të gjatë (dikush). E kam *gjethe (dikë). S’ka *gjë. Nuk e ka për *gjë (diçka). S’e ke për *gjë (dikë). E kam në *gji (dikë). S’ka *gjoks (dikush). Ka *gjuhë (dikush) keq. S’ka *gjuhë (dikush). S’ka *haber (për diçka). Ka *hak (dikush). E ka *hak (dikush). Ku e ke *hallin? E kam *hallall (diçka). Kaq e ka *hapin (çapin) (dikush). *Haram e paç! mallk. S’e kam (s’e vë) në *hesap (në llogari) (dikë a diçka). E ka për *hiçmosgjë (dikush). I ka *hije (diçka). S’i ka *hije (dikujt). Ta paça *hua ur. E ka në *hundë (dikë) përbuz. Nuk ka *hundë (dikush) mospërf. S’ka ilaç (*bar). Ia kam *inatin (dikujt). E ka si e ka (dikë) e vlerëson, e do shumë, e çmon për karakterin që ka. *Kaq e pati (dikush a diçka) zakon., iron. S’ka *këllqe (kërçikë, kryqe) (për diçka). E kam nëpër *këmbë (dikë a diçka). S’ka *këmbë (diçka). Ma ka (ma mban) *këngë (dikush). E ka (e do) me *kërbaç (dikush). E kam me *kimet (dikë a diçka). S’ka *kockë (për diçka). S’di ku kam *kokën (kryet). S’ka *kokë (dikush). Me sa ka në *kokë (në krye). E kam prapa *krahëve (dikë) iron. S’ia kam *kryqet (dikujt a diçkaje). Nuk ka (nuk njeh, nuk di) *kufi (dikush a diçka). S’e ka *kush (dikë). E ka në *lak (diçka). S’kam *të larë (me dikë). Ka *lezet (diçka). S’ka *lezet. I ka *lezet (diçka dikujt). E kam *lëmë. Të paçim sa *malet! ur. E kam për *mall (dikë a diçka). Do t’ia kesh *mallin (dikujt a diçkaje). Kam *mend. Kam ndër *mend. E kam ndër *mend (dikë a diçka). E ka *mendjen (dikush). Kam *mendjen. Kam një *mendje (me dikë). *Mezi e kam (dikë a diçka). Si s’ka (si jo) më *mirë. Ka *miza (dikush). E kam *mortje (të dytë) (dikë a diçka). Kam *muhabet (me dikë). Kam *nderin... lart. S’ia kam *ngenë (dikujt a diçkaje). S’ia kam *oreksin (dikujt) mospërf. E kam (e mbaj) *parasysh (diçka). E ka me *pekule (dikë). Nuk ka *perde (dikush). E kam *Perëndi (dikë a diçka). Nuk e ka për *pesë (dikë a diçka). S’ka *përse. E kam *pisk. E ka në *pjatë (dikë a diçka). Kam *pranë (dikë a diçka). Të paça më *qafë! S’ia kam *qederin (diçkaje). Kam *qejf (diçka). Ia ka *qejfi (dikë a diçka). E kam për *qejf (diçka). S’ka *qibër (dikush). E ka në *qime (dikush). E kam *rëndë (dikë a diçka). Ka *rreze (është me rreze) (dikush a diçka). E ka mbi *supe (dikush). E ka *syrin (i ka sytë) (te dikush a te diçka). Nuk ka *syI (diçka). Nuk ka syII (dikush). Nuk e ka *syrin (dikush). S’e ka për (në) *sy (dikë a diçka). Ku i ke *sytë? S’ka *të sharë (dikush a diçka). Ka *shenja. E ka (e ka vënë) në *shenjë (në shënjestër) (dikë a diçka). E ka (e ka vënë) në shënjestër (në *shenjë) (dikë a diçka). Nuk e ka *shokun (shoqen) (dikush a diçka). E ka mbi *shpatulla (dikush). S’ka *shpatulla (dikush). E ka *të shpejtë (dikush a diçka). E kam *shpirt (dikë). Nuk ka shpirt (*zemër) (dikush). Kam *shpresë. S’ia kam *takatin (diçkaje) vjet. S’e ka (nuk e ka marrë) me *tapi (diçka). E ka në *tavë (dikë a diçka) bised. E ka në *tenxhere (dikë) bised. E ka në *terezi (dikush). Që ç’ke me *të! S’e ka *toka (dikë). Nuk ka *tragë (dikush). Nuk ka *turi (dikush) mospërf. Nuk ka më *thela. S’ke ç’i *thua. E ka në *thes (dikë). E ka në (për) *thua (dikush). Ka *thonj (dikush) keq. S’ka *thonj (dikush). E ka *vaj (me dikë). E kam *vdekje (dikë a diçka). Sa s’ka ku të *vejë (ku të shkojë) më (sa s’ka më). Ka *vend. S’ka *vend (dikush a diçka). E ka në *vijë (dikush). I ka në vijë (punët etj.) (dikush). Ka (mban) *vlagë (dikush). Aq e ka *vrapin (dikush). E ka *xanxën (dikush). E kam *xhan (dikë) fëm. E ka në *xhep (dikë a diçka). Ka *yndyrë (dikush). E ka *zanat (dikush) keq. Sa ka *zanati! Nuk ka *zemër (shpirt) (dikush). E kam në (për) *zemër (dikë a diçka). E kam *zët (dikë a diçka).
PASAKRIFIKÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që nuk është i sakrifikueshëm; që nuk mund të sakrifikohet; kund. i sakrifikueshëm. Trajner as i pazëvendësueshëm, as i pasakrifikueshëm. Askush nuk ishte i pandëshkueshëm apo i pasakrifikueshëm.
PAZGJÉDHUR (i, e) mb. Që nuk është i zgjedhur; që nuk është zgjedhur; kund. i zgjedhur. Kryetar i pazgjedhur. Trajner i pazgjedhur. Organ i pazgjedhur.
TEKUÓNDO,~JA f. (ang. taekwondo) sport. Sport luftarak pa armë, me origjinë nga Koreja e Jugut, i ngjashëm me karatenë, që bazohet në goditje të kundërshtarit me grushte e me shkelma mbi brez. Kampion në sportin e tekuondosë. Trajner i tekuondosë. Kampioni i tekuondosë. Kampionati i tekuondosë. Përhapja e sportit të tekuondosë. Kosova ka shumë talente në sportin luftarak të tekuondosë.
TRAJNÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT sport. Specialist i përgatitur e me përvojë, që stërvit dhe drejton një njeri a një skuadër; stërvitës. Trajner i aftë (i zoti). Trajner futbolli (basketbolli). Trajneri i skuadrës (i ekipit). Trajner boksi (mundjeje). Trajner i kombëtares së futbollit. Trajneri dhe lojtarët. U zgjodh trajner. Trajneri dha dorëheqje, ngaqë humbi skuadra.
VETËSTËRVÍT/EM jovep., ~A (u), ~UR libr., vetv. 1. Stërvitem vetë pa ndihmën e të tjerëve që të fitoj aftësi, shprehi e shkathtësi në një punë, detyrë a veprimtari. Ai është vetëstërvitur. Ai është vetëstervitur prej kohësh.
2. sport. Stërvitem vetë pa ndihmën e të tjerëve duke bërë ushtrime të rregullta dhe atletikë, stërvitem vetë për të bërë gara a ndeshje sportive. Vetëstervitet për garat sportive. Është vetëstërvitur pa trajner.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë