Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BARKPÉTË mb. 1. Që e ka barkun të sheshtë si petë; kund. barkfryrë. Pashë dy burra: një barkmadh e një barkpetë.
2. Me stomakun bosh, i pangrënë, i uritur, që i këndojnë zorrët.
3. Që s’ka gjë prej gjëje, që është shumë i varfër, me një gjysmë opinge.
4. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. Barkpeta s’ka takat për punë. (fj. u.).
FUQÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Aftësia e njeriut ose e qenieve të tjera të gjalla për të vepruar, për të bërë punë ose lëvizje duke tendosur muskujt; mundësia trupore e një njeriu a e një kafshe për të bërë diçka; forcë fizike. Fuqi trupore. Fuqia e krahut. Kam fuqi. Mbledh fuqitë. Me sa kam fuqi.
2. Aftësia e njeriut për veprimtari mendore, për të shfaqur vetitë dhe tiparet e tij shpirtërore; forca a thellësia e shfaqjes së një ndjenje etj.; shkalla e kësaj shfaqjeje. Fuqi mendore. Fuqi shpirtërore. Fuqia e vullnetit.
3. Aftësia që ka diçka për të kryer një veprim ose për të vepruar mbi një send; aftësia e diçkaje për punë; shkalla e kësaj aftësie; forcë. Fuqia blerëse. Fuqia tërheqëse e makinës.
4. Mundësi materiale, burimet e të mirave materiale dhe tërësia e këtyre të mirave; aftësia që ka dikush a diçka në një drejtim, qëndresë. Fuqia ekonomike. Me ato fuqi që kemi.
5. Aftësia që ka dikush të ushtrojë autoritetin e tij tek të tjerët, të ndikojë mbi ta, t'i bindë për diçka etj.; aftësia që ka diçka për të vepruar në mendjet e njerëzve, për t'i udhëhequr ata në punë e në jetë; shkalla e ndikimit të kësaj aftësie. Fuqi drejtuese. Fuqia e fjalës.
6. Shkaku a burimi i një veprimtarie, i një pune ose i diçkaje tjetër. Fuqi madhore.
7. kryes. sh. Tërësia e të gjithave njësive ushtarake të një vendi, së bashku me mjetet luftarake; ushtria. Fuqitë e armatosura. Fuqitë e këmbësorisë.
8. fiz. Energjia që çlirohet a që harxhohet në një njësi kohe për të bërë një punë ose për të vënë në lëvizje diçka; energjia që ushtrohet mbi një trup, e cila bëhet shkak për të prishur gjendjen e tij të qetësisë ose të lëvizjes. Fuqia elektrike. Fuqia e rrymës. Fuqia e ujit.
9. drejt. E drejta a mundësia ligjore, që ka ose që i jepet dikujt për të vepruar a për të bërë diçka, pushtet. Fuqi juridike. Ka fuqi të pakufizuara (të plota).
10. Të qenët i vlefshëm, të qenët në veprim (për një ligj, për një urdhëresë etj.). Mbetet (është) në fuqi. Hyn në fuqi.
11. Njerëzit, qeniet e tjera të gjalla dhe mjetet që përdoren për të kryer një veprimtari të caktuar ose për të bërë shndërrime të mëdha; çdo gjë lëndore që bëhet burim për lëvizje dhe për ndryshime; forcë. Fuqitë e natyrës. Fuqia punëtore tërësia e punëtorëve. Fuqia tërheqëse kafshët që përdoren për punimin e tokës.
12. Shtet, vend që ka forca të mëdha ekonomike e ushtarake dhe ndikim të gjerë në jetën politike ndërkombëtare. Fuqitë e mëdha. Fuqitë ndërluftuese.
13. mat. Prodhimi që del nga shumëzimi i një numri bazë me veten e tij aq herë sa është treguesi i tij. Fuqi e dytë (katrore). Fuqi e tretë (kubike). Baza e fuqisë. Ekuacion i fuqisë së parë (së dytë). Ngre në fuqi.
✱Sin.: forcë, energji, vrundull, takat, këllk, nerv, potencial, pushtet, veprim.
♦ Bie nga fuqia drejt. nuk mund të zbatohet më, nuk vepron më, shfuqizohet (një ligj etj.); kund. hyn në fuqi. Hipi në fuqi (dikush) erdhi në pushtet, mori pushtetin; kund. zbriti nga fuqia. Hyn në fuqi drejt. fillon të zbatohet, ka vlerë ekzekutuese; kund. bie nga fuqia drejt. Zbriti nga fuqia (dikush) e humbi pushtetin, ra nga pozita; kund. hipi në fuqi.
KËLL/K, ~KU m. kryes. sh. ~QE, ~QET 1. anat. Secila nga kockat anësore të legenit (në trupin e njeriut dhe të gjitarëve); kërdhokull; çapok. U vra në këllqe.
2. fig. Forcë fizike dhe mendore; fuqi; aftësi. S’i arrijnë (s’i bëjnë) këllqet. S’ka këllqe për atë punë.
✱Sin.: kërdhokull, çapok, gollgan, kërçik, fuqi, takat.
♦ S’më bëjnë këllqet u plaka e nuk punoj dot më; s’kam më fuqi; më lanë (m’u prenë) këllqet. Më ranë këllqet u lodha shumë, u këputa së punuari a së ecuri; më ra bretku. I dridhen këllqet (dikujt). 1. Është shumë i lodhur, s’ka fuqi fare; s’e mbajnë këmbët. 2. Është i frikësuar shumë, është shumë i trembur; i dridhen gjunjët; i dridhen këmbët. S’ka *këllqe (kërçikë, kryqe) (për diçka) s’është aq i fortë a s’është aq i zoti për të bërë diçka, nuk ka forcën e guximin e nevojshëm për t’ia dalë; s’ka shpatulla; s’ka kockë; s’ka çapok; nuk ia rrok (nuk ia kap) pëllëmba (dikujt). Më lanë (m’u prenë) këllqet s’kam më fuqi trupore, më kanë shteruar forcat; s’më bëjnë këllqet.
MBËRTH/ÉJ vep., ~ÉVA, ~ÝER kal. 1. Fut kopsën në ilik; kap e bashkoj me kopsa, me karficë etj. dy anët e një veshjeje, të një rrobe etj.; kund. zbërthej. Mbërthej kopsat (sustat). Mbërthej zinxhirin. Mbërthej këmishën (pallton, pantallonat). Mbërthej çantën. Mbërthej me kopsë (me karficë).
2. Ngul gozhdë në një dërrasë etj. për ta ngulitur mbi diçka, ngallmoj. Mbërthej me gozhdë. Mbërthej me çekiç. Mbërthej dërrasat (trarët). Mbërthej arkën (derën, dyshemenë). Mbërthej këpucët (takat) me thumba. E mbërtheu në mur.
3. Var a kap një gjë diku me gjilpërë, me karficë, me tel etj., i vendos, i ngjesh. Mbërtheu dekoratat në gjoks. Mbërtheu shpatën në brez. Mbërtheu fluturat në album. Mbërtheu vëthët në vesh.
4. E rrok mirë dikë a diçka me duar ose me ndonjë mjet tjetër dhe e shtrëngoj fort që të mos më shpëtojë; e kap, e zë, e shtrëngoj fort (edhe fig.). E mbërtheu për fyti (për gryke, për flokësh, për beli, për mënge). E mbërtheu me krahë. E mbërtheu timonin me të dyja duart. Mbërtheu çekiçin e nisi të punonte. Mbërtheu dhëmbët e s’e hapi gojën. E mbërthyen kur po kapërcente kufirin.
5. Vë kaun në zgjedhë, mbreh; lidh kalin në karrocë; kund. zbërthej. Mbërtheu qetë në parmendë.
6. Bashkoj pjesët e veçanta të një mekanizmi në një të tërë, duke e vënë secilën në vendin e vet; kund. zbërthej. Mbërthej mitralozin (topin). Mbërthej bajonetën në pushkë. Mbërthej vidhat.
7. fig. E bëj dikë të qëndrojë në një vend pa lëvizur ose për një kohë të gjatë; e vë në një gjendje të tillë sa që s’ka nga luan, e zë ngushtë; ia mbledh keq. E mbërtheu në vend me një vështrim. E mbërtheu mirë me fjalë. S’e mbërthen dot atë.
8. vet. v. III Më kap keq, më zë mirë e s’më lëshon (sëmundja, frika etj.); më pllakos (edhe fig.) (përdoret zakonisht me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në rasën kallëzore). E ka mbërthyer sëmundja (gripi, përdhesi). E mbërthyen ethet. E mbërtheu gjumi. E mbërtheu frika. E mbërtheu rakia e zuri keq rakia, u deh. Na mbërtheu shiu (bora, të ftohtët). Kriza ka mbërthyer gjithë vendin.
9. fig. Ngul fort (sytë, vështrimin) mbi dikë a mbi diçka dhe nuk ia heq. Ia mbërtheu shikimin (vështrimin). I mbërtheu sytë me habi.
10. bised. E mbush plot. E mbërtheu shtëpinë me të mira.
✱Sin.: kap, kopsit, qep, përtheksoj, karfos, ngallmoj, montoj, var, vendos, ngjesh, zë, citos, ngul, gozhdoj, qapoj, përlaj, kapërthen, zatet, pllakos, përfshij, pushton, zapton, mbreh, përqendroj, ngjesh, ngushtoj.
♦ E mbërtheu (e zuri, e kapi) për *fyti (dikë). E mbërtheu (e kyçi, e mbylli, e qepi) *gojën (dikush). E mbërtheu me *gozhdë (diçka a dikë). E mbërtheu (e zuri, e kapi) për *gryke (dikë). E mbërthej (e mbaj, e gozhdoj) në *vend (dikë).
PATAKÁT (i, e) mb. 1. I pafuqi, që nuk ka takat. Njeri i patakat.
2. fig. I pamundshëm; që nuk ka mundësi a mjete për të përballuar diçka.
✱Sin.: i pafuqi, i pafuqishëm, i pamundur, i pamundshëm.
SHKAS vep., SHKÁVA, SHKÁRË jokal. 1. Nuk më qëndrojnë këmbët atje ku shkel, humbas drejtpeshimin e rrëzohem. Më shkau këmba nga takat e larta. Fëmija shkau, megjithëse e mbante e ëma për dore. - Kujdes mos shket!
2. Nuk qëndron dot në një sipërfaqe të lëmuar a të rrëshqitshme; humbet ekuilibrin dhe mund të dalë nga rruga a nga drejtimi ose mund të rrëzohet, rrëshqet. Shkau mushka (gomari, kali). Shkau makina nga ngrica. Shkau shkalla. Slita shkau mbi akull.
3. Lëviz trupin mbi akull ose dëborë, bëj ski, rrëshqas. Shkas mbi akull. Shkau në pistën e skive si një sportiste.
4. vet. v. III Kalon lehtë e pa pengesa mbi ujë, mbi binarë etj. (për mjetet e transportit); lëviz lehtë. Treni shket mbi shina. Shket varka mbi liqen. Shkasin retë në qiell.
5. vet. v. III Rrjedh në mënyrë të njëtrajtshme pa u ndalur e pa pengesë; shkon poshtë duke rrjedhur; rrëshqet. Shket lumi mes fushës. Uji i malit shket nga një lartësi e madhe. Një pikë loti i shkau mbi fletore.
6. vet. v. III, fig. Ikën me shpejtësi e pa u ndier, rrjedh, rrëshqet. Shkasin vitet (ditët, javët, muajt). Shket koha.
7. kryes. v. III Shkëputem e bie tatëpjetë; ikën nga vendi e bie poshtë; më ikën, më shpëton nga duart. Shkau në një humnerë. Shkau një ortek nga mali. Shkau nga muri (nga pema, nga çatia). Më shkau lapsi. I shkau telefoni nga dora. I shkau këpuca nga këmba. I shkau mushamaja nga supet. I shkau nga duart si ngjalë.
8. vet. v. III Shkëputet nga vendi dhe ulet poshtë, shembet pak nga pak ose përnjëherë, rrëshqet. Tokë (dhe) që shket. Shket vendi atje. Ka shkarë trualli.
9. vet. v. III Zbret pak më poshtë nga vendi i vet, varet. I shkanë syzet. I ka shkarë fundi.
10. Iki fshehurazi, largohem pa u vënë re e pa u ndier, rrëshqas, përvidhem. Shkau përjashta. Shkau si hije.
11. fig. I shmangem dikujt a diçkaje, i dredhoj, i rrëshqas, i bëj bisht. I shkau përgjigjes dhe nuk dha asnjë zgjidhje. U shkau pyetjeve me zgjuarsi. U shkau detyrimeve. Shket nga fjala vazhdimisht ai djalë.
12. vet. v. III, fig. Kalon lehtë e shpejt mbi diçka; endet andej-këtej e shkon e bie mbi dikë a mbi diçka. Gjarpri shkau nga shkurret në bar. Vështrimi i shkau në dysheme. Sytë i shkanë tek ajo.
13. kryes. v. III, fig. Më shpëton padashur një gabim; them padashur diçka që nuk duhej thënë; më shpëton. Më shkau goja (gjuha). I shkau llafi. I shkau pena. I shkau dora e i hodhi gjellës shumë yndyrë. I kanë shkarë disa gabime drejtshkrimore. - Si më paska shkarë kjo? - Këtu shkave!
14. Ndërpritet një shtatzëni pa dashur. I shket barra në muajin e gjashtë.
15. Dëkohem, shembem. Më shket dhjamët.
16. fig. Largohem pjesërisht ose tërësisht nga një grupim a një ide. Shkau nga e djathta. Shkau nga vija.
17. fig. Bie në një gjendje jo të mirë. Shkau në pesimizëm.
✱Sin.: rrëshqas, rrjedh, gaboj, humb, rrjedh, rrokullisem, rrëzohem, ikën, shkëputet, bie, shembet, vithiset, roit, fundoset, humbet, varet, përvidhem, shmangem, mënjanohem, largohem.
♦ Më shkau (më rrëshqiti) nga *duart (nga dora) (dikush a diçka). Më shpëtoi (më shkau, më rrëshqiti) *goja. Më shkau (me rrëshqiti) *gjuha. I shkau (i rrëshqiti) *këmba (dikujt). Shket (rrëshqet) si *ngjalë (dikush). I shket (i ecën) *pena (dikujt). I kanë shkarë *trutë (dikujt). I kanë shkarë *vidhat (burgjitë) (dikujt).
TAK-TÁK onom. 1. Fjalë që përdoret për të imituar tingullin, kur trokasim në derë a mbi një dërrasë; tok-tok. I ra derës tak-tak.
2. si ndajf. Duke kërcitur takat; trak-trak; trek-trek. Ecte tak-tak nëpër korridor.
3. si ndajf. (edhe tak e tak) Pa ndërprerje, në mënyrë ritmike; shpejt, fët e fët; hëngri tak e tak dhe në fund u çua e vuri rregull. Bëj punët tak-tak dhe ri pastaj.
✱Sin.: trak-trak; trek-trek, shpejt.
TAKÁT,~I m., bised. 1. Fuqi, forcë. Ka (nuk ka) takat. E la (iu pre) takati. I erdhi takati. Punonin sipas takatit. Fol sipas së drejtës, jo sipas takatit. Të riut i mungon dija, plakut takati (fuqia). (fj. u.). S’është me inat, po me takat. (fj. u.). I tha lopa kaut: di dhe unë të lëroj tokën, po nuk ma mban takati. (fj. u.).
2. Mundësi, fuqi a mjete për të bërë a për të përballuar diçka; gjendje ekonomike. E ndihmuan sipas takatit.
✱Sin.: fuqi, forcë, këllk, kërçik, mundësi.
♦ S’ia kam takatin (diçkaje) vjet. nuk e bëj dot, s’kam fuqi sa duhet për diçka; s’kam as kohë, as mundësi për të bërë diçka; s’i bëj dot ballë; s’ma mbajnë shpatullat (diçka); s’ia kam ngenë.
TÁK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Thembër këpuce, pjesa që është më e ngritur se pjesa tjetër e shuallit. Takat e këpucëve (e sandaleve). Taka të ngrëna anash. Zhurma e takave. Taka të larta (të ulëta). I ranë takat. U vuri këpucëve taka të reja.
2. Thumb i trashë prej druri a prej meshini në këpucët e futbollit. U vuri taka këpucëve. Përpoqi (përplasi) takat.
3. sport. Ndërhyrje e gabuar ose goditje me thembrën a me thumbat e këpucëve në lojën e futbollit. Ndërhyrje e rëndë me takë. E goditi me takë.
4. Pykëz për të vënë në nivel orenditë (mobiliet) e shtëpisë që nuk rrinë drejt. I vuri taka makinës larëse (frigoriferit, dollapit).
✱Sin.: thembër, pykëz, kunj, spicë, ashkël.
TEJPËRDORÍM,~I m. sh. ~E, ~ET Përdorim tej mase, përdorim i gjatë, tejpërdorje, shpërdorim. Këpucët janë grisur nga tejpërdorimi. Tejpërdorimi i kësaj fjale. Gomat (shuajt, takat) janë ngrënë nga tejpërdorimi.
✱Sin.: tejpërdorje, keqpërdorje, shpërdorje, shpërdorim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë