Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
IND,~II m. sh. ~E, ~ET 1. Fill i tjerrë leshi ose pambuku, që thuret për së gjeri me majën kur bëjmë qilim, kur endim pëlhurë etj. Ind pëlhure. Masurë të indit. Tjerr indin. Pëlhurës këqyri indin dhe fëmijës prindin. (fj. u.).
2. fig. Plan i ravijëzuar i një rruge, i një shtëpie, i një ndërtese etj., skicë. Indi i shtëpisë. Indi i rrugës. Bëj indin e ndërtesës.
✱Sin.: penjëz, skicë, shestim, planimetri.
♦ Ind e majë gjithçka; e tëra; tërësisht; fund e krye (e majë). S’është as për ind e as për ibërshim (dikush a diçka) shih s’është as për ind e as për majë (dikush a diçka). S’është as për ind e as për majë (dikush a diçka) është shumë i vogël dikush ose shumë pak diçka, s’bën a s’mjafton për asgjë; nuk shërben ose nuk arrin për aq sa më duhet, nuk del për diçka, s’mbaron dot punë me aq. I dha ind e majë (dikujt) nuk i la gjë pa thënë, ia tha të gjitha, i dha përgjigjen e duhur; ia bëri paq. Nuk e ndan indin nga maja (dikush) i ngatërron gjërat, nuk e dallon të mirën nga e keqja. Vetë ind e vetë majë (dikush) njeri pa njeri, dikush që ka mbetur fillikat; ai që i bën vetë të gjitha, që nuk ka asnjë ndihmë, i vetëm për çdo gjë.
MAKINACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET Skemë dinake që thuret me mjeshtëri për të arritur me dredhi një qëllim të keq; intrigë. Ata po organizonin makinacione të poshtra.
►NDËRTHÚR/ET jovep., ~ (u), ~UR vet. v. III 1. vetv. Lidhet ngushtë me dy a më shumë gjëra, depërton njëra tek tjetra, gërshetohet, ndërlidhet. Ndërthuren mësimi me punën. Matematika ndërthuret me shkencat e tjera. Ndërthuren interesat (përgjegjësitë). Efektet e ritmit dhe të figuracionit ndërthuren në një harmoni të vetvetishme.
2. pës. e NDËRTHÚR. Stili dhe rehatia ndërthuren krejt natyrshëm. Ngjyrat ndërthuren me mjeshtëri nga piktori.
✱Sin.: gërshetohet, ndërlidhet, ndërliket, thuret, lëthuret, kërleshet.
►PLÉKS/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv., vet. v. III Lidhet keq diçka me një tjetër sa nuk zgjidhet dot, ngatërrohet; kund. shplekset. U pleksën fijet.
2. fig., vetv., vet. v. III Gërshetohet; ndërthuret. U pleksën interesa të ndryshme.
3. vetv. Lidhem ngushtë e shoqërohem me dikë dhe nuk mund të shkëputem më prej tij. U pleks me shpërndarës droge. Mos u pleks me të!
4. vetv. Hyj në një çështje që nuk më takon a në një punë jo të mirë; ngatërrohem. Mos u pleks me punë që na turpërojnë!
5. pës. e PLEKS.
✱Sin.: thuret, gërshetohet, kapërthurem, ndërthuret, ndërlikem, ndërliksem, ngatërrohem, përzihem, kërleshem, lidhem, shoqërohem.
THÚRJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur bashkojmë, kur tërheqim e kur shtrëngojmë fort dy a më shumë fije, degë, thupra etj.; veprimi kur thur diçka ose kur thuret. Thurja e çorapeve. Thurja e planeve (e komploteve, e kurtheve). Thurja e ngjarjeve. Thurje me shtiza. Makinë për thurje.
2. Mënyrë e lidhjes ose e bashkimit të dy a më shumë fijeve, rripave, degëve, thuprave etj. Shporta (punime) me thurje.
3. Gjë e thurur, send i thurur, diçka që është bërë duke u thurur, thurimë. Thurje të bukura.
✱Sin.: thurimë, gardhim, rrethim, qerthullim, endje, ndërthurje, gërshetim, ndërlikje, pleksje, mpleksje, përthurje, hartim, qëndisje, kurdisje, sajim, lëmsh.
►ZHDËRV/ÍLLEM jovep., ~ÓLLA (u), ~JÉLLË 1. vetv., vet. v. III Çmbështillet, shprishet (lëmshi a diçka tjetër e ngatërruar); zhdridhet; kund. mbështillet, dridhet. Litari u zhdërvoll. Iu zhdërvollën gërshetat. Lëmshi zhdërvillet nga kreu, trikoja nga fundi. (folk.).
2. vetv., vet. v. III Shthuret; kund. thuret, endet. Zhdërvillet gërsheti. U zhdërvoll trikoja se ishte e vjetër.
3. vetv. Eci duke përdredhur trupin, përdridhem; lëviz duke bërë dredha të shumta. Zhdërvillet si mace. Lumi zhdërvillej nëpër luginë. Retë zhdërvilleshin nëpër qiell.
4. vetv. Bëhem më i shkathët nga trupi, bëhem i zhdërvjellët, shkathem. Ka nisur të zhdërvillet.
5. fig., vetv. Zhvillohem e bëhem më i shkathët nga mendja; i kap e i zgjidh gjërat më shpejt, veproj me shkathtësi e me lehtësi, bëhem i zhdërvjellët, shkathtësohem. - Zhdërvillu pak, mor bir, - i tha i ati me merakun se kështu si ish i biri mund të mashtrohej edhe nga një budalla.
6. pës. e ZHDËRVJÉLL.
✱Sin.: çmbështillet, shprishet, zhdridhet, shthuret, zhdërjendet, shkathet, zhdrivillohet, zhdërvjelltësohem, shkathtësohem.
ÇORÁP,~I m. sh. ~Ë, ~ËT edhe ~E, ~ET 1. Veshje për këmbën që thuret me dorë ose në makinë nga fije të materialeve të ndryshme. Çorapë të gjatë. Çorapë të qëndisur. Çorapë burrash (grash, fëmijësh). Çorapë leshi. Qafa e çorapit. Shputa e çorapit. Llastiku i çorapëve. Maja (thembra) e çorapit. Shtiza çorapësh. Një palë çorapë. Thur çorapë. Mbath çorapët. Heq çorapët.
2. Pjesa e poshtme e qimeve të këmbës me ngjyrë tjetër te kafshët shtëpiake. Dhi me çorapë. Mace me çorapë.
♦ M’u bë mendja çorap shih m’u bë mendja (koka) dhallë. E bëri çorap (diku a diçka) e bëri rrëmujë të madhe; i ngatërroi keq gjërat; e bëri lëmsh; e bëri lesh e li; e bëri çorbë; e bëri paçamur. E bëri çorap me lesh dhie (diçka) iron. shih e bëri lesh e li (diku a diçka). Ia bëj mendjen çorap (dikujt) shih ia bëj mendjen (kokën) dhallë (dikujt). S’është as për *furkë e as për çorap (dikush). E ka gojën çorap (dikush) shih e ka gjuhën të gjatë (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë