Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BÍSHTAS ndajf. 1. Ulur me gjunjë të përkulur e duke u mbështetur mbi thembrat e këmbëve, në bisht, galiç. Ulem (rri) bishtas.
2. Duke u zvarritur me të ndenjurat për tokë. Fëmija ecën bishtas. U afrua bishtas.
✱Sin.: galuc, galiç, kalagjunjazi, kacuk, pupas, pupçik, cucërrak, rrëshqanë, bythas, përtokas, zvarrë, zvarras, tokas, osh, zharg, zvargur.
PËRTRÓLLASH ndajf. Përtruall, sheshas, tokas, shtrirë.
RRËSHQÁNAS ndajf. Rrëshqanë. Eci rrëshqanas. Iu afrua rrëshqanas. Shkon rrëshqanas e kokulur.
✱Sin.: zvarrë, zvarras, tokas, tokazi.
RRËSHQÁNTHI ndajf. 1. Zvarrë. Ecën rrëshqanthi. Zbriti rrëshqanthi shpatit teposhtë.
2. Rrëshqitas. E kapi plumbi rrëshqanthi.
✱Sin.: zvarras, rrëshqitas, tokas, tokazi.
RRËSHQÁNË ndajf. 1. Me barkun ose me trupin pas dheut, pa u ngritur mbi këmbë; duke rrëshqitur me vështirësi mbi sipërfaqen e tokës; zvarrë. Ecën rrëshqanë. Shkon rrëshqanë. I tërheq këmbët rrëshqanë.
2. fig. Kundër dëshirës, me dhunë, me zor, me pahir. E morën rrëshqanë. E çoi rrëshqanë.
✱Sin.: rrëshqanas, zvarras, tokas, tokazi.
♦ E hoqi këmbën rrëshqanë (*zvarrë) (dikush). Hiqet rrëshqanë (*zvarrë) (dikush).
TÓKAS ndajf. 1. Rrafsh me tokën; thuajse ngjitur me tokën, ulët. E gjuajti topin tokas. Pasoi topin tokas (në sport). Zogjtë fluturonin tokas.
2. Zvarrë, dheras, njësh me tokën. Ecte tokas. U shtri tokas. Hiqej tokas zvarritej.
3. fëm. Mënyrë të luajturi e fëmijëve, të cilët bëjnë një rreth në tokë, e ndajnë në pjesë dhe, nëpërmjet një shkopi, mundohen t’ia marrin njëri-tjetrit. Luajnë tokas.
✱Sin.: rrafsh, njësh, dheras, dherazi, zvarrë.
VLLÁÇË ndajf. Zvarrë. E heq vllaçë (dikë a diçka). E mori vllaçë. I tërheq këmbët vllaçë. E ka marrë vllaçë (punën). Shkon vllaçë. I lë punët vllaçë i lë punët pa përfunduar. I tërheq fjalët vllaçë.
✱Sin.: zvarrë, zvarras, rrëshqitas, tokas, tokazi, përtokas, zhag, zhagas, këmbëzvarrë, këmbëzvarras, rrëshqanë, rrëshqanthi, rrëshqanas.
ZVÁRRË ndajf. 1. Duke e tërhequr dikë a diçka me forcë për tokë, duke e zvarritur përdhe; rrafsh me tokën, rrëshqanë. E hoqi (e tërhoqi) zvarrë. E mori (e çoi) zvarrë. I hiqte këmbët zvarrë. Fustanin e bardhë zvarrë nëpër shkallë, / Do të bëj një djepkë, të më bësh një djalë. (folk.).
2. fig. Me zor, pa dëshirë, me pahir; me forcë (për njerëzit). I mblodhi njerëzit zvarrë. I mori zvarrë në shtëpi. E mori zvarrë për drekë. Mos e lësho brezin zvarrë. (fj. u.).
3. fig. Pa e bërë në kohën e duhur, ngeshëm e me vonesë (për një punë, për një çështje etj.). I la (mbetën) punët zvarrë. E ka marrë zvarrë. - Mos i lër mësimet zvarrë. Ai që shoqnohet me agallarë, gjithe jetën e shkon zvarrë. (fj. u.).
4. fig. Ngadalë, duke e zvarritur (zhvillimin e diçkaje); duke e zgjatur më shumë se zakonisht (për zërin, për bisedën etj.). E heq zërin zvarrë. I tërheq fjalët zvarrë. Biseda hiqej zvarrë biseda zhvillohej pa gjallëri e me pahir. Ditët po më shkojnë zvarrë.
✱Sin.: rrëshqnë, rrëshqanthi, rrëshqanas, tokas, tokazi, përtokas, zvarras, zhargas.
♦ Me *brekë zvarrë (nëpër këmbë) tall. vulg. E heq brezin zvarrë (dikush) keq. kërkon shkak të grindet; e ka vënë kapelën së prapi; e lëshon brezin (i pari)1. E hoqi këmbën zvarrë (rrëshqanë) (dikush) ashtu si ai bëjnë edhe të tjerët, ecin edhe të tjerët në gjurmët e tij; i paraprin diçkaje, sjell mbarësi; ndjell diçka të ngjashme me atë që ka bërë ai. E heq shkopin zvarrë (dikush) përçm. është dembel, bën sikur punon, merret me gjëra të kota; e shkon jetën pa punë; pret të dalë miza nga qypi iron.; prashit (mih, lëron) në ujë; numëron (heq) tespihet. E heq zvarrë (diçka) e zgjat diçka, nuk e përfundon shpejt, e zvarrit; mezi e bën ose e bën shumë ngadalë e me zor. Hiqet zvarrë (rrëshqanë) (dikush). 1. Vepron shumë ngadalë për të kryer diçka, zgjatet, zvarritet; punon shumë ngadalë e me ngathtësi. 2. Mezi mbahet, e kalon jetën në vështirësi. I lë litarët zvarrë (dikush) e zvarrit diçka, nuk kujdeset si duhet e vazhdimisht për të plotësuar diçka; e lë zvarrë (diçka); nuk i bie prapa (diçkaje). E lë zvarrë (diçka) nuk e bën fare ose e zvarrit një punë; nuk e zgjidh një çështje në kohën e duhur; nuk i bie prapa (diçkaje); i lë litarët zvarrë (dikush). Merr *hekurat zvarrë (dikush). E mori zvarrë (dikë) e mundi, e mposhti, e nënshtroi; nuk e la që të ngrejë kokë; nuk e vlerëson dhe e keqtrajton; e mori nëpër këmbë; e vuri përfund.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë