Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
HEROÍK,~E mb. 1. Që ka të bëjë me heroin; që është karakteristikë për heroin; që i përket heroit, i heroit. Shpirt heroik. Jetë heroike. Vdekje heroike.
2. Që bën vepra të larta trimërie dhe vetëmohimi, që shquhet për heroizëm; që karakterizohet nga heroizmi. Vepër heroike. Akt heroik. Popull heroik. Gratë heroike shqiptare. Qëndresë heroike. Frymë heroike. Lufta heroike. Gjesti heroik i të riut shqiptar.
3. spec. Që ka të bëjë me njerëzit e shquar në punë a në veprimtari të veçanta; i karakterizuar nga vepra heroike. Vepra heroike e Nënë Terezës është vlerësuar me çmimet dhe nderimet më të larta.
4. let., muz. Që ka të bëjë me protagonistin a personazhin kryesor në një legjendë, gojëdhënë, rrëfim, tregim, roman etj., që është i dalluar për tipare të veçanta të forcës, trimërisë dhe fisnikërisë; legjendar. Eposi heroik. Poemë heroike. Simfoni (sonatë, dramë muzikore) heroike. Eposi heroik është krijimtari e lashtë artistike, kulturore e kombit shqiptar.
✱Sin.: trim, trimëror, triumfues, fisnik, legjendar, kreshnik, titanik, vigan, fitimtar
KÓHË,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Vazhdim a kalim i pandërprerë i minutave, i orëve, i ditëve etj., pa kthim prapa; periudhë kohore që vazhdon radhazi; pjesë e ditës a e periudhës në të cilën jetojmë, punojmë, veprojmë etj. Kohë e gjatë (e shkurtër, e humbur). Kohë e lirë. Kohë e punës. Koha e pushimit (pas dite). Kohë e ngrënies vakt. Në kohët e fundit tani vonë. Në kohën e drekës (e darkës). Në kohë paqeje (lufte). Ka ndryshuar (ka ikur) ajo kohë. Kam kohë jam i lirë, kam nge. S’kam kohë. Në kohën që (kur)… ndërsa (kur)… Për sa kohë që… përderisa… Në të njëjtën kohë njëkohësisht. Koha është flori (fj. u.).
2. Periudhë e caktuar e historisë në të cilën ndodh a ka ndodhur diçka e veçantë dhe shumë e rëndësishme (një ngjarje, një dukuri etj.); epokë e gjatë historike. Koha e gurit (hist.) periudha më e hershme e historisë kur njerëzit përdornin vegla prej guri. Koha e bronzit (hist.) periudha midis pesëvjeçarit V e II para erës së re. Koha e hekurit periudhë pas kohës së bronzit. Koha e mesme (hist.) mesjeta. Koha e artë shekulli i artë.
3. filoz. Formë objektive dhe kryesore e ekzistencës së materies, që përfshin kushtet themelore të lëvizjes së saj dhe tregon se sa zgjatin njëra pas tjetrës ngjarje, dukuri të rëndësishme etj. Koha dhe hapësira.
4. Periudha e sotme në të cilën jetojmë; epoka bashkëkohore a moderne; e sotmja. Njeri i kohës. Detyrë (kërkesë, vepër, ngjarje) e kohës.
5. Periudhë e moshës së një njeriu; gjatësia e jetës së dikujt a diçkaje; jeta aq sa rron një qenie e gjallë. Koha e rinisë (e pleqërisë).
6. Afat; çast i përshtatshëm; rast. Para kohe para afatit. U bë në kohë (në kohën e duhur). Është koha të bisedojmë (të flasim). Mbaroi koha.
7. kryes. nj. Tërësia e rrethanave që mund të sjellin ndryshime a zhvillime të reja; e ardhmja. Koha do ta tregojë. T’ia lëmë kohës.
8. vet. nj. Tërësia e kushteve atmosferike ose gjendja e motit në një vend; moti. Kohë e mirë (e keqe). Kohë me shi. Kohë diellore (yjore) (astr.). Parashikimi i kohës. U prish koha u vrenjt. Koha e mirë duket që në mëngjes (fj. u.).
9. tek. Secila nga fazat e ciklit të punës së një motori a të një makine. Motor me katër kohë.
10. muz. Secila prej nënndarjeve të barabarta të masës që përcaktojnë ritmin e një kënge a të një pjese muzikore; pjesë e simfonisë, e sonatës etj. Simfoni me katër kohë.
11. gjuh. Kategori gramatikore e foljes që shpreh marrëdhënien e veprimit a të gjendjes me çastin kur flasim. Koha e kryer (e pakryer). Kohë e kryer e thjeshtë e foljes.
✱Sin.: periudhë, epokë, e sotme, bashkëkohore, afat, mot, e ardhmja, rast.
♦ *Barra e kohës libr. Ecën me *hapin e kohës (dikush a diçka). Ecën me kohën (dikush) e kupton të sotmen dhe e përkrah a e përvetëson, bën si e do e sotmja, përkrah zhvillimin dhe përparimin; është me të renë, është përparimtar; kund. e ka shkelur koha (dikë). U hap koha shaka. nisi të çelet dikush, të qeshë a të gëzohet; kund. u prish koha. S’kam kohë (nge) të marr *frymë. Nuk kam kohë të vdes shih s’kam kohë (nge) të marr frymë. (Që) në kohën e baba Qemos qysh prej shumë kohësh më parë, që në një periudhë të largët sa nuk mbahet mend mirë; (që) në kohën e Noes; (që) në kohën e qepës tall.; (që) në kohën e qyqes. Kohë e pa kohë. 1. Në një kohë të papërshtatshme; kur t’i teket; pa lajmëruar; dendur, shpesh; orë e pa kohë. 2. Edhe në mot të keq; sido që të jetë moti. Kohë më kohë (kohë pas kohe) në periudha pak a shumë të gjata e jo rregullisht; pas ca kohe; herë pas herë; kur e kur. (Që) në kohë të Noes shih (që) në kohë të baba Qemos. (Që) në kohën e qepës tall. qysh prej shumë kohësh më parë, që në një periudhë të largët sa nuk mbahet mend mirë; (që) në kohën e baba Qemos; (që) në kohën e qyqes tall. (Që) në kohën e qyqes tall. qysh prej shumë kohësh më parë, që në një periudhë të largët sa nuk mbahet mend mirë; (që) në kohën e baba Qemos; (që) në kohë e qepës tall. E lidh kohën me litar (dikush) iron. 1. Përpiqet të pengojë zhvillimin a përparimin e diçkaje, do që të ndalë në vend diçka që ecën përpara. 2. Bën marrëzira; nuk e kontrollon veten, nuk sheh se ç’bën. *Njëherë e një kohë. *Orë e pa orë. U prish koha shaka. u zymtua dikush; u trishtua, nisi të qajë a të mërzitet; u zemërua; u përzien retë; kund. u hap koha. E ka shkelur koha (dikë) nuk ka ecur përpara së bashku me të tjerët; ka mbetur prapa, nuk është me të sotmen; nuk përkrah zhvillimin e përparimin, është me të vjetrën, është prapanik; kund. ecën me kohën (dikush). Shkoj kohën (me dikë a me diçka) merrem me dikë a me diçka sa për të mos u mërzitur, nuk kam ndonjë punë të rëndësishme; rri me dikë a me diçka që më argëton. I shkoi (i kaloi) koha. 1. (dikujt) S’ka më fuqi a s’është në gjendjen më të mirë për diçka; nuk është më i kohës, i përket kohës së shkuar, është i prapambetur. 2. (dikujt a diçkaje) Është vjetruar, e ka kaluar kohën më të mirë a më të përshtatshme për diçka; nuk është më e përshtatshme diçka, nuk përdoret më. Vret kohën (dikush) rri pa punë ose bën diçka pa vlerë, e harxhon kohën kot; e shtyn ditën me zor.
ORKÉST/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT muz. 1. Tërësia e veglave. që përdoren kur luhet një pjesë a një vepër muzikore; muzikantët që luajnë së bashku një pjesë a një vepër muzikore, duke u rënë veglave të ndryshme. Orkestra e filarmonisë (e estradës, e teatrit të operës). Vendi i orkestrës. Drejtuesi (dirigjenti) i orkestrës. Koncert për violinë dhe orkestër.
2. muz. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që lidhet me llojet e orkestrës. Orkestër frymore lloj orkestër e përbërë kryesisht nga instrumente frymore dhe instrumente të goditjes. Orkestër simfonike orkestër që interpreton vepra të mëdha muzikore, zakonisht simfoni, koncerte, uvertura apo pjesë të tjera të ndërlikuara të muzikës klasike. Orkestër e harqeve orkestër e përbërë vetëm nga instrumente harqesh si viola, violonçeli, violina, kontrabasi dhe interpreton muzikë duke përdorur vetëm këto instrumente. Orkestër dhome orkestër e vogël, zakonisht me instrumente klasike, që interpreton muzikë në një mjedis më të vogël dhe më intim sesa orkestrat e tjera.
SIMFONÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. muz. Vepër e madhe muzikore për orkestër, e përbërë prej tri a katër pjesësh që quhen kohë. Simfonia e parë shqiptare. Në kohën e parë të simfonisë. Do të luajnë simfoninë e nëntë të Bethovenit.
2. fig., libr. Ndërthurje e rregullt dhe e këndshme e shumë tingujve, ngjyrave etj., që krijojnë një tërësi të harmonishme. Tabloja ka një simfoni ngjyrash.
SIMFONÍK,~E mb. 1. Që ka të bëjë me simfoninë; që ka natyrën e simfonisë ose të muzikës klasike, të caktuar për t'u luajtur nga një orkestër e madhe me harqe, me vegla fryme dhe me goditje. Muzikë simfonike. Shoh një koncert simfonik. Valle simfonike. Kjo është një poemë simfonike.
2. Që ka përbërjen e nevojshme për të luajtur muzikë klasike e simfoni (për orkestrën). Orkestra simfonike e radiotelevizionit.
►TEJMISHËR/ÓHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR vet. v. III 1. vetv. Shndërrohet, kthehet. U tejmishërua në Bethoven dhe luajti këtë simfoni.
2. fet., vetv. Merr trajtë tjetër. Buka u tejmishërua në mish të Krishtit dhe vera në gjak.
3. pës. e TEJMISHËRÓJ.
TEJSHKR/ÚAJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. gjuh. Kthej në shkrimin e sotëm një tekst të shkruar me shkronja e me shenja që ndryshojnë nga sistemi i sotëm i shkrimit; transkriptoj. Tejshkroi «Mesharin» e Gjon Buzukut. Tejshkruaj një tekst (një dorëshkrim).
2. Riprodhoj një fjalë, një tekst me ndihmën e një alfabeti tjetër; shkruaj fjalët siç shqiptohen. Tejshkruaj një fjalë kineze me shkronja latine. Tejshkruaj një mesazh të koduar e zbërthej, e bëj të kuptueshëm.
3. gjuh. Shënoj tingujt e të folurit me të gjitha dallimet e holla të shqiptimit, duke përdorur disa shenja të veçanta. Tejshkroi disa fjalë të dialektit gegë.
4. Kopjoj besnikërisht një shkrim; riprodhoj, rikopjoj, sjell me besnikëri diçka të shkruar më parë. Tejshkruaj një raport.
5. muz. Ndryshoj a përshtat për një vegël a për një zë tjetër një vepër muzikore, që është shkruar për një vegël a për një zë të caktuar; rregulloj, përshtat. Tejshkroi një simfoni.
✱Sin.: transkriptoj, riprodhoj, kopjoj, rikopjoj, rregulloj, përshtat.
TEJSHKRÚAR (i, e) mb. Që është tejshkruar, i transkriptuar. Tekst i tejshkruar. Simfoni e tejshkruar.
►TEJSHKR/ÚHET jovep., ~ÚA (u), ~ÚAR vet. v. III 1. gjuh., vetv. Kthehet në shkrimin e sotëm një tekst i shkruar me shkronja e me shenja që ndryshojnë nga sistemi i sotëm i shkrimit; transkriptohet. Ato fjalët janë tejshkruar sipas Alfabetit Fonetik Ndërkombëtar, i cili është i njohur në të gjithë botën. Tejshkruhet një dokument.
2. vetv. Riprodhohet një fjalë, një tekst me ndihmën e një alfabeti tjetër; shkruhen fjalët siç shqiptohen. Si është tejshkruar kjo fjalë?
3. gjuh., vetv. Shënohen tingujt e të folurit me të gjitha dallimet e holla të shqiptimit, duke përdorur disa shenja të veçanta. Si tejshkruhet kjo fjalë?
4. vetv. Kopjohet besnikërisht një shkrim; riprodhohet, rikopjohet, sillet me besnikëri diçka të shkruar më parë. Tejshkruhet një raport në një regjistër.
5. muz., vetv. Ndryshohet a përshtatet për një vegël a për një zë tjetër një vepër muzikore, që është shkruar për një vegël a për një zë të caktuar; rregullohet, përshtatet. Tejshkruhet një simfoni.
6. pës. e TEJSHKRÚAJ.
✱Sin.: transkriptohet, riprodhohet, kopjohet, rikopjohet, rregullohet, përshtatet.
TRANSKRIPT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. gjuh. Kthej në shkrimin e sotëm një tekst të shkruar me shkronja e me shenja që ndryshojnë nga sistemi i sotëm i shkrimit. Transkriptoi «Mesharin» e Gjon Buzukut. Transkriptoj një tekst (një dorëshkrim).
2. gjuh. Shënoj tingujt e të folurit me të gjitha dallimet e holla të shqiptimit, duke përdorur disa shenja të veçanta.
3. muz. Përshtat për një vegël a për një zë tjetër një vepër muzikore, që është shkruar për një vegël a për një zë të caktuar. Transkriptoi një simfoni.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë