Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LEHTËS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Ia zvogëloj diçkaje një peshë të rëndë; e bëj diçka më të lehtë në peshë duke i pakësuar barrën a ngarkesën ose duke i hequr diçka; kund. rëndoj. E lehtësoi kalin (mushkën, kamionin). E lehtësoi valixhen (çantën). E lehtësoi çatinë.
2. Ia heq dikujt ose ia zvogëloj një punë a një barrë të rëndë, e ngarkoj dikë me një detyrë më të lehtë, i shtroj kërkesa më të vogla; ia pakësoj vështirësitë në punë e në jetë. Ia lehtësoi punën (detyrën, barrën). Ia lehtësoi jetesën. E lehtësoi planin. I lehtësoi nxënësit. Ma lehtësoi shumë. Ia lehtësoi dorën dikujt bëri që të veprojë pa pasur shumë kufizime e vështirësi, bëri që të veprojë më lirisht.
3. Ia bëj dikujt më të lehtë përgjegjësinë, dënimin, ndëshkimin etj. për një faj a gabim që ka bërë. Ia lehtësoi fajin (dënimin, ndëshkimin, përgjegjësinë).
4. Ia bëj dikujt më të lehtë një sëmundje; e ndihmoj që ta përballojë e ta kapërcejë më lehtë një gjendje të vështirë materiale a shpirtërore. Ia lehtësoi sëmundjen. Ia lehtësoi plagën (kollën, dhimbjet). Ia lehtësoi vuajtjet (vetminë). Ia lehtësoi gjendjen. Ia lehtësoi zemrën dikujt e shpëtoi nga një ankth, ia hoqi një vuajtje shpirtërore.
✱Sin.: lenoj, zvogëloj, thjeshtëzoj, thjeshtoj, pakësoj, mundësoj, përkrah, ëmbëlsoj, qetësoj, shkrifëroj, shkujdes, ndihmoj, çliroj, shkarkoj, përmirësoj.
♦ Ia lehtësoi *dorën (dikujt). Ia lehtësoi *plagën (dikujt).
POPULLARIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E bëj të njohur dikë a diçka, e përhap në popull diçka. Popullarizoj (sukseset, arritjet). Popullarizoj sportin.
2. Përhap diçka në popull, duke e paraqitur sa më thjeshtë e qartë që të kuptohet nga masat e gjera. Popullarizojmë shkencën.
✱Sin.: propagandoj, përhap, shtrij, thjeshtëzoj, vulgarizoj.
PËRSHTÁT vep., ~A, ~UR kal. 1. E bëj diçka që të shkojë e të përputhet me një qëllim të caktuar, i bëj ndryshimet e ndreqjet e nevojshme, që t’u përgjigjet kushteve e rrethanave të caktuara. Përshtat një godinë (një ndërtesë). E përshtatën kënd lojërash.
2. E mësoj trupin a dikë që të jetojë e të veprojë në kushte të tjera, bëj që të pajtohet me një gjendje tjetër të re. Përshtat organizmin. E përshtat për një klimë të ftohtë (të nxehtë).
3. I bëj disa ndryshime një libri a një teksti, që të jetë më i kuptueshëm e më i thjeshtë për lexuesin. Përshtat “Iliadën” dhe “Odisenë” për fëmijë.
4. I heq a i shtoj ndonjë pjesë një libri, që të jetë në pajtim me nevojat e kërkesat e reja ose që t’i përgjigjet një qëllimi të caktuar. Përshtat copa leximi në gjuhë të huaj.
5. Përkthej lirisht një vepër letrare, duke i zhvendosur ngjarjet e personazhet në një mjedis dhe në një kohë tjetër. Përshtati fabulat e Ezopit.
6. I bëj ndryshime të vogla, pa iu larguar në përgjithësi origjinalit.
✱Sin.: adaptoj, akordoj, ambientoj, familjarizoj, tumir, ujdis, rregulloj, ndreq, mësoj, stërvit, përgatis, kalis, ndryshoj, shkurtoj, thjeshtëzoj, përkthej.
THJESHT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E bëj diçka më të lehtë për t'u kuptuar, për t'u zbatuar, për t'u zgjidhur, për t'u përdorur etj., e bëj më të thjeshtë, kund. ndërlikoj. E thjeshtoi programin.
2. Heq diçka që është e tepërt në një gjë, e shkarkoj nga gjërat e panevojshme, zvogëloj sasinë e pjesëve a të njësive përbërëse të diçkaje, e bëj më të thjeshtë atë. I thjeshtuan hallkat e aparatit shtetëror. E thjeshtoj projektin e ndërtesës. I thjeshtuan kërkesat. Thjeshtoj shprehjen (formulën). mat. gjej një shprehje (një formulë) tjetër, duke pakësuar numrin e kufizave a të faktorëve, por duke ruajtur po atë vlerë. Thjeshtoj thyesën. mat. gjej një thyesë tjetër me po atë vlerë, por me numërues dhe emërues më të vogël.
3. Thjeshtëzoj.
✱Sin.: holloj, lehtësoj, zvogëloj, pakësoj, thjeshtëzoj, thjeshtohet, lehtësohet, zvogëlohet, pakësohet, thjeshtëzohet.
THJESHTËS/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Thjeshtoj. Thjeshtësoj gjuhën (stilin). Thjeshtësoj formulën. mat.
2. Thjeshtëzoj.
✱ Sin.: thjeshtësoj, thjeshtëzoj, thjeshtoj, lehtësoj.
VULGARIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. 1. keq. E thjeshtëzoj diçka jashtë mase ose e paraqit duke ia shtrembëruar thelbin a përmbajtjen; e paraqit në mënyrë vulgare. E vulgarizoi teorinë (idenë, pikëpamjen, çështjen). E vulgarizoi shumë (punimin, studimin). E vulgarizoi zgjidhjen e problemit. Nuk i paraqiti ashtu siç janë problemet, por i vulgarizoi.
2. E paraqit diçka shumë thjesht, në mënyrë që të kuptohet lehtë nga të gjithë; popullarizoj. E vulgarizoi që të kuptohet nga të gjithë. E vulgarizoi në atë masë që duhej (punim, ide).
✱Sin.: thjeshtëzoj, thjeshtoj, shtrembëroj, popullarizoj.
ÇNDËRLIK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. E bëj të thjeshtë në të kuptuar diçka, thjeshtësoj një punë; kund. ndërlikoj. Sa duhet për ta çndërlikuar botën. Për ta çndërlikuar situatën, mendoi sërish i njëjti njeri.
✱ Sin.: thjeshtësoj, thjeshtoj, thjeshtëzoj, qartësoj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë