Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABERACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Shmangie, shtrembërim ose heqje mënjanë nga rruga normale, nga rruga e pritur ose nga rruga e saktë. Aberacion drejtimi. Aberacion qëllimi. Aberacion plani.
2. drejt. Shmangie nga rendi, nga norma, nga drejtimi i duhur a nga gjendja normale. Aberacion juridik. Aberacion ligjor.
3. mjek. Shmangie ose largim nga normalja. Aberacion mendor. Aberacion psikik. Aberacion ndaj sjelljeve jonormale.
4. Lirim a hapje e udhës për dikë; largim nga diçka.
5. opt. Shpërndarje e rrezeve të dritës që kalojnë nëpër një thjerrëz. Aberacion optik. Aberacion sferik (kromatik etj.).
6. biol. Ndryshim i formës, i ndërtimit a i ngjyrës te njerëzit, te kafshët dhe te bimët nën ndikimin e faktorëve të jashtëm. Aberacion kromozoik ndryshim a shmangie në strukturën ose në numrin e kromozomeve, që mund të çojnë në çrregullime gjenetike.
7. astr. Ndryshim i rrejshëm i pozicionit të një trupi qiellor, si rrjedhojë e rrotullimit të Tokës rreth diellit dhe rreth boshtit të vet, si dhe e shpejtësisë së shpërndarjes së rrezeve të diellit. Aberacioni i dritës. Aberacion yjor shmangie e dritës së yjeve për shkak të lëvizjes së Tokës dhe të shpejtësisë së dritës.
✱Sin.: shmangie, largim, devijim, moszbatim, shkelje, mënjanim, jonormalitet, shtrembërim, modifikim.
DIVERGJÉNT,~E mb. 1. spec. Që veçohet a largohet nga drejtimi kryesor, nga prejardhja e përbashkët etj., që merr një drejtim tjetër; që largohet nga pika e nisjes; kund. konvergjent. Rreze divergjente (fiz.). Zhvillimi divergjent i gjuhëve (i dialekteve) (gjuh.).
2. libr. Që shkakton veçim a largim nga drejtimi kryesor, nga prejardhja e përbashkët etj. Pasqyrë (thjerrëz) divergjente.
3. libr. Që është krejt i ndryshëm, që nuk përputhet e nuk pajtohet me një tjetër, që bie në kundërshtim me atë. Mendime divergjente. Qëndrim divergjent.
GRÓSH/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Fasule. Groshë të thata (të njoma). Groshë qorre. Groshë të kuqe. Groshë mishi. (bised.) mashurka. Groshë qeni. (bised.) fasule lara-lara.
2. Thjerrëz.
✱Sin.: fasule, thjerrëz.
♦ Groshë shtatëjavëshe mospërf. dikush që nuk është në gjendje të arsyetojë a të gjykojë si duhet, njeri fare i papjekur, kungull. *Lëng groshe mospërf. Nuk i mbaron groshët (dikush) përçm. nuk kryen një punë, nuk e nxjerr punën në krye, nuk e shpie diçka deri në fund; thur livadhin e lë shtegun hapur; bën vegshin e s’i vë vjegën; e lë djathin pa shëllirë (pa hirrë).
KONDENSATÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. tek. Aparat i posaçëm që shërben për kondensimin e avullit a të ajrit. Gypi i kondensatorit.
2. spec. Aparat i përbërë nga dy përcjellës, që shërben për të kondensuar energji. Kondensator elektrik.
3. opt. Thjerrëz a sistem thjerrëzash që shërbejnë për të mbledhur rrezet e dritës në një pikë. Kondensator drite.
MBLÉDHËS,~E mb. 1. Që shërben për të mbledhur diçka në një vend. Makinë mbledhëse (bujq.) makinë për të mbledhur kashtën. Enë mbledhëse enë që mbledh një lëng.
2. fiz. Që i mbledh rrezet në një pikë. Thjerrëz (pasqyrë) mbledhëse.
3. mat. Që mbledh në mënyrë automatike disa numra dhe shënon në letër shumën e mbledhur. Makinë mbledhëse makinë llogaritëse.
PÍK/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Sasi fare e vogël uji a lëngu tjetër, në trajtë rruzulli sa një kokërr thjerrëz, që bie si shi, shkëputet nga një enë etj.; bulë uji, shiu, qumështi etj.; gjerbë. Pikë e madhe (e vogël). Një pikë uji (vaji). Pikë loti (gjaku, djerse). Pikat e shiut. Bar me pika (që pihet me pika). Ranë ca pika. E piu deri në pikën e fundit. I numëroi pikë e nga një pikë.
2. vet. nj. (zakon. me numërorin “një”) Sasi e vogël e një lëngu, sasi e vogël e diçkaje; një çikë; fare pak. Një pikë ujë (verë, vaj). S’mbeti asnjë pikë. S’ka rënë një pikë shi (pikë shiu). Pikë vaji në shtëpi, hunda sipër mbi çati. (fj. u.).
3. Vrimë në çati, nga ku hyn shiu brenda. Ka një pikë. Zë pikat e çatisë.
4. (me pjesëzën mohuese “pa”) Një çikë, një grimë, një fije. Pa pikë dyshimi. Pa pikë përgjegjësie. Pa pikë turpi. Pa pikë arsyeje (nevoje). Pa pikë mëshire. Pa pikë kuptimi.
5. gjeom. Vend i përfytyruar në hapësirë, pa ndonjë shtrirje të caktuar, ku takohen a priten dy vija. Pika ku priten dy drejtëza.
6. Vend i caktuar diku, me ndërtimet e pajisjet e nevojshme për të zhvilluar një punë a një veprimtari të organizuar. Pika zjarri. Pikë vrojtimi në plazh. Pika turistike. Pika shëndetësore. Pika grumbullimi (shitjeje). Pikë furnizimi me karburant.
7. Vend i vogël në sipërfaqen e diçkaje, që merret si qendër a si shenjë; skaj; vend. Në çdo pikë të trupit. Në çdo pikë të Shqipërisë. Në çdo pikë të botës (të rruzullit). E përqendroi vështrimin në një pikë. U grumbulluan në një pikë.
8. gjeogr. Drejtim, anë. Pikat e horizontit. Katër pikat kryesore të drejtimit.
9. fiz. Kufiri i temperaturës, ku fillon ndryshimi i gjendjes së një trupi. Pika e ngrirjes (e shkrirjes). Pika (gjendja) kritike e lëndës. Pika e valimit. Pikë lëndore (materiale) (mek.). Pikë e vdekur (fiz.) a) pika ku një trup është në qetësi, nuk lëviz pa një shtytje të re; b) pikë ku zëri dëgjohet shumë pak ose nuk dëgjohet fare.
10. sh. ~Ë, ~ËT Njësi për të vlerësuar fitoret a humbjet në një garë sportive të një skuadre ose të secilit prej lojtarëve a pjesëmarrësve të saj. Me pikë të barabarta. Morën shumë pikë në qitje. Tabela e pikëve.
11. sh. ~Ë, ~ËT fig., bised. Vlerësimi miratues që i bëhet një veprimi a një qëndrimi të caktuar; mendim i mirë që kanë të tjerët për dikë; lëvdatë. E bënte për të fituar pikë. Donte të fitonte pikë. I humbi të gjitha pikët. Merret si pikë referimi.
12. Çështje e veçantë për t’u trajtuar, për t’u zgjidhur, për t’u zbatuar etj. Kemi dhe tri pika për të diskutuar.
13. Nënndarje e diçkaje më të gjerë; drejtim, anë. Pika e parë (e dyti, e tretë...). Pikë e vështirë. Pikat e rendit të ditës. Pikat e planit. Foli për të gjitha pikat. S’ishin të një mendjeje në disa pika. Mos e prek atë pikë. U ndal në një pikë.
14. vet. nj., fig. Gjendje. Vetë e çoi në atë pikë. S’ka vajtur deri në atë pikë. Ka ardhur puna në atë pikë që s’mund të ndërpritet më. Deri në një farë pike ka të drejtë. E çoi deri në një farë pike dhe e la (punën).
15. vet. nj., fig. Shkalla e zhvillimit, niveli i arritjes; caku. Pika kulmore e veprimit (e zhvillimit të ngjarjeve). Pika më e lartë e mundësive.
16. vet. nj., fig. Shkalla më e lartë e një dukurie; kulmi a mesi i diçkaje. Në pikë të vapës. Në pikë të verës (të dimrit). Në pikë të ditës (të natës). Që në pikë të mëngjesit shumë herët, që pa dalë mirë drita. Në pikë të gjumit. Në pikë të punëve. Në pikë të hallit. Në pikë të vrapit me vrap të madh. Në pikë të moshës së vet në moshën më të mirë, në lulen e rinisë.
17. vet. nj., fig., bised. Pjesa më e mirë a më e zgjedhur e diçkaje; më i miri i të gjithëve; lulja, balli. Pika e djalit (e vajzës). Pika e trimit. Pika ime e dobët.
18. vet. nj., mjek. Sëmundje e rëndë që shkaktohet nga gjakrrjedhja në tru dhe që sjell vdekjen e menjëhershme ose paralizën e ndonjë pjese të trupit, damlla, apopleksi. I ra pika. I rëntë pika (një pikë)! (mallk.). E pikoftë pika! (mallk.). Pika, që s’i bie! (mallk.). Pika, që s’e pikon! (mallk.). Pika (sëmundja) e diellit (mjek.) sëmundje e shkaktuar nga goditja prej rrezeve të diellit, e cila shfaqet me dhembje koke, marrje mendsh, të vjella, frymëmarrje të vështirë etj.
19. vet. nj., mjek. Vdekje e menjëhershme nga ndalimi i zemrës.
20. krahin. Rrufe. E vrau pika. I kishte rënë pika një pishe (një lisi).
21. shtypshkr. Njësi matjeje e barabartë me 0,376 mm, e cila përdoret në shtypshkronjë.
✱Sin.: pikël, bulë, çikë, çikël, cirkë, gjerbë, lagë, sumbull, stërpikë, stërkitë, spërkë, spërkël, stërkalë, pufkë, qukë, cërkë, qendër, vend, cak, skaj, anë, drejtim, çështje, nënndarje, zë, shkallë, kulm, ajkë, apopleksi, damlla, send, grahmëz, rrufe, këpujë, xixë, grimë, fije, degë, zyrë, lëvdatë, problem, qokë, kusht, gjendje, zemër, vlug, mes.
♦ U bëra (jam) *helm e pikë. U bënë pikë e pesë u shpërndanë, s’mbeti asnjë bashkë me ndonjë tjetër, ku shkoi njëri nuk shkoi tjetri; u bënë pesë e pesë; u bënë kashtë e koqe. U bë *thikë e pikë (dikush). U bëra (jam) pikë e valë jam shumë i mërzitur e i zemëruar, sa s’e përmbaj dot veten; jam shumë i dëshpëruar; u bëra (jam) pikë e vrer; u bëra (jam) helm (e pikë); kund. jam shend e verë. U bëra (jam) pikë e vrer jam shumë i dëshpëruar e i hidhëruar, jam i helmuar pa masë; u pikëllova; u bëra (jam) pikë e valë; u bëra (jam) helm (e pikë); kund. jam shend e verë. Më ra pika. 1. U preka e u pikëllova shumë (kur shoh ose kur dëgjoj diçka të papritur); më ra rrufeja; më shkrepi vetëtima. 2. U tmerrova, ngriva nga frika, shtanga. I ra pikës (dikush) tha e bëri pikërisht atë që duhej; qëlloi tamam aty ku duhej; e gjen pikërisht si është e vërteta, i bie tamam; i ra në shenjë; i ra në të (diçkaje); i ra në fije; i ra në bri (dikujt). Të rëntë pika (një pikë)! mallk. vdeksh në vend! Pika që s’të bie! mospërf. turp të kesh!; e pësofsh si mos më keq! Ra pikë e gjallë (dikush) shih mbeti top (në vend) (dikush). Në *ditë të pikës (të hallit). Fitoi pikë (dikush) libr. siguroi mendim të mirë për vete; bëri diçka që ia ngriti autoritetin e vlerat vetes përpara të tjerëve, e rriti emrin e vet të mirë; kund. i humbi pikët. Hoqi pikën e zezë (dikush) vuajti shumë, u mundua tej mase; hoqi të zitë e ullirit; hoqi bishtin e gjarprit; ka hequr gjakun. I humbi pikët (dikush) libr. nuk e meriton më besimin që ka pasur, i ra vlera, humbi emrin e mirë, nuk e gëzon më atë nderim; kund. fitoi pikë. (Janë) si dy pika uji ngjajnë shumë me njëri-tjetrin, janë pothuaj të njëllojtë; (janë) lot e shpirt; (janë) motër e vëlla. Jam në *thikë e në pikë (me dikë). S’të jep (një pikë) *ujë (dikush). E kam pikë në zemër (në shpirt) (diçka) shih e kam plagë në zemër (diçka). E la pikë e gjallë (dikë) e vrau në vend; e la top (në vend). S’i mbeti pikë gjaku (*gjak) në fytyrë (dikujt). Mbytet në një pikë ujë (dikush) shih mbytet në një lugë (me) ujë (dikush). Në pikë të ditës shih në mes të ditës. Pikë e dobët. 1. Diçka shumë e dobët, që thyhet a që prishet lehë. 2. Dikush që e dua shumë dhe që e kam në kujdes të veçantë, dikush për të cilin kam dobësi më shumë se për të tjerët; njeriu që më bën të vuaj. 3. Anë e karakterit a pjesë e veprimtarisë së dikujt, që mund të shfrytëzohet nga të tjerët për ta goditur ose për t’ia arritur një qëllimi; ana e dobët; gjëja në të cilën dikush e ndien veten të pafuqishëm të veprojë a të kundërshtojë. Deri në pikën e fundit të gjakut deri në vdekje, sa jam ende gjallë; sa të kem frymë. Në pikë të hallit në një gjendje aq të rëndë, sa është vështirë të dalësh; në ditë të hallit (të pikës); si i mbytur nëpër shkumë; gjallë e në zall (për gazep); me krye në hi; i ka punët pus (dikush). Pa pikë lëngu pa lezet fare; i shëmtuar a i neveritshëm. Pikë në lis i vetëm, pa njeri tjetër të afërt, fillikat; lis pa degë. Pikë loti shumë i kulluar (për ujin, për rakinë etj.); i qartë e i tejdukshëm. Në pikë të mëngjesit herët, pa zbardhur mirë dita. Pikë mjalti diçka shumë e mirë, e ëmbël dhe e shijshme. Pika e parë. 1. Raki shumë e fortë dhe e mirë, që del e para nga kazani; balli i kazanit (ballë kazani). 2. Njeri i pastër shpirtërisht, njeri i kulluar, pa hile; njeri i fortë shpirtërisht, i pathyeshëm. Pikë më pikë ca nga ca e deri në fund, pak e nga pak deri sa të shterojë. Pikë për pikë në përputhje të plotë me diçka, ashtu siç është, pa hequr e pa shtuar gjë; një për një, fjalë për fjalë; hollësisht; fill e për fill. Me pikë e me presje libr. me shumë hollësi, pa lënë asgjë, duke përmendur çdo hollësi. Si pika në strehë pa asnjë ndihmë e përkrahje, njeri pa njeri; në pikë të hallit; në ditë të hallit (të pikës); si i mbytur nëpër shkumë; gjallë e në zall (për gazep); me krye në hi. Një pikë ujë në det (në oqean) diçka shumë e vogël, sasi e pallogaritshme, gjë që s’duket fare. Pikë e vdekur libr. gjendje amullie, pa rrugëdalje e pa zhvillim të mëtejshëm; ngecje në vend. Pikë e zezë! ç’është kjo e keqe!, ç’na gjeti!; ç’fatkeqësi e madhe! Ka shkuar (ka vajtur) në pikë të fundit. 1. (dikush). Është në një gjendje ekonomike, shëndetësore etj. shumë të rëndë, është si mos më keq. 2. (diçka). Po prishet a po shkatërrohet, ka marrë fund, s’mban më; s’duron më gjatë. I vuri pikë (pikën) (diçkaje) libr. i dha fund një herë e mirë, e mbylli përfundimisht, e ndau prerë; i vuri kapak (kapakun); i ndau bathët (për diçka). Vë pikën (pikat) mbi i libr. e sqaroj deri në fund një çështje, përcaktoj mirë e me hollësi çdo gjë; zgjidh përfundimisht diçka të mbetur pezull a që nuk është e qartë sa duhet; e them të vërtetën ashtu si është ose si duhet të jetë.
THJÉRR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. fiz. Trup i tejdukshëm me dy faqe të përkulura (nga jashtë ose nga brenda), që ka vetinë të përthyejë në mënyrë të rregullt rrezet e dritës; xham i trashë në këtë trajtë që ka vetinë të zmadhojë objektet që vështrojmë. Thjerrë e trashë (e hollë, e lugët). Thjerrë zmadhuese. Thjerrat e dylbive. Vatra e thjerrës.
2. bot. Thjerrëz.
THJERRËZÓR,~E mb., spec. Që ka trajtën e një thjerrëze, që është si thjerrëz.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë