Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKONTACIÓN,~I m., ek., fin. Parapagim, parapagesë; konto; pagesë e pjesshme e një detyrimi të ardhshëm. Akontacion rroge. Shuma e akontacionit. Mora (dhashë) akontacion. Pagoi një akantacion për makinë. Akontacion i paguar. Përparësitë e akontacionit. Pagova qiranë me akontacion. Akontacion për shërbime tregtare. Akontacion për shpenzimet e dasmës. Mora akontacionin tatimor.
APOGRÁF,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Transkriptimi i një dokumenti origjinal; kopjim i një teksti origjinal me shkrim dore; fotokopje e një dokumenti origjinal, zakonisht me shkrim dore. Apografi i “Mesharit”. Apograf i certifikuar i vendimit të gjyqit. Në vend të marrëveshjes origjinale paraqita apografin e saj.
2. Procesi i listimit, i regjistrimit dhe i vlerësimit të pasurisë së personave fizikë ose juridikë për të përcaktuar vlerën e tyre dhe detyrimin tatimor ose për ndonjë kërkesë tjetër administrative. U realizua apografi vjetor i qytetarëve.
✱Sin.: dorëshkrim, transkript.
AUDÍT,~I m. sh. ~E, ~ET fin. 1. Proces sistematik dhe i pavarur i mbikëqyrjes, i analizimit dhe i vlerësimit të regjistrave, të dokumenteve dhe të aktiviteteve të një kompanie, të një ndërmarrjeje, të një institucioni ose të një organizate për të vërtetuar nëse ato përmbushin standardet e përcaktuara me rregullat ligjore, me politikat dhe me procedurat e brendshme të funksionimit të tyre. Audit i ndërmjetëm. Audit tatimor. Ndikimi në audit. Procedurat shtesë të auditit.
2. Vlerësim i saktësisë dhe i transparencës së informacionit financiar dhe operativ si dhe siguri që veprimet dhe llogaritjet janë bërë në përputhje me standardet dhe praktikat e duhura. Auditi financiar mbikëqyrje e regjistrave financiarë. Auditi i brendshëm proces që kryhet nga departamentet e brendshme të kompanisë, institucionit etj. Auditi i jashtëm proces që kryhet nga auditorë të pavarur jashtë kompanisë, institucionit etj. Auditi operacional shqyrton proceset dhe procedurat operative për të vlerësuar efikasitetin.
MOSLËSHÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Pamundësi, paaftësi ose refuzim për të dhënë një dokument zyrtar; veprimi dhe gjendja kur nuk e lëshoj ose kur nuk lëshohet një dokument, një shkresë zyrtare etj.; kund. lëshim. Moslëshimi i kuponit tatimor dënohet me gjobë. U penalizua për moslëshim të faturës për blerësin.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë