Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PLAN,~II m. sh. ~E, ~ET 1. Lloj vizatimi që paraqet me anë vijash e shenjash të posaçme dhe në një shkallë shumë të zvogëluar një sipërfaqe të vogël toke, hartë e shkallëzuar. Plan topografik. Plani i vendit.
2. Vizatim që paraqet në përmasa zakonisht të zvogëluara pamjen nga një anë ose prerjen sipas një rrafshi të një sendi, të një ndërtese, të një pajisjeje etj., që do të ndërtohet a do të prodhohet; skicë. Plani i qytetit. Plani i ndërtesës (i portit, i aeroportit). Plani i bibliotekës kombëtare. Shkalla e planit. Plan i përgjithshëm. Plan rregullues. Plan topografik.
3. Tërësi masash të menduara e të caktuara që më parë, që parashikojnë ecurinë a mënyrën e zhvillimit të një pune a veprimtarie, vëllimin e afatet e saj etj. Plani i punës. Plani i infrastrukturës rrugore (i ndërtimeve urbane). Plani vjetor i punës shkencore. Plani i stërvitjes së sportistëve. Punë me (pa) plan. Bën plane në hava (keq.)
4. ek. Tërësia e detyrave, e treguesve dhe e mjeteve për plotësimin e tyre, që përcaktohen a përllogariten që më parë për zhvillimin e harmonishëm të ekonomisë e të kulturës gjatë një periudhe të caktuar; dokumenti ku janë shënuar këto detyra e masa. Punojnë me plane afatshkurtra (afatgjata). Plani vjetor (tremujor, mujor). Plani perspektiv plani për disa vjet në të ardhmen. Plan ekonomik (financiar). Plan shtetëror. Plan shkencor. Ekonomi pa plan. Miratoj planin. E plotësuan (e tejkaluan) planin.
5. Pikat ose vijat kryesore një studimi etj.; skicë. Plani i orës së mësimit. Bëj planin e studimit.
6. fig. Qëllimi a synimi që duam të arrijmë dhe që e parashikojmë që më parë. Plan i guximshëm. Plane të errëta antikombëtare. Ia prishën planet. S’i doli plani.
7. Fusha e veprimtarisë ose lëmi i shfaqjes së diçkaje; mënyra e shqyrtimit të diçkaje, drejtimi a këndi me të cilin e shohim; rrafsh (zakonisht në tog me parafjalën në). Në planin ekonomik (politik, teorik, moral, shoqëror). Në planin kombëtar (ndërkombëtar, botëror). Në planin kohor (historik). Del në dy plane.
8. Vendndodhja e një sendi a e një objekti lidhur me largësinë e tij nga shikuesi. Vinte më prapa, në plan të dytë. Janë në një plan.
9. fig. Vendi që zë dikush a diçka sipas rëndësisë që ka (kryes. me një numëror rreshtor). E nxori në plan të parë. E vuri në plan të dytë. Kalon në plan të fundit.
10. gjeom. Rrafsh. Plan i pjerrët (pingul, horizontal). Plane paralele. Plani i meridianit. Plani i ekuatorit. Drejtëzat e një plani.
✱Sin.: planimetri, skicë, program, qëllim, shestë, shestim, rrafsh, planifikim, vizatim, hartë, grafik, skemë, masa, detyra, tregues, përmbledhje, synim, fushë, lëmë, mënyrë, drejtim, tertip, këndvështrim, mendim, sajim, vendndodhje, vend.
♦ Ka dalë në plan të parë (diçka) libr. është bërë më e rëndësishmja e me kryesorja, është bërë e para që duhet zgjidhur. I vë në një plan libr. i quaj njësoj, i barazoj dy a më shumë njerëz, sende etj.; i vlerësoj barabar.
TOPOGRAFÍK,~E mb., gjeod. Që ka të bëjë me topografinë, që i përket topografisë, që realizohet sipas parimeve dhe metodave të topografisë, i topografisë; që paraqet shtrirjen dhe relievin e një vendi në shkallë të zvogëluar. Shenja topografike. Hartë topografike. Rrafshe topografike. Fjalor (katalog, skedar) topografik.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë