Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABSTRAKSIONÍST,~E mb., art. Që ka të bëjë me abstraksionizmin, që lidhet me abstraksionin; që ndjek e zbaton abstraksionizmin; që bëhet sipas kërkesave të abstraksionizmit. Arti abstraksionist. Rryma abstraksioniste. Vepër (pikturë) abstraksioniste. Artistë abstraksionistë. Piktor (skulptor) abstraksionist. Kompozitor abstraksionist. Filozof abstraksionist. Stil abstraksionist. Qasje abstraksioniste.
ANTIPRODUKTÍV,~E mb. 1. Që nuk është produktiv; që pengon prodhimin e diçkaje; që pengon zhvillimin ekonomik; joprodhues, joprodhimtar, jopjellor, jofitimprurës; kundërproduktiv; kund. produktiv. Fabrikë antiproduktive. Sektor antiproduktiv. Hidrocentral antiproduktiv. Ekonomi antiproduktive.
2. Që nuk përmbush qëllimet dhe pritshmëritë. Politikë antiproduktive. Strategji antiproduktive. Investime antiproduktive. Tokë antiproduktive. Burime antiproduktive. Vende antiproduktive. Kushte antiproduktive. Klimë antiproduktive.
3. gjuh. Që nuk mund të krijojë fjalë të reja, që s’jep formime të reja. Temë antiproduktive. Fjalë antiproduktive.
4. fig. Që nuk përmbush pritshmëritë në krijimtarinë shkencore e artistike. Artist antiproduktiv. Shkrimtar antiproduktiv. Skulptor antiproduktiv.
✱Sin.: kundërprodhues, kundërproduktiv, joprodhues, joprodhimtar, jofitimprurës, jopjellor.
AUTOPORTRÉT,~I m. sh. ~E, ~ET art. Portret që një artist (piktor, skulptor, shkrimtar etj.) krijon për veten, duke qenë vetë subjekti i veprës së artit. Autoportreti i piktorit. Autoportret fotografik. Bëj (punoj) një autoportret. Autoportreti i Rembrantit.
ME parafj. Përdoret me një emër ose me një përemër në rasën kallëzore për të treguar:
1. Praninë e dy a më shumë vetave a sendeve së bashku në një vend, qenien e tyre së bashku në një gjendje të caktuar ose pjesëmarrjen e tyre të përbashkët në një veprim; shoqërimin e dikujt a të diçkaje nga dikush a diçka tjetër kur ndodhet në një gjendje të caktuar ose kur kryen një veprim. Motra me vëllanë janë në një klasë. Rri gjithnjë me të. Jetonte me fëmijët. Është i një mendjeje me shokët. Luan me shokët e klasës. Shkon mirë me të gjithë. Foli (bisedoi) me miqtë. U takua me miqtë. U zu (u pajtua) me të tjerët. Marrin e japin me njëri-tjetrin. E mori me vete. Doli shëtitje me prindërit. Eja me mua! E shoqërojnë mishin me perime. Ra me zhurmë të madhe.
2. Përfshirjen e një grupi a bashkësie njerëzish, kafshësh a sendesh (duke mos u përsëritur parafjala ‘me’ para emrit të dytë të togut të lidhur me lidhur me lidhëzën ‘e’). Me të mëdhenj e të vegjël të gjithë, të mëdhenj dhe të vegjël. Me Shqipëri e Kosovë të gjithë banorët e Shqipërisë dhe të Kosovës. I mblodhi me rraqe e bagëti dhe iku.
3. Afrinë a takimin në hapësirë ose lidhjen e dikujt a të diçkaje me dikë a me diçka tjetër. Kufizohet me det. Janë fqinjë me mua. Është i rrethuar me male të larta. E shkrijnë bakrin me kallajin. Fëmijët janë të lidhur ngushtë me prindërit. U fejua (u martua) me një djalë (me një vajzë) të mirë. U përqafua me të.
4. Praninë e një pjese a të një shtese ose qenien e një tipari të jashtëm a të brendshëm, e një vetie a cilësie te dikush a te diçka. Shtëpi me oborr (me ballkon). Këpucë me qafa. Opinga me xhufka. Drapër me dhëmbëza. Plak me flokë të thinjur. Vajzë me gërsheta. Fletore me vija (me katrorë). Yll me bisht. Lopë me balë në ballë. Djalë me vullnet (me talent). Burrë me mend. Skulptor me duar të arta. Njeri me zemër të gjerë. Kalë me huqe. Dokument me vlerë. Punë me rëndësi.
5. Lëndën a diçka tjetër, me të cilën është bërë, është mbushur a është lyer diçka ose është mbështjellë, veshur a mbuluar dikush a diçka. Mur me tulla. Tavan me dërrasa. Akullore me qumësht (me lëng frutash). Tufë me lule. Gjellë me mish. Byrek me djathë. Lakror me lakra të egra. Çaj me limon. Dyshek me pambuk (me lesh). Shportë me fiq. Qyp me mjaltë. Gropë me ujë. Ara me misër (me grurë). Një koshere me bletë. Bukë me gjalpë. E mbështolli me letër. E mbuloi me tjegulla (me kashtë). E shtroi me dërrasa (me tapet, me qilim). E leu me bojë (me gëlqere, me baltë). U mbulua me borë. U zu qielli me re. U vesh mali me gjelbërim.
6. Një dukuri, gjendje a tipar, që shoqëron një veprim dhe përcakton mënyrën si bëhet ose si shfaqet diçka, si vepron dikush etj. E priti me kënaqësi (me gëzim, me padurim, me dyshim, me gjakftohtësi, me mirënjohje). E merrte me të mirë. E donte me gjithë shpirt. Bërtiti me sa kishte në kokë bërtiti me të gjitha forcat. I merr punët me gjithë mend (me të qeshur). Punon me kujdes (me mend në kokë). Lexon me vëmendje. Flet me zjarr. Doli me kokë jashtë. Iku me të katra (me zemër të thyer). Hyri me vrap (me të shpejtë). Vijnë me radhë. E gjetën me shumë vështirësi. E arritën me përpjekje të mëdha. E ngriti me forcë. E pa me inat. Erdhi me kohë erdhi në kohën e duhur e shpejt. Shkruhet me shkronjë të madhe. Takimi u bë me dyer të mbyllura.
7. Mjetin me të cilin a nëpërmjet të cilit kryhet një veprim a një punë. E preu me thikë. E çau me sëpatë. Korrin me drapër. E punoi me kazmë (me traktor). Ha me lugë. E piu me gotë. Shkruan me laps. Iku me biçikletë. Udhëtuan me tren (me avion). E mbartën me kalë. E dërgoi mesazhin me email. E nisi letrën me postë (me një shok). Dërgoi lajm me djalin. E bleu me para. Rronte me punën (me djersën) e vet.
8. Njeriun, sendin a dukurinë, që i nënshtrohet një veprimi a gjendjeje; qenien, gjënë a çështjen me të cilën kemi të bëjmë. Ngjau një e papritur (një aksident, një fatkeqësi) me të. Ç’ndodhi më tej me djalin? Si sillet me ju? Sillet shumë mirë me ne. Ç’u bë me perimet? E ka keq me zemrën (me stomakun, me mëlçinë). S’i ka punët mirë me matematikën. Me pikë jemi mirë. U vonuan pak me të mbjellat (me korrjet). Luftojmë me vështirësitë e motit (me thatësirën, me ngricën). Do ia dalim mbanë edhe me kampionatet e tjera. U mësua me punën e re (me të ftohtët, me vapën).
9. Kufizim për dikë a për diçka, përcaktimin se nga ç’anë e shohim a e vlerësojmë atë etj. I vogël me trup, por i madh me zemër. Sheh vetëm me njërin sy. Shitej me peshë (me copë). Me shtëpi (me banesë) është në lagjen time (në Tiranë, në një shtet tjetër). Me sa thuhet (dihet)... Me sa më kujtohet...
10. Gjendjen në të cilën ndodhet ose vihet dikush a diçka. Është me leje (me pushime). Është me barrë. Ishte me ethe (me grip, me virozë). U mbulua me lavdi. E bëri me turp. E bëri me shumë vështirësi. E pa me habi. Ishte punë me rrezik të madh. Qëndroi me detyrim.
11. Shkakun ose arsyen e një veprimi a të një gjendjeje ose llojin e veprimeve që kryejmë për t’ia arritur një qëllimi. Me atë shi që ra, s’ka se si të mos rritet bari. Me ato pengesa që u dolën, s’kishin si të mos vonoheshin. Me atë mendje që ka, do ta pësojë ndonjë ditë. Me shpenzimet që bënte, do të shkatërrohej herët a vonë. Me atë sëmundje që kishte, nuk punonte dot shumë. Me atë vullnet që ka (me ato përpjekje që bën), do t’ia dalë mbanë patjetër.
12. Qëllimin a synimin e një veprimi. Erdhi me qëllime të mira (të këqija). U paraqit me kërkesa të reja. E bëri (u nis) me shpresë se do të fitonte.
13. Kohën a diçka tjetër, nga e cila nis një veprim ose së bashku me të cilën zhvillohet një veprim, shfaqet një dukuri etj. Që me ditët e para (me fëmijërinë). Vajti e u kthye me diell. U zgjua me natë. Fjeti me pulat ra për të fjetur shumë herët. E zgjati (e shtyu) me sot me nesër. Me dimrin vjen të ftohtët. Me pranverën kthehen dallëndyshet. Me përparimet e teknologjisë filloi një epokë e re. Shkoi vapa me gushtin. (fj. u.). Me pleqërinë i erdhën edhe sëmundjet. Me kohë do të kalojë. Është me moshë çdo gjë. Puna është me ditë (me orë).
14. Sasi ose masë të caktuar a të pacaktuar, të përafërt, të madhe etj. (përdoret edhe para numërorëve). Klasë me tridhjetë nxënës. Dhomë me dy dritare. Ndërtesë me shtatë kate. Shtëpi me tri ndarje. Familje me pesë veta. Punonin me qindra të rinj. Erdhën me dhjetëra punonjës. Kafe me shumë sheqer. Ka atje me okë (me thasë, me kuintalë) ka shumë.
15. Kohë, mënyrë etj., në togje që formohen nga përsëritja e një fjale ose nga dy fjalë të afërta. E prisnin dita me ditë (me sot me nesër). U ndeshën trup me trup.
16. Krahasimin e një numërori themelor, që vihet në një marrëdhënie të caktuar me një tjetër. Në përpjesëtimin dy me tre. E shumëzojmë (e pjesëtojmë) me shtatë.
17. Përdoret për të formuar lokucione lidhëzore. Me anën e dikujt a diçkaje nëpërmjet dikujt a diçkaje. Me kusht që të ndodhë a të bëhet diçka... duke u plotësuar kushti që të ndodhë a të bëhet diçka, nëse, në qoftë se. Me përjashtim të dikujt a diçkaje duke përjashtuar dikë a diçka, përveç.
MERITÚAR (i, e) mb. 1. Që është arritur me punë e me përpjekje, që i takon plotësisht, që e meriton, i meritueshëm. Fitore e merituar. Nderim i merituar. Notë e merituar. Zuri vendin e merituar. Fjalori u dha vendin e merituar fjalëve e shprehjeve popullore.
2. Që e ka marrë me të drejtë për fajin a gabimin që ka bërë; i drejtë, i meritueshëm. U ndëshkua me dënimin e merituar. Mori ndëshkimin e merituar.
3. Përdoret si pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për disa tituj nderi a dekorata për njerëz të shquar në fushën e artit, të arsimit, të sportit etj.: Artist i merituar. Skulptor (piktor) i merituar. Mësues i merituar. Mjeshtër i merituar i sportit.
4. si em. m. e f. Diçka që e meritoj. Ndër të gjitha fitoret, kjo është vërtet ajo e merituara.
5. si em. m. e f. Dikush që ka marrë titull nderi si njeri i shquar në fusë të artit, të arsimit, të sportit etj. Mbi dekoratat presidenciale dhe të merituarit që mungojnë.
♦ Zë *vendin e merituar (dikush).
✱Sin.: i meritueshëm, i drejtë.
MODÉL,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Diçka që zakonisht është punuar veçan dhe merret si shembull për të bërë edhe një tjetër ose disa të tjera si ajo; gjedhe; diçka e prodhuar rishtas në seri sipas një gjedheje të caktuar ose në një formë të re a me një ndërtim të ri. Model i ri (i vjetër, i thjeshtë) veglash pune. Modele të reja këpucësh. Modele pranverore (dimërore) të pardesyve (palltove). Modeli i fustanit (i bluzës, i raftit). Modele të përmirësuara biçikletash (automjetesh). Pushkë (armë) model i shekullit të kaluar. Modele pikture (vizatimi). Modele shkronjash. Kopjoi një model. E bëri sipas modelit.
2. Kallëp ose formë që shërben për të prodhuar sende të tjera në seri, të cilat kanë trajtë e përmasa të njëjta me të. Model prej metali (llamarine, druri, allçie, balte, kartoni). Foleja e modelit. Bëj (përgatit) një model. E derdhi në model.
3. Skema ose paraqitja e zvogëluar e një sendi a e një objekti; maket. Model makine (anijeje, aeroplani). Model ure (ndërtesë). Model fshati.
4. art. Njeri ose send, të cilin e mban përpara një piktor a një skulptor si gjedhe për të krijuar një vepër arti. E zgjodhi për model. E kishte model. Qëndrimet e modelit.
5. fig. Njeri a diçka që shquhet për cilësi të larta dhe që merret si shembull për t’u ndjekur edhe nga të tjerët; shembull. Model heroizmi (vetëmohimi, besnikërie, trimërie, vendosmërie, pune, thjeshtësie). Mësuesi është model për nxënësit. Model stinor çmimesh (ek.) seri çmimesh brenda vitit, e cila ndryshon në mënyrë pak a shumë të rregullt, si rezultat i ndikimit të stinëve në prodhim, në marketing dhe në kërkesë.
PÓPU/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JT 1. Tërësia e njerëzve që jetojnë në një vend a në një shtet; banorët e një vendi a të një krahine. Populli shqiptar. Populli ynë. Popull i madh (i vogël). Vullneti (mendimi, gjykimi) i popullit. Gjuha e popullit. Kultura (krijimtaria) e popullit.
2. Kombësi; komb. Popujt e botës (e Evropës). Pavarësia e popujve.
3. bised. Njerëzit në përgjithësi, gjindja. Popull i punëtor. Kishte shumë popull në shesh. Doli para popullit.
4. Gjymtyrë e dytë e disa emërtimeve të përbëra që shënojnë tituj nderi: “Hero i Popullit”. “Artist i Popullit”. “Skulptor i Popullit”.
✱Sin.: popullsi, popullatë, gjindja, leni, komb, kombësi, vegjëli, llauz, botë, polem, milet, turmë.
SKALÍTËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që gdhend gurin a mermerin për ndërtimin e shtëpive, për shtrimin e rrugëve etj.; gdhendës. Skalitësit e vegjël po punonin pa u ndalur. Skalitësit e gurëve ishin lodhur shumë nga dita e gjatë.
2. Ai që gdhend figura prej guri, mermeri ose druri; skulptor. Skalitësit kishin punuar për muaj me radhë mbi objektin prej mermeri.
3. fig. Ai që di të përshkruajë a të paraqesë me mjeshtëri e fuqi të veçantë tiparet thelbësore të një figure ose të një dukurie; mjeshtër në diçka. Skalitës figurash tipike. Skalitës i fjalës shqipe.
4. tek. Punëtori që skalit vizatimet në cilindrat për stampimin e pëlhurave ose për shtypshkronjën. Skalitësi i vjetër punonte me qetësi.
✱Sin.: latues, mjeshtër.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë