Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ARKETÍP,~I m. sh. ~A, ~AT 1. libr. Model ose gjedhe që shërben për të nxjerrë kopje; formë e parë burimore, origjinalja; modeli i një personi, i një personaliteti ose i një sjelljeje; model parak, model ideal, ekzemplar konkret; shembulli i parë, prototipi. Arketipi i Skënderbeut. Arketipi i ujkut. Arketipi i heroit.
2. psikol. Model ose gjedhe themelore e sjelljes dhe e përfytyrimit, që ekziston në nënvetëdijen njerëzore. Arketipi i nënës.
3. filoz. Njëra ndër format e qenieve të krijuara në mendjen hyjnore. Arketipi i autoritetit.
4. let. Personazh, situatë, ndjenjë, ndjesi, simbol ose ndodhi, që përsëritet në histori a në rrëfime të ndryshme nga shumë kultura dhe që janë shndërruar në simbole universale. Arketip mitik. Arketip simbolik. Arketip tematik. Arketipi folklorik. Arketip i situacionit. Arketipat e karaktereve. Rëndësia e arketipave në letërsi. Arketip i kulturës popullarizuese. Arketip i prozës moderne.
✱Sin.: gjedhe, model, paramodel, kopje, figurë, variant, origjinal, simbol, prototip.
ATEMATÍK,~E mb., libr. 1. Që nuk ka temë të caktuar ose që nuk është e lidhur me një temë të veçantë; jotematik; kund tematik. Trajtesë atematike. Diskutim atematik.
2. let., muz. Që nuk ndjek një motiv, një temë ose një strukturë të përcaktuar qartë (një krijim artistik). Prozë atematike. Arie atematike.
DIAPAZÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. muz. Tërësia e tingujve të një vegle muzikore ose të zërit nga më i ulëti deri te më i larti. Diapazon i gjerë (i ngushtë). Diapazoni i zërit.
2. Vegël e vogël prej çeliku, në trajtën e potkoit e me një dorezë, e cila kur e godasim jep tingullin e notës la. Diapazon regjistrues. Tingëllimi i diapazonit.
3. fig. Kufijtë deri ku mund të shtrihet a mund të arrijë diçka, gjerësia e shtrirjes së diçkaje; vëllim. Diapazon i gjerë (i ngushtë). Diapazoni tematik (problemor). Diapazoni i dijeve. Diapazon temperaturash. Aparati ka një diapazon matjeje. Kanë diapazone të ndryshme.
DISKÚRS,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Shprehje formale, e rregullt dhe zakonisht e zgjatur e mendimit mbi një temë të caktuar. Diskurs mbi ndikimin e mediave. Diskurs solemn mbi paqen dhe unitetin kombëtar. Diskursi i opinionistëve. Diskursi i kryeministrit. Diskurs i hollësishëm filozofik.
2. gjuh. Të folurit ose të shkruarit e lidhur; përdorimi i gjuhës në kontekst shoqëror, kulturor dhe ideologjik; mënyra se si njerëzit ndërtojnë kuptim nëpërmjet gjuhës në situata reale. Diskurs i strukturuar qartë. Diskurs narrativ. Diskurs informativ. Diskurs i shkurtër. Diskurs dialogjik. Diskurs përshkrues. Diskurs i mirëstrukturuar. Diskurs akademik. Diskurs tematik. Universi i diskursit.
FJALÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Libër me fjalët e një gjuhe ose me termat e një fushe të caktuar të shkencës, të teknikës, të kulturës etj., të cilat renditen zakonisht sipas alfabetit dhe shpjegohen ose përkthehen në një gjuhë tjetër a në disa gjuhë. Fjalor shpjegues (normativ, enciklopedik). Fjalori drejtshkrimor. Fjalor dygjuhësh (shumëgjuhësh). Fjalor xhepi. Fjalor terminologjik (historik, etnologjik, tematik, elektronik). Fjalori i filozofisë (i botanikës, i mjekësisë). Fjalori i sinonimeve (i frazeologjisë). Parimet e fjalorit.
2. kryes. nj. Tërësia e fjalëve që përdoret në një gjuhë ose që përdor dikush; leksik. Fjalor i pasur (i varfër). Njohja e fjalorit. Pasuroj fjalorin.
TEMATÍK,~E mb. Që lidhet a që ka të bëjë me një a me disa tema, që ndërtohet rreth një teme të caktuar; i temës a i temave që trajtohen. Renditje tematike. Bibliografi tematike. Enciklopedi tematike. Treguesi tematik i lëndës. Fjalor tematik (gjuh.) që i përket një terminologjie të caktuar. Larmi tematike. Pasdite tematike. Ekskursion tematik. Ekspozitë tematike. Plan tematik. Vizatim tematik. Analizë tematike.
TREGÚES,~I m. sh. ~, ~IT 1. Tipar i veçantë ose anë e caktuar që merret si shenjë dalluese e prodhimit, e shfrytëzimit etj. në një punë; një nga llojet e prodhimeve që bëhet gjatë një pune. Treguesit cilësorë (sasiorë). Tregues financiar (ekonomik). Treguesit e punës. Tregues në natyrë. Tregues në vleftë.
2. Diçka që na lejon të gjykojmë për ecurinë dhe zhvillimin e një pune a të një zëri brenda një kohe të caktuar; shprehje, zakonisht me shifra ose me përqindje, që pasqyron gjendjen e një pune; të dhëna, shifra. Tregues kryesor (real, i kënaqshëm, i qartë). Tregues i ulët. Treguesi i zhvillimit (i përparimit). Treguesi i rritjes së mirëqenies. Treguesi i nivelit të jetesës. Treguesit zyrtarë dëshmojnë për rritje ekonomike.
3. mat. Numër që vihet sipër e më të djathtë të një numri tjetër të dhënë dhe që shërben për të treguar se sa herë duhet të shumëzohet numri i dhënë me veten e tij; eksponent. Tregues pozitiv (negativ). Tregues zero. Treguesi i fuqisë.
4. Listë emrash, çështjesh, temash etj. me rend alfabetik ose me rend tjetër, që vihet në fund të një libri ose në skedarët e një biblioteke; pasqyrë alfabetike e pajisur me shënime; libër informues, indeks. Tregues alfabetik. Tregues bibliografik. Tregues tematik. Treguesi i emrave. Treguesi i lëndës. Tregues bibliografik (gjeografik). Tregues i bibliotekave (i botimeve në seri, i daljeve nga përdorimi, i emrave të cituar, i emrave të vendeve, i filmave, i fjalëve kyç). Tregues i autorëve. Tregues i vendndodhjes. Tregues i librave të ndaluar nga Kisha.
5. Tabelë me shenja të posaçme ose gur, që vihet anës rrugëve automobilistike për të treguar drejtimin e qarkullimit ose numrin e kilometrave. Treguesi i kilometrave.
6. Vegël, aparat etj., që tregon diçka; shigjetë e lëvizshme zakonisht mbi një fushë të shkallëzuar, që mat një forcë, një sasi etj. ose që tregon drejtimin e një lëvizjeje. Treguesi i drejtimit. Treguesi i vajit (i karburantit). Treguesi i shtypjes (i trysnisë). Treguesi i shpejtësisë. Shigjeta (vija) e treguesit.
✱Sin.: zë, nënndarje, artikull, shenjë, metër, indeks, eksponent, pasqyrë, shigjetë, dëftues, kallëzues, rrëfyes, vegël, aparat.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë