Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PAPAGÁ/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JTË 1. zool. (lat. Psittacus) Zog i vendeve të nxehta me sqep të verdhë, të gjatë e të kthyer nga poshtë, me pupla shumëngjyrëshe, që ka aftësi të shqiptojë fjalë duke imituar njeriun. Papagall i gjelbër (i kuq). Pendë papagalli. Zë papagalli. Mëson si papagall mëson përmendesh, në mënyrë mekanike. E përsërit si papagall.
2. Pjesë e parë e emërtimeve për disa lloje papagajsh: Papagalli ballëbardhë (lat. Amazona albifrons). Papagalli ballëkuq (lat. Poicephalus gulielmi, Ara rubrogenysa). Papagalli ballëverdhë (lat. Poicephalus flavifrons). Papagalli bishtgjatë (lat. Cyanoramphus). Papagalli bishtkuq (lat. Amazona brasiliensis). Papagalli bishtshkurtër (lat. Graydidaschus brachyurus). Papagalli çafkëkuq (lat. Purpureicephalus spurius). Papagalli çafkëmurrmë (lat. Pionopsitta haematotis). Papagalli i gjelbëremë (lat. Anodorhynchus glaucus). Papagalli i hirtë (lat. Psittacus erithacus). Papagalli me kaçule (lat. Melopsittacus undulatus). Papagalli këngëtar (lat. Geoffroyus heteroditus). Papagalli kokëbardhë (lat. Amazona leucocephala). Papagalli kokëkaltër (lat. Pionus menstruus). Papagalli kokëverdhë (lat. Amazona oratrix). Papagalli kokëzi (lat. Pionites melanocephala). Papagalli krahëkaltër (lat. Neophema chrysostoma; Ara macarana). Papagalli krahëkuq (lat. Aprosmictus erythropterus). Papagalli krahëpraruar (lat. Brotogeris chrysopterus). Papagalli krahëzi (lat. Agapornis taranta, Halopsittaca melanolis). Papagalli me kreshtë (lat. Nymphicus hollandicus). Papagalli larosh (lat. Gypopsitta vulturina). Papagalli i parajsës (lat. Psephotopus pulcherrimus). Papagalli perandorak (lat. Amazona impcrialis). Papagalli qafëkuq (lat. Amazona arausiaca). Papagalli qafëzi (lat. Agapornis svindernianus).Papagalli sqepkuq (lat. Pionus sordidus). Papagalli sqepmadh (lat. Tanygnathus megalorhynchus). Papagalli sqeptrashë (lat. Rhynchopsil ta pachyrhyncha). Papagalli sqepverdhë (lat. Amazona collaria). Papagalli xhuxh (lat. Micropsitta pusio). Papagalli i ylbertë (lat. Trichoglossus haematodus). Papagalli i zi (lat. Coracopsis nigra). Papagalli i zymbylit (lat. Anodorhynchus hyacinthus).
3. fig., mospërf. Ai që flet a përsërit në mënyrë mekanike fjalët e një tjetri, pa u thelluar në ato që thotë.
4. fig. Ai që është kthyer në një vegël qorre të dikujt.
5. tek. Mjet pune që ka formën e sqepit të papagallit. Çelës papagall (tek.).
PIKTH,~I m. sh. ~A, ~AT zool. 1. Qukapik.
2. Pjesë e parë e emërtimeve për disa lloje pikthash: Pikthi gushëbardhë (lat. Piculus leucolaernus). Pikthi gushëverdhë (lat. (lat. Picuius flavigula). Pikthi krahëkuq (lat. Piculus simplex). Pikthi i luleve (lat. Dicaeum cruentatum). Pikthi barkverdhë i luleve (lat. Dicaeum chrysorrheum). Pikthi gushëbardhë i luleve (lat. Dicaeum vincens). Pikthi gjoksverdhë i luleve (lat. Prionochilus maculatus). Pikthi kërbishteverdhë i luleve (lat. Prionochilus xanthopygius). Pikthi sqeptrashë i luleve (lat. Dicaeum agile). Pikthi i qeve (lat. Buphagus). Pikthi sqepkuq i qeve (lat. Buphagus erythrorhynchus). Pikthi sqepverdhë i qeve (lat. Buphagus africanus). Pikthi i thneglave (lat. Parmoptila woodhousei). Pikthi i verdhë qukapiku i përhimë. Pikthi i veshtullës (lat. Dicaeuni hirundinaceum) zogu i veshtullës.
PÍT/E,~JAIII f. sh. ~E, ~ET zool. 1. (lat. Pitta granatina) Zog me trup vogël, sqeptrashë, bishtshkurtër, që ushqehet kryesisht me milingona, brumbuj druri, buburreca dhe brumbuj.
2. Pjesë e parë e emërtimeve për disa lloje zogjsh të tillë: Pitja barkkuqe (lat. Pitta erythrogaster). Pitja e kadifenjtë (lat. Philepitta castanea). Pitja e kaltër (lat. Pitta cyanea). Pitja kokëzezë (lat. Pitta sordida novaeguineae, Pitta sordida cucullata).
PËLLÚMB,~I m. sh. ~A, ~AT zool. (lat. Columbidae) 1. Shpend i butë a i egër me krahë të shkurtër, me pendë të bardha ose ngjyrë hiri në të kaltër, me gushë pak të dalë dhe me pupla në këmbë, që mund të bëjë fluturime të gjata dhe që mbahet si simbol i butësisë, i pastërtisë, i bukurisë dhe i paqes. Pëllumb i butë. Pëllumb i egër. Pëllumb poste. Çift pëllumbash. Gugatje pëllumbash. Kafaz pëllumbash. Mish pëllumbi. Vezë pëllumbi. Gjuetar i pëllumbave. I butë (i bukur, i urtë) si pëllumb. Si pëllumb i shkruar shumë i bukur. Peshk pëllumb (zool.). Nuk bëhet sorra pëllumb. (fj. u.). Në kuvlinë e vogël gjen pëllumbin e madh. (fj. u.).
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje pëllumbash: Pëllumbi bishtunazë (lat. Columba caribaea). Pëllumbi borizan (lat. Streptopelia decaocto) shpend si kumria, me shirit bardhezi në qafë, me pupla të kuqe të çelët në të verdhë. Pëllumbi i dafinës (lat. Columba junoniae). Pëllumbi i dëborës (lat. Columba leuconota). Pëllumbi i egër (lat. Columba oenas L.) Pëllumbi më i përhapur në botë, me pupla të përhime në kafe, me qafë dhe gushë me ngjyrë të gjelbër me shkëlqim. Pëllumbi i egër i shkëmbit (lat. Columba livia) pëllumb me pendë ngjyrë hiri të çelët. Pëllumbi guhak (gugash) (lat. Columba palumbus L.) pëllumb i egër shtegtar me trupin ngjyrë hiri në të kaltër, me kokë e gjoks të kuq në të kaltër dhe krahë të larmë, guhaku. Pëllumb këmbëlesh pëllumb me pupla të mëdha e të dendura në këmbë. Pëllumb kaçulor pëllumb me kaçule. Pëllumbi këmbëverdhë (lat. Columba pallidiceps). Pëllumbi i kodrave (lat. Columba rupestris). Pëllumbi kokëbardhë (lat. Columba leucomela). Pëllumbi krahëbardhë (lat. Zenaida asiatica). Pëllumbi me kurorë (lat. Goura cristata). Pëllumbi kurrizkafe (lat. Leptolila battyi). Pëllumbi bishtgjatë (lat. Gymnophaps mada). Pëllumbi i pyllit (lat. Columba oenas L.) pëllumb i egër. Pëllumbi qafëbardhë (lat. Columba fasciala albilinea). Pëllumbi sqepkuq (lat. Coluniba flavirostris). Pëllumbi sqepshkurtër (lat. Columba nigrirostris). Pëllumbi sqeptrashë (lat. Gallicolumba salamonis). Pëllumbi sykuq (lat. Streptopelia semitorquata). Pëllumbi i tokës (lat. Columbina passerine). Pëllumbi vajtues (lat. Zenaida macrorura).
3. fig., përk. Fëmijë a djalë i vogël, i bukur dhe i dashur. Pëllumbi i nënës! Fli, mor pëllumb!
4. fig., iron., shaka. Përdoret kur i drejtohemi dikujt me një qortim të lehtë etj. Ku ishe, mor pëllumb? Na erdhi ky pëllumbi!
5. fig. Cjap me qimen në ngjyrën e pendëve të pëllumbit të egër. E prin kopenë pëllumbi.
✱Sin.: vidan, gugash, vidan, gogesh, guhak, fëmijë, vogëlush.
♦ Kur të bëhet sorra pëllumb kurrë, asnjëherë; kur të bëhet grerëza bletë; kur të bëhet laraska bilbil; kur të bëhen lendet lajthi; kur të bëjë qarri arra. Pëllumb i shkruar poet. fëmijë shumë i bukur *Vend pëllumbash.
QÝQ/E,~JAI f. sh. ~E, ~ET 1. zool. Zog shtegtar me pendë ngjyrë hiri në të zezë, që këndon me zë të përvajshëm dhe nuk bën fole, por i lëshon vezët në çerdhet e zogjve të tjerë. Zëri i qyqes. Kënga e qyqes.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që shënojnë lloje të ndryshme të zogjve. Qyqe barkgështenjë. Qyqe barkzezë. Qyqe bishterashkë. Qyqe bishtgjatë. Qyqe e hardhucës së madhe. Qyqe e murrme. Qyqe e tokës. Qyqe e varreve. Qyqe e vogël. Qyqe e zezë. Qyqe gjeraqinë e veriut. Qyqe gjoksgështenjë. Qyqe gjokskuqe. Qyqe kokëgështenjë. Qyqe manushaqe. Qyqe me çafkë. Qyqe pikaloshe. Qyqe sqepgjatë. Qyqe sqeptrashë. Qyqe sqepverdhë. Qyqe sqepzezë. Qyqe vajtuese. Qyqe veshzezë. Qyqe vijëzake.
3. fig. Grua që ka mbetur fill e vetme, pa burrë e pa fëmijë; fatkeqe; grua fatkeqe; e mjerë. Qyqe e vetme. Rri brenda si qyqe. I vjen keq për atë qyqe. Mbetsh qyqe! (mallk.) U bëfsh qyqe! (mallk.) mbetsh pa njeri!
✱Sin.: zog, fatkeqe, e mjerë.
♦ U bë qyqe (dikush). 1. shih u bë tapë (dikush). 2. shih është bërë kockë e lëkurë (dikush). Më sa dëgjohet qyqja në dimër nuk flet fare dikush; nuk ndihet fare; e kyçi gojën (dikush). Mos e dëgjofsh qyqen (këngën e qyqes)! mallk. vdeksh! (Është) qyqe në degë (dikush) është njeri shumë i zoti, ia del çdo pune e vështirësie; është i zgjuar e i aftë, nuk ia hedh dot; s’ia ha qeni shkopin (dikujt); (është) për t’i qitur (për t’i nxjerrë) sytë. (E kam) si qyqja verën. 1. (dikë). E kam të shtrenjtë e të dëshirueshëm; e pres i përvëluar nga malli ose i përkushtohem me shpirt. 2. (diçka). E kam si gjë të rrallë dhe e përdor me kursim të madh e me frikë se mos më mbarohet, mezi e gjej dhe e ruaj me kujdes; (e mbaj) si ujët e pakët. Të këndoftë qyqja! mallk. të gjettë ndonjë gjë e keqe, u shofsh! Këndon qyqja (për dikë). 1. E pret e zeza (përdoret si kërcënim për dikë). 2. Nuk kujdeset askush për dikë, e kanë braktisur të gjithë, nuk e përfill më asnjeri; është krejt i vetmuar. I ka kënduar qyqja (dikujt a diçkaje) nuk vjen më dikush, nuk kthehet më; nuk përsëritet më diçka, ka mbaruar; i ka ikur koha qëkur; i ka vdekur nëna (diçkaje). S’këndon më ajo qyqe iron. iku ajo kohë, s’kthehet më ajo që ke pasur a që kërkon; i ka vdekur nëna (diçkaje); s’ka më qofte te daja. I këndon qyqja mbi çati (dikujt) i ka mbetur shkretë shtëpia, i kanë vdekur njerëzit e afërm; mbeti pa njeri; iu shua shtëpia; iu mbyll dera; iu shua pragu; iu shkulën caranjtë e vatrës. I ka kënduar qyqja në derë (dikujt) i kanë rënë shumë fatkeqësi në shtëpi dhe ka mbetur fill i vetëm, s’i është ndarë e keqja. Kur të këndojë qyqja e kuqe (nga bishti) iron. shih kur të pjellë mushka iron. (Që) në *kohën e qyqes tall. (Mbeti) si *kënga e qyqes iron. Mbeta qyqe mbeta fill vetëm, pa fëmijë e pa farefis, më kanë vdekur a më kanë ikur të gjithë (në ligjërimin e grave); mbeta kërcure (në ligjërimin e grave); mbeta kalli; mbeta fishek *Rrush e qyqe (dikush). Qyqe nga mendja shih i trashë nga mendja (nga trutë, nga koka). Si qyqja në rremb fill i vetëm, i shkretë a i braktisur; hu pa thupra mospërf.; si baloja në verigë keq.; caran vatre. S’e vret qyqen (shumë) (dikush) iron. nuk punon, është dembel, e merr jetën si të vijë; nuk e vë ujin në zjarr; s’e vret mendjen; s’e bën qejfin qeder. Si *zogjtë e qyqes (e korbit).
ZO/G,~GU m. sh. ~GJ, ~GJTË 1. zool. Kafshë e vogël kërbishtore, me trupin të mbuluar me pupla, me sqep të brirtë, me dy këmbë dhe me krahë për fluturim, që shumëzohet me anë të vezëve; emër i përgjithshëm për shpendët e vegjël si trumcaku, dallëndyshja, bilbili etj.. Zog i bukur. Zogjtë shtegtarë. Zog këngëtar. U përngjajnë zogjve të egër. Vezë zogu. Fole zogjsh. Tufë zogjsh. Cicërimat e zogjve. Libër për zogjtë. Zë zogj. Vrau një zog. Si zogjtë në pyll. Zogu në kafaz këndon për maraz. (fj. u.). Një zog në dorë vlen sa për dy në drizë. (fj. u.). Çdo zog kërkon folenë e vet. (fj. u.). Zogu, ngado që të vejë, prapë kthehet në folenë e tij. (fj. u.). Kush ka frikë nga zogjtë, le të mos mbjellë. (fj. u.). Duket zogu që në vezë. (fj. u.). Nuk çelin zogj të gjitha vezët. (fj. u.). Kërko pula zogjtë e zogjtë i ka ndër këmbë. (fj. u.).
2. zool. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për llojet e këtij shpendi. Zog bari (lat. Serinus) zog i vogël bojëbari. Zog blete (lat. Merops apiaster) zog sa mëllenja, me pendë të gjelbra, që rron brigjeve të lumenjve dhe ushqehet kryesisht me bletë. Zog bore (lat. Fringila coeleps) borës, zborak. Zogu çaush (lat. Alauda cristata; Galerida cristata) zog arash ngjyra-ngjyra, me sqep të kthyer e me kaçul mbi kokë. Zogu dervish (lat. Alauda cristata; Galerida cristata) çafkëlore. Zog dimri (lat. Fringila coelebs) zog bore. Zog drite bilbil. Zogu i dhenve (lat. Motacilla alba) bishtatundës. Zog ferre (lat. Troglodytes troglodytes) zog i vogël i rendit të harabelave, me ngjyrë të murrme, që rron në gjerdhe e ferra, cinxami. Zog fiku (lat. Oriolus oriolus) zog shtegtar i harabelorëve, me pupla të verdha të ndritura dhe krahë të zinj e sqep të kuq, që ushqehet me fiq. Zog gjembi (lat. Laniidae) shpend i gjatë, me pendë të përhime, kafe ose bardhezi, që dallohet nga zakoni për ta ngulur prenë në gjemb ose diçka tjetër të mprehtë para se ta hajë. Zog i deles zogdele. Zogu i dhenve (lat. Motacilla alba) bishtatundës. Zogu kardinal (lat. Richmondena cardinalis) zog sqeptrashë, kryesisht i Amerikës Veriore e Jugore, që ushqehet me fara; mashkulli i ka puplat në ngjyrë të kuqe të ndezur, ndërsa femra të përhime. Zogu i Krishtit (lat. Galerida cristata) laureshë me kaçirubë. Zogu i natës (lat. Vespertilio) gjitar i vogël si mi, i zi, me krahë të gjerë të mbuluar me lëkurë të hollë, që fluturon natën dhe ushqehet me kandrra e pemë. Zog miu (lat. Troglodytes troglodytes) cinxami. Zogë mizë (lat. Trochilidae) kolibër. Zogu i natës lakuriqësi i natës. Zog nuseje (lat. Fringila carduelis) kryeartëz. Zog qepës (lat. Ramis pendulinus) trishtil. Zog rrëfeshku (lat. Fringila carduelis) kryeartëz. Zog shtrige (lat. Troglodytes troglodytes) cinxami. Zog vejtës zog i familjes policeideve të Afrikës dhe Azisë, që jeton në koloni, i njohur si ndërtues i çerdheve të ndërlikuara.
3. I vogli i një shpendi. Zog pule (pate, shqiponje, petriti). Zogu i dallëndyshes (i korbit). Zogj inkubatori. Rritja e zogjve. Klloçka me zogjtë. Çel zogj.
4. krahin. I vogli i një kafshe, pjella. Zog maceje. Zog gomari. Zogjtë e arushës.
5. krahin. Bir. Zog malësori. Zogu i shqiptarit.
6. anat. Muskuli i gjymtyrëve, zogthi. Zogu i krahut muskuli i llërës. Zogu i këmbës pulpa.
✱Sin.: fluturak, çuç, pjellë, këlysh, zogth.
♦ Me një *gur vret dy zogj (dikush). Gjuan një zog me top (dikush) shih e vret mizën me sëpatë (dikush). I iku (i shpëtoi) zogu nga dora (dikujt) nuk arriti ta shfrytëzonte një rast të mirë si duhej, nuk qe në gjendje të përfitonte kur pati mundësinë; s’e ka më rastin e volitshëm; kund. e ka zogun në dorë (dikush). E ka zogun në dorë (dikush) është në gjendjen më të përshtatshme për të bërë diçka a për t’u marrë me dikë, ka mundësinë më të mirë të shfrytëzojë një rast e të veprojë, është në rrethana të favorshme që të përfitojë; varet nga ai vetë të arrijë diçka; kund. i iku (i shpëtoi) zogu nga dora (dikujt). (E mbaj) si zogun majë gjembit (dikë) shih (e mbaj) në pëllëmbë të dorës (dikë). Nxjerr (çel) zogj (dikush) iron. rri për një kohë të gjatë në një vend pa bërë asnjë punë, rri kot; ngroh vezë; ngrohet (theket) në diell. Me një *të shtënë vret dy zogj (dikush). Zuri zogun (dikush) shaka. ra, u rrëzua sa gjatë gjerë; zuri lepurin shaka. Zog dallëndysheje njeri fare i brishtë e i pafuqishëm, që ka nevojë për ndihmë, për përkrahje e për kujdes të drejtpërdrejtë (për fëmijët); zog klloçke. Zog gomari shar. thjeshtligj. budalla, kërriç. Zog klloçke njeri i vogël e i dobët, që ka nevojë për ndihmë, për mbrojtje e për përkujdesje të veçantë (për fëmijët); zog dallëndysheje. Zogj pa klloçkë njerëz pa mbrojtje e pa përkujdesje; njerëz që nuk ka kush të merret me ta (kryesisht për të vegjlit jetimë). Si zogjtë e korbit (e qyqes). 1. Të shpërndarë në të katër anët, kur asnjëri nuk di ku gjendet tjetri; të përhapur andej-këtej në vende të ndryshme; si vezët e qyqes. 2. Rrugëve, pa ndihmë e pa përkrahje; pa shtëpi a në vend të huaj, ku s’e njeh e s’e mbron njeri; pa plëng e pa shtëpi (pa cak). Zog pa pupla njeri fare i pambrojtur e në mëshirën e fatit; njeri i kërthinjtë, i pafuqishëm a i dobët; njeri i papërgatitur për jetën; njeri i pafuqishëm e pa përkrahje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë