Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABSOLUTÍST,~E mb., libr. Që ka të bëjë me absolutizmin a që i përket absolutizmit, i absolutizmit. Sistem absolutist. Qeveritar absolutist. Ligj absolutist. Veprim absolutist. Ide absolutiste. Sundimtar absolutist. Person absolutist (filoz.). Moral absolutist (filoz.). Ra qeveria absolutiste.
ABSOLUTÍZ/ËM,~MI m., libr. Sistem a formë qeverisjeje, në të cilin pushteti është i përqendruar në duart e një individi ose të një autoriteti të vetëm, zakonisht të një mbreti ose të një perandori që qeveris ose sundon pa kufizime nga ligje, nga institucione ose nga organe të tjera qeverisëse; sundim absolut. Kundër absolutizmit. Absolutizmi i sulltanit. Rënia (rrëzimi, përmbysja) e absolutizmit.
✱Sin.: autokraci, autoritarizëm, diktaturë.
ABSORBÍM,~I m. sh. ~E, ~ET kim., fiz. Proces fiziko-kimik kur një trup i ngurtë thith a përthith plotësisht gjithë masën e lëndës e jo vetëm në sipërfaqen e tij; procesi i përthithjes ose i tërheqjes së një lënde, një energjie etj., nga një trup, nga një sistem ose nga një organizëm. Absorbimi i lëngjeve. Absorbimi i lagështisë. Absorbimi i gazrave nga një lëng. Absorbimi i nxehtësisë. Absorbimi i valëve. Ka (s’ka) aftësi absorbimi.
ADMINISTRATÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT drejt. 1. Personi që drejton ose mbikëqyr një institucion, një organizatë, një biznes ose një sistem të caktuar; përgjegjës për vendimmarrjen dhe zbatimin e rregullave administrative; punonjës me përgjegjësi i administratës. Administratori i ndërmarrjes (i fabrikës, i institutit, i spitalit etj.). Administrator i sistemit. Zyra e administratorit.
2. Nëpunës me përgjegjësi, i ngarkuar të administrojë një sipërmarrje a një pasuri dhe të kujdeset për të, që t’i sigurojë fitimet pronarit. Administrator i pronave (i pasurive). Administrator i Kompanisë. Administrator i Bankës së Shtetit. Administrator në Entin pensional.
✱Sin.: qeverisës, udhëheqës, drejtues, menaxhues, mbarështues, ndorues.
ADMINISTRÁT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT drejt. 1. Sistem ose formë e organizimit dhe e drejtimit të veprimtarive shtetërore, publike ose private që përfshin planifikimin, koordinimin, mbikëqyrjen dhe kontrollin e funksioneve të ndryshme për të siguruar që veprimet e veprimtaritë të jenë efektive; sistem i organeve shtetërore ose organet ekzekutive-urdhërdhënëse, që ushtrojnë pushtetin shtetëror në formën e kësaj veprimtarie. Administrata shtetërore. Administrata publike. Administrata private. Administrata e re (e vjetër). Administrata qendrore. Administrata komunale. Administrata gjyqësore. Organet e administratës së shtetit.
2. Njësi organizative e sektorëve të veprimtarive publike, si të ekonomisë, të shëndetësisë, të arsimit, të kulturës; organi drejtues i një njësie të tillë, së bashku me aparatin përkatës; zyrat e një ndërmarrjeje, të një biznes, të një institucioni ose të një shërbimi shtetëror; ndërtesa e këtij organi ose e këtyre zyrave; institucionet dhe shërbimet që drejtojnë dhe organizojnë politikat dhe programet qeveritare. Administrata e Kryeministrisë. Administrata e Ministrisë së Drejtësisë. Administrata e Universitetit. Administrata Akademike. Përgjegjësi i administratës. Punonjësit e administratës. Zyrat e administratës.
3. përmb. Tërësia e nëpunësve, që veprojnë në administratën shtetërore ose në institucione të tjera publike e private. Administrata e Bashkisë (komunës). Administrata e shërbimeve publike. Administrata e institucioneve shkollore. Shkurtoj administratën. Plotësoj administratën. Administratë e tejngarkuar.
4. Organet që ushtrojnë pushtetin në një krahinë ose në një vend të pushtuar dhe veprimtaria e tyre. Administrata ushtarake.
AGONÍ,~A f., mjek. 1. Gjendje e rëndë dhe e pavetëdijshme e njeriut në çastet e fundit të jetës, që shoqërohet zakonisht me grahma; të dhënët shpirt, hekë, fryma e fundit, shuarja. Agoni e rëndë. Para agonisë. Në çastet e agonisë. Në gjendje agonie. Është në agoni.
2. Frikë e vdekjes, ankth i vdekjes, dëshpërim.
3. fig. Gjendje e rëndë dhe e pashpresë e diçkaje, që është në mbarim, në shuarje; çastet e fundit të një sistemi shoqëror, të një sundimi, të një dukurie etj. Sistem (regjim, pushtet) në agoni. Përpëlitet në agoni. Buzë agonie.
✱Sin.: heqë, agon, hekë, parashuarje, paravdekje.
AGREGÁT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Bashkim i elementeve të ndryshme në një tërë; tërësi e pjesëve përbërëse të diçkaje, të lidhura ngushtë ndërmjet tyre dhe që plotësojnë njëra-tjetrën. Agregat kimik grup molekulash që qëndrojnë bashkë përmes lidhjeve të dobëta.
2. tek. Tërësi makinash të ndryshme që krijojnë një sistem të përbashkët funksional, zakonisht për shndërrimin e një forme të energjisë në tjetrën; grup veglash të një makine, që kryejnë së bashku një proces pune. Agregat elektrik (me naftë). Agregate makinerie. Agregat bujqësor. Agregat petëzimi (çimentimi). Agregat ftohës. Agregatet e kombajnës. Punëtori i agregatit. Agregate ndriçuese. Agregat rryme (gjenerator). Agregat për beton.
3. min. Bashkim i mineraleve të ndryshme në një shkëmb të vetëm. Agregatet minerare. Agregatet shkëmbore. Agregate kristalike. Agregat i vogël. Agregat i madh.
4. bujq. Lëmsh i vogël a kokrrizë dheu, që krijohet nga bashkimi i grimcave të veçanta dhe që nuk prishet në ujë. Agregat dheu.
5. inxh. Përzierje materialesh të grimcuara (zhavorr, rërë, gurë të thyer) që përdoren për të bërë beton. Agregat guri. Sasia agregatit për përgatitjen e betonit. Llojet e agregateve. Vetitë fizike-mekanike të agregatit të gurit.
6. stat. Tërësi të dhënash të ndryshme që shfaqen në një përmbledhje të përbashkët për analizë. Analiza statistike e agregateve.
7. ek. Tërësi ndryshorësh ekonomikë, financiarë etj. si kërkesë. Agregatet ekonomike. Agregatet monetare.
8. soc. Grup individësh ose elementesh që krijojnë një tërësi; bashkësi njerëzish që nuk formojnë një grup të strukturuar, por që ndajnë një hapësirë ose qëllim të përbashkët. Agregat shoqëror.
9. gjuh. Bashkësi fjalësh që lidhen në një kontekst. Agregat fjalësh. Agregat formash leksikore (morfologjike).
AJRÚES,~I m. sh. ~, ~IT Pajisje, aparat a mjet, që shërben për të bërë ajrimin e mjediseve të caktuara; sistem që mundëson qarkullimin, pastrimin ose hyrjen e ajrit në një mjedis të mbyllur; ventilator. Ajrues automatik. Ajrues dhome (banje). Ajrues dritareje. Ajrues radiatori. Ajrues për siloset e drithërave. Ajrues për sistemet termike diellore. Ajrues reaktorësh. Ajrues industrial. Ajrues rrotullues. Ajrues i padukshëm. Ajrues vere. Ajrues nëndetëseje. Ajrues miniere.
✱Sin.: ventilator, ventilues, kondicioner, kondicionues.
AJËRMÁTËS,~E mb., tek. Që shërben për të matur ajrin (për aparate, mjete). Metoda ajërmatëse. Instrument ajërmatës. Stacion ajërmatës. Sistem i sofistikuar ajërmatës.
AJËRNGJÉSHËS,~E mb., tek. Që shërben për ngjeshjen e ajrit. Sistem ajërngjeshës. Pajisje ajërngjeshëse. Kompresor ajërngjeshës. Atmosferë ajërngjeshëse (fig.).
AJËRNGRÓHËS,~E mb., tek. Që shërben për të ngrohur ajrin (për pajisje, mjete) ose që ka aftësinë për të rritur temperaturën e ajrit në një hapësirë të caktuar. Sistem ajërngrohës. Aparat ajërngrohës.
AJËRSHPËRNDÁRËS/E,~JA f. sh. ~E, ~ET bujq. 1. Pajisje ose mekanizëm që shpërndan ajrin në mënyrë të kontrolluar dhe të njëtrajtshme në një hapësirë ose në një sistem të caktuar, që ka funksion ngrohjeje, ventilimi, klimatizimi etj., si në proceset industriale, në akuakulturë etj. Ajërshpërndarës për oksigjenimin e akuariumit.
2. Pajisje druri etj., në trajtë kafazi, mbi të cilën hidhet bari i njomë për t’u tharë me rrymë ajri. Ajërshpërndarëse elektrike. Çmimi i ajërshpërndarëses.
AKÓNTO,~JA f. sh. ~, ~T 1. fin. Paradhënie, pagesë paraprake, kapar. Pagoi një akonto për shtëpinë e re. Pagova akonton prej 10 % të çmimit të përgjithshëm.
2. kontab. Regjistër që përdoret për të ndjekur të ardhurat, shpenzimet, asetet dhe detyrimet e një individi, të një ndërmarrjeje etj. Akonto për shpenzimet e fluturimit. Akonto për të udhëtimet me traget.
3. bank. Xhirollogari, konto; llogari bankare, konto rrjedhëse e kursimeve dhe e depozitave. Llojet e akontove bankare. Hap (mbyll) akonton rrjedhëse të kursimeve. Akontot e depozitave. Numri i akontos sime. Akonto bankare online.
4. inf. Llogari e një profili përdoruesi në një sistem kompjuterik ose në një platformë online. Akonto në Microsoft. Akonto në gugël (google). Akonto emaili. Akonto fejsbuku (instagrami, tik-toku etj.). Krijova një akonton time për të hyrë në platforma online.
✱Sin.: paradhënie, parapagim, parapagesë, avancë.
AKROMATÍK,~E mb., fiz., kim. I pangjyrë; që përthyen dritën e bardhë duke mos i zbërthyer ngjyrat ose përbërësit e saj, që nuk ndikon në përhapjen e dritës në bazë të ngjyrave; kund. kromatik. Sistem akromatik. Lentet akromatike (opt.). Pikturë akromatike. Fije akromatike (biol.). Objekt akromatik. Skema akromatike.
AKROMATIZÍM,~I m., fiz., kim. 1. Veprimi kur akromatizoj dhe kur akromatizohet diçka.
2. Krijim i imazheve pa skaje të ngjyrosura si veçori e sistemeve optike; proces i korrigjimit të shmangieve ose i shtrembërimeve në një sistem optik ose në imazhe a në foto; përmirësim i saktësisë optike duke shmangur shpërhapjen e ngjyrave; kund. kromatizim. Akromatizimi i një imazhi (një kompozimi) në nuanca bardhë e zi dhe gri. Foto e përpunuar me akromatizim. Akromatizimi i një tretësire kimike.
AKS,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Bosht. Aks rrotullues (në rrotat e mjetet të qarkullimit). Aksi i makinës. Aksi qendror. Aks i rrotullimit (astr.) vijë imagjinare rreth së cilës rrotullohet një trup qiellor. Aksi i planetit. Aksi i tokës. Përgjatë aksit. Rreth aksit.
2. urb. Gjatësi rruge. Aks rrugor. Segmentet e akseve rrugore. Kryqëzimet e akseve rrugore.
3. gjeom., mat. Vijë imagjinare që përshkon një objekt ose një sistem, duke shërbyer si një pikë referimi për simetrinë ose për rrotullimin. Aksi gjeometrik. Aksi horizontal. Aks i koordinatave. Aksi i simetrisë vijë që ndan një figurë në dy pjesë simetrike.
4. mjek. Boshti kurrizor. Aksi i trupit vijë imagjinare që përshkruan drejtimin kryesor të strukturës së trupit ose të një organi.
5. mjek. Akson. Çdo neuron ka vetëm një aks.
AKSIOMATÍK,~E mb. 1. filoz. Që ndërton, një sistem logjik mbi parime bazë të pranuara si të vërteta pa prova, që ka vetitë e një aksiome; që ka karakterin e një aksiome, që nuk ka nevojë për vërtetim, që pranohet si diçka e ditur ose e vetëkuptueshme. Sistem aksiomatik. Teoria aksiomatike. Parim aksiomatik. E vërtetë aksiomatike. E drejta aksiomatike. Hulumtimet aksiomatike. Marrëdhënie aksiomatike. Qasje aksiomatike. Themele aksiomatike. Në mënyrë aksiomatike.
2. logj., mat. Që përdor rregulla logjike për të nxjerrë teorema dhe përfundime. Sistem aksiomatik strukturë teorike që fillon me një grup aksiomash dhe që përdor rregulla logjike për të nxjerrë teorema dhe përfundime. Logjika aksiomatike. Funksionet aksiomatike. Premisat aksiomatike. Përkufizim aksiomatik. Gjeometria aksiomatike.
✱Sin.: parimor, themeltar, i vetëkuptueshëm, i vërtetë, i ditur, i njohur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë