Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MODÉST,~E mb., libr. 1. Që sillet me thjeshtësi a që jeton thjesht; që nuk mburret për aftësitë e zotësinë që ka ose për punën e rëndësishme që bën ose që nuk e mbivlerëson vetveten; që nuk parashtron kërkesa të tepruara; që është tipar i një njeriu të tillë; i thjeshtë; i përulur. Njeri (dijetar, udhëheqës, drejtues) modest. Është (tregohet) modest. Grua modeste.
2. Që është i thjeshtë e pa luks, jo i shtrenjtë; që nuk ka teprime ose ekstravagancë, që nuk të tërheq vëmendjen për pamje të ngarkuar me gjëra të panevojshme. Shtëpi (banesë) modeste. Veshje modeste. Jetë modeste.
3. Që ka vlerë, rëndësi ose arritje jo të mëdha. Punë (vepër) modeste. Kontribut modest.
4. Që është i pakët a i kufizuar në sasi, nivel, përmasa etj.; i vogël, i ulët. Të ardhura (shuma) modeste. Me çmime modeste.
✱Sin.: i thjeshtë, i përulur, i pakët, i vogël, i kufizuar, i ulët.
MODESTÍ,~A f., libr. 1. Vetia e atij që largohet nga të kërkuarit vëmendje a vlerësim për meritat e veta, të qenët modest, vetia e atij që është modest, thjeshtësi. Kishte modesti në veshje. Modesti e tepruar. Shenjë (prove) modestie. E bën për modesti. E ka nga modestia. Ai njeri karakterizohet nga modestia. Modestia e zbukuron njeriun. Dallohej për modestinë e tij. Ka modesti në rrëfimin e autores.
2. Vetia e atij që ka ndjenjën e masës për të mos i kaluar kufijtë dhe për të mos tërhequr vëmendje me ekstravagancë a mburravecëri në të folur, në sjellje ose në veshje; thjeshtësi, përulësi. E pranoi të vërtetën me modesti. Sillet me modesti. Foli me modesti për arritjet e tij. I shprehu pikëpamjet e veta me modesti. Në blogun e saj nuk dallohet asnjë fije modestie.
✱Sin.: thjeshtësi, përulësi, kryeultësi.
NAIVITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. vet. nj. Çiltërsi e natyrshme, mungesë djallëzie, të qenët naiv. Naiviteti i një fëmije.
2. vet. nj. Besim i tepruar te njerëzit a te çdo gjë që thuhet, i cili zakonisht vjen nga përvoja e paktë jetësore. Beson me naivitet. Naivitet i shtirur. Të tallesh me naivitetin e një shoku.
3. vet. sh. Fjalë ose mendime naive. Flet (thotë) naivitete. Naivitete rinore.
✱Sin.: çiltërsi, padjallëzi, çiltëri, thjeshtësi.
NATYRSHMËRÍ,~A f. Cilësia e atij që është i natyrshëm, ose e diçkaje që bëhet në mënyrë të vetvetishme e pa stërhollime, të qenët i thjeshtë e i çlirët. Natyrshmëri sjelljesh. Natyrshmëria e të vegjëlve. Thjeshtësia dhe natyrshmëria e lëvizjeve. Luan (interpreton) me natyrshmëri (për një aktor). Flet me natyrshmëri. Humbet natyrshmërinë.
✱Sin.: thjeshtësi, çiltëri, natyrësi, natyralitet.
POSHTË ndajf. 1. Në lartësi të vogël nga toka ose nga një sipërfaqe tjetër në drejtim pingul; më ulët se diçka tjetër ose se zakonisht; kund. lart; sipër. Nga mesi e poshtë. Ulu (zbrit) poshtë! Gjendet më poshtë. Njeriu, sa më i mirë të jetë, më poshtë rri. (fj. u.).
2. Në drejtim pingul duke u nisur nga lart; në drejtim të pjerrët, tatëpjetë në një vend a drejt një vendi që shtrihet nën një tjetër, teposhtë; kund. lart, sipër; përpjetë. Poshtë e më poshtë duke rënë gjithnjë e më poshtë. Ra poshtë. Bëri poshtë zbriti. Lëviz (shkon, zbret) poshtë. E ktheu me kokë poshtë. S’i shkon buka (uji) poshtë. Të shohësh jo vetëm lart, po edhe poshtë. (fj. u.).
3. bised. Në katin më të ulët, në katin e poshtëm. Shkoi poshtë.
4. Nën diçka që është më lart ose që shërben si strehë; nën një vend a nën një send; në një vend të ulët; kund. lart. Poshtë nën çati (nën pemë). Poshtë nën tryezë. Poshtë nën jastëk (nën krevat).
5. Në pjesën që vjen më pas, më tej, pastaj; kund. lart. Njoftoi (deklaroi) si më poshtë... (libr.). E shpjegon më poshtë. Përmendet më poshtë. Më poshtë po japim tekstin e plotë të kumtesës. Më poshtë shkruan (thotë) se...
6. Më pak se një masë a se një sasi e caktuar; më pak se një moshë a se një pjesë kohe e caktuar; më pak nga ç’është; duke përfshirë kufirin a cakun e fundit në një varg gjërash etj.; kund. lart. Njëzet vjeç e poshtë. Nuk e jep (nuk e shet) më poshtë.
7. Në organet e ulëta të administratës shtetërore, në popull, në bazë; kund. lart.
8. Me zë a me ton më të ulët; kund. lart. Merre këngën më poshtë.
9. fig. Më keq, më pak, më prapa se të tjerët; jo në një shkallë a në një nivel me të tjerët, jo në lartësinë e duhur; kund. lart. Është (qëndron) më poshtë se të tjerët. Ishte poshtë nga ana e përgatitjes. Sa poshtë që ishte!
10. si em. Shkallë më e ulët e një shkallëzimi shtetëror a shoqëror; kund. lart. Nga poshtë lart (nga lart poshtë). E shikon nga poshtë.
11. keq., si kallëzues. Përdoret në fjali këlthitëse, kur hedhim parulla kundër dikujt a diçkaje. Poshtë pushtuesi!
✱Sin.: përposhtë, teposhtë, poshtas, poshtazi, tatëpjetë, përtokë, përfund, përfundi, nëntë, ulët, ultas, ultazi, pjerrtas.
♦ Bën (shkon) poshtë (dikush a diçka). 1. Zbret, ulet. 2. Bie nga shëndeti, nga pasuria, nga fuqia etj.; shkon drejt prishjes a drejt dështimit; bie poshtë; merr tatëpjetën; kund. bën (shkon) lart. Ka rënë poshtë. 1. (diçka). Nuk vlen më si më parë, është bërë më keq a më e keqe; ka bërë (ka shkuar) poshtë; ka marrë tatëpjetën. 2. (dikush). Ka rënë nga shëndeti, nga pasuria, nga fuqia etj.; ka marrë tatëpjetën; ka shkuar tatëpjetë. Nuk bie poshtë. 1. (dikush). Mbahet, nuk humbet a nuk lëshohet; nuk thyhet, nuk nënshtrohet; e mban veten; s’e lëshon veten. 2. (dikush a diçka). Nuk është më i keq se të tjerët; nuk është i keq, është mjaft i mirë. E hodhi poshtë (diçka) nuk e pranoi, e rrëzoi si të rreme a si të padrejtë; e mohoi, e përgënjeshtroi; ia uli vlerat, nuk i dha vlerat që ka, e përçmoi; e hodhi tutje; e hodhi (e flaku) tej; e hodhi në kosh (në koshin e plehrave); nuk e mori parasysh. Me *kokë poshtë. Me *kokën (me kryet) poshtë. Me kryet (me *kokën) poshtë. E kthen me *kokë poshtë (diçka). *Lart e poshtë. E mban kokën poshtë (dikush). 1. Ka turp, i vjen turp; i mban sytë poshtë. 2. Është kokulur, nuk mbahet e nuk mburret, është i thjeshtë; i mban sytë poshtë; sheh përtokë. I mban sytë poshtë (dikush). 1. Është shumë i turpshëm; e mban kokën poshtë. 2. Është i thjeshtë, sillet me thjeshtësi; është kokulur; e mban kokën poshtë. 3. Është fsheharak, nuk do që t’ia zbulojnë mendimet. Sa poshtë ka rënë *katundi! mospërf. Poshtë e lart shih lart e poshtë. Poshtë e përpjetë andej e këtej, pa ndonjë drejtim a qëllim të caktuar; tutje-tëhu; poshtë e lart; lart e poshtë. Poshtë e më poshtë keq e më keq; tatëpjetë, gjithnjë e më rëndë; kund. lart e më lart. E shikon malin nga poshtë (dikush) iron. e sheh shumë të vështirë një punë dhe i trembet asaj; e vështirëson edhe më shumë diçka për të mos e bërë; i duken veshët brirë (dikujt). I ka shkuar halli poshtë (dikujt) është në skamje e varfëri të madhe. E tërheqin këmbët poshtë (dikë) po e lënë fuqitë, po i vjen fundi, është plakur shumë. *Ulu (poshtë) se të panë! iron. E vuri poshtë (dikë). 1. E rrëzoi në tokë, e mundi. 2. E mundi, e theu, e mposhti (në fjalë, në mendime etj.); i hipi në (mbi) kokë (dikujt); e bëri të hante bar; ia hëngri orën (dikujt).
THJESHTËSÍ,~A f. Të qenët i thjeshtë, vetia e atij që është i thjeshtë. Thjeshtësia e përshkrimit (e mendimit). Shprehje e thjeshtësisë. Shembull thjeshtësie. Për thjeshtësi për ta bërë a për ta paraqitur më të thjeshtë.
✱Sin.: kryeultësi, thjeshti, natyrshmëri, padjallëzi, çiltërsi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë