Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FISHKËLL/ÉJ vep., ~ÉVA, ~ÝER 1. edhe kal. Nxjerr një zë të hollë e të mprehtë, duke fryrë fort me buzë të mbledhura ose me gishtërinj në gojë; nxjerr një zë të tillë, duke i fryrë bilbilit a ndonjë mjeti tjetër; marr një melodi me zë të tillë. Fishkëlleu me gishta. I fishkëlleu qenit. Shkonte duke fishkëllyer melodi këngësh.
2. vet. v. III Nxjerr një tingull të hollë e të mprehtë, nxjerr një zë tingëllues (për disa kafshë etj.); nxjerr një zë si fishkëllimë (për diçka që lëviz me shpejtësi). Fishkëllen cjapi i egër. Fishkëlleu sirena. Fishkëllente era.
3. edhe kal. Shpreh mospëlqim a kundërshtim me anë të fishkëllimave; pres me fishkëllima. Stadiumi e fishkëlleu vendimin e arbitrit.
✱Sin.: vërshëllej, fërshëllej.
FISHKËLLÍM/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Zë i hollë e i mprehtë që del kur fryjmë fort me buzë të mbledhura ose me gishtërinj në gojë; zë i tillë që del kur i fryjmë bilbilit a ndonjë mjeti tjetër. Fishkëllima e bilbilit. U dëgjua fishkëllima e gjyqtarit.
2. Tingull i tillë a i ngjashëm me të, që nxjerrin disa kafshë; zë tingëllues që nxjerr diçka kur lëviz me forcë e me shpejtësi nëpër ajër ose nëpër një të çarë të ngushtë. Fishkëllima e cjapit të egër. Fishkëllimat e plumbave.
✱Sin.: fishkëllim, fërshëllimë, vërshëllimë, vërshëllim, fërshëllim, frushullimë, frushullim, frushull.
KAMBÁN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Mjet i rëndë tingëllues në trajtën e një zileje, që ka brenda një gjuhëz të lëvizshme, nga goditjet e së cilës në këtë mjet dalin tinguj të fuqishëm me oshtimë. Kambana e kishës. Kambanat e Vatikanit. Tingëllima e kambanës.
2. Tingëllima me oshtimë që del nga goditjet e këtij mjeti. Bie (dëgjohet) kambana dëgjohet tingëllima e këtij mjeti.
3. fig. Paralajmërim a sinjal për një ndodhi të rëndësishme e të papritur. Është kambanë kushtrimi (alarmi). Kambana e fitores.
4. si mb. Që ka formën a trajtën e këtij mjeti tingëllues; që tingëllon a buçet fuqishëm si ky mjet; kambanor. Lule kambanë (bot.) lulekëmborë. Me zë kambanë (bised.).
✱Sin.: sinjal, tingëllimë, kambanor.
♦ I bie kambanës lëshoj kushtrimin; bëj thirrje me shqetësim a paralajmëroj haptas e me të madhe për diçka të keqe që do të ndodhë. I bie një kambane (dikush) thotë të njëjtën gjë, përsërit gjithnjë po atë mendim a po atë kërkesë; i bie fyellit në një vrimë. Po i bien kambanat (dikujt) është në prag të vdekjes a të dështimit të plotë; i ka ditët të numëruara (dikush). Ra kambana e vdekjes (për dikë a për diçka) i erdhi fundi; i erdhi shkatërrimi. Kambanë alarmi libr. mjet a mënyrë për të paralajmëruar diçka të rëndësishme, të rrezikshme, të ngutshme etj. Kambanë e prishur (e thyer) përb. njeri llafazan, që s’i pushon goja, që s’di ç’thotë e që i mërzit të tjerët; teneqe e shpuar. Vë kambanën (dikush) shih vë tellallin (dikush).
KËMBÓR/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Mjet tingëllues i rrumbullakët brenda të cilit lëviz një gjuhëz, i cili u varet bagëtive në qafë; troke. Dashi i këmborës dashi që i prin kopesë.
2. Tingëllima e këtij mjeti. Dëgjoheshin këmborët e deleve (të dhive).
3. mospërf. Ai që i shërben dikujt për një interes të ngushtë a vetjak, duke evokuar a duke përhapur idetë dhe mendimet e tij; tellall i dikujt.
✱Sin.: troke, tingëllimë, tellall.
♦ I ra *gjuha e këmborës (dikujt) tall. I bie një herë këmborës e një herë rrokaçes (dikush) nuk është i qëndrueshëm në atë që thotë a bën, është i pavendosur; e dredh fjalën; kthen gunën nga të fryjë era. *Dash me këmborë. Si *dashi me këmborë. *Dele qorre pas këmborëve. Nuk i dëgjohen këmborët (dikujt) mospërf. 1. Nuk dihet se ku është, është zhdukur s’dihet se ku; nuk ndihet për asgjë. 2. Nuk ia vë veshin njeri, nuk e dëgjojnë e nuk e përfillin. Ku di *derri këmborë! mospërf., tall. I ha *qafa për këmborë (dikujt). I ka humbur *rabushi i këmborës (dikujt) keq. S’është *dash për atë këmborë (dikush) mospërf. S’ka *qafë për atë këmbore (dikush). As këmborë e as çokane shih as mish e as peshk. S’më lënë *zilet e mia të dëgjoj këmborët e botës. Nuk e mban dot atë këmborë (dikush) shih s’ka qafë për atë këmborë (dikush). Ndërrojnë këmborët (me njëri-tjetrin) iron. janë të një mendjeje, veprojnë njëlloj; rrahin një këmborë; çerep e vegsh të një dheu. Njëri i bie *trokes e tjetri këmborës. Rrahin një këmborë shih ndërrojnë këmborët (me njëri-tjetrin). I varën këmborën (dikujt). 1. E ngarkuan me një punë a me një detyrë të rëndësishme, i besuan të bëjë diçka me përgjegjësi; i mbeti cingare (diçka). 2. iron. E tallën dhe e turpëruan përpara të tjerëve, e përqeshën në sy të botës; i varën zilen; i varën (i vunë) teneqenë. Nuk ia var këmborën (dikujt) mospërf. shih nuk ia var torbën (dikujt) mospërf.
METALÍK,~E mb. 1. Që është prej metali, i metaltë. Gyp metalik. Monedhë metalike. Anije (motobarkë) metalike. Veshje metalike. Paftë metalike.
2. Që ka të bëjë me metalin a me metalet; që merret me punimin e metalit a me prodhimin e sendeve prej metali. Lidhje metalike lidhja e një metali me metale të tjera. Punishte metalike.
3. Që është veti e metalit, që ka dukjen e metalit; që ka karakteristikat e metalit. Shkëlqim metalik. Ngjyrë metalike.
4. Që ngjan me shijen e metalit, i metaltë. I mbeti një shije metalike në gojë.
5. I ngjashëm me tingullin që del nga goditja e metalit (për zërin etj.); tingëllues, i kumbueshëm. Tingull metalik. Zë metalik.
✱Sin.: i metaltë, metalor, tingëllues, i kumbueshëm.
METÁLTË (i, e) mb. 1. Që është prej metali, metalik. Sende të metalta. Stoli e metaltë. Shufër e metaltë. Vegël krahu me një pjesë të metaltë. Shtylla të metalta. Urë e metaltë. Këmishë e metaltë.
2. Që ka shije të athët, të fortë dhe të pakëndshme, të ngjashme me metalin. Ende ia ndiente tabletës së hekurit shijen e metaltë në gjuhë.
3. Që është i ngjashëm me tingullin që del nga goditja e metalit, metalik. Qeshi me një zë të metaltë. Dëgjoi një trokitje (zhurmë) të metaltë.
✱Sin.: metalik, metalor, tingëllues, i kumbueshëm.
SONÓR,~E mb., gjuh. Tingëllor, tingëllues. Tingujt sonorë të shqipes. Klasifikimi i bashkëtingëlloreve sonore.
TINGËLLÚES,~E mb. Që tingëllon, që jehon, që lëshon a që nxjerr një tingull të hollë e të kumbueshëm, që tingëllon; që përhapet me jehonë. Kambanë (zile) tingëlluese. Zë tingëllues. E qeshur tingëlluese. Emër tingëllues. Togfjalësh tingëllues.
TINGËLLUESHMËRÍ,~A f. Të qenët i tingëllueshëm, tingëllues; kumbim. Tingëllueshmëria e fjalëve.
TINGËLLÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që mund të tingëllojë, që mund të përhapet me jehonë; tingëllues. Zë i tingëllueshëm.
USHTÚES,~E mb. Që ushton, buçitës. Me zë ushtues.
✱Sin.: kumbues, jehues, tingëllues, i kumbueshëm, gjëmues, buçitës.
VÁL/Ë,~AI f. sh.~Ë, ~ËT 1. Shtresë uji në sipërfaqen e detit, të liqenit të lumit etj., që lëviz me ulje e ngritje zakonisht nga era dhe që duket sikur zhvendoset drejt bregut; dallgë; shkulm. Kreshtat e valëve. Valët e detit (e lumit). Lartësia e valës. U krijuan valë. Përplasen (thyhen) valët. Det me valë. Çau valët. Ngrihen valë. Valë të shkumëzuara. Bën valë. Vjen vala. Ujitje me valë ujitje duke e lëshuar ujin me vrull në gjithë arën, ujitje me përmbytje.
2. Diçka që i ngjan dallgës së ujit ose që lëviz dallgë-dallgë; turmë njerëzish që lëvizin në trajtën e dallgëve; rrymë. Valët e rërës. Valët e grurit në arë. Valët e flamurit. Valët e flokëve. Valë të nxehta ajri. Valët e demonstruesve. Vala goditëse e ajrit rrymë e fortë ajri, që shkaktohet nga shpërthimi i një arme bërthamore.
3. fiz. Dridhje të rregullta të ajrit, në trajtë dallgësh të vogla, që shkaktohen nga lëkundjet e një trupi tingëllues në një mjedis; dallgë drite ose dallgë grimcash elektromagnetike, që krijojnë një fushë e përhapen në një drejtim a në një mjedis të caktuar. Valë tërthore (gjatësore). Valë të gjata (të mesme, të shkurtra). Valë elektromagnetike. Valët e radios. Valë televizive. Valë zanore. Valët e zërit. Valët e dritës.
4. kryes. sh. ~A, ~AT Bula a flluska me ajër, që formohen në ujë ose në një lëng kur zien. Lëshon vala.
5. fig., bised. Radhë, herë. Valën tjetër. Këtë valë. Valë pas vale herë pas here. Kishte valën.
6. fig. Lëvizje përpara e me vrull e diçkaje, që rritet gjithnjë e më shumë; rrjedhë a rrymë e fuqishme; shfaqja e fortë, e beftë dhe e vrullshme e diçkaje (zakonisht e pakëndshme) a përsëritja e saj; shpërthim i një ndjenje etj.; dallgë. Valë e fuqishme. Valë të nxehti (të ftohti). Valë grevash (demonstratash). Valë krimesh. Valë e re refugjatësh. Valë gëzimi (entuziazmi). Valë dashurie. Valë gëzimi (pakënaqësie). U ngrit (ra) vala.
✱Sin.: suvalë, valomë, tallaz, valëzim, dallgëzim.
♦ U bëra (jam) *pikë e valë. Bëri *lot e valë (dikush). (Është) në valë të gjakut (dikush) është në moshë të re e gjithë energji, është në kohën e rinisë; i vlon (i zien, i gufon, i lëvrin) gjaku (dikujt). (Është) në valë të shpirtit (dikush) shih po heq (po jep) shpirt) (dikush). Më ka rënë vala në kokë. 1. Më ka pushtuar një dëshirë e zjarrtë, më ka goditur dashuria për dikë etj.; më është ngulur në kokë një mendim që më mundon. 2. Më ka zënë një hall i madh; më zien (më mizëron) koka. Kam valë mbi krye kam shumë shqetësime e telashe, sa nuk di ç’të bëj, s’di ngat’ia mbaj; më avullon koka (kryet); më luajti kapaku (tabani) i kokës; më luajti mendja; më del tym nga koka; më del zjarr nga koka; kund. fle në një krah. Merr valë (diçka) nis të ngrihet, të fuqizohet a të zhvillohet shumë; gjallërohet, ndizet; merr hov. E mori vala (dikë). 1. Shkoi pas të tjerëve dikush pa bindjen e vet, bëri si të gjithë, u bashkua vetiu me shumicën; e mori rryma; e mori rrjedha. 2. I ranë fatkeqësi të mëdha dikujt, ka pësuar humbje, po dështon e po bie poshtë e më poshtë; mori tatëpjetën (dikush); mori teposhtën (dikush). E mori me valë (dikush) e nisi me rrëmbim a me vrull diçka; e nisi me të ashpër (një bisedë) dhe u acarua me dikë, u rrëmbye, u nxeh; iu nxeh gjaku1 (dikujt); iu ndez (iu avullua) gjaku (dikujt). E zuri vala (dikë) bëri siç bënin të tjerët, shkoi pas të tjerëve; e mori vala.
VRUNGULLÚES,~E mb. Që shungullon, që oshtin, buçitës; vrullues. Krismë vrungulluese. Zhurmë (buçimë) vrungulluese. Bubullimë vrungulluese. Lumë vrungullues. Ndihet (vjen) një zhurmë vrungulluese. Turmë vrungulluese. Lëvizje vrungulluese.
✱Sin.: buçitës, kumbues, ushtues, gjëmues, jehues, tingëllues.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë