Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MPRÉHTË (i, e) mb. 1. Që ka teh të hollë dhe pret shpejt e mirë (për thikën, briskun etj.) Thikë e mprehtë. Gërshërë të mprehta. I mprehtë si brisk.
2. Që është me majë të hollë në skaj (për shtizën, për lapsin etj.); që është shumë i hollë e të shpon. Laps i mprehtë. Gjemba të mprehtë. Me majë të mprehtë.
3. Që të shpon si thikë, shumë i fortë, shpues (për dhimbjen). Ndjeu një therje e mprehtë në stomak.
4. Që vjen i hollë, i hequr dhe i zgjatur nga mjekra; që ka tipare të theksuara (për tiparet e fytyrës). Fytyrë e mprehtë. Me tipare të mprehta.
5. Që është me rëndësi të veçantë e kërkon kujdes të madh, vëmendje të posaçme etj.; që është i vështirë dhe kërkon mençuri, durim etj. për t’u zgjidhur; shumë i rëndësishëm e i ngutshëm. Është detyrë (çështje, temë) e mprehtë. Trajtoj një problem të mprehtë. Çështja bëhet gjithnjë e më e mprehtë.
6. fig. I lartë e therës (për zërin); që të prek në zemër, i thekshëm. Zë i mprehtë. Thirrje (klithmë) e mprehtë.
7. fig. Që i kupton shpejt e thellë çështjet, shumë i zgjuar e i shkathët nga mendja, që i kap gjërat shpejt e s’i shpëton asgjë; që shquhet për forcën, për aftësinë a për shkallën e lartë të veprimit; që ka fuqi të madhe dhe e kryen shpejt e mirë punën e vet; i fortë, i fuqishëm; therës. I ka sytë (veshët) të mprehtë. Vështrim i mprehtë. Imagjinatë e mprehtë. I mprehtë nga gjuha i zoti nga goja, shumë i fortë në të folur, brisk nga gjuha. E mbaj të mprehtë diçka e mbaj diçka gjithnjë të fortë e gati, nuk e dobësoj asnjëherë. Vajzë (nxënëse) e mprehtë. Djalë (burrë) i mprehtë. Është i mprehtë. E ka mendjen (trurin) e mprehtë.
8. fig. Që shpreh ose që përmban një mendim a një kuptim të thellë, të hollë a të zgjuar, që të jep të kuptosh shumë, i goditur; që është veti e një njeriu të zgjuar e të shkathët nga mendja. Fjalë (shprehje) e mprehtë. Mendimi i mprehtë. Pyetje (përgjigje) e mprehtë.
✱Sin.: i hollë, majarak, i thepët, thepor, brisk, i thekshëm, therës, shpues, i fortë, i fuqishëm, i hollë, i zgjuar, mendjehollë, qiqër.
♦ E ka gjuhën të mprehtë (dikush) të thumbon e të ther me fjalë; e ka gjuhën gjilpërë (majë gjilpëre). E ka lapsin (kalemin) të mprehtë (dikush) është i fortë e i thellë në shkrimet e veta, shkruan me mprehtësi; ia thotë lapsit (kalemit). E ka mendjen të mprehtë (dikush) është mendjemprehtë. I ka veshët të mprehtë (dikush) dëgjon shumë mirë; e rrok menjëherë një zë a një tingull; i ka veshët të hollë.
NGÁSËS,~E mb. 1. Që ngacmon të tjerët duke i prekur me dorë a me diçka tjetër, bezdisës, cytës, provokues. Njeri ngasës.
2. fig. Që të shtyn të bësh diçka, nxitës, cytës. Gamë kërkimi sa ngasëse aq dhe trazuese.
3. fig. Që të nxit e të ndez dëshirat e brendshme, që të shtie në ngasje, tundues; joshës. Ari është një mjet ngasës për shumë njerëz. Paraja është shumë ngasëse. Shikim (qëndrim) ngasës.
4. fet. Tundues; mëkatar. E shtyri në dëshira ngasëse.
✱Sin.: ngacmues, ngacmimtar, ngucës, ngucakeq, bezdisës, cytës, cytanik, nxitës, provokues, shpofkatar, thumbues, shpues, ngallitës, gërgasës, tundues, joshës, epshndjellës.
NXÍTËS,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që shtyn dikë me fjalë a me veprime për të bërë diçka, ai që nxit të bëhet diçka, shtytës. Nxitësit e protestës (e dhunës). Nxitësit e luftës luftënxitësit. Zbuloi nxitësit e krimit (e vrasjes).
2. Diçka që shërben për t’i shtuar vrullin a fuqinë një veprimtarie a një dukurie. Nxitës i fuqishëm. Nxitës moral (material).
3. fiziol. Lëndë ose mjet që e ngre veprimtarinë e sistemit nervor ose të një organi; kund. qetësues. Vepron si nxitës. Dhimbja lind nga veprimi i nxitësve të ndryshëm në inde.
✱Sin.: cytës, shtiakeq, shpues, trimërues, ndërsyes, gërgasës, shtytës, tundues, joshës, gjallërues, aktivizues.
SHIGJETÚES,~E mb., fig. Që është i mprehtë, therës, thumbues. Vështrim shigjetues. Shikim shigjetues. Sulm shigjetues. Mesazh shigjetues.
✱Sin.: brisk, fshikullues, i mprehtë, sëmbues, shpues, therës, thumbues.
SHPÚES,~I m. sh. ~, ~IT 1. min. Punëtori që bën shpime për kërkimin a për shfrytëzimin e mineraleve të dobishme dhe të naftës; minatori që hap vrimat për vendosjen e lëndës plasëse; punëtori që punon për hapjen e tuneleve. Shpuesit e puseve të naftës. Shpuesit e tuneleve.
2. tek. Vegla të ndryshme që shërbejnë për të hapur vrima. Shpues mekanik. Godit shpuesin me çekiç. * Shpuesi i frutave zool. insekt i vogël, me trup në ngjyrë qielli të errët, të mbuluar me qime të shkurtra e të rralla, i cili dëmton mollët, dardhët, kajsitë, pjeshkët, kumbullat etj.
SHPÚES,~E mb. 1. Që shërben për të hapur vrima, që shpon; që bëhet për të shpuar. Vegël (makinë) shpuese. Çekiç shpues. Maja (koka) shpuese. Predhë shpuese. Lëvizje shpuese. usht.
2. Që ka të bëjë me shpimin; që ka aftësi të shpojë. Aftësia (fuqia) shpuese.
3. Që duket sikur të shpon me diçka të mprehtë (edhe fig.). Dhembje shpuese. Zë shpues. Ere e keqe shpuese.
4. fig. Që të përshkon tejpërtej, që depërton; zhbirues. Sy (vështrim) shpues.
THUMBÚES,~E mb. 1. Që të ngul thumbin, që të shpon me thumb (për kandrrat). Kandërr thumbuese.
2. fig. Që të prek a që të lëndon, që të thumbon, që ka thumba; që të flet me thumba, që hedh thumba. Fjalë (shprehje, buzëqeshje) thumbuese. Me ton thumbues.
3. si em. sipas kuptimit të mbiemrit. Thumbues i madh.
✱Sin.: shpues, i murriztë, ngacmues, ngasës, ngallitës, gërgasës, ngucës, shpotitës, shpotar, cytës, lëndues, shpofkatar, therës.
ZHBIRÚES,~E mb. 1. Që përdoret për të bërë vrima a për të shpuar diçka, që zhbiron. Vegël (makinë) zhbiruese. Dielli po nxirrte kryet nga retë që po shpërndaheshin, duke lëshuar rreze zhbiruese në tokë.
2. fig. Që mundohet me të gjitha mënyrat të zbulojë një të fshehtë a të panjohur, që zhbiron për të marrë vesh diçka. Vështrim zhbirues. Tip zhbirues. Natyrë zhbiruese. Fuqia zhbiruese e vëzhgimit të saj. I lodhur nga hamendjet zhbiruese për të vërtetën. Të panjohurit kishin shikime zhbiruese. Ky gazetar zhbirues nuk lë gjë pa zbuluar. Sytë e tij nën xhamat e trashë ishin bërë më zhbirues.
3. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. Por, për zhbiruesit e thekur, ky shpjegim është i pabesueshëm. Një rrëmet i pafundmë zhbiruesish, kureshtarësh e shkoqitësish të palodhur.
✱Sin.: birues, shpues, biramel, zhbiramel, syvesh, depërtues, laskuç, turjelë.
ÇEKÍÇ,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Çekan i vogël që përdoret zakonisht për të ngulur gozhdë. Çekiçi i këpucarit (i farkëtarit, i muratorit). Çekiç kose. Çekiçi i neurologut. I bie me çekiç. Më gjej një çekiç.
2. tek. Çekan. Çekiç automatik (pneumatik). Çekiç shpues. Mulli me çekiçë.
3. anat. Eshtra e parë e vogël në veshin e mesëm, që mbështetet në kudhër.
4. sport. Vegël sportive e përbërë nga një rruzull i metaltë, i lidhur me një zinxhir me dorezë në fund, që hidhet nga atleti pasi rrotullohet disa herë me forcë. Hedhja e çekiçit. Kampione e hedhjes me çekiç.
5. Pjesë e parë në emërtime të pathjeshta për disa mjete pune. Çekiç pikës vegël me një kokë metalike me majë, që ngrohet për të ngjitur me kallaj, havi. Çekiçi i shkresës çekiç për të bërë vijat e thelluara në enët prej bakri a prej teneqeje.
6. zool. Pjesë e parë në emërtimin e pathjeshtë për një shpend. Çekiç thneglash qukapik.
♦ E ka kryet çekiç (dikush) nuk bindet, nuk i mbushet mendja; është shumë kokëfortë, nuk dëgjon njeri, nuk merresh dot vesh me të; s’lidhet as për bishti e as për krye; e ka kokën me gunga (me xhunga); e ka kokën shkëmb. Njëri *darës e tjetri çekiçit. Njëri (i bie) *kudhrës e tjetri çekiçit (çokut).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë