Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ALÁRM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Sinjal paralajmërues me zë, me drita, me sirenë ose me valë, që jepet për të njoftuar për një rrezik të afërt (si zjarr, vjedhje, fatkeqësi, bartje e të sëmurit me autoambulancë etj.). Alarm drite. U dëgjua alarmi i zjarrit dhe u evakuuam nga shtëpitë. Dëgjova mbrëmë sirenën e alarmit. Gjendje alarmi. Alarm fals. Sistem i alarmit. Epidemia shkaktoi alarm në qytet. Në rast alarmi. Jap alarmin. Ngre alarmin. Alarmi i kuq paralajmërim për një rreziku shumë të madh që mund të vijë nga tërmetet, nga zjarret, nga përmbytjet, nga rrëshqitje dheu nga stuhitë në tokë e në det, nga sulmet terroriste etj.
2. usht. Sinjal ose urdhër për t’u bërë gati menjëherë për të përballuar një rrezik të papritur; gjendje gatishmërie në rast rreziku ose gjatë një stërvitje ushtarake; paralajmërim rreziku. Alarm lufte (ajror, kimik). Alarm bombardimi. Kambanë alarmi. Alarm zjarri. Sinjali i alarmit. Qyteti në alarm. Sirena e alarmit. U bë alarm. Bie alarmi.
3. fig. Shqetësim i madh përpara një rreziku të papritur. Ndizet alarmi. Shkaktoi (ngjalli) alarm. E bëj alarm e bëj diçka problem shqetësues për të gjithë, shpesh pa nevojë.
♦ Alarm i rremë libr. zhurmë e kotë për një rrezik të mundshëm. U bie *sirenave të alarmit libr. Jap (vë) alarmin libr. shih jap kushtrimin. *Kambanë alarmi.
✱Sin.: kushtrim, sirenë, paralajmërim, lajmërim, sinjal.
ALARM/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Jap alarmin për një rrezik; paralajmëroj për një rrezik a ndonjë ngjarje të papritur që kërkon ndërhyrje të menjëhershme; lajmëroj me alarm. Alarmoj për rrezikun e përmbytjes. Alarmova gjithë lagjen. I alarmoi në mëngjes herët. Alarmuam zjarrfikësit. Alarmova për stuhinë e paralajmëruar.
2. E shqetësoj tepër dikë, i fut frikën me lajme të këqija; frikësoj, tremb dikë; shkaktoj ndjenjë frike ose shqetësimi, shkaktoj panik. Alarmoi gjithë familjen. Alarmova edhe fqinjët.
3. E bëj problem shqetësues edhe për të tjerët, e bëj alarm. E alarmoi policinë. Alarmoi qytetarët.
✱Sin.: paralajmëroj, lajmëroj, shqetësoj, frikësoj, tremb.
ALARMÚES,~E mb. Që shkakton alarm ose që jep shenja të një alarmi, të një ndjenje shqetësimi ose frike, që krijon ndjenjë frike ose shqetësimi; që paralajmëron për rrezik. Njoftim alarmues. Gjendje alarmuese. Raport alarmues. Person alarmues.
✱Sin.: paralajmërues, lajmërues, shqetësues, frikësues, trembës.
BEZDÍSËS,~E mb. Që të bezdis, që nuk të lë rehat, që të bëhet rrodhe, i mërzitshëm e i padëshirueshëm. Zë bezdisës. Zhurmë (mizë) bezdisëse. Natë bezdisëse.
✱Sin.: i mërzitshëm, i padëshirueshëm, mërzitës, shqetësues.
COKÁTUR,~IT (të) as. Cokatje. Ndonjëherë të cokaturit në derë bëhej shqetësues.
DRAMATIZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. let. Veprimi kur dramatizoj një vepër letrare etj.; përpunimi i një vepre tregimtare për t’u vënë në skenë. Dramatizimi i romanit (i novelës). Sipas dramatizimit. Autor dramatizimesh.
2. libr. Kthesë me karakter dramatik i ngjarjes; zmadhim i karakterit shqetësues të diçkaje. Dramatizimi i gjendjes (i situatës, i problemit).
DRAMATIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. let. Përpunoj dhe e bëj të përshtatshme për t'u vënë në skenë një vepër tregimtare (një roman, një novelë etj.), e kthej në dramë. Dramatizoi romanin “Njeriu me top”.
2. libr. I jap një ngjarjeje, një gjendjeje etj. karakter dramatik, e paraqit me të rëndë e me prekëse nga ç'është në të vërtetë; zmadhoj karakterin shqetësues të diçkaje, e bëj dramatike diçka. E dramatizonte gjendjen (situatën, problemin). Pasthirrma që dramatizojnë ngjarjen. Mos i dramatizo gjërat.
DRITHËRÚES,~E mb. 1. Që të fut dridhmat, që të bën të dridhesh, që të rrëqeth (për të ftohtët, për një sëmundje etj.). Erë drithëruese. Natë drithëruese.
2. fig. Që bën të të dridhet zemra, që të drithëron. Ndjeu një valë drithëruese në trup.
✱Sin.: dridhës, rrëqethës, shqetësues, përmallues, përgjërues.
►NDÁL/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Ndërpres ecjen ose lëvizjen, qëndroj në vend; pushoj së punuari a së vepruari. U ndal në mes të skenës. U ndal që të mbushej me frymë. Punon pa u ndalur.
2. vetv., vet. v. III Pushon së rrjedhuri, së zhvilluari, së punuari etj., nuk vepron a nuk bëhet më, ndërpritet, ngel në vend. U ndal shiu (bora). U ndal gjaku. U ndal puna. U ndal qarkullimi. U ndal bombardimi.
3. vetv. Çrregullohet, nuk funksionon mirë (goja, veshi, syri); kund. rregullohet, shërohet. Iu kanë ndalur sytë (veshët).
4. vetv. Qëndroj diku për të bujtur ose si mik; qëndroj diku rrugës për pak kohë. Ndalem me miq në kafe. Ndalem në hotel (te një mik). U ndalëm për darkë në bujtinë.
5. fig., vetv. Përqendroj vëmendjen diku, merrem në veçanti me dikë a me diçka. U ndal në (te) një çështje. U ndalën te problemi më shqetësues. Po ndalemi te disa të anë pozitive. Do të doja të ndalesha në çështjen e ditës.
6. vetv. Përmbahem, e mbaj veten, nuk e bëj diçka. Nuk di të ndalet. Nuk u ndal as para një krimi. Nuk ndalet para asgjëje. Ndalem përpara autoritetit të tij.
7. vetv. Mbahet bija (vajza, motra) që ka ardhur në shtëpi të prindërve, nuk lejohet (nga njerëzit e familjes) të shkojë më te burri. Erdhi në fis e u ndal.
8. pës. e NDAL.
✱Sin.: ndaloj, pushoj, rri, shkyçet, ndërpritet, pritet, ndalohet, shuhet, kthehem, ngel, buj, qëndroj, përqendrohem, merrem, përmbahem, ndalu! ndal!
NGACMÚES,~E mb. 1. Që vepron mbi indet ose shqisat dhe e bën organizmin të kundërveprojë; që e rrit veprimtarinë nervore të organizmit. Lëndë ngacmuese. Veprim ngacmues.
2. Që ndez me gjallëri një ndjenjë. Bukuri ngacmuese. Valle ngacmuese. Muzikë ngacmuese.
3. Që shkakton shqetësime ose një ndjenjë të papëlqyeshme, shqetësues. Të qeshur ngacmues. Fjalë ngacmuese. Vështrime ngacmuese.
✱Sin.: ngasës, ngacmimtar, thumbues, shqetësues, prekës, turbullues, përkasës, gërgasës, ngucës, shtytës, shpotitës, cytës, ngallitës, grindavec, çikës, qatrar, cingërnjar, shpofkatar, thumbamadh, thumbaxhi, cytanik, gudulisës, gjallërues, epshndjellës.
NGÁSËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që bezdis e që ngacmon të tjerët me dorë etj., provokues, ngacmues, tundues, gërgasës. Ngasës dinak.
2. edhe fig. Ai që të shtyn a të nxit të bësh diçka, shtytës, ngacmues, cytës. Paragjykimet janë ngasësit e parë të njerëzve për veprime. Ndjekim udhëtimin ngasës të autorit drejt qytetit të lindjes.
3. fig. Joshës. Ishte një ngasës i keq.
4. fet. Tundues për mëkat. Ngasësi për mëkat.
5. libr. Ai që nget një mjet a një kafshë; shofer, vozitës. Policia gjobiti dy ngasës të automjeteve (të veturave). Identifikohet vetura dhe ngasësi. Biçikleta ka sensorë në pjesën e pasme që e njoftojnë ngasësin nëse ndonjë makinë i afrohet më shumë. Ngasësit e skuterave bëjnë shpesh gabime.
✱Sin.: ngacmues, provokues, bezdisës, shtytës, tundues, gërgasës, prekës, çikës, shqetësues, mashtrues, joshës, epshndjellës, shofer, vozitës, kalorës, karrocier.
PRIMITIVITÉT,~I m. sh. ~E, ~ET Të qenët primitiv. Veprimet tregonin një primitivitet shqetësues.
PRÍSHËS,~E mb. 1. Që prish një ndërtesë, një mur etj., për të ndërtuar diçka të re.
2. Dëmtues i madh, shkatërrues i diçkaje të ngritur me mund e me djersë, shkatërrues; shfarosës, dëmtues.
3. Qetësiprishës, rregullprishës.
4. Që prish një marrëveshje, një kontratë etj., kontratëprishës, marrëveshjeprishës.
5. Që është tepër dorëlëshuar, shkapërderdhës. Njeri prishës. Nuk ishte prishës.
✱Sin.: shkatërrues, dorëlëshuar, shfarosës, plëngprishës, shkallmues, dëmtues, shqetësues, shkelës, shkapërderdhës, shkapërdar, rregullprishës, qetësiprishës, kontratëprishës, marrëveshjeprishës.
PROBLEMATÍK,~E mb. 1. Që përbën problem, që është problem
2. i ndërlikuar, i koklavitur. Çështje problematike. Mbetet problematike.
3. Që shtrohet si problem për t’u zgjidhur.
✱Sin.: i ndërlikuar, i koklavitur, problemor, shqetësues
SERIÓZ,~E mb. 1. Që vepron e sillet në mënyrë të matur, duke i menduar dhe vlerësuar gjërat mirë; që e njeh mirë punën e vet, e kryen me ndërgjegje e me ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe është kërkues ndaj vetes e ndaj të tjerëve; që nuk është mendjelehtë. Njeri serioz në punë. Kemi të bëjmë me një studiues serioz.
2. Që bëhet a thuhet me kujdes e me përgjegjësi, duke e menduar mirë e si duhet; që bëhet a thuhet me gjithë mend; që është i vërtetë, i qëndrueshëm e i thellë, jo i cekët. Mendim serioz. Bënte një punë serioze. Qëndrim serioz ndaj detyrave.
3. Që ka një rëndësi të veçantë, që nuk është bërë sa për të kaluar radhën ose me të qeshur, i mbështetur, me përmbajtje të thellë e të pasur, jo i lehtë. Vepër serioze. Ky është një botim serioz. Bëri një bisedë serioze. I dha këshilla serioze. Muzikë serioze muzikë klasike.
4. Që është i rëndë a që mund të ketë pasoja të dëmshme e të rrezikshme, që është mjaft shqetësues; që është mjaft i madh për ta përballuar e për ta kapërcyer. Gabim serioz. Kishte të meta serioze. Vuante nga një sëmundje serioze. Gjendja u bë serioze. Kërcënim serioz për lirinë e pavarësinë e popujve.
5. Që nuk i qesh fytyra, që ka pamje të menduar ose të vrenjtur nga një kujdes, një shqetësim etj.; që nuk pranon shaka, hijerëndë, i vrenjtur; kund. i qeshur. Me pamje serioze. Rrinte gjithmonë serioz.
6. Që shpreh qortim a pakënaqësi për diçka, i rreptë. Shikim serioz. I foli me ton serioz.
7. Që e ruan nderin vetjak dhe nuk luan në marrëdhëniet me të tjerët; që është në përputhje të plotë me normat morale; kund. mendjelehtë. Vajzë serioze. Djalë serioz. Kishte qëndrim serioz.
✱Sin.: i rëndë, i qëndrueshëm, i matur, i menduar, i peshuar.
SHUSHÚNJ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Hirudo medicinalis) Krimb parazitar i ujërave të ndenjura, me trup unazor shumë të zhdërvjellët, që ushqehet me gjakun e kafshëve të ndryshme duke u ngjitur në trupin e tyre dhe që përdoret edhe në mjekësinë popullore për të marrë gjak. Koha e shushunjave. Shushunjë kali. Lëshoi (vuri, hodhi) shushunjat. Të ngjitet si shushunjë. (keq.) të qepet e s’të ndahet.
2. fig., keq. Ai që të ngjitet e s’të ndahet për një punë të tijën. Është shushunjë e keqe.
3. fig., keq. Ai që nuk ngopet me para e shfrytëzon të tjerët; gjakpirës. Shushunja gjakpirëse.
✱Sin.: piavicë, ushunjëz, shfrytëzues, gjakpirës, shqetësues, i bezdisshëm, i mërzitshëm, rrodhe, tartabiqe.
♦ M’u bë shushunjë (dikush) përb. m’u ngjit, m’u qep e nuk më ndahet pa marrë atë që do; do që të më shfrytëzojë e të më thithë çdo gjë; m’u bë ferrë; m’u bë rrodhe; m’u bë rriqër (këpushë); m’u bë baltë pas këpuce.
TUNDÚES,~E mb. 1. Që të shtyn a të nxit të bësh diçka të keqe duke ta paraqitur si të bukur a fitimprurëse, që të prish mendjen dhe të fut në gabime, ngasës; mashtrues. Ndjenjë tunduese. Zë tundues. Veshje tunduese.
2. Që të krijon varësi, joshës, tërheqës. Pije tunduese.
3. Që të mundon, që të prish qetësinë, shqetësues, që të mërzit. Mendim tundues.
✱Sin.: ngasës; joshës, tërheqës, mashtrues.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë