Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKTUÁL,~E mb., libr. 1. Që është i ditëve tona, që ndodh në kohën e sotme, që i përket kohës sonë, që është në rend të ditës; i sotëm. Gjendja aktuale. Ngjarjet aktuale. Rrethanat (kushtet) aktuale. Detyra (probleme) aktuale. Misione aktuale. Fushata aktuale. Program (projekt) aktual. Projekte aktuale. Qeveria aktuale. Drejtori aktual.
2. Që ka rëndësi dhe interes të veçantë për kohën e tanishme, që është i pranishëm ose që është i nevojshëm për kohën e sotme, që u përgjigjet kërkesave më të ngutshme të ditëve tona; që del si diçka e mprehtë dhe e drejtpërdrejtë në çastin e tanishëm. Çështje aktuale. Tema aktuale. Lajme aktuale. Problemi më aktual. Rrezik aktual. Sfida aktuale. Është aktuale.
✱Sin.: i sotëm, i sotshëm, i tashëm, i tanishëm, i përtashëm, i përditshëm, i pranishëm, bashkëkohor, i çastit, i momentit, momental.
AKTUALITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Gjendja, rrethanat dhe ngjarjet kohës së sotme. Aktualiteti shqiptar. Aktualiteti ndërkombëtar. Aktualiteti politik (ekonomik, shëndetësor etj.). Çështje të aktualitetit. Çështje të aktualitetit tonë. Tema të aktualitetit. Paraqes aktualitetin. E lidh me aktualitetin. Aktualiteti sportiv. Aktualiteti i javës. Lajme nga aktualiteti i rajonit.
2. Të qenët aktual; ajo që është e vlefshme, e rëndësishme, e dobishme sot, ajo që na duhet për të sotmen; ajo që ndodh aktualisht në një fushë të caktuar (në politikë, në ekonomi, në kulturë etj.). Aktualiteti i përmbajtjes (i veprës). Ruan (humbet) aktualitetin. Aktualitetit i duhet një qendër moderne e kulturës. Revista trajton çështje të aktualitetit kulturor.
✱Sin.: e sotme, e sotshme, e tashme, e tanishme, e përtashme, përtashësi, e përditshme, bashkëkohorësi.
BALLAFAQ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Vë ballë për ballë e i pyes dy a më shumë njerëz për të krahasuar pohimet e tyre, që të dalë në shesh e vërteta, bëj ballafaqimin; drejt. nxjerr para organeve të drejtësisë dhe marr në pyetje në prani të njëri-tjetrit dy a më shumë të pandehur ose dëshmitarë për të gjetur kundërshtimet në pohimet e tyre dhe për të zbuluar të vërtetën, syzoj, syndërsoj. Ballafaqoj njerëzit. Ballafaquan të pandehurin me dëshmitarët. E vunë të ballafaqojë e të thotë çka di para të akuzuarit.
2. Vë ballë për ballë dhe krahasoj dy a më shumë anë, gjëra, çështje etj. për të gjetur përkimet ose dallimet a mospërputhjet ndërmjet tyre; vë ballë për ballë dy a më shumë rrethe, ndërmarrje, punonjës etj. për t'i krahasuar, me qëllim që të përfitojnë nga përvoja e njëri-tjetrit; krahasoj, përqas, ndërsynoj. Ballafaqoj mendimet (përvojën, metodat e punës). Nuk mund të ballafaqojmë gjëra të pakrahasueshme. Ballafaqoj situatat. Këtë shembull nga historia e ballafaqoi me rrethanat e tanishme. Kur ballafaqojmë veprën e njërit me të tjetrit.
3. krahin. Bashkoj dy sende, i vë buzë më buzë, puthit. Ballafaqoj anët e çatisë në kulm. Ballafaqoj dërrasat e kades. Ballafaqoj mirë dërrasat e vozës.
✱Sin.: krahasoj, përqas, syzoj, ndërsynoj, syndërsoj, puthit.
MÍRË (i, e) mb. 1. Që ka tipare të çmueshme e të pëlqyeshme, që ka cilësitë e duhura dhe vlerën e duhur, që është ashtu si duhet të jetë dhe i përmbush plotësisht kërkesat tona me vetitë e me cilësitë që ka (me përmbajtjen a me formën, me shijen a me erën e këndshme të tij) ose që karakterizohet nga përmbushja e plotë e nevojave materiale e shpirtërore të njeriut e të shoqërisë; që është i shëndoshë, pa cene e të meta, plotësisht i kënaqshëm; i vlefshëm, i çmueshëm; kund. i keq. Qumësht (djathë, gjalpë) i mirë. Ujë i mirë. Verë (raki) e mirë. Kafe e mirë. Mish (peshk) i mirë. Miell i mirë. Bukë e mirë. Gjellë e mirë. Mollë (domate) të mira. Duhan i mirë. Me shije (me erë) të mirë. Stof i mirë. Këpucë (rroba) të mira. Tokë e mirë. Kalë i mirë. Traktor i mirë. Pushkë e mirë. Ndërtesë (shtëpi) e mirë. Rrugë (urë) e mirë. Shkollë e mirë. Krasitje e mirë. Shartim i mirë. Film (roman, studim, përkthim) i mirë. Jetesë (jetë) e mirë. Gjendje ekonomike (shpirtërore) e mirë. Përcjellës i mirë i nxehtësisë (i elektricitetit). Me cilësi (me veti) të mira. Gëzon shëndet të mirë. Ka tradita (zakone) të mira. Kali i mirë njihet nën mutaf. (fj. u.) puna e tregon sa i mirë është dikush. Kroi (pusi) i mirë njihet në kohë të thatë. (fj. u.) njeriu i mirë a miku i vërtetë njihet në kohë të vështira. Kur s’ke grurë, e mirë është edhe thekra. (fj. u.) mjaftohu me atë që ke, përshtatu me situatën e tanishme edhe pse nuk është ajo që dëshiron. Zonjë e mirë (euf.) sëmundja e lisë.
2. Që ka përgatitje të gjerë e të thellë dhe përvojë të madhe në punë; që shquhet për veti të çmuara, për aftësitë e për shprehitë që ka; i zoti, i aftë; kund. i keq. Punëtor (mjeshtër, fermer, mjek, mësues, atlet, lojtar) i mirë. Shkrimtar (piktor, aktor) i mirë. Amvisë (edukatore, mami) e mirë. Organizator (drejtues) i mirë. Nxënës i mirë. Trimi i mirë me shokë shumë. (fj. u.).
3. Që ka tipare të rregullta e tërheqëse, i hijshëm, i bukur. Ka trup të mirë. Me fytyrë të mirë. Ka sy (flokë, dhëmbë) të mirë.
4. Që është i dobishëm për trupin e për mendjen, që na ndihmon në jetë e në punë, që na tregon udhën e zgjidhjen e drejtë; i dobishëm; që na lehtëson përpjekjet a vuajtjet; i volitshëm; kund. i keq; i dëmshëm. Ushqim (shumë) i mirë. Udhëzim (mësim) i mirë. Këshillë e mirë. Mendim i mirë. Përvojë e mirë. Duhani nuk është i mirë për shëndetin. Kishte nevojë qoftë edhe për një fjalë të mirë. Është gjë e mirë që... Qe një rast i mirë.
5. Që paralajmëron a sjell mbarësi ose diçka të gëzueshme; kund. i keq. Shenjë e mirë. Lajme të mira.
6. I mbarë, që shkon përpara e të shpie përpara ose që krijon mundësi për arritje të mëtejshme; kund. i keq. Fillim (zhvillim) i mirë. Mbirje e mirë (bujq.).
7. Që është i vlefshëm për shoqërinë dhe çmohet prej saj si shprehje e vlerave të larta morale; që u përgjigjet normave të vendosura nga shoqëria e nuk i shkel këto; kund. i keq. Ka bërë shumë vepra (punë) të mira për popullin. Ka sjellje të mirë. Mban qëndrim të mirë. Ka rreth shoqëror të mirë. I bëri mirë dikujt diçka i solli dobi (një bar për shëndetin, një vërejtje e qortim për sjelljen, qëndrimin etj.).
8. Që është i sjellshëm e i urtë; që është i dashur, i butë e njerëzor, që ka ndjenja të çiltra miqësore e shoqërore ndaj të tjerëve, që i do dhe i nderon ata me të vërtetë; që u bën të mira të tjerëve e i ndihmon ata me zemër të pastër, bujar, zemërgjerë, i drejtë e i ndershëm; kund. i keq; i lig. Djalë i mirë. Vajzë e mirë. Fëmijë i mirë. Njeri i mirë. Shok (mik) i mirë. Ka zemër të mirë.
9. Që është i shkëlqyer nga ana morale, që dëshmon për ndershmërinë e për pastërtinë shpirtërore të dikujt, për guximin e për vetëmohimin që e karakterizon atë, për veprat e tij të dobishme a të shquara etj.; kund. i keq. Ka emër (nam) të mirë. Ka lënë kujtime të mira.
10. Që dallohet në llojin e vet, që ka disa cilësi të veçanta, më të larta në krahasim me sendet e rëndomta të të njëjtit lloj; që ruhet e përdoret për ditë të shënuara; që mbahet për miq e të ftuar. Dhoma (oda) e mirë dhoma e miqve. Veshi rrobat (këpucët) e mira. Shtroi pjatat e mira. Nxori jorganët e mirë. Vaj i mirë (bised.) vaj ulliri. Gur i mirë (bised.) gur i çmuar. Vend i mirë (fet.) vend i shenjtë. Ditë e mirë (fet.) e kremte.
11. bised. I djathtë. Dora e mirë. Syri i mirë.
12. Që ka një vlerë më të madhe sesa numri që përfaqëson (në disa lojëra me letra). Dyshi i mirë dyshi spathi. Dhjeta e mirë dhjeta karo. Letër e mirë letër me të cilën fiton lojën.
13. Që mjafton për të plotësuar mirë të gjitha nevojat, i mjaftueshëm a më se i mjaftueshëm, i madh, i bollshëm; i majmë; bised. jo më i vogël a jo më i paktë, i plotë (përdoret në disa togje fjalësh së bashku me një emër e me një numëror themelor). Ka rrogë të mirë (të ardhura të mira). Mori një shumë (një sasi, një pjesë) të mirë. I dha një ryshfet (një bakshish) të mirë (keq.). Fshati mban tri orë të mira me këmbë. Qëndroi katër muaj të mirë në spital. Hëngri dy pjata të mira me gjellë.
14. I kthjellët, pa re, pa shi a pa dëborë, pa erë etj. (për kohën); kund. i keq. Ditë (kohë) e mirë. Mot i mirë.
15. euf., mjek. Përdoret si pjesë e dytë në disa emërtime të pathjeshta që shënojnë sëmundje të rënda e ngjitëse; i bardhë: Kolla e mirë. Lia e mirë. Grykët e mira. Fshikëza (lulja) e mirë plasja. Koqe e mirë i thatë.
16. Përdoret si pjesë e dytë në disa togje ose në disa shprehje pasthirrmore për urime: Natën e mirë! Ditën e mirë! Mbrëmja e mirë! Mirëmbrëma!
17. si em. m. e f. Sipas kuptimeve 1, 2, 8, 10, 11, 12 të mbiemrit.
✱Sin.: i dobishëm, i kënaqshëm, i pëlqyeshëm, i këndshëm, i hijshëm, pozitiv, i sjellshëm, i urtë, i virtytshëm, i mbarë, sakllam, i gëzueshëm, i lumtur, i bardhë, i kthjellët.
♦ Të dëgjofsha (të ndjefsha) *zërin e mirë! ur. *Farë e mirë. Për *fat të mirë. *Fjalë të mira e gurë në trastë (në torbë). Jam në *bend të mirë krahin. Është me *hënë të mirë (dikush). Është në *orë të mirë (me orë të mira) (dikush). I dha (i hoqi) një *dajak të mirë (dikujt). I dha (i hoqi) një *dru (një hu) të mirë (të shëndoshë). I dha një *mësim të mirë (dikujt). E ka me *sy të mirë (dikë). E ka thuan të mirë (dikush) nuk vjedh, s’e prek atë që s’është e tij; është i ndershëm; nuk ka dorë. Ka *zemër (shpirt) të mirë (dikush). E ka zemrën (shpirtin) të mirë (dikush) është zemërmirë; ka zemër të mirë; kund. e ka zemrën të keqe. Mori një *mësim të mirë (dikush). Jam parë me *hënë të mirë (me dikë). E sheh me *sytë mirë (dikë). I shtie *bukët të mira (dikush). Me *zemër (me shpirt) të mirë. Me *zemër të mirë! ur.
MÓD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Dukuri shoqërore që ka të bëjë me pasqyrimin e shijeve estetike, të sjelljes, të zakoneve, të formave shprehëse (në veshje, në mënyrën e jetesës, në ndërtimin e mobilimin e banesave etj.) të përbashkëta të një kulture, të një rrethi shoqëror a të një shtrese shoqërore në një kohë të caktuar historike, në një vend a në një zonë të caktuar gjeografike.
2. Model rrobash, këpucësh, flokësh etj. që është përhapur dhe pëlqehet gjerësisht në kohën e tanishme; veshje, stil jetese etj. që pasqyron shijet më të përhapura në shoqëri momentalisht, diçka e kohës. Mode e re (e vjetër) e pantallonave (xhinseve, fundeve). Moda e fundit e krehjes. Veshje (këpucë) të modës. Vishej (krihej) sipas modës. Ndjek modën. Revistë mode. U shkoi moda këtyre perdeve. Është jashtë mode ky divan. Janë (në) modë (të modës) këto shtëpi druri.
3. fig. Dukuri e përhapur gjerësisht që ndiqet nga shumë vetë në një kohë të caktuar, prirje e kohës. Është bërë modë (e modës) të flasësh me fjalë të mëdha. Fjalët fluturake janë në modë. Libri i shtypur u rikthye në modë.
4. mat., vet. nj. E dhëna me dendurinë më të madhe në një varg të dhënash.
MÚNDSHM/E,~JA (e) f. sh. ~E, ~ET (të) 1. Diçka që mund të bëhet apo që mund të realizohet, e mundura. Ka apeluar sanksionet e tanishme, por edhe ato të mundshmet. Studioj kushtet mbisunduese, por edhe ato të mundshmet të motit. Bëri të mundshmen dhe të pamundshmen bëri përpjekje të jashtëzakonshme, bëri gjithçka që mund të bëhej.
2. Maksimalja që mund të bëhet a që mund të arrihet. Mori 80 pikë nga 100 të mundshmet.
OKUP/ÓJ vep, ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. 1. Pushtoj. Ato duan të okupojnë Evropën në formën e tanishme. Do të okupojnë edhe toka të tjera.
2. fig. Zë pa të drejtë një hapëzirë a vend; marr një pozicion që nuk më takon. Ndërtesat okupojnë një pjesë të mirë të zonës rreth lumit. Njerëzit kanë okupuar rrugët. Aktorët e marrëveshjes okupojnë edhe postet e larta qeverisëse.
SÓT ndajf. 1. Në këtë ditë në të cilën jemi ose që e kemi përpara. Sot dhe nesër. Dje dhe sot. Sot para dreke. Do të nisemi sot. Vijnë sot. Sot një javë (si sot një javë) para një jave ose pas një jave po në këtë ditë. Sot një vit para një viti ose pas një viti po në këtë ditë. Mot si sot pas një viti po në këtë ditë. Dy ditë si sot që para dy ditësh. Sot e kaq vjet më parë. Mjafton për sot. E kishin lënë për sot.
2. Në kohën e tashme, në ditët tona, tani; në periudhën e tanishme të një vendi a të një shoqërie. Shqipëria sot. Sot jetojmë të lirë. Sot çdo gjë ka ndryshuar. Mos e shiko si është sot. Dje dhe sot në të kaluarën dhe në kohën e tanishme.
♦ (Është) sot për nesër (me sot me nesër). 1. (dikush). Është në ditët e fundit të jetës, do të vdesë së shpejti; është me një këmbë në varr. 2. (diçka). Është për pak kohë, do të bëhet a do të kthehet shumë shpejt; nuk do të zgjatë shumë, sado që të zvarritet. *Lagu sot e rruhu mot (dikush). Punon sot e ha sot (dikush). 1. Ka të ardhura shumë të pakta, mezi i dalin për të jetuar; nuk i tepron asgjë. 2. Nuk di të kursejë, e harxhon menjëherë atë që ka. Sot e gjithë *ditën (sot e kësaj dite). Sot e mot gjithmonë në të ardhmen, kurdoherë; vazhdimisht, përherë. Sot është e nesër s’është (dikush) është shumë plak, është afër vdekjes; (është) sot për nesër (me sot me nesër)1; është me një këmbë në varr; i ka të paka bukët. Jo sot po nesër pa ia caktuar qartë afatin diçkaje, duke e zvarritur diçka a duke e sorollatur dikë; me të shtyrë; me sot me nesër. Me sot me nesër shih jo sot po nesër. Sot e sot tani është dita për të vepruar; o sot, o kurrë më. Sot për sot në rrethanat e tanishme; sa për tani, sa për këtë ditë; tani për tani. Sot e vlon e sot e marton (dikë) ngutet shumë; e kryen shpejt dhe pa e menduar mirë një punë.
SÓT/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që i përket kësaj dite në të cilën jemi; që është bërë a përgatitur brenda ditës; që ka ndodhur sot; i sotshëm. Lajmi i sotëm. Dita e sotme. Në datën e sotme. Bukë e sotme. Gazeta e sotme.
2. Që i përket kohës së tanishme që lidhet me ditët tona, me kohën në të cilën jetojmë. Shqipëria e sotme. Në kohën e sotme. Në rrethanat e sotme. Detyrat e sotme.
3. Që i përket periudhës më të fundit në historinë e një vendi a të një populli ose të një dukurie shoqërore, bashkëkohës, bashkëkohor. Historia e sotme. Gjuha e sotme shqipe.
✱Sin.: i tanishëm, i sotpërsotshëm, i tashëm, aktual.
TANÍSH/ËM (i),~ME (e) mb. 1. Që është a që zhvillohet në kohën kur flasim, që shfaqet tani; i këtij çasti, i kësaj kohe. Punët e tanishme mos i shty për më vonë. Këto çështje do të trajtohen në mbledhjen e tanishme.
2. Që i përket kohës sonë, që bëhet, që shfaqet a që vepron në periudhën kur jetojmë, i sotëm. Njeriu i tanishëm. Epoka e tanishme. Brezi i tanishëm. Jeta e tanishme. Të rinjtë e tanishëm. Gjendja (situata) e tanishme. Koha e tanishme kërkon kujdes në ruajtjen e të dhënave vetjake. Çështjet e tanishme. Profesionet dhe zanatet e tanishme. Qeveria e tanishme. Koha e tanishme (gjuh.) koha e tashme.
✱Sin.: i tanipërtanishëm, i sotëm.
TÁSHM/E,~JA (e) f. 1. Segment teorik i ndarjes së kohës që i përket çastit kur flasim; koha midis së shkuarës dhe së ardhmes; e tanishme, e sotme, aktuale. Punon për të tashmen e për të ardhmen. E tashmja ndodhet midis së shkuarës dhe së ardhmes.
2. gjuh. Koha e tashme; formë foljore që shpreh një veprim ose një gjendje që ndodh në çastin kur flasim. E tashmja e dëftores (e lidhores, e habitores).
✱Sin.: e tanishme, e sotme, aktuale.
ÇDOLLÓJSH/ËM (i), ~ME (e) mb. I shumë llojeve të ndryshme; i të gjitha llojeve; i gjithfarshëm. Mallra të çdollojshme. Dukuri të çdollojshme. Vështirësi të çdollojshme. Profesionet e tanishme të çdollojshme. Mbështetjen e çdollojshme që i ka bërë të birit.
✱Sin.: i gjithfarshëm, gjithfarësh, i gjithfarëllojshëm, i çdollojtë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë