Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DÁLLG/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Valë e madhe në det, në liqen etj., që ngrihet e lëviz me vrull. Dallgë të fuqishme. Dallgët e detit. Nëpër dallgët e lumit. Kreshta (shkuma) e dallgëve. Forca (fuqia) e dallgëve. Det me dallgë. E rrëmbeu (e përpiu, e përplasi) dallga. Ka dallgë. Çan dallgët. U bëri ballë dallgëve. E hodhën dallgët në breg.
2. fig. Diçka që të kujton valët e detit ose që lëviz si ato; valëzimi i flokëve. Dallgët e grurit (e thekrës). I ka bërë flokët me dallgë.
3. fig. Grumbull i madh njerëzish, që vërshojnë me vrull e pa u ndalur dhe që lëvizin valë-valë. Dallgë njerëzish. Dallgët e demonstruesve.
4. Shi me erë të fortë; shtrëngatë, furtunë. Mbrëmë bëri dallgë e madhe. I theu dallga pemët.
5. fig., kryes. sh. Vështirësi, ndryshime e përpjekje të mëdha e të njëpasnjëshme në jetën e njerëzve a në rrjedhën e ngjarjeve, ngritje e ulje në jetë që kërkojnë përpjekje të mëdha për t’i kapërcyer; vërshimi papërmbajtur ndjenjash (zemërimi, urrejtjeje etj.); valë. Dallgët e jetës. Dallgët e luftës.
6. fig. Vërshim i papërmbajtur ndjenjash; valë. Dallgët e zemërimit (e urrejtjes).
✱Sin.: valë, tallaz, valomë, shkulm, shkul, grumbull, shi, erë, shtrëngatë, furtunë, shqotë, rrymë, vrull, vrundull, vështirësi, ndryshime, përpjekje, zemërim, urrejtje.
♦ E kanë kapur dallgët (dikë) është zemëruar shumë, është tërë inat; po shfryn e po turfullon nga inati; është me dallgë (dikush). Merr dallgë (dikush a diçka) shpërthen me vrull, nuk përmbahet dot më; merr hov. Si të vijë dallga si të paraqiten rrethanat, si të jenë kushtet, si ta sjellë rasti.
FURTÚN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Erë e fuqishme, që shoqërohet zakonisht me shi të rrëmbyer, me breshër a me dëborë të dendur; erë e fortë që fryn në det kur është kohë e keqe; shtrëngatë, stuhi. Furtunë e madhe. Furtunë me borë. Filloi (shpërtheu) furtuna.
2. fig. Ngjarje e papritur me pasoja të rënda; tronditje e madhe. Furtuna e krizave. Përballimi i furtunës financiare.
✱Sin.: stuhi, shtrëngatë, duhi, tufan, furi, uragan, shqotë, tajfun, fërfëllizë, frulli, fërtymë, hershem, dallgë.
♦ U bë furtunë (dikush). 1. shih u bë veri (dikush). 2. shih u bë tapë (dikush). 3. U bë si i shkalluar, u egërsua shumë, u tërbua. Bëri furtunë (dikush) shkaktoi tronditje të madhe, përmbysi e shembi gjithçka; bëri zhurmë të madhe e rrëmujë. Furtunë (*stuhi, shtrëngatë) në gotë të ujit libr. iron. Mbolli *erën e korri furtunën (dikush) libr.
LLÓH/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Borë e përzier me shi ose me breshër të imët, që bie zakonisht në mot me erë; borë e lagësht. Llohë e madhe (e ftohtë). Llohë bore. Bie llohë. E zë (e rreh) lloha. Ia zuri frymën lloha.
2. Kohë e keqe dhe e ftohtë me borë, me shi dhe me erë; lagështi. Llohë e madhe. Ka qenë (ka bërë) llohë. Lloha i dëmton bletët (të lashtat).
✱Sin.: cakërri, shqotë, llapërkajë, llapërçinë, cirkatë, skorratinë, skllotë, skllotinë, cirkatë.
SQÓT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shqotë, shi i rrëmbyeshëm. Kishte nisur të binte shi me sqotë. Sqota e fortë i rrëzoi pemët në oborr. I zuri sqota e dimrit dhe nuk dinin ku të futeshin për t’u mbrojtur.
2. Borë e përzier me shi, skllotë, erë me shi, erë që shtie shi nëpër penxheret e dyert; borë e imët, borimë. Sqota e parë i mbyti rrugët me pellgje të mëdha. Sa hapi derën e shtëpisë, hyri sqota brenda.
STUHÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Erë e vrullshme dhe e shpejtë, që mund të shoqërohet me shi ose me borë dhe që merr çdo gjë përpara. Stuhi me shi (me borë). U ngrit një stuhi rëre. I zuri stuhia në det. Stuhia kishte rrëzuar disa pemë. Të nisemi para se të fillojë stuhia. Karvani arriti ta çante stuhinë.
2. fig. Diçka në sasi të madhe që vjen me vrull. Në sallë shpërtheu një stuhi duartrokitjesh. E pritën me stuhi brohoritjesh.
3. fig. Ngjarje e papritur, e shoqëruar me vështirësi, turbullime e me pasoja të rënda për jetën e një vendi a të një njeriu. Stuhitë e jetës nuk e mposhtën. Do të përballojmë bashkë çdo stuhi. Do të kalojë edhe kjo stuhi.
4. fig. Lëvizje shoqërore ose ngjarje që zhvillohet me vrull dhe që sjell ndryshime të mëdha në jetën e njerëzve dhe të shoqërisë. Koha solli stuhi të tjera. Stuhia e luftërave kundër armikut.
✱Sin.: furtunë, shtrëngatë, shqotë, furi, duhi, duhmë, duhaç, tufan, lubi, uragan, fërtymë, fërfëllizë, frulli, skorratinë, vrull, hershem, lubi, breshëri.
♦ Stuhi (furtunë, shtrëngatë) në gotë të ujit iron. libr. zhurmë e kotë e pa pasoja që bëhet për diçka; kërcënim i kotë e pa rrezik i dikujt.
TUFÁN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Erë e vrullshme, me shi të madh, me breshër a me dëborë të dendur; stuhi, shqotë, shtrëngatë. Tufan tropikal. Ditë me tufan. U thyen pemët nga tufani. Filloi (fryn) tufani. Të grinte tufani.
2. fig. Ngjarje e vrullshme dhe e papritur, që sjell pasoja të mëdha në jetë. Tufani i luftës. Përballon tufanet e jetës.
✱Sin.: stuhi, shqotë, suferinë, shtrëngatë, kiamet.
♦ U bë tufan (dikush). 1. shih u bë furtunë3 (dikush). 2 shih u bë tapë (dikush). Bëri tufan (dikush) shih bëri furtunë (dikush). Lëshon tufan nga goja (dikush) keq. është dehur shumë; nuk e kontrollon më veten nga pija; u bë tufan2; u bë tapë; i ka hipur cjapit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë