Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GUMËZHÍTËS,~E mb. Që gumëzhin; buçitës; shurdhues. E ka zërin gumëzhitës si të gjinkallës.
✱Sin.: i zhurmshëm, zhurmues, zhuzhuritës, shurdhues, gëlues.
LÁRTË (i, e) mb. 1. Që gjendet a që ndodh në largësi të madhe nga toka ose nga një sipërfaqe tjetër; që është në hapësirën mbi tokë; që ndodh në lartësi të madhe; kund. i ulët. Re të larta. Shtresat e larta të atmosferës. Fluturim i lartë. Shkreptima të larta. Tavan i lartë. Degë të larta.
2. Që është i gjatë në drejtimin pingul, që është mbi të tjerët nga gjatësia në drejtimin pingul; që shtrihet shumë lart, që ka lartësi të madhe; i gjatë; kund. i ulët, i shkurtër. Dru (lis) i lartë. Pyll i lartë. Mur (gardh) i lartë. Shtëpi e lartë. Pallate (oxhaqe, kulla) të larta. Katet e larta. Furrë e lartë furrnaltë. Tryezë e lartë. Me shtat (me trup) të lartë. Njeriu më i lartë në botë. Mal i lartë. Me taka të larta. Këpucë të larta këpucë me taka të gjata. Rritet i lartë.
3. Që është më lart se një rrafsh tjetër ose se sipërfaqja e detit; që ndodhet në male a në krahina malore; që ka male, malor; kund. i ulët. Vend i lartë. Vende (zona, vise, toka) të larta. Kullota të larta. Liqene (këneta) të larta. Pjesa e lartë e vendit. Tomori është më i lartë se Dajti.
4. Që del mbi diçka tjetër ose më tepër se zakonisht, i dalë; i ngritur. Me ballë të lartë. Me gjoks të lartë. Me supe të larta.
5. Që ka forcë, që është në një masë të madhe a në një shkallë të ngritur; që është ose që bëhet në sasi të madhe a në numër të madh; i madh; që është a që ngrihet mbi nivelin mesatar a mbi normën e zakonshme; shumë i ngritur, shumë i mirë; shumë i zhvilluar e i përparuar; kund. i ulët. Temperaturë e lartë. Trysni e lartë. Tension i lartë. elektr. Prodhime (të korra) të larta. Prodhimtari e lartë. Rendiment i lartë. Kosto e lartë. Rroga (paga) të larta. Fitime (çmime) të larta. Ritme të larta. Cilësi e lartë. Teknikë e lartë. Zhvillim i lartë. Kalueshmëri e lartë. Notë e lartë. Mesatare e lartë. Me nivel shkencor (teorik) të lartë. Me kulturë të lartë. Me cilësi të larta morale. Me vetëdije (ndërgjegje) të lartë. Stil i lartë. gjuh. stil i cili përfshin mjete të tilla gjuhësore që i japin ligjërimit një ton të ngritur e solemn.
6. Që shquhet nga cilësia a nga rëndësia, shumë i rëndësishëm, i shquar, i nderuar. Dekoratë e lartë. Titull i lartë. Miq të lartë.
7. Që i përket shkallës më të sipërme në një shkallëzim shtetëror a shoqëror ose në një sistem arsimor; që është një shkallë më lart se diçka tjetër e një lloji me të; kund. i ulët. Organet e larta. Sferat (qarqet) e larta zyrtare. Shtresat e larta shoqërore. Nëpunës (zyrtar) i lartë. Oficer i lartë. Gjykata e lartë. Takim i nivelit të lartë. Arsimi i lartë. Studimet e larta. Shkollë e lartë. Instituti i lartë pedagogjik. Cikli i lartë i shkollës tetëvjeçare. Klasat (kurset) e larta. Kuadrot e lartë.
8. I hollë e i tingëllueshëm (për tingujt e zërat); kund. i ulët. Me zë të lartë. Tingull i lartë. Notë e lartë.
9. Që është në shkallën më të fundit të zhvillimit, i ndërlikuar; kund. i ulët. Organizma të lartë. Kafshë të larta. Bimë të larta bimë me kërcell, me rrënjë e me gjethe. Faza e lartë e zhvillimit.
10. fig. Që ka cilësi morale shumë të mira ose aftësi mendore të mëdha e dije të thella, që meriton nderim, i nderuar; që ka synime a qëllime shumë të vlefshme për shoqërinë; që ka përmbajtje të rëndësishme e të ngritur. Njeri i lartë. Qëndrim i lartë. Sjellje e lartë. Synime (qëllime) të larta. Vepër e lartë.
✱Sin.: i gjatë, malor, madhor, i ngritur, i hedhur, i madh, alamet, i zhvilluar, i përparuar, i shquar, i nderuar, hijerëndë, i hollë, i tingëllueshëm, i shtrenjtë, shurdhues, i ndërlikuar, i virtytshëm, epror.
♦ Ha *lastarë më të lartë (dikush) keq. Me *zë të lartë.
SHPËRTHÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur shpërthej diçka ose kur shpërthehet. Shpërthimi i ujërave. Shpërthimi i vrullit revolucionar. Aparati i shpërthimit të minave. Lule në shpërthim.
2. Djegie e vrullshme e lëndëve plasëse, që jep një sasi të madhe gazi e nxehtësi të lartë dhe që shkatërron me forcë mbështjelljen ose sendet përreth; plasje; zhurma e kësaj plasjeje. Shpërthim i fuqishëm (shurdhues). Shpërthim bërthamor çlirim i menjëhershëm i një energjie shumë të madhe, që merret nga ndarja ose bashkimi i bërthamave të disa elementeve kimike (si uraniumi, hidrogjeni etj.); kryerja e një veprimi të tillë. Shpërthimet e bombave (e predhave, e minave). Zhurma e shpërthimeve.
3. Dalja e lavës, e hirit, e gazeve dhe e lëndëve të tjera nga një vullkan. Shpërthim nëndetar. Shpërthim me plasje. Vullkan në shpërthim. Ishull i formuar nga shpërthimi i një vullkani.
4. fig. Shfaqje e menjëhershme dhe e vrullshme e një ndjenje a e një veprimi. Shpërthime rinore. Shpërthim gëzimi (zemërimi, entuziazmi). Shpërthimi i të qeshurave.
5. gjuh. Hapje e menjëhershme e pengesës së plotë që formohet nga organet e të folurit në rrugën e kalimit të ajrit gjatë shqiptimit të disa bashkëtingëlloreve. Faza e shpërthimit të bashkëtingëllores.
SHURDHÚES,~E mb. 1. Shumë i lartë, shumë i fortë, që të shurdhon (për zëra e zhurma). Zë (gjëmim) shurdhues. Zhurmë (shungullimë, krismë) shurdhuese. Klithma (ulërima) shurdhuese.
2. fig. Që të merr mendjen, që të huton e të shushat, që bëhet me bujë e me zhurmë të madhe. Propagandë shurdhuese. Deklarata shurdhuese.
✱Sin.: shushatës, marramendës, gumëzhitës, i zhurmshëm, i zhurmët, piskatës, çjerrës.
ZHÚRMSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që bën zhurmë kur lëviz, kur punon ose kur kalon diçka nëpër të; kund. i qetë. Lumë (përrua, det) i zhurmshëm. Tren (aeroplan) i zhurmshëm. Gjithë lagjja atëherë ishte e zhurmshme.
2. Që flet me zë të lartë; që bën shumë zhurmë e rrëmujë, zhurmëmadh. Turmë e zhurmshme. Nxënës (fëmijë) të zhurmshëm. - Më të zhurmshëm si ai nuk gjen. - Mos më merr për ndonjë njeri të zhurmshëm e poterexhi?
3. Që bëhet me shumë zhurmë; që shoqërohet me zhurma; që nuk ka tingëllim të rregullt e të qartë. Muzikë e zhurmshme. Lodra të zhurmshme. Mbledhje e zhurmshme. Frymëmarrje e zhurmshme.
4. Që ka shumë zhurmë e rrëmujë; që është plot gjallëri nga lëvizjet e njerëzve, të makinave etj.; që gumëzhin, zhurmëmadh. Qytet i zhurmshëm. Rrugë e zhurmshme. Jetë e zhurmshme. Panair i zhurmshëm. Ditë të zhurmshme.
5. keq. Që bëhet qëllimisht me zhurmë e bujë për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, zhurmëmadh. Deklarata (bisedime) të zhurmshme. Takim i zhurmshëm. Fushatë e zhurmshme.
6. Që bën bujë, i bujshëm. Fitore e zhurmshme.
✱Sin.: i zhurmët, i paqetë, i potershëm, zhurmues, gumzhitës, shurdhues, zhurmëmadh, zhurmëshumë, zhurmëplotë, zhurmëtar, i bujshëm.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë