Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BLLACARÚAR (i, e) mb. I squllur, i zbutur. Mish i bllacaruar.
BRUMÓSUR (i, e) mb. 1. Që është brumosur, i gatuar, i ngjeshur. Miell i brumosur.
2. Që është zbrujtur, i brumëzuar. Mollë (dardhë) e brumosur.
3. fig. I përgatitur dhe i formuar mirë si njeri i zoti e me cilësi të larta; që ka përvetësuar mirë një teori, një sistem konceptesh; i kalitur, i formuar. Njeri i brumosur (teorikisht, me vullnet të fortë). Të përgatitur e të brumosur për të drejtuar. I brumosur me ide përparimtare.
✱Sin.: i gatuar, i ngjeshur, i ngjizur, i mbrujtur, i brumëzuar, i zbutur, i tutëluar, i squllur, i squllët, i përgatitur, i formuar, i kalitur.
SQÁQUR (i, e) mb. 1. I zbutur e i bërë si qull, i squllët. Mish i sqaqur. Bukë e sqaqur.
2. Që është ligështuar shumë dhe i varen mishrat, i squllur; fig. që është lodhur shumë, i rraskapitur, i këputur. Djali i sqaqur nga sëmundja dergjej në shtrat.
✱Sin.: i dobësuar, i ligur, i qullur, i zbrujtur, i flashkur,i rraskapitur, i lodhur; i rrahur.
►SQÚLL/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Lagem shumë. U squll më shumë se duhet brumi që kishin zënë. Ishin squllur thasët e miellit që kishin lënë jashtë.
2. vet. v. III Bëhet si qull. Ushqimi ishte squllur, askush nuk e futi në gojë. Makaronat u squllën e u ngjitën njëra me tjetrën.
3. Bëhem i plogët; plogështohem. U squll nga sëmundja. Ishte squllur e plogështuar nga mosha.
4. pës. e SQULL. U squllën zarzavatet që kishin harruar pa mbledhur në kopsht.
✱Sin.: zbruhet, qullohet, qulloset, qulltohet, tejpiqet, ajkoset, baltet, kalbet, brumëzohet, zbutet, ndulket, brydhet, dyllëçitet, mbrydhet, lëngësohet, mbretet, ficet, jargoset, jargëzohet, flashkem, këlbazem.
TEJPJÉKUR (i, e) mb. 1. Që pjekur më shumë nga sa duhet Tavë (bukë) e tejpjekur. Pjeshka të tejpjekura. Fiq të tejpjekur. Gjethet e tejpjekura të duhanit. Drithërat, pasi tejpiqen, nisin e bien përdhe.
2. Që është bërë i squllët a shumë i butë nga tejpjekja; i squllur, i squllët. Shalqi (pjepër) i tejpjekur. Kumbulla të tejpjekura. Pemë (fruta) të tejpjekura.
✱Sin.: i thekarisur, i squllur, i squllët.
ZBRÚJTUR (i, e) mb. 1. Që është bërë i butë si brumë, duke u përzier me ujë a me një lëng tjetër e duke u ngjeshur ose duke qëndruar në kushte të caktuara; që është zbutur, i zbutur, i ndulkët. I zbrujtur nga zierja. I zbrujtur me ujë. Tokë (kore) e zbrujtur. Farë e zbrujtur. Dardhë e zbrujtur. Me duar të zbrujtura. - Mos përto, djalo, / Hiqe që atje, / Se nuk ke ç'e do të zbrujtur. (folk.).
2. fig. I vrarë nga diçka; i butë, i dobët, i ligështuar. Me fytyrë të zbrujtur. Me zë të zbrujtur. Gjendje e zbrujtur. Të gjithë e kishin vënë re si dukej i zbrujtur.
✱Sin.: i brumëzuar, i butë, i zbutur, i dyllëçitur, i bryllët, i ndulkët, i zbrumur, i squllur, i baltur, i brumtë, i mbrydhët, i ligështuar, i dobësuar.
ZGËRLÁQUR (i, e) mb. 1. Që është zgëlaqur, që është shtypur fare e është bërë i squllët; i flashkët. Fiq të zgërlaqur. Të zgërlaqur nga të nxehtit. Ngjalë e zgërlaqur.
2. fig. Që i janë prerë fuqitë, që është lodhur e këputur fare; që e ka lëshuar krejt veten, i flashkët (kryesisht nga lodhja). Të zgërlaqur nga vapa. I kam krahët të zgërlaqur. Të dembelosur e të zgërlaqur. Hasi do tipa të zgërlaqun. Horr i zgërlaqur e i krisur. Gjatë rrugës u ndie kaq i mërzitur dhe i zgërlaqur. Nuk rrihet brenda i zgërlaqur gjithë ditën e ditës.
✱Sin.: i rraskapitur, i zgajtur, i shkrehur, i shkrodhët, i shkrodhur, i zbutur, i squllur, i qullët, qullash, i shtypur, i sqaqur, i shkokërdhuar, i shkordhët.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë