Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DÚKSH/ËM (i),~ME (e) mb. 1. Që mund të shihet, që mund të kapet me sy, që mund të rroket nga syri; kund. i padukshëm. Rreze të dukshme.
2. Që vihet re a që dallohet prej dikujt, që duket; që duket mirë a dallohet menjëherë, që bie në sy (nga vendi ku është, nga madhësia etj.); kund. i padukshëm. Në vend të dukshëm. Shkronja të dukshme. Maja më e dukshme. Në pjesën më të dukshme.
3. Që arrin përmasa të mëdha, mjaft i madh, i rëndësishëm; kund. i vogël, i parëndësishëm. Përparim (zhvillim) i dukshëm. Shtim (tejkalim) i dukshëm. Ndryshim (dallim) i dukshëm. Rritje (rënie, ulje) e dukshme. Kthesë e dukshme. Gjallëri e dukshme. Në mënyrë të dukshme.
4. vjet. Që është ndryshe nga ç'duket a nga ç’paraqitet, që është i tillë vetëm në pamjen e jashtme. Qetësi e dukshme.
5. bised. I pashëm; kund. i shëmtuar. Vajzë e dukshme. Djalë i dukshëm.
✱Sin.: i dallueshëm, i ndjeshëm, i prekshëm, i spikatshëm, i shënueshëm, i sipërfaqshëm, i pashëm.
KAPËRCÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Kalimi mbi dikë a diçka duke u hedhur; kërcimi, hedhja matanë. Kapërcimi i kaluçit (sport.). Kapërcimi i kanalit (i përroit, i lumit).
2. Kalimi i një hapësire gjeografike, i një vendi, i një fshati etj. (më këmbë a me një automjet). Kapërcimi i shtegut.
3. Kalimi i një ushqimi në grykë dhe poshtë në stomak; gëlltitje, kapërdimje. Kapërcimi i kafshatës.
4. fig. Kalimi i një vështirësie a rreziku, i një epidemie, i një sëmundjeje, i një krize etj. Kapërcimi i epidemisë. Kapërcimi i situatës së rëndë.
5. Kalimi i një kohe a i një periudhe kohore. Kapërcimi i dimrit.
6. fig. Lënia pa e përmendur diçka; mospërmendja me fjalë e diçkaje (nga harresa etj.). Kapërcimi i problemit (i çështjes për diskutim).
✱Sin.: kërcim, kaptim, hedhje, kalim, kapërdim, mposhtje, gëlltitje, kapërdimje, tejkalim, lënie, mospërmendje, lajthitja.
NDJÉSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që është i aftë të kapë ngacmimet nga bota e jashtme; që u përgjigjet në një shkallë të lartë ngacmimeve të jashtme; kund. i pandjeshëm. Lëkurë e ndjeshme. Vesh i ndjeshëm. Pjesë e ndjeshme e trupit. Në pikën më të ndjeshme.
2. Që preket lehtë në ndjenja; që i ndien shumë dhe thellë përshtypjet nga bota e jashtme, që i bën përshtypje lehtë çdo gjë, i prekshëm. Njeri (fëmijë) i ndjeshëm. Zemër e ndjeshme. Shpirt i ndjeshëm. Natyrë e ndjeshme.
3. spec. Që ka aftësinë t’u përgjigjet ndryshimeve dhe ndikimeve nga mjedisi i jashtëm; që kap ndryshimet më të vogla të madhësive për t’u matur. Aparat i ndjeshëm. Pllakë e ndjeshme. Sektor i ndjeshëm. Automat i ndjeshëm.
4. fig. Që arrin përmasa të mëdha e të dukshme, i rëndësishëm; që ka një ndryshim të tillë, i cili bie në sy; mjaft i madh, i dukshëm. Ngritje (rritje, ulje, rënie) e ndjeshme e çmimeve (e shpenzimeve). Përmirësim i ndjeshëm. Shtim (tejkalim) i ndjeshëm. Përparim i ndjeshëm. Dëme (humbje) të ndjeshme. Dallime të ndjeshme. Në mënyrë të ndjeshme.
✱Sin.: i brishtë, i prekshëm, sentimental, njerëzor, emocional, i ngacmueshëm, ëndërrues, ëndërrimtar, i hollë, i rëndësishëm, i madh, i dukshëm.
TEJKALÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Kalim a kapërcim diçkaje (i masës, i normës, i afatit, i caqeve, i pritshmërisë); parakalim. Tejkalimi i normës. Tejkalim i masës. Tejkalimi i planit. Tejkalimi i automjeteve. Tejkalim i kompetencave. Tejkalim i shpejtësisë (së zërit).
2. Sasi e sendeve të prodhuara mbi planin, ajo që është bërë mbi parashikimet, mbi normat etj. Tejkalimet ditore. Tejkalimet e muajit. Tejkalim i diskrecionit (drejt.) ushtrim i paautorizuar i pushtetit nga një autoritet shtetëror që tejkalon kufizimet e parashikuara.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë