Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
LADUTËRÍ,~A f., bised. 1. Grykësi e tepruar, të qenët i pangopur, makutëri. Hante me ladutëri.
2. Shpirtligësi dhe prirje për të grabitur ose për të dëmtuar të tjerët; pabesi. Iu zbulua ladutëria.
3. përmb. Njerëz llupës, grykës, makutë. S’la gjë në sofër ladutëria.
4. përmb. Njerëzit shpirtkëqij e grabitqarë, të pabesë. U mblodh gjithë ladutëria.
✱Sin.: lakmi, grykësi, llupësi, pangopësi, shpirtligësi, pabesi, zemërligësi, dashaligësi, llaskuçi, lakmitarë.
LIGËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Të qenët i lig, vetia e atij që është i keq; shpirtligësi; kund. mirësi. E shihte me ligësi. E bëri nga ligësia.
2. zakon. sh. Sjellje a veprime të pandershme e të ulëta, punë të liga; e ligë, e keqe. Kemi parë shumë ligësi nga ata. la numëroi të gjitha ligësitë. Ka bërë shumë ligësi.
3. Ligështi5.
✱Sin.: shpirtligësi, zemërligësi, keqdashje, e ligë, e keqe.
MYK,~U m. sh. MÝQE,~T 1. bot. Shtresë a grumbull kërpudhash mikroskopike ose mikroorganizmash të dëmshme, të përbëra nga fije shumë të holla e të gërshetuara ndërmjet tyre, që riprodhohen e përhapen me anë të sporeve dhe që shfaqen si push ose si njolla mbi organizmat, në drurë, mbi sende të ndryshme etj., zakonisht në një mjedis të errët, të ngrohtë e me lagështi; sëmundje kërpudhore e tillë që u bie zakonisht bimëve a pemëve. Myk i zi (i bardhë, i gjelbër, i hirtë, i kaltër). Myku i bukës. Myku i gështenjave (i rrushit, i agrumeve, i mollës, i duhanit). Bie erë myk. Ka zënë myk tenxherja me gjellë. U prek nga myku. U mbulua me myk.
2. fig. Mendim i vjetër që e pengon njeriun të ecë përpara; diçka e vjetruar që bëhet pengese për zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë, që nuk është me kohën a me të renë; ndryshk. Myku i së vjetrës. Myku i prapambetjes. Zhduk mykun.
♦ Bie (mban) erë myk. 1. (dikush). Ka mendime të prapambetura e të dëmshme. 2. (diku). Është një gjendje e tillë që tregon se punët kanë mbetur në vend, ka amulli të madhe. Nxjerr myk nga goja (dikush) flet shumë keq, shan me fjalë të ndyra e shpif; shfryn me shpirtligësi, s’lë gjë pa thënë nga urrejtja për të tjerët; nxjerr lerë nga goja; vjell helm (vrer). Ka zënë myk (dikush) nuk ka lëvizur prej shumë kohësh nga vendi; është mbyllur diku e nuk del; nuk ka lëvizur dhe është mpirë; ka zënë ndryshk. I kanë zënë trutë myk (dikujt) shihi kanë zënë trutë ndryshk1 (dikujt).
SHPIRTLIGËSÍ,~A f. Të qenët shpirtlig, vetia e njeriut që është shpirtlig, zemërligësi; kund. shpirtmirësi. Shpirtligësia e të pasurve. Me shpirtligësi të madhe. E bëri nga shpirtligësia.
SHPIRTMIRËSÍ,~A f. Të qenët shpirtmirë, vetia e njeriut që është shpirtmirë, zemërmirësi; kund. shpirtligësi. Shprehje shpirtmirësie. E bën nga shpirtmirësia.
VRER,~I m. 1. Lëng me ngjyrë të verdhë në të gjelbër, shumë i hidhur, që del nga mëlçia e zezë, mblidhet në tëmth e kullon në zorrë dhe ndihmon për të tretur ushqimet; sëmundje që shfaqet me të vjella të shpeshta. Të vjella me vrer. I plasi vreri. Vdiq nga vreri.
2. Helm. Vreri i gjarprit.
3. Lëng i hidhur që kanë disa bimë. Vreri i duhanit. Vreri i shtarave.
4. fig. Hidhërim i madh, pikëllim; helm; urrejtje e madhe, inat. Vrer i madh. Lot vreri. E mban vrerin përbrenda.
✱Sin.: gulçi, gulfë, helm, farmak, zeher, hidhërim, pikëllim, dëshpërim.
♦ M’u bë zemra (shpirti) vrer u hidhërova shumë, u pikëllova, u helmova, u vrerosa; u bëra vrer; m’u bë zemra (shpirti) helm. U bëra (jam) *pikë e vrer. U bëra vrer. 1. U hidhërova shumë, u pikëllova; u helmova, u vrerosa; u mërzita a u dëshpërova shumë; m’u bë zemra (shpirti) vrer. 2. U inatosa shumë, u mbusha me urrejtje, s’përmbahem nga zemërimi. Më bëri vrer (dikush a diçka) më hidhëroi shumë, më pikëlloi; më helmoi, më vrerosi; më mërziti a më dëshpëroi shumë; ma helmoi zemrën. Më pikon zemra vrer kam një dhembje shpirtërore të madhe; brehem nga dëshpërimi, nga zemërimi etj.; jam shumë i brengosur; më pikon në zemër (në shpirt) (për dikë a për diçka). Vjell (nxjerr, hedh) vrer (kundër dikujt) flet shumë keq kundër dikujt, e shan me fjalë të ndyta e shpif kundër tij, shfryn me shpirtligësi, s’lë gjë pa thënë nga urrejtja për të; vjell helm; nxjerr lerë nga goja.
ZEMËRLIGËSÍ,~A f. Të qenët zemërlig, vetia e njeriut zemërlig; shpirtligësi; kund. zemërmirësi, zemërbardhësi. E bëri nga zemërligësia. E ka nga zemërligësia. Fërkonte duart me zemërligësi. - Ç’e keni gjithë atë zemërligësi ndaj meje!? - Zemërligësia jote s'ka të sosur, se ti vuan gjithnjë nga dyshimi. Prapa atyre fjalëve ai dalloi dhe një farë zemërligësie.
✱Sin.: shpirtligësi, shpirtngushtësi, zemërngushtësi, ladutëri.
ZEMËRMIRËSÍ,~A f. Të qenët zemërmirë, vetia e njeriut që është zemërmirë, shpirtmirësi; kund. zemërligësi, shpirtligësi. Shenjë zemërmirësie. Me shumë zemërmirësi. Ia shpërbleu zemërmirësinë. Folëm për zemërmirësitë e tij. Buzëqeshte me një zemërmirësi të këndshme. Thelbi i shqiptarëve është zemërmirësia dhe besa.
✱Sin.: shpirtmirësi, shpirtmadhësi, zemërbardhësi, zemërgjerësi, zemërmadhësi.
ZEMËRNGUSHTËSÍ,~A f. Të qenët zemërngushtë, dallojë e njeriut shpirtngushtë, shpirtngushtësi, zemërvogëlsi; kund. zemërgjerësi. Zemërngushtësi e skajshme. Zemërngushtësi prvinciale (krahinore). Biseda me inate e zemërngushtësi. - Çfarë u bë shkak për këtë zemërngushtësi nga ana jonë?
✱Sin.: shpirtngushtësi, zemërvogëlsi, shpirtvogëlsi, koprraci, shpirtligësi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë