Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANALÍZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Metodë studimi me të cilën e tëra zbërthehet në pjesët e veta përbërëse, me qëllim që të zbulohet ndërtimi i së tërës dhe lidhjet ndërmjet pjesëve; kund. sintezë. Analizë shkencore. Analizë financiare. Analiza dhe sinteza. Përdor analizën.
2. Shqyrtimi i një çështjeje, i një pune, i një vepre etj. duke e zbërthyer dhe duke e vështruar nga të gjitha anët e me imtësi; procesi i hetimit të hollësishëm dhe sistematik për të nxjerrë përfundime. Analiza vjetore. Analizë statistikore kompjuterike. Analiza e punës. Analiza e shkaqeve (e të metave). Analiza politike e ngjarjes. Analiza e sjelljes. I bën analizën. Marr në analizë. Analiza zbuloi dobësitë e planit. Analiza matematikore. Analiza objektive. Në analizë të fundit (libr.) pasi është shqyrtuar nga të gjitha anët, në fund të fundit.
3. spec. Zbërthimi i një lënde në elemente për të përcaktuar përbërjen e saj dhe vetitë e elementeve; zbërthimi i një figure, i një vale, i një rrezatimi etj. në elemente të veçanta. Analizë kimike. Analizë spektrale (elektrike). Analiza e gjakut (e ujit). Laborator analizash. Përfundimet e analizave. Bën analizën. Mori përgjigjen e analizave.
4. gjuh. Zbërthimi i fjalëve ose i fjalive në pjesët përbërëse për të përcaktuar vlerat e tyre gramatikore, leksikore, semantike, sintaksore etj. veç e veç. Analiza gramatikore (fonetike, morfologjike, sintaksore, leksikore, kuptimore). Analiza stilistike. Analiza logjike. Analiza gjuhësore ndihmon të kuptuarit e strukturës së fjalisë.
✱Sin.: analizim, zbërthim, shkoqitje, përimtim, shqyrtim, shoshitje, qëmtim, qëmtesë, hetim, zbulim.
NEODARVINÍZ/ËM,~MI m. Teori e evolucionit që përfaqëson një sintezë të teorisë së Çarls Darvinit për sa i përket përzgjedhjes natyrore dhe gjenetikës moderne të popullsisë; teori e re evolucioniste.
PËRGJITHËSÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur përgjithësoj ose kur përgjithësohet diçka.
2. Përfundimi i përgjithshëm që del nga shqyrtimi i sendeve dhe i dukurive të veçanta dhe nga lidhja e tipareve a e anëve të tyre të përbashkëta e më thelbësore;
3. filoz. Veprim i mendimit abstrakt me të cilin zbulohen anët dhe lidhjet e përbashkëta në një grup sendesh a dukurish, për të formuar nocionet e kategoritë, ligjet e shkencës e teoritë shkencore.
✱Sin.: përhapje, sintetizim, sintezë.
SINTETIZÚES,~E mb. 1. Që ka aftësinë të bëjë sintezë; kund. analizues. Proces sintetizues. Ka dhunti sintetizuese. Kjo kërkonte aftësi sintetizuese.
2. Që paraqet në mënyrë përgjithësuese e përmbledhtazi anët më të rëndësishme e themelore, që përgjithëson, përgjithësues. Vepër sintetizuese. Botoi një artikull sintetizues. Njihej për shkrimet e tij sintetizuese. Mënyra e krijimit të tekstit sintetizues.
SINTÉZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Metodë studimi, me të cilën anët e veçanta përmblidhen e përgjithësohen me qëllim që të vështrohen sendet dhe dukuritë si një tërësi e vetme e pandarë, me lidhje e marrëdhënie ndërmjet pjesëve të tyre përbërëse; kund. analizë. Sintezë shkencore. Metoda e sintezës. Analiza dhe sinteza.
2. Vështrimi i pjesëve e i anëve të veçanta të sendeve, të dukurive, të ngjarjeve etj. në tërësi e në mënyrë përgjithësuese, përgjithësim; vepër që i paraqet dukuritë, ngjarjet etj. në mënyrë të tillë, vepër sintetizuese. Sintezë e re e letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Si sintezë e rezultateve të arritura. Ka paraqitur një sintezë të veprimtarisë ekonomike e financiare.
3. kim. Procesi me anën e të cilit prodhohen lëndë të ndryshme kimike nga bashkimi i elementeve ose i përbërësve të tyre më të thjeshtë. Sinteza e ujit. Përgatitja e një acidi me anën e sintezës.
THÉLLË (i, e) mb. 1. Që ka largësi të madhe nga lart poshtë, duke u nisur nga sipërfaqja e tokës a e ujit; që shkon shumë poshtë sipërfaqes, që ka thellësi; që bëhet a që futet në thellësi; që e ka fundin shumë poshtë nga pjesa e sipërme ose nga buzët kur e krahasojmë me sende të tjera të njëllojta; që nuk është i nderë a i përfushtë; i futur mjaft a shumë brenda; kund. i cekët. Gropë e thellë. Hendek (pus) i thellë. Minierë e thellë. Lumë (det, liqen) i thellë. Në vende (në shtresa) të thella. Tas i thellë. Pjatë (tepsi) e thellë. Lërim (punim, shpim) i thellë. Rrënjë të thella. Me sy të thellë. Rrudha të thella. Plagë e thellë.
2. Që është larg nga kufiri, nga skaji a nga fillimi i një vendi ose larg nga bregdeti; që shtrihet larg në brendësi. Krahinat (zonat) e thella malore. Vende të thella.
3. Që mbush gjithë mushkëritë, që është i plotë; që del nga brendësia e kraharorit dhe është i ulët e i mbytur. Frymëmarrje e thellë. Zë i thellë. Rënkim i thellë. Psherëtimë e thellë.
4. fig. Që është i një kohe të largët, shumë i hershëm. Në mesjetën e thellë. Në lashtësinë e thellë.
5. E mbyllur, e errët (për ngjyrat). Blu e thellë.
6. fig. Që hyn mirë në thelbin e gjërave, i mbështetur e i arsyetuar mirë, që mbështetet në një zbërthim e në një përgjithësim të shumanshëm të gjërave; që i di me themel gjërat, i përgatitur mirë e i pjekur; kund. i cekët. Studim (shqyrtim) i thellë. Njohje e thellë. Njohuri të thella. Mendime të thella. Gjykim i thellë. Kritikë (autokritikë) e thellë. Analizë (sintezë) e thellë. Njeri (mendimtar, studiues) i thellë. Është i thellë ai.
7. fig. Shumë i madh, i theksuar; i fortë; i plotë. Përkulje e thellë. Krizë e thellë. Fitore e thellë. Kontradikta të thella. Dallime (ndryshime) të thella. Errësirë (natë) e thellë. Qetësi (heshtje) e thellë. Gjumë i thellë.
8. fig. Që arrin në një shkallë shumë të lartë, shumë i fuqishëm; që depërton në thellësi të botës së brendshme të njeriut (për ndjenjat). Ndjenjë e thellë. Dëshpërim i thellë. Keqardhje (dashuri, urrejtje, përshtypje) e thellë. Me nderim të thellë. E pata ndier thellë në shpirt rënien e shokëve. Vështrim i thellë vështrim plot kuptim, vështrim që shpreh një ndjenjë të fuqishme.
9. fig. Që mbahet i mbyllur e ruhet me kujdes pa ua treguar të tjerëve, që nuk zbulohet, që nuk duket e nuk kuptohet lehtë. E fshehtë e thellë.
✱Sin.: i ulët, i mbyllur, i errët, i mbytur, i plotë, i hershëm, i theksuar, i fortë, i fuqishëm, i rëndë.
♦ Ka *rrënjë të thella (dikush a diçka). E ka shpirtin të thellë (dikush) nuk vdes një njeri a nuk ngordh një kafshë lehtë e shpejt, është i fortë, qëndron, nuk i del shpirti menjëherë. Lë *gjurmë (të thellë) (diçka a dikush). Lë *tragë (të thellë) (dikush a diçka). *Lis me rrënjë të thella. *Pus i thellë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë