Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BOSHT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Shkop i shkurtër, i holluar në të dyja majat, që përdoret për të tjerrë dhe për të mbledhur fillin, duke e rrotulluar me dorë, drugë, drugëz; pjesë e makinës së tjerrjes që shërben për të dredhur dhe për të mbledhur fillin, dredhës, mëqik; sasia e fillit e mbledhur në një shkop të tillë. Me furkë e me bosht. Dredh boshtin. Mbledh në bosht. Ndërroj boshtet. Boshtin shtëllungë e tora! (folk.). I dha boshtin e ngarkoi të tjerrë (lesh, li etj.); fig. e vuri të punojë, e vuri në punë. Fëmija i vogël- si boshti i tjerrë. (fj. u.).
2. mek., aut. Pjesë e makinave, e mjeteve dhe e veglave të punës, që ka trajtën e një druri të rrumbullakët dhe që shërben për të bashkuar rrotat ose pjesë të tjera që rrotullohen a që lëvizin. Boshti qendror (kryesor). Boshti i qerres. Boshti i dërstilës (i mullirit). Boshti i çadrës. Makinë me dy boshte. Bosht i bashkorit bosht që përcjell lëvizjen nga bashkori në grupin e ingranazheve. Bosht bërrylor (me bërryla) bosht gungor; kollodok. Bosht gungor (bosht me gunga) bosht që kontrollon lëvizjet e valvulave të motorit me djegie të brendshme. Bosht kryesor (parësor) bosht që e përcjell lëvizjen nga motori në pjesët e tjera të makinës. Bosht lëkundës bosht me leva, i mbështetur në qafa, që lëkundet në vend që të rrotullohet dhe që përcjell lëvizjet alternative në motorët me avull. Bosht motorik bosht në një makinë ose në një motor, që përdoret për të kthyer lëvizjen vajtje-ardhje drejtvizore në lëvizje rrotulluese ose anasjelltas; bosht me gunga. Bosht ngarës bosht që përcjell përdredhjen ose rrotullimin në boshtin e rrotave. Bosht i shkallëzuar bosht me seksione që kanë diametra të ndryshëm. Bosht i shlizuar bosht me disa kanale rrethore. Bosht i shpërndarjes bosht me disa gunga; bosht gungor. Bosht i shtangët bosht që nuk përcjell lëvizje.
3. Pjesë kryesore e një mjeti a e një vegle pune, ku lidhen pjesë të tjera më të vogla; shtizë. Boshti i parmendës.
4. spec. Drejtëz që kalon përmes qendrës së simetrisë ose përmes qendrës së rëndesës së një trupi; vija e mesit për së gjati një trupi. Boshti horizontal (pingul). Boshti optik. Boshti i simetrisë. Boshti i rrotullimit. Boshti i tangjenteve. Boshti i rrugës. Boshti i tunelit. Boshti i koordinatave (mat.) njëra nga drejtëzat që ndërpriten në sistemin e koordinatave. Boshti i koordinatave (mat.) një nga drejtëzat (x ose y) që ndërpriten në sistemin e koordinatave. Bosht i madh (mat.) më i madhi nga dy boshtet e elipsit. Bosht optik (fiz.) vijë e përfytyruar e drejtimit të rrezes së dritës pa dy përthyerje. Bosht i përfytyruar (mat.) bosht pingul (y) në diagramin e Argandit ose në një plan të përbërë. Bosht i simetrisë (gjeom) vijë që ndan një figurë në dy pjesë simetrike në mënyrë të tillë që njëra anë të përputhet plotësisht me anën tjetër. Bosht i vogël (mat.) më i vogli nga dy boshtet e elipsit.
5. astr. Vijë e përfytyruar që bashkon dy polet e një trupi qiellor, duke kaluar përmes qendrës së tij. Bosht i tokës vijë e drejtë e përfytyruar, që kalon përmes qendrës së Tokës dhe të dy poleve rreth së cilës ajo bën një rrotullim të plotë në 24 orë. Boshti i planetit.
6. Pjesa qendrore, pjesa e mesit e diçkaje, e përfytyruar për së gjati (kryesisht për bimët dhe për pjesët e tyre). Boshti i misrit (i grurit). Boshti i rrënjës. Boshti i trungut (të drurit). Bosht i këmbës (anat.) kërciri i këmbës. Boshti i kurrizit (anat.) shtylla kurrizore. Bosht i plakës (lat. Lepidium draba) (bot.) bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell të trashë e të drejtë, deri tetëdhjetë cm të lartë, me push të dendur, që nxjerr gjethe të ngushta përgjatë kërcellit dhe lule të bardha si tufë në majë të tij.
7. fig. Drejtimi kryesor i një pune ose i një veprimtarie; vija kryesore ideore e një vepre shkencore, letrare etj.; vija themelore rreth së cilës shtjellohet një veprim, një tok ngjarjesh etj.; pjesa që mban peshën kryesore. Boshti kryesor. Boshti i debateve shkencore. Boshti i punës. Boshti i dramës (i romanit). Boshti i ngjarjeve. Boshti i rrëfimit. Kanë një bosht të përbashkët semantik (gjuh.). Boshti i fuqive të mëdha.
8. fig. Njeriu a gjëja kryesore për diçka; ai që mban barrën më të madhe a që luan rolin kryesor në diçka; fig. shtylla, mbështetja. Boshti i shoqërisë. Boshti i suksesit. Boshti i të gjitha të këqijave.
✱Sin.: drugë, drugëz, dredhës, mëqik, shtizë, shtyllë, mbështetje, strumbullar, direk.
♦ (U bë) si boshti i furkës (dikush) u dobësua e u hollua shumë; ka rënë shumë nga shëndeti prej ndonjë sëmundjeje a nga pleqëria; mbeti gisht; u bë shkop; u bë gjalmë; u bë fshikull; u bë kallam. (Del) si boshti para furkës (dikush) keq. flet e thotë mendimin e vet para se t’i vijë radha, hyn në bisedë kur nuk i takon për të folur ose futet pa radhë në një veprim edhe kur nuk i kërkohet; flet para të mëdhenjve, nuk respekton rendin; (del) si mëzi para pelës; (del) si kërriçi para gomarit. Ç’ngre *maja e boshtit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë