Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BÍM/Ë,~AI f. sh. ~Ë, ~ËT 1. bot. Dru, shkurre, barishte, lule, kërpudhë a qenie tjetër e këtij lloji, që mbin, rritet e jeton zakonisht e ngulur në një vend, që e merr ushqimin nga toka e nga ajri me rrënjë e me gjethe dhe që shumëzohet me fara ose me lastarë; emër i përgjithshëm për qenie të tilla të gjalla, që rriten në tokë ose në ujë dhe që dallohen nga kafshët, ngaqë nuk lëvizin vetë. Bimët e Shqipërisë. Bimë mjaltëse (helmuese, ngjyruese). Bota e bimëve. Zhvillimi i bimëve. Rrënjët (farat) e bimëve. Mbrojtja e bimëve. Vaj bimësh. Llojet e bimëve. Bima e vonë është për lopë. (fj. u.). Sheh bima bimën e ngjitet përpjetë. (fj. u.). Bora është jorgani i bimës. (fj. u.).
2. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa nga llojet e familjeve të bimëve. Bimë alpine (lat. Plantae alpinae) bimë e përshtatur për mjedise me temperaturë të ulët, edhe me mbulesë bore e me erëra të forta. Bimë barishtore (lat. Leguminosa) bimë pa kërcell a me kërcell të hollë e të shkurtër, me gjethe të njoma, zakonisht të blerta, që nuk drunjëzohet. Bimë bishtajore (lat. Leguminaceae) familje bimësh, kryesisht me bishtaja të mbushura me kokrra (si soja, fasulja, bizelja, batha, qiqra, kikiriku etj.), që përdoren për ushqim. Bimë bujqësore (lat. Plantae agricultura) bimë të dobishme të mbjella në tokë bujqësore. Bimë e butë (lat. Herba mollis) bimë e kultivuar. Bimë e dobishme (lat. Herba utilis) bimë e kultivuar ose e mbirë vetiu, që ka vlera ushqyese, shëruese etj. Bimë e dytë bimë që mbillet e korret pas një bime të mëparshme në të njëjtën stinë. Bimë dyvjeçare (lat. Plantae biennes) bimë që në vitin e parë mbin nga fara dhe rritet, ndërsa në vitin e dytë lulëzon dhe lidh fryte. Bimë të egra (lat. Herba silvestris) bimë që mbijnë vetë. Bimë grunore (lat. Poaceae; Gramineae) bimë barishtore të shumëllojshme të arave, zakonisht njëvjeçare, me kërcell të drejtë e të nyjëzuar, me gjethe të holla e të gjata, që bëjnë kallinj me kokrra të vogla, të cilat bluhen dhe përdoren si ushqim. Bimë industriale (lat. Plantae industriae) bimë që rriten e përdoren për qëllime industriale. Bimë kacavjerrëse (ngjitëse) (lat. Plantae volubilis) bimë që, për të marrë dritë e për t’u zhvilluar, kapen pas një bime tjetër ose ngjiten pas mureve a ndonjë peme me anë të rrënjëve ajrore, të gjembave me majë, të lozeve në majat e gjetheve etj. Bimë kultivuese (lat. Herba cultivata) bimë bujqësore që mbillen në toka bujqësore. Bimë mishngrënëse (lat. Plantae carnivorae) bimë (si lulevesa, lule lagjini etj.), që ushqehen me inde shtazore të insekteve dhe të jovertebrorëve të tjerë, të cilat i kapin dhe u marrin lëndë ushqyese (si azoti etj.). Bimë mjekësore (lat. Herba medicinalis) bimë me veti shëruese; bimë që përdoren për prodhimin e barnave mjekësore. Bimë njëvjeçare (lat. Herba annua) bimë që mbin nga fara, zhvillohet, lulëzon dhe lidh fryte brenda një viti, bimë me cikël zhvillimi njëvjeçar. Bimë pyjore (lat. Arbor) bimë drusore e jodrusore të pyllit. Bimë shumëvjeçare (lat. Plantae perennes) bimë me cikël zhvillimi shumëvjeçar. Bimë ujëse (lat. Plantae aquaticae) bimë që rriten në ujë. Bimë vajore (lat. Plantae Oleiferae) bimë me fryte ose fara që përmbajnë vaj (si soja, kikirikët, luledielli, farat e pambukut, palmat vajore, ulliri, susami etj.). Bimë zbukurimi (lat. Planta ornamentalis) bimë që mbillen për zbukurim.
3. Pjesa a trupi që del mbi tokë nga një farë. Bimë e vogël. Bima e misrit (e grurit). Numri i bimëve për hektarë. Lëshon bimë.
4. Kulturë bujqësore e arave. Bimë pranverore. Bimë shoqëruese. Bimë të hershme (të vona). Bimët e arave. Duket bima që kur mbin. (fj. u.). Duket dita në të gdhirë, bima duket në të mbirë. (fj. u.).
5. fig., bised. Pjellë, pasardhës. S’lanë bimë prapa. Bima e gjirit tënd.
♦ Bimë e keqe përb. njeri (zakonisht fëmijë) pa edukatë, që prish gjithçka e dëmton të tjerët; farë e keqe; pjellë e keqe (e shejtanit).
DET,~I m. sh. ~E, ~ET 1. gjeogr. Hapësirë shumë e madhe me ujë të kripur, që zakonisht është e rrethuar me tokë jo nga të gjitha anët dhe që qëndron disi e veçuar; pjesa më e madhe e rruzullit tokësor, e mbuluar me ujë të kripur. Deti Adriatik. Deti Jon. Deti Mesdhe. Deti i Kuq (i Zi). Det i hapur (i mbyllur). Det i thellë (i cekët). Det i qetë (i trazuar, me dallgë). Det i keq det me dallgë. Sipërfaqja e detit. Bregu (fundi) i detit. Ujë (kripë, rërë) deti. Valët (dallgët) e detit. Kafshë (bimë) deti. Mbi (nën) nivelin e detit. Deti është vaj deti është shumë i qetë. Deti ka dallgë. Çau (kapërceu) detin. Ra (u shtrua, u qetësua) deti. Rreh detet udhëton nëpër dete. Mori detin shkoi diku larg duke udhëtuar nëpër det. Lundron (noton) në det. Derdhet në det. E rreh deti. E zuri deti i vjen për të vjellë kur udhëton në det. E hodhëm në det e përzumë, e detyruam të ikte me det. Në det të hapur larg nga brigjet, thellë në det. Buzë (pranë) detit. Përtej (matanë) detit. Nëpër det. Në tokë e në det. Ka (ka nisur të bëjë) det deti është me dallgë. Ç'bën në det, e gjen në kripë. (fj. u.). Deti s'kalohet me këmbë. (fj. u.). Nuk soset (nuk thahet) deti me lugë. (fj. u.). S'matet deti me pëllëmbë. (fj. u.). Detit i ka hije vala, burrit i ka hije fjala. (fj. u.). Noti mësohet në det, jo në tokë. (fj. u.). Në det ta hedhësh, me ujë nuk ngopet. (fj. u.).
2. zool. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për disa kafshë të ujërave të kripura ose të bregdetit. Breshkë deti (lat. Chelonioidea) grup zvarranikësh detarë, me shtatë specie të njohura, që jetojnë në oqeane dhe dete tropikale e subtropikale. Dac deti (lat. Scyliorhinus caniculus) një lloj peshkaqeni i vogël, i njohur zakonisht si peshkaqeni mace, me trup të hollë, me njolla të errëta, që ushqehet me organizma të vegjël detarë. Dallëndyshe deti (lat. Exocoetus volitans) një lloj peshku tropikal, i njohur si peshku fluturues, që jeton në ujërat sipërfaqësore të oqeaneve, me aftësi për të rrëshqitur mbi ujë përmes pendëve të zgjatura të kraharorit, duke krijuar përshtypjen se “fluturon”. Kali i detit (lat. Hippocampus) specie detare, që ngjan me një kalë të vogël, me trup të gjatë dhe të mbuluar me pllaka kockore, me bisht të kapshëm, që jeton kryesisht në alga dhe korale. Kandil deti (lat. Cnidaria) kafshë detare që i përket llojit të meduzave, që lëvizin kryesisht me rrymat e ujit, me trup të butë, gjysmë transparent, me një “çadër” ose “kupë” që i jep formë karakteristike, me tentakula që mund të shpojnë dhe të lëshojnë toksinën e tyre. Lopë deti (lat. Odobenus rosmarus) një gjitar i madh detar, që gjendet kryesisht në zonat arktike, me trup të madh, me lëkurë të trashë dhe gëzof të hollë, me dy dhëmbë të gjatë që i dalin nga nofulla e sipërme. Yll deti (lat. Asteroidea). organizëm detar, me trup rrezor, zakonisht me pesë krahë, pa tru, që lëviz me sistemin vaskular ujor, që ka aftësi të rigjenerojë pjesët e humbura të trupit.
3. bot. Pjesë e dytë e emërtimeve të pathjeshta për disa bimë të ujërave të kripura ose të bregdetit. Fik deti (lat. Opuntia ficus-indica) një kaktus shumëvjeçar, me gjethe të sheshta dhe të trasha, me fruta të ëmbla, që rritet gjerësisht në zona me klimë të ngrohtë dhe të thatë pranë detit. Lakër deti (lat. Crambe maritima) bimë barishtore, me rrënjë të fortë, me gjethe të trasha, me ngjyrë të gjelbër të errët, shpesh me shije të kripur, me lule me ngjyrë të bardhë ose vjollcë të lehtë, zakonisht të vogla dhe të grumbulluara në kokrra, që rritet kryesisht në rërë ose bregdete shkëmbore. Trëndafil deti (lat. Actinia) disa lloje të anemonave të detit, me pamje të ngjashme me lule trëndafili, zakonisht me petale të buta, me ngjyra të ndritshme si rozë, portokalli, apo të kuqe, që ngjiten në shkëmbinj ose pjesë të ngurta nën ujë, me petale si tentakula, që përdoren për të kapur organizma të vegjël që shërbejnë si ushqim.
4. Pjesë e sipërfaqes së Hënës, që nuk e zënë a e zënë fare pak rrezet e Diellit dhe që duket nga Toka si një njollë e errët. Detet e Hënës.
5. fig. Shumicë njerëzish, sendesh etj.; hapësirë e madhe, e mbuluar a e mbushur me diçka, diçka e pamasë dhe e pafund. Det njerëzish. Det dritash. Det lotësh (gjaku). Një det me grurë (me lule). Në detin e luftës. Në detin e lumturisë.
6. si ndajf. Me shumicë, shumë, pa fund; plot e përplot. U bë gruri det. Rrjedh det. Ishte det ara me misër. Det është pazari.
♦ *Barkë në mes të detit. U bë det. 1. (diku). U mbush plot me ujë, u mbyt nga ujët, u përmbyt; u lag krejt, u bë qull. 2. U mbush plot me diçka. 3. (dikush). Hëngri a piu shumë, u dend, u zhdëp. Bëri detin (për dikë) e qortoi a e shau rëndë, s’i la gjë pa thënë; e poshtëroi, e njollosi; s’i la sy e faqe (dikujt); e bëri leckë (rreckë) (dikë); e bëri për në bythë të qenit (dikë). Bëri një *urë në det (dikush). As në det e as në breg. 1. Në asnjë vend, asgjëkundi. 2. Në një gjendje të paqartë, kur s’di nga t’ia mbash; pa ditur ku je, pezull, në erë; as në qiell e as në tokë (në dhe). U bë deti *kos iron. Kur të bëhet deti *kos iron. I duket deti *kos (dikujt). Në *fund të detit. I futet detit me *hosten (dikush). Të fut në det (në *ujë, në pus, në lumë) e të nxjerr pa u lagur (dikush). I futet detit më *këmbë (dikush). Hyn në det (në *pus, në lumë) e del pa u lagur (dikush). E kalon detin më *këmbë (dikush). Sa ka deti ujë e rërë shumë, në sasi të madhe; sa rëra e detit; sa bari i tokës; sa t’i gërryesh (t’i ngresh) me lopatë. E ka zemrën det (dikush) është shumë bujar, është zemërgjerë; e ka zemrën (shpirtin) të gjerë; e ka zemrën hazine. Kërkoj detin me shkop bëj të gjitha përpjekjet për dikë a për diçka; s’lë vend e mënyrë pa shfrytëzuar për t’ia arritur qëllimit, bëj të pamundurën. *Lumë e det (për lumë e për det). Merr detin (dikush) shkon diku larg (zakonisht duke udhëtuar nëpër det); merr detin në sy; (ikën) nga (ku) sytë këmbët. E mori deti (dikë a diçka) shih e mori lumi (dikë a diçka). Mori detin në sy (dikush). 1. I duket çdo gjë shesh me lule, ka besim, dëshira e shpresa të tepruara, kujton se do të bëj ëgjëra të mëdha; ia hyn një pune të madhe pa u matur mirë. 2. shih mori botën (dheun) në sy (dikush). Nuk ka marrë *kripë në det (dikush) mospërf. E mat detin me *filxhan (dikush). E mat detin me *lugë (dikush). E mat detin me *mastrapa (dikush). E mat detin me *pëllëmbë (dikush). Më ndan një det (i tërë) (nga dikush). 1. Jam shumë larg nga dikush (në hapësirë). 2. Kam mendime ose pikëpamje krejt të ndryshme nga dikush; kam gjendje shoqërore a ekonomike krejt të ndryshme; jam shumë larg tij në diçka. Ngre *kodra mbi det (dikush) iron. Nxjerr *sheqer nga ujët e detit (dikush). *Peshku në det e tigani në zjarr tall. Përzien detin me shkop (dikush) përb. është ngatërrestar i madh, bën hile e gënjen; do vetëm të grindet e të bëjë sherr; përzien e fut në sherr shumë njerëz; bën të pabërën; turbullon edhe rërën e detit; i thotë hurit “dil e mos rri në gardh”. Një *pikë ujë në det (në oqean). U poq (u puq) *qielli me detin. Prashit në det (dikush) mospërf. shih prashit (mih) në ujë (dikush). S’pyet Muçoja për *gjela deti bised. Sa *rëra e detit. Shpëtoi nga *lumi e ra në det (dikush). Turbullon (edhe) *rërën e detit (dikush) keq. E than detin me *lugë (dikush). Sa *ujët e detit. *Ujk deti.
HARDHÍ,~AI f. sh. ~, ~TË 1. bot. (lat. Vitis vinifera) Bimë a shkurre kacavarëse, me trung të hollë e të gjatë, me gjethe të gjera si pëllëmbë, që bën rrush; pema e rrushit; pjergull. Hardhi e mureve. Fidan (kalem, rrënjë) hardhie. Gjethe (fletë) hardhie. Krasit hardhinë. Tenja e hardhisë.
2. bot. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme hardhie. Hardhi e egër (lat. Vitis sylvestris) paraardhës i hardhisë së të kultivuar të rrushit, larushk. Hardhia e luginës (lat. Vitis girdiana) lloj hardhie e egër, që ngjitet në bimë ose struktura të tjera, me gjethe të mëdha të dhëmbëzuara, me sipërfaqe të gjethes shpesh të mbuluar me qime të holla, me lule të vogla, me ngjyrë jeshile të zbehtë, me fruta si kokrra të vogla të rrumbullakëta, me ngjyrë vjollcë ose blu të errët kur piqen; rrushi i egër i shkretëtirës. Hardhia e malit (lat. Vitis monticola) bimë ngjitëse shumëvjeçare, me fije dredhuese që i mundësojnë të ngjitet mbi pemë e shkurre, me gjethe zakonisht të rrumbullakëta, me anë të dhëmbëzuara, me sipërfaqe të gjethes me ngjyrë të gjelbër të errët në pjesën e sipërme dhe të çelët poshtë, me lule të vogla, me ngjyrë jeshile, të mbledhura në tufëza të dendura, me fruta si kokrra të vogla me ngjyrë vjollcë ose blu të errët, me lëkurë të hollë, që piqen në fund të verës; rrushi i malit. Hardhia gjembake (lat. Vitis davidii, Vitis armata) bimë drunore shumëvjeçare, me degë të mbuluara me gjemba të vegjël e të mprehtë, me gjethe të rrumbullakëta në bazë, me dhëmbë të thellë në buzë, me sipërfaqe të sipërme me ngjyrë jeshile të errët dhe e poshtmja më e zbehtë, me lule të vogla, jeshile, me fruta si rrush të zinj në pjekje, me lëkurë të trashë dhe shije të thartë. Hardhia e Misirit (lat. Vitis lacinosa) lloj hardhie e egër, shumëvjeçare, që ngjitet me fije dredhuese, me gjethe me lobe shumë të thella, shpesh të ndara gati deri në bazë, me anë të dhëmbëzuara imët, me sipërfaqe me ngjyrë të gjelbër të errët, me lule të vogla, me ngjyrë jeshile, të mbledhura në tufëza, me fruta si rrush të vegjël, me ngjyrë blu në vjollcë, me shije pak të thartë; rrush me gjethe të thelluara. Hardhia gjethepanjë (lat. Vitis acerifera, Vitis doaniana) bimë drunore shumëvjeçare, që ngjitet në pemë ose shkurre, me gjethe të mëdha, me formë të ngjashme me panjën, me sipërfaqe të lëmuar sipër dhe të mbuluar me push gri poshtë, me lule të vogla, me ngjyrë të verdhë në të gjelbër, në tufëza të gjata, me fruta si rrush të vegjël, me ngjyrë vjollcë të errët në të zezë, me shije të thartë. Hardhia gjethezemër (lat. Vitis cordifolia) një lloj rrushi i egër, shumëvjeçar, që mund të arrijë gjatësi deri në 20 metra, me kërcell të hollë dhe të fortë, që kacavaret me dredha, me gjethe në formë zemre, me majë të theksuar, me skaje të imta e të dhëmbëzuara, me faqen e poshtme me push të butë ose pothuajse e lëmuar, me lule të vogla në ngjyrë të gjelbër, me fruta si rrush të vegjël, me ngjyrë të purpurt të errët në të zezë, me shije të thartë. Hardhia kalifoniane (lat. Vitis californica) bimë drunore shumëvjeçare, ngjitëse ose përhapëse, me gjatësi deri në 15 metra, me kërcell të hollë, që ngjitet me dredha, me gjethe të mëdha, me sipërfaqe të ashpër, me ngjyrë jeshile, me lule të vogla, me ngjyrë të gjelbër, të grupuara në tufëza, me fruta si rrush sferikë, me ngjyrë vjollcë të errët deri në blu, shumë të ëmbël kur piqen, që konsumohen nga zogjtë dhe kafshët e egra, si dhe përdoren edhe për verë artizanale ose reçel. Hardhia e ranishtes (lat. Vitis rupestris) bimë shumëvjeçare, që rritet më shumë si shkurre e ulët, që formon shtrat të dendur pranë tokës, me gjethe të vogla deri mesatare, zakonisht të rrumbullakëta, me anë të dhëmbëzuara imët, me lule të vogla me ngjyrë jeshile, të mbledhura në tufëza të dendura, me fruta si kokrra të vogla, me ngjyrë të zezë në vjollcë, me shije të fortë dhe aciditet të lartë. Hardhia e përhime (lat. Vitis baileyana) bimë kacavjerrëse shumëvjeçare, me gjethe me tre deri pesë lobe të theksuara, shpesh me forma të ndryshueshme, me sipërfaqe të sipërme të lëmuar, me ngjyrë jeshile të errët, me lulet të vogla, të mbledhura në tufëza, me fruta të vegjël, të rrumbullakët, me ngjyrë vjollcë të errët, me shije të fortë dhe aciditet të lartë. Hardhia spanjolle (lat. Vitis berlandieri) hardhi shumëvjeçare, ngjitëse ose gjysmë shkurrore, kacavjerrëse, me gjethe të trasha dhe lëkurore, me ngjyrë jeshile të errët, shpesh me sipërfaqe të shndritshme, me lule të vogla, me ngjyrë jeshile, të mbledhura në tufëza, me fruta me rrush të vegjël me ngjyrë blu në vjollcë, me lëkurë të trashë dhe shumë fara, zakonisht jo të ngrënshëm. Hardhia e zogut (lat. Vitis munsoniana) hardhi shumëvjeçare, lloj i rrushit të egër tropikal, me gjethe të rrumbullakëta, me anë të dhëmbëzuara imët, shpesh me sipërfaqe të lëmuar e me shkëlqim në pjesën e sipërme, me lule të vogla, me ngjyrë jeshile në të verdhë, të mbledhura në tufëza, me fruta si rrush të vegjël, me ngjyrë blu në vjollcë, me lëkurë të trashë dhe shije të ëmbël në të thartë, i ngrënshëm, shumë i përdorur për verë lokale ose reçel. Hardhia e Floridës (lat. Vitis cinerea floridana) bimë kacavarëse, që mund të ngjitet mbi pemë ose shkurre, me gjethe të mëdha, zakonisht me 3–5 lobe, me sipërfaqe me ngjyrë të gjelbër të errët dhe pjesë të poshtme të mbuluar me qime të hirtë ose kafe, me lule të vogla, të verdha në të gjelbër, të mbledhura në tufëza, me fruta të vegjël, me ngjyrë e purpurt të errët, pothuajse të zezë kur piqen, që kanë shije të thartë. Hardhia e Arizonës (lat. Vitis arizonica) bimë gjetherënëse, me gjethe në formë zemre, më dhëmbë të çrregullt, me lule të vogla, me pesë petale të bardha, që rritet në shumëllojshmëri habitatesh; një lloj rrushi i ngrënshëm, i egër, i trashë dhe i zi. Hardhia e Amurit (lat. Vitis amurensis) bimë zvarranike që mbështjell degët e bimëve fqinje, me lëvore të errët, me luspa, me gjethet të forta, vezake ose të rrumbullakosura, të harkuara në bazë. Hardhia e argjendtë (lat. Actinidia polygama, Actinidia volubilis, Trochostigma polygama) bimë gjetherënëse, që mund të arrijë deri në disa metra në fazën e pjekurisë, me lule të bardha, me fruta të vogla, me ngjyrë të verdhë deri në të kuqe, në formë veze, mishtore dhe me shumë fara, pjesa e brendshme e frutave i ngjan kivit të zakonshëm. Hardhia amerikane (lat. Parthenocissus quinquefolia) bimë kacavjerrëse gjetherënëse, me gjatësi deri në 20 – 30 metra, me gjethe të përbëra prej pesë fletëzash, në formë eliptike ose vezake, që kërkon tokën të pasur me lëndë ushqyese dhe lulëzon si në hije ashtu edhe në diell; rrushi me erë. Hardhia e baldosës (lat. Holboellia coriacea) bimë zvarranike, me gjethe të përbëra nga tre fletëza të zgjatura, me tufa lulesh të zbehta me ngjyrë vjollcë, të ndjekura herë pas here nga fruta të gjelbra në vjollcë. Hardhia e çajit (lat. Gynostemma pentaphyllum) bimë kacavarëse, që rritet spontanisht në natyrë, me gjethe të dhëmbëzuara në grupe prej pesë gjethëzash. Hardhia e fierit (lat. Muehlenbeckia complexa) lloj bime me degë të ndërthurura, me numër të reduktuar gjethesh, që formon një masë të dendur, të trashë, me kërcej të hollë, të fortë dhe të drunjëzuar, që zvarriten e mbështillen mbi bimë ose shkëmbinj. Hardhia indiane (lat. Momordica charantia) bimë ngjitëse njëvjeçare, me dredha që kapen në mbështetje, me kërcell të hollë, me brazda të lehta, që mund të arrijë deri në 4 – 5 metra gjatësi, me gjethe të ndara thellë në 5 – 7 segmente, me ngjyrë të gjelbër e me teksturë të butë, me lule me ngjyrë të verdhë, me aromë të lehtë, me fruta të zgjatur dhe me sipërfaqe të valëzuar, fillimisht të gjelbër, pas bëhen me ngjyrë portokalli ose të verdhë në pjekje. Hardhia japoneze (lat. Ampelopsis tricuspidata) urthi i Japonisë; bimë drunore kacavarëse, e ngjashme me rrushine egër, me kërcell të hollë, të degëzuar, që ngjitet me rrënjëza ngjitëse, që fiksohen fort në mure ose trupa pemësh, me fruta si rrush të vegjël sferikë, me ngjyrë blu të errët, me një shtresë dylli, të hidhur dhe helmues për njeriun. Hardhia e kangurit (lat. Cissus antarctica) bimë ngjitëse drunore, gjithnjë e gjelbër, e ngjashme me rrushin e egër, me gjethe të mëdha, ovale deri eliptike, me buzë të dhëmbëzuara, me ngjyrë jeshile të errët dhe shkëlqim të lehtë në sipërfaqe, me lule të vogla jeshile, me fruta si rrush sferikë, me ngjyrë vjollcë të errët në pjekje, të ngrënshëm për zogjtë, por pa vlerë ushqimore për njeriun. Hardhia e katranit (lat. Borhavia diffusa, Borhavia coccinea, Borhavia Repens) bimë barishtore shumëvjeçare, përhapëse ose ngjitëse, që formon një tapet të dendur mbi tokë, me kërcell të hollë, me ngjyrë të kuqërremtë ose jeshil, shpesh i degëzuar dhe i përkulur, me gjethe të thjeshta ovale, deri eliptike, me ngjyrë jeshile në pjesën e sipërme dhe pak më të çelët poshtë, me lule të vogla, me ngjyrë rozë në të purpurt, të mbledhura në tufa të vogla, me fruta të vogla, të ngurta, me sipërfaqe ngjitëse, që ndihmojnë në shpërndarjen e farës. Hardhia e kreshpët (lat. Pueraria hirsuta, Pueraria Thunbergiana) bimë ngjitëse ose zvarritëse, shumëvjeçare, me kërcell të gjatë, që formon rrënjë nyjore, me sipërfaqe të mbuluar me qime të dendura, me gjethe trifletëshe, ovale ose gjerësisht vezake, me lule me ngjyrë vjollcë në të purpurt ose blu të thellë, me fruta në formë bishtaje.
3. zool. Pjesa e dytë e disa emërtimeve të pathjeshta që përcakton disa lloje dëmtuesish të hardhisë. Pleshti i hardhisë (lat. Altica ampelophaga, Altica oleracea) insekt dëmtues që sulmon hardhinë e rrushit, kryesisht gjethet. Merimanga e hardhisë (lat. Tetranychus urticae Koch) një nga dëmtuesit më të përhapur dhe më të rrezikshëm të hardhisë së rrushit, sidomos në periudha të thata e të nxehta. Zhuzhaku i hardhisë (lat. Byctiscus betulae) brumbull karakteristik për vreshtat e Ballkanit dhe Evropës Jugore, i njohur për dëmtimet që shkakton në gjethe, lastarë dhe sytha të hardhisë. Turigjati (hundëgjati) i hardhisë (lat. Otiorhynchus singularis, Otiorhynchus sulcatus) insekte dëmtuese të hardhisë, që njihen për hundën e tyre të gjatë harkore, me të cilën shpojnë dhe dëmtojnë indet bimore të hardhisë, duke ngrënë skajet e gjetheve të reja e duke lënë shenja gjysmërrethore karakteristike. Këpusha e hardhisë (lat. Eriophyes vitis) merimangë mikroskopike, që dëmton gjethet, lastarët dhe sythat e hardhisë së rrushit; këpusha e hardhisë; merimanga e butë e hardhisë.
✱Sin.: pjergull, vilez, rrush.
♦ E bën murrizin hardhi (dikush) e zbukuron jashtë mase diçka, e përshkruan si të përsosur; e paraqet diçka të keqe si të mirë; e bën shterpën pëlle.
ORÍZ,~I m., bot.(lat. Oryza sativa) Bimë barishtore njëvjeçare e vendeve të ngrohta me kërcell të drejtë e me nyja, që mbillet e rritet në ngastra me ujë dhe që bën kokrra të vogla si të grurit; kokrrat e kësaj bime, me të cilat bëjmë pilaf ose gjellë të tjera. Oriz i veshur (i zhveshur, i qëruar, i rrahur). Kokrrat e orizit. Fidanë orizi. Oxhakë orizi. Gëzhutat e orizit. Oriz me qumësht sytliaç. Fabrika e zhveshjes së orizit. Mbjellin (korrin, shijnë) orizin. Fushë orizi orizore. Miell orizi oriz i bluar. Paluze orizi (gjell.) pelte e gatuar me ujë orizi e pak sheqer. Oriz me qumësht (gjell.) ëmbëlsirë e gatuar me oriz, me qumësht dhe me kanellë. Do ta kesh për fis, që të hash oriz. (fj. u.).
2. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta të llojeve të kësaj bime. Oriz gjethegjerë (lat. Oryza latifolia) lloj orizi i egër, shumëvjeçar, me gjethe të gjera deri në dy metra, që rritet në mjedise të lagështa, shpesh pranë lumenjve ose në kënetë. Oriz gjuhëzshkurtër (lat. Oryza breviligulala) lloj i orizi i egër, njëvjeçar, me lartësi të ndryshme, me gjethe të gjata dhe të ngushta, me lule të hapur, me kallëzore të vogla që përmbajnë një deri në tre lule, që rritet në mjedise të lagështa si këneta, brigje lumenjsh, fusha me përmbytje sezonale.Oriz i imët (lat. Oryza minuta) lloj orizi i egër, zakonisht më i lartë dhe më i fortë se orizi i kultivuar, që rritet në mjedis të egër, zakonisht në mjedise të lagështa ose moçalore, me kokrra zakonisht të ngushta, eliptike ose vezake, që mund të kenë një majë të theksuar në njërin skaj. Oriz kokrrizor (lat. Oryza granulata) lloj orizi i egër, shumëvjeçar, me kërcell të fortë dhe të trashë, me gjethe të gjata dhe të gjera, me kokrra të vogla dhe të mbështjella, që rritet në mjedise të freskëta, me hije, larg zonave të kultivuara bujqësore. Oriz i kuq (lat. Oryza rufipogon) lloj orizi i egër, i konsideruar si paraardhës kryesor i orizit të kultivuar, njëvjeçar ose shumëvjeçar, në varësi të vendit dhe kushteve, me lartësi zakonisht më të madhe se orizi i kultivuar, me gjethe të gjata dhe të ngushta, me ngjyrë jeshile të errët, me kokrra të vogla, të ngushta, shpesh me ngjyrë kafe ose të kuqërremtë. Oriz ujës (lat. Zizania aquatica) lloj orizi që rritet kryesisht në ujëra të ëmbla, si lumenj, liqene të cekëta dhe laguna, me rrënjë të forta, që mbahen në baltë ose në fundin e ujit të cekët, me kërcell të gjatë, që mund të arrijë deri në dy metra gjatësi, me gjethe të ngushta, të gjata, me ngjyrë të gjelbër të ndezur, me kokrra të forta dhe të lëmuara, që përdoren si ushqim, sidomos nga njerëzit dhe shpendët ujorë.
♦ Dy *ujë e një oriz. Nuk mban më *ujë orizi (pilafi, vera).
PAMBÚK,~U m. 1. bot. (lat. Gossypium) Bimë barishtore njëvjeçare e vendeve të ngrohta, me gjethe pëllëmbore që kthehen nga rrezet e diellit, me lule të mëdha e të verdha, e cila bën një boçe vezake me shumë fara të veshura me fije të gjata si push i bardhë. Ara me pambuk. Boçe pambuku. Farat e pambukut. Vaj pambuku vaj nga farat e kësaj bime. Bërsi pambuku bërsi nga farat e kësaj bime. Pambuk fijegjatë. Pambuk fijehollë. Pambuk fijetrashë. Pambuk hidrofil. Pambuk shumëvjeçar. Pambuk kirurgjik (obserbues).
2. bot. Pjesë e parë e emërtimeve për disa lloje pambuku: Pambuk i egër bimë barishtore, e ngjashme me pambukun, e cila rritet në toka të rënda të mbjella me bimë që prashiten dhe i dëmton këto. Pambuku amerikan (lat. Gossypium hirsutum) pambuku i kreshpët. Pambuku barishtor (lat. Gossypium herbaceu). Pambuku i Brazilit (lat. Gossypium brasiliense). Pambuku i egër (lat. Abutilon theophrasti, Gomphocarpus fruticosus) liri i Indisë. Pambuku egjiptian (lat. Gossypium barbadense). Pambuku kaçubor (lat. Gossypium neglectum). Pambuku kinez (lat. Gossypium arboretum). Pambuku lisnor (lat. Gossypium arboretum). Pambuku i kreshpët pambuku amerikan. Pambuk organik pambuk pa kimikat a i pamodifikuar gjenetikisht.
3. Tërësia e fijeve të bardha nga boçat e kësaj bime, që pastrohen nga farat dhe përdoren për të bërë penj, në mjekësi etj. Pambuk çeltik. Deng pambuku. Fije (penj) pambuku. Basmë (pëlhurë, batanije) pambuku. Çorape pambuku. Fustan (triko) pambuku. I vuri pambuk plagës.
4. Lëndë e ngurtë që punohet lehtë a që është në formë fijesh të holla. Pambuk guri (min.) asbest. Pambuk xhami (qelqi) (tek.) lëndë prej fijesh të holla xhami, që përdoren për veçim, lesh xhami.
♦ E bëri pambuk (dikë) shih ia zbuti kurrizin (dikujt). Shkel në pambuk (dikush) e ka punën fare të lehtë; jeton në rehati, jeta me të tregohet e butë. Të vret me pambuk (dikush) të bën ta kuptosh gabimin e të pendohesh me të butë, duke të qortuar lehtë e me të mirë ose duke ta sjellë fjalën larg e larg; të vret me pupël.
SHIGJÉT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Një lloj arme me majë të mprehtë e të hollë prej druri a metali që hidhet me hark. Shigjetë me flakë (me helm). Lëshoi një shigjetë. Goditi me shigjetë. Çau si shigjetë. Vrapon si shigjetë vrapon shumë shpejt.
2. Rrip i metaltë, i hollë, i ngushtë e me majë të mprehtë, që rrotullohet rreth një boshti dhe që tregon vlera të ndryshme në një aparat matës, akrep. Shigjeta e orës. Shigjeta e peshores. Shigjeta e busullës. Shigjeta e shpejtësisë në kroskot tregonte shpejtësi mbi normën e lejuar.
3. Shenjë rrugore që tregon drejtimin e një lëvizjeje. Shigjeta orientuese. Sipas drejtimit të shigjetave. Shigjeta tregonte hyrjen. Ndiq shigjetën. Korsi e pajisur me shigjeta.
4. Një figurë lineare që ka një fund në formë pyke, që përdoret në harta për të treguar drejtimin ose vendosjen. Në këndin e hartës shigjeta tregonte veriun.
5. Diçka e hollë, e gjatë dhe e mprehtë, që bie a futet diku. Shigjetë vetëtimash. Shigjetë bregdetare. (gjeogr.) ledh rëre që izolon pjesërisht një gji deti.
6. mat., fiz. Simbol në matematikë a fizikë.
7. kryes. sh., fig. Goditje të drejtuara kundër dikujt a diçkaje, fjalë të mprehta e therëse që thuhen kundër dikujt a diçkaje. Shigjetat e ironisë. Lëshoi shigjeta kundër dikujt a diçkaje. I drejtoi shigjetat kundër saj.
8. kryes. sh., fig. Dashuria me shikim të parë. Shigjetat e dashurisë. Shigjetat e Kupidit.
9. vjet. Pjesa më e mirë e gjahut, të cilën e merrte gjahtari që qëllonte i pari kafshën.
10. zool. (lat. Bothrops atrox) Lloj gjarpri helmues me gjatësi deri në 2 m, që jeton në këneta, në pyje, në fusha etj.
11. zool. (lat. Coluber jugularis, Coluber longissimus, Coluber caspius) Gjarpër i hollë, shumë i shpejtë, me luspa të lëmuara, që gjendet në Ballkan dhe në disa vende të Evropës Lindore; shigjetull. Shigjeta kishte kollofitur një zog. Shpejtësia e shigjetës.
12. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme të gjarpërinjsh. Shigjeta e hollë (lat. Coluber najadum, Platyceps najadum) gjarpër i hollë johelmues që jeton në mjedise të thata, por edhe në pyje. Shigjeta e shkurtër (lat. Coluber gemonensis) gjarpër i hollë, me luspa, me kokën dhe pjesën e përparme të trupit ngjyrë gri ose kafe në të verdhë e me njolla të errëta, i cili gjendet edhe në Ballkan.
13. bot. (lat. Dactylis glomerata) Një lloj bari shumëvjeçar me tufa të dendura, bari i telishit, këmbëgjel. Shigjetë e gjelbëruar. Fije shigjetash.
14. Mëqiku i vegjës, sovajkë. Ndërroi shigjetën. Shigjeta e avlëmendit.
15. si ndajf. Shumë shpejt, fluturimthi. Nisem shigjetë. Erdhi (iku) shigjetë.
✱Sin.: akrep, gjilpërë, shigjetëz, shigjetull, fluturimthi, vetëtimë.
♦ I ka drejtuar shigjetën (dikujt a diçkaje) e ka përqendruar luftën kundër dikujt a kundër diçkaje, e ka marrë si shenjë kryesore për ta sulmuar e për ta goditur; e ka vënë (e ka) në shenjë (dikë a diçka). Lëshon shigjeta (kundër dikujt a kundër diçkaje) e sulmon dikë a diçka ashpër, me fjalë therëse a me sharje; e thumbon keq, e shigjeton. E ka syrin shigjetë (dikush) shih e ka syrin pushkë (dikush).
SHÚMË- fjalëform. Pjesa e parë e disa fjalëve të përbëra, që i përgjigjet kuptimit të përemrit a të ndajfoljes “shumë” (p. sh. i shumanshëm, shumëbrinjësh, i shumëdashur, shumëfaqësh, shumëkatësh, shumëkëmbësh, shumëkëndësh, i shumëllojshëm, shumëngjyrësh, shumëqelizor, shumërrokësh, shumëvjeçar etj.).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë