Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FËSHFËRÍ/N vep., ~U, ~RË jokal., v. III 1. Bën një zhurmë të lehtë kur valëvitet a dridhet nga era ose kur fërkohet, përplaset a zvarritet mbi diçka jo të fortë; fërfërin. Natën fëshfërinin gjethet. Fëshfëriu fshesa mbi dysheme.
2. Bën një zhurmë të lehtë kur përplaset nëpër gjethe, nëpër bimë etj. (për erën). Fëshfërin era.
✱Sin.: fërfërin, fërfërit, frushullon, shushurin, shushurit.
MURMURÍT (MURMURÍS) vep., ~A, ~UR jokal. 1. Flas nëpër dhëmbë e me zë të ulët, them diçka mbyturazi; bisedoj me dikë me zë shumë të ulët; pëshpërit. Murmuriti ca fjalë (një lutje, një këngë). Murmuriti nëpër gjumë. Murmurit me vete.
2. vet. v. III Murmuron (lumi, deti etj.). Murmurit deti (lumi). Murmurit pylli. Murmuritin gjethet (ujërat). Murmurit qetë (ëmbël).
✱Sin.: mërmërit, nënërit, shushurit, fëshfërit, murmurij, murmuroj, mërmërit, gurgullon, shushuron, çuçlon.
PËSHPËRÍT vep., ~A, ~UR kal., edhe jokal. 1. I shqiptoj fjalët me zë fare të ulët sa mezi dëgjohen; i flas dikujt me zë të ulët që të dëgjojë vetëm ai. I pëshpëriti në vesh. Pëshpërit nëpër dhëmbë. Pëshpëriste fjalë të pakuptueshme.
2. fig. Flas tinëz, andej e këtej, për dikë a për diçka, merrem me thashetheme, flas vesh më vesh; hedh fjalë prapa krahëve kundër dikujt. Pëshpëritnin qosheve (skutave). Pëshpëritnin thashetheme helmuese.
3. fig. Ankohem nën zë kundër dikujt a diçkaje.
✱Sin.: çuçurit, çuçurij, murmurit (murmuris), murmurij, mërmërit, nënërit (nënëris), shushurit, pishkulloj, pishlloj, pështëllij.
♦ I pëshpërit (i fryn, i çuçurit) në *vesh (dikujt).
SHUSHURÍ/N vep., ~U, ~RË jokal. 1. Bën shushurimë; fëshfërin. Shushurin pylli. Shushurijnë gjethet. Shushurijnë pemët (pishat, plepat, shelgjet, kallamat, shkurret). Shushurin era. Shushurijnë përrenjtë. Shushurin shiu.
2. Pëshpërit, çuçurit. Shushurinin ca vajza në oborr. Shushurinin me zë të ulët. Plakat shushurinin nën zë.
✱Sin.: fëshfërin, pëshpërit, çuçurit, shushurit, çuçlon, gurgullon, gurgullin, ligjëron, murmuron, murmurin, mërmërit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë