Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KRASÍT vep., ~A, ~UR kal. 1. Pres degët e tepërta dhe të thata të një peme, të cilat i marrin asaj vlerat ushqimore; spastroj dhe rregulloj kurorën e drurëve, duke prerë disa nga degët e panevojshme; kij; harr. Krasit ullinjtë (hardhinë, rrushin).
2. fig., bised. Pres e vras me armë automatike një shumicë njerëzish, kafshësh etj., duke i rrëzuar të gjithë përtokë. I krasiti me mitraloz.
✱Sin.: kij, harr, tëharr, shkadhit, rralloj.
♦ *Pret e nuk krasit (pret pa krasitur) (dikush).
LARG/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E shpie dikë larg dikujt ose diçkaje tjetër, e çoj me larg, e lëviz a e shtyj më tutje; kund. afroj. Largoj dheun (dëborën). Largoj tryezën (karriget). Largoj duart. E largoi nga vendi. E largoi më tutje.
2. E ndaj dikë prej dikujt dhe e shpie larg tij; e heq nga një vend; kund. kthej. E larguan nga fshati (nga familja). E larguan nga shkolla (nga puna). E larguan vetëm për dy ditë.
3. fig. E shkëput një njeri nga dikush tjetër, e ftoh me të, i pres lidhjet e marrëdhëniet e afërta të tij me një tjetër; e ndaj; kund. afroj. E largoi djalin nga shokët e këqij. E largoi me sjelljen (me qëndrimin) e tij.
4. vet. v. III E bën diçka të duket më larg, e zvogëlon (për thjerrëzat); kund. afron. Syze (dylbi) që largojnë.
5. Shtyj në kohë fillimin a mbarimin e një pune, e një veprimi, e një ngjarjeje, e një gjendjeje etj., zgjat kohën, e çoj më tutje; mënjanoj; kund. afroj. E larguan ditën e dasmës. E largoi rrezikun. Ia largoi gjumin. E largoi zgjidhjen e çështjes.
6. vet. v. III I bën të ndryshme dy qenie, dy gjëra etj., i ndan e i dallon; kund. afron. Tipare dalluese që i largojnë. - Ç’i largon e ç’i afron këto dy sende?
7. fig. Ia heq dikujt diçka që e mundon, e dëboj një të keqe a diçka të padëshirueshme. E largoi mërzinë (dhimbjen). Ia largoi dyshimin (frikën). Ia largoi të keqen.
8. jokal. Largohem 5,6. Largoi dita. Largojnë në disa pika.
✱Sin.: resht, veçoj, puroj, shpie, heq, dëboj, shporr, trumhas, shkul, shpërngul, zhvendos, çoj, degdis, qas, syrgjynos, rralloj, shkëpus, shqep, shqis, skajoj, përzë, spastroj, shkarkoj, shkurtoj, shmang, tanoj, mënjanoj, parandaloj, shpërndaj, prish, çart, harboj, tremb, zgjas, shtyj, zhdavaris, shuaj, davaris.
♦ E largoj (e heq) *mendjen (nga dikush a nga diçka).
PASTR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E bëj të pastër, i heq papastërtitë, i heq pluhurin, plehrat, baltën, lyrën, bojën etj. me fshesë, me furçë, me leckë të lagur, me ujë me sapun a me detergjent etj., Pastroi shtëpinë (dhomën). Pastroi rrobat (këpucët). Pastroj xhamat. Pastroj biçikletën (makinën). Pastroj dhëmbët. Pastroj me fshesë. Pastroj me ujë (me alkool).
2. tek. I heq ndryshkun diçkaje duke e fërkuar; e fshij dhe e bëj të shkëlqejë, i jap shkëlqim.
3. I heq mbeturinat a çdo gjë tjetër që e zë, e ndalon, e prish etj.; largoj gjërat që e kanë zënë dhe që të pengojnë për të kaluar, për të punuar etj. Pastroi kanalin. Pastroj çatinë nga dëbora. I pastroi rrugën. Ia pastroi tryezën..
4. vet. v. III I heq puçrrat, dregëzat ose njollat në fytyrë e në lëkurë, e qëron; ia lan organizmin nga diçka e keqe, e dëlir. Ia pastroi fytyrën.
5. vet. v. III E kthjellon, i largon retë. Era e pastroi qiellin (motin).
6. E qëroj nga lëndët e huaja, nga pluhuri etj., e bëj të kulluar a të pastër. Pastroj ujin (ajrin). Pastroj arën nga gurët (nga ferrat).
7. I heq cipën, lëkurën ose pjesë të tjera të panevojshme një sendi ushqimor përpara se ta gatuaj ose përpara se ta ha, qëroj. Pastroj peshkun. Pastroj perimet. Pastroje mollën (dardhën)!
8. E çliroj a e shpëtoj një vend duke dëbuar ose duke asgjësuar pushtuesin. Pastroi vendin nga pushtuesit.
9. Heq atë që është e huaj, e tepërt, e panevojshme ose e dëmshme; e bëj më të qartë dhe më të kuptueshme diçka. Pastroj gjuhën nga fjalët e huaja. Pastroj programet (tekstet) nga lënda e tepërt.
✱Sin.: paqoj, paqësoj, fshij, laj, spastroj, shpëlaj, dëlir, heq, marr, shkrimb, shkërmoj, çndot, qëroj, kulloj, filtroj, rafinoj, brizoj, distiloj, kthjelloj, hap, spërndris, shkëlqej, shkëlqar, shpluhuroj, qiqëroj, shkërmoj, përlaj, rruaj, kruaj, brushoj, shkund, fajkoj, zbardh, lëmoj, planoj, sheshoj, zdrukthoj, harr, tëharr, zgrathoj.
♦ Pastroje (laje) *gojën! iron. Ma pastroi *rrugën (udhën) (dikush). Ma pastroi udhën (*rrugën) (dikush).
PËR/ZË́ vep., ~ZÚRA, ~ZË́NË kal. 1. E detyroj dikë të largohet nga dhoma, nga shtëpia, nga vendi etj., e ndjek me forcë a me të keq; e nxjerr jashtë; dëboj. E përzuri nga shtëpia. Përzëre macen (qenin)! E përzuri me dhunë (me forcë, me fjalë të ashpra). I kishin përzënë nga vendi i tyre.
2. Detyroj pushtuesin me luftë të largohet nga atdheu ose nga një vend; dëboj, shporr. E përzunë armikun.
3. E largoj dikë me detyrim a me të keq nga një mbledhje, nga një veprimtari e përbashkët, nga një organizatë etj..
4. E pushoj dikë nga puna, e përjashtoj nga shkolla; dëboj. E përzunë nga shkolla (nga konvikti).
5. I jap dikujt gjënë e gjallë (dhen, dhi, lopë) për ta veruar në bjeshkë me të tijën, kundrejt një detyrimi në djathë, gjalpë etj.
6. fig. Largoj me forcë nga vetja diçka të keqe, dëboj. Përzë mendimet e këqija. E përzuri hidhërimin (mërzinë).
✱Sin.: dëboj, zboj, karmoj, ndjek, resht, gremis, arsej, gjuaj, shkreh, trumhas, turit (turis), shporr, përjashtoj, pushoj, flak, largoj, mërgoj, syrgjynos, spastroj, hedh, shkul, tres, përtret, lips, puroj, përjashtoj, shpërngul, dynd, munxos, degdis, shargoj, tremb, zhduk.
♦ Përziej *bukën etnogr. Përzien *gishtat (dikush).
SHKUL vep., ~A, ~UR kal. 1. Nxjerr me forcë ose me një lëvizje të menjëhershme një gjë që është e ngulur a e futur diku; nxjerr me gjithë rrënjë një bimë etj.; nxjerr me vrull e me forcë diçka nga vend; kund. ngul. Shkul një hu (një shtyllë). Shkul gardhin. I shkuli pendët këndesit. Shkul thinjat (qimet). Shkul gozhdët. Shkul preshtë (qepët, hudhrat). Shkul lirin. Shkul barërat e këqija (hithrat, ferrat). Shkul një dhëmb (një dhëmballë). Shkul gurë me kazmë.
2. E heq menjëherë e me forcë, e shkëput nga vendi, shqit Shkuli derën. Mezi ia shkulën nga duart. Këtu të shkul era.
3. Tërheq diçka me forcë gati sa nuk e këput. Ia shkuli veshët. I shkuli faqet. Shkulte flokët (leshrat). Ia shkuli mjekrën.
4. fig. Heq krejtësisht nga mendja a nga ndërgjegjja e dikujt një mendim ose një pikëpamje të ngulitur, një ndjenjë etj.; e bëj ta harrojë fare diçka; zhduk me rrënjë një dukuri; çrrënjos; kund. ngul. I shkulim nga rrënjët besëtytnitë e paragjykimet fetare. Nuk ia shkulën dot nga zemra (nga mendja). Mezi ia shkulën nga koka.
5. fig. E detyroj dikë të ngrihet e të ikë nga vendi ku është, e përzë, e ndjek; e marr me vete me zor ose mezi e bind të vijë me mua. I shkulëm italianët nga Vlora. I shkulëm me zjarr nga llogoret. I shkulën nga fshati (nga vatrat e tyre). Kush e shkul atë që andej? Mezi e shkula nga shtëpia.
6. fig. Ia dal t'i shkëput dikujt një gjë; e bëj që të flasë. Ia shkuli lejen me pahir. Nuk i shkulën dot asnjë fjalë.
7. fig. Largoj, heq, shkëput (vështrimin, sytë). Nuk ia shkulte sytë.
8. fig. Më lodh e më mërzit me të thirrura e me të bërtitura ose me zhurmë të vazhdueshme, më bën që të më dhembë koka etj. Më shkuli nga mendtë (nga koka). Më shkuli mendjen e kokës (kokën). Na shkulën nga veshët.
9. E bëj të qeshë fort, e gajas; më mundon, më këput. Na shkuli gazit (së qeshuri). Më shkuli kolla.
10. fig., bised. Ia marr këngës bukur a i fryj bukur një vegle muzikore, e tund. Ia shkulën këngës që ç'ke me të. A ia shkulim një herë labçe? Shkulja një herë zamares ashtu si di vetë!
✱Sin.: shqis nduk, shkëpus, cimbidh; shqyej, tërheq, çrrënjos, përshkul, spastroj, zhduk, përandis, mbëltoj, artis; shih harr, tëharr; përzë, ndjek; largoj, heq, nxjerr, zbërthej, shpërngul, gajas, rraskapit, mundon, këput; tund.
♦Ngul hunj e shkul hunj (dikush) mospërf. *Ngul shkul (dikush). Shkula *barkun. Ia shkul (ia nxjerr) me *darë (dikujt). I shkuli *dhëmbët (dhëmballët) (dikujt). Shkul (çjerr) *faqet (dikush). Më shkuli (më këputi) *ijet (dikush) iron. Ia shkuli nga *koka (diçka). Na shkuli nga *mendtë (dikush). Ia shkuli nga *mendja (diçka). Na shkuli *mendjen e kokës (dikush). E shkul nga *rrënjët (me rrënjë) (dikë a diçka). I shkuli (i hoqi) *veshin (veshët) (dikujt). Të shkul *vetullat e të ha petullat (dikush) iron. E shkul nga *zemra (dikë a diçka). Më shkuli *zemrën (dikush). Më shkuli (më nxori) *zorrët (dikush a diçka) keq.
SPASTRÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprim kur spastroj a spastrohem; heqje e papastërtive dhe mbeturinave. Spastrim rrënjësor.
2. Dëbim i forcave të armikut nga trojet e një vendi. Operacion spastrimi. Spastrimi i kundërshtarëve politikë në regjimet diktatoriale. Spastrimi i çdo gjëje të vjetër.
3. fig. Zhdukje e qëndrimeve dhe mendësive që pengojnë përparimin. Spastrim dhe kthjellim shpirtëror.
4. fig. Largim i dikujt nga një detyrë a post. Spastrimi i administratës nga të paaftët.
5. fig. Largim me dhunë i dikujt nga trojet e veta. Spastrim etnik.
✱Sin.: çrrënjosje, zhdukje, pastrim.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë