Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KOLLTÚ/K,~KU m. sh. ~KË, ~KËT dhe ~QE, ~QET 1. Ndenjëse e rehatshme prej stofi a prej lëkure, me shpinore dhe me mbështetëse bërrylash, zakonisht për një njeri. Rri në kolltuk.
2. fig., shpërf. Post i rehatshëm i një punonjësi, pa shumë lodhje dhe me rrogë të mirë. Kërkon punë në kolltuk (!). I pëlqen kolltuku. Ruan kolltukun e vet.
PESH/K,~KU m. sh. ~Q, ~QIT 1. zool. Kafshë kurrizore uji, me trup shpatuk e të zgjatur si bosht, zakonisht të mbuluar me luspa, me pendë të forta anash e mbi shpinë, që merr frymë me anë të verzave. Peshk i madh (i vogël). Peshk i kuq. Peshk i pjekur (i skuqur). Peshk deti (lumi, liqeni). Peshk me hala (pa hala). Halë peshku. Vezët e peshkut. Zë (gjuaj) peshk me grep (me rrjetë). Noton (rrëshqet) si peshk. Gomë peshku Lëndë sintetike e bardheme, e fortë dhe elastike, e përftuar nga përpunimi i mbeturinave të naftës, që përdoret zakonisht për shoje këpucësh. Bar peshku (bot.) bimë barishtore dyvjeçare me gjethe të mëdha, të gjata e të mbuluara me push, me kërcell të drejtë dhe kalli me lule të verdha në majë. Lule peshku (bot.) Bimë barishtore dyvjeçare me kërcell të drejtë e të lartë deri në 1.5 m, me gjethe të gjata të mbuluara me push, me lule të verdha, të grumbulluara si kalli në majë të kërcellit, e cila rritet në toka të varfra e në gurishte. Peshku është i mirë, po ruaju nga halat, se të mbytin. (fj. u.). Peshku qelbet nga koka. (fj. u.).
2. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje peshqish: Peshku akrep peshk deti me pendët e kurrizit dhe të bishtit shumë helmuese. Peshku i akullit (lat. Mallotus villosus). Peshku i argjendtë (lat. Alburnus alburnus) gjuhëza. Peshku i bardhë i liqenit (lat. Coregonus albula) salmon i bardhë liqeni. Peshku i bardhë i lumit (lat. Coregonus) peshk i bardhë i ujërave të ëmbla. Peshku i artë (lat. Carassius auratus gibelio) peshk i ujërave të kripura e të ëmbla, me luspa të kuqe, me trup deri në tridhjetë centimetër të gjatë, që ushqehet me planktonet, me kalbësira bimësh etj. Peshku i barit (lat. Lipophrys basilicus) levrek i Atlantikut Lindor dhe Mesdheut, deri në njëzet centimetër i gjatë, që jeton në thellësi jo të mëdha. Peshku bilbil peshku trumbetë. Peshku bishtavel (lat. Zu cristatus) peshk petashuq trupgjatë, me një fletë notuese të lartë përgjatë gjithë kurrizit, me gojë të vogël dhe me dhëmbë të dobët, që jeton në ujërat tropikale e nëntropikale. Peshku bishtgjatë (lat. Liphophorus helleri) Peshk i ujërave të kripura dhe të ëmbla, me bisht shumë të gjatë. Peshku bishtshpatë (lat. Xiphophorus helleri) peshk me bishtin të gjatë e të hollë si shpatë. Peshku i butë (lat. Osmerus) peshk që jeton zakonisht afër bregu të detit. Peshku cigan peshku i gurit. Peshku çibuk (lat. Uranoscopus scaber) peshk helmues deti, me sytë në majë të kokës, deri pesëdhjetë centimetër i gjatë, që ushqehet me midhje, gaforre, yje deti etj. dhe që e gjuan prenë duke ndenjur i zhytur në rërë; kukumjaçka e detit. Peshku dac (lat. Ictahurus melas) peshk i vogël i ujërave të ëmbla të Evropës dhe Azisë, me kokë të gjerë e të shtypur dhe pendë gjembake. Peshku dallëndyshe (lat. Eutrigla gurnardus) peshk me kokë të madhe eshtake dhe fletë të gjoksit si gishta me të cilat rrëmon për ushqim në fund të detit. Peshku derr (lat. Balistes capriscus) peshk me gojë të vogël e i shtypur anash, me sytë afër majës së kokës, me luspa në ngjyrë të hirtë, të blertë ose të verdhë në të kafenjtë, me fletët e kurrizit dhe të barkut të gjata e të buta, që mbërthehet në guva me ndihmën e pendëve dhe që fryn trupin. Peshku i egër (lat. Gasterosteus aculeatus) gjembaçi, peshku me gjemba. Peshku i egër gjembashumë peshk me pendët me shumë të dala si gjemba të mprehtë. Peshku elektrik (lat. Torpedo torpedo, Torpedo oculata) peshk deti me trup të rrumbullakët, të sheshtë, që lëshon ngarkesa elektrike nga sytë. Peshku engjëll (Pterophyllum scalare) peshk me trup të sheshtë me trup shirita, me dy zgjatime të mëdha në pendën e gjoksit, që mbahet në akuariume. Peshku engjëll i detit (lat. Pomacanthus) peshk që jetën afër shkëmbinjve. Peshku engjëll i lumit (lat. Pterophyllum). Peshku fener (lat. Myctophidae) peshk shumë i vogël i ujërave të kripura me lëkurë biolumineshente. Peshku fik (lat. Phycis phycis) peshk i ujërave të Atlantikut Perëndimor dhe Mesdheut Perëndimor, që haset pranë brigjeve deri sa rritet, pastaj zbret në thellësira, ku ushqehet me krimba, butakë dhe karkaleca deti. Peshku flutur (lat. Callionymus risso) peshk i ujërave të cekëta të Mesdheut dhe Detit të Zi, rreth dhjetë centimetër i gjatë, me pendët anësore të hapura si flutur, me shirita ngjyrë kafe dhe trup pikalor, që ushqehet me jovertebrorë; peshku i ngrirë, peshku brez. Peshku fluturues (lat. Cheilopogon heterurus) peshk deti me dy pendët çifte të gjoksit si krahë, me të cilat fluturon ulët mbi sipërfaqen e ujit në një largësi rreth dyqind metrash; dallëndyshja e detit. Peshku i fortunalit (lat. Stromateus fiatola) peshk me trup të shtypur anash i ujërave nëntropikale të Atlantikut dhe i Mesdhe, që ushqehet me peshq të vegjël, iriqë deti, meduza dhe planktone. Peshku gështenjë (lat. Chromis chromis) peshk me trup vezak të shtypur anash, me ngjyrë kafe të errët, me sy të mëdhenj, gojë të zgjatur, me tre radhë dhëmbë në të dyja nofullat, me pendë gjembake, me luspa të mëdha edhe në kokë, që ushqehet me zooplanktone dhe alga, me vezë, me larva peshku etj. Peshku gomar (lat. Barbus meridionalis) mustak. Peshku i gurit (lat. Paraphoxinus pstrossi, Serranus scriba) peshk i ujërave të ëmbla, zakonisht me kurriz të murrmë, që nën gurë e shkëmbinj që nuk hahet. Peshku gjel (lat. Trigla lyra) peshk i ujërave të kripura, me kokë të madhe, me fletë notuese gjembake, me pendët e kokës të përshtatura si këmbë për të ecur në fund të detit. Peshku gjilpërë (lat. Solenichthyes) peshk si kalë deti, me trup të hollë deri dyzet centimetër i gjatë, me gojë të vogël pa dhëmbë, me fletë notuese në kurriz, që jeton kryesisht në ujëra të kripura dhe ushqehet me barishte. Peshku gjinkallë (lat. Callionymus lyra) peshk deri tridhjetë centimetër i gjatë, me kokë të madhe të shtypur, me trup të hollë, me një fletë të madhe notuese, që jeton në thellësi; pikaloshja. Peshku hardhucë (lat. Synodus saurus) peshk që jeton në fundin e detit dhe ushqehet kryesisht me peshq, të cilëve u zë pusi, duke u groposur në rërë. Peshku hënë (lat. Lampris guttatus, Tetradon mola, Mola mola) peshk i madh me dhëmbët të vendosur në një strukturë si sqep, që nuk e mbyll plotësisht gojën, që jeton në thellësi e që ushqehet me kandila deti, krustace, peshq të vegjël, larva peshku, bar etj. Peshku hundëgjatë (lat. Istophoridae) peshk me trup të madh e të gjatë dhe me feçkën ose nofullën e sipër të gjatë si një shtizë, që ka me mish të shijshëm. Peshku kërcyes (lat. Chaetodon) peshk shumëngjyrësh, me trup si pllakë dhe kokë të vogël, që ushqehet me korale e me jovertebrorë. Peshku kërcyes i lumit (lat. Pantodon buchholzi) peshk afrikan që kërcen mbi ujë kur ndjehet i kërcënuar. Peshku kokëgjarpër (lat. Channidae) peshk grabitqar me trup të stërgjatë, me pendë shpinore, me gojë të madhe dhe me dhëmbë të mprehtë. Peshku i kuq peshk i artë. Peshku laraskë (lat. Gyninera altavela) peshku gjilpërë. Peshku karkalec (lat. Centricidae) peshk me trupin si karkalec deti, që jeton në mjedise me bar, në brigjet detare ose në grykëderdhje lumenjsh. Peshk kavall (lat. Lampertra fluviatilis) peshk grabitqar me turi të rrumbullakët e pa nofulla, me trup të zgjatur si të ngjalës, që ka pesë deri shtatë vrima në të dy anët e trupit menjëherë pas kokës. Peshku pikalosh (lat. Callionymus maculatus) peshk deti me pika, që zakonisht rri gjysmë i groposur në rërë. Peshku lakuriq (lat. Trisopterus minutus capelanus) peshk deti deri dyzet centimetër i gjatë, me luspa ngjyrë kafe, që ushqehet me peshq të vegjël, me krimba deti dhe me krustace. Peshku lejlek (lat. Belone belone gracilis) peshk i ujërave të ndenjura si dhe të Atlantikut dhe Mesdheut, i ngjashëm me peshkun gjilpërë. Peshk lepur (lat. Ranzania laevis) peshk i madh i deteve të ngrohta, me trup petashuq e të cunguar në fund, me pendën e bishtit sa lartësia e trupit. Gjilpërë lugat (lat. Solenostomidae) peshk i vogël me trup të zgjatur i ngjashëm me kalin e detit, që fshihet a maskohet mirë; peshku fantazmë. Peshku me mjekër (lat. Polymixia nobilis). Peshk me trupin dhe kokën në ngjyrë të kaltër në të argjendtë a të kafenjtë, me majat e pendëve të zeza, që dy zgjatime si mjekër. Peshk pendëkuq peshk i artë. Peshku petak (lat. Platypoecilia, Platycephalidae) peshk me trupin petashuq. Peshku pëllumb (lat. Mustelus mustelus) peshkaqen me trup të stërgjatë, me kokë dhe feçkë të vogël, me sy të brendshëm oval e të mëdhenj me një pendë bishtore asimetrike. Peshku i përroit (Paraphoxinus munutus Kar.) peshk i vogël me pendë rrezore, që rri në ujëra e cekëta të përrenjve. Peshku pikakuq korani. Peshku pilot (lat. Naucrates doctor) peshk që shoqëron peshkaqenët dhe ushqehet me mbetjet ushqimore, me parazitët a jashtëqitjet e tyre. Peshku sfurk (lat. Peristedion cataphractum) peshk me lëkurën të kuqe e shumë të fortë, që jeton në fund të ujërave dhe gërmon baltën me turi për të gjetur ushqim. Peshku sqeplugë (lat. Scormberexos saurus) peshk me nofulla si sqep dhe me një radhë pendësh notuese që i përdor për të dalë mbi ujë. Peshku sqytë (lat. Perca) peshk i ujërave të ëmbla me dy pendë të larta në kurriz, me shirita të errët për së gjeri dhe me pendët e barkut të kuqe ose të verdha. Peshku sharrë (lat. Pristis pristis) peshk deti që ka përpara një zgjatim të pajisur anash me dhëmbëza si sharrë. Peshku shigjetë (lat. Belone belone) peshk deti me trup të stërzgjatë dhe me turi të hollë, që noton drejt e shumë shpejt si shigjetë. Peshku shpatë (lat. Xiphias gladius) peshk deti, me trup deri në katër metër të ndritshëm, petak e të gjatë dhe me turi të mprehtë si shpatë. Peshku shirit (lat. Cepola rubescens, Cepola macrophthalma, Trachipterus trachipterus) peshk deti petashuq, deri në tre-katër metër a më tepër, me kreshtë të kuqe përgjatë gjithë kurrizit, me kokë të shkurtër dhe dy prekla të gjata në gjoks, që jeton në thellësitë e Mesdheut, të Atlantikut dhe të Paqësorit. Peshku shushunjë (lat. Remora brachyptera, Echeneis brachyptera) peshk deti i vogël, me ventuzë në kokë, që e ndihmon për t’iu ngjitur peshqve të tjerë dhe që ushqehet me parazitët e tyre. Peshku tambur peshk me trup petashuq me turi të dalë, me gojë të vogël me dhëmbë, me luspa të vogla dhe me një pendë shpinore me gjemba. Peshku trumbetë (lat. Macroramphosus scolopax) peshk i kuq me trup petashuq si romb, rreth dhjetë centimetër i gjatë, me pendët e barkut shumë të mëdha, me sy të mëdhenj dhe me gojën që zgjatet si tub. Peshku turigjilpërë (lat. Kajikia albida) peshk turigjatë dhe truphollë, që rritet deri në tre metër, me kurrizin në ngjyrë blu të errët, me barkun të bardhemë, me pendë notuese përgjatë kurrizit deri afër bishtit, që ushqehet me peshq fluturues, me ton të vegjël, me kallamarë etj. Peshku therës (lat. Trachninus draco) peshk i vogël deti, me trup petashuq, me sytë në majë të kokës, me nofullën e sipërme më të shkurtër se e poshtmja, me pendë gjembake përgjatë kurrizit dhe barkut, me pendën e bishtit si erashkë me shirita të murrmë, që gjuan gaforre, karkalec deti etj., duke ndenjur i groposur në rërë. Peshku thithëlopë (lat. Batrachoididae) peshk trupin të gjerë e të fryrë deri në pesëdhjetë centimetër, që rri në pritje të presë i fshehur në rërë. Peshku i verbër (lat. Anoptichthys) peshk i vogël i verbër që ndjesorët për ushqim i ka në gojë ose në nofullën buzë. Peshku i verbër i shpellave (lat. Amblyopsis spelaeus). Peshk i verbër që jeton në grykën e shpellave.
3. bised. Sharra e kurrizit, boshti i kurrizit, shtylla kurrizore (te njeriu dhe te kafshët). Peshku i kurrizit. Peshku i derrit (i viçit, i kaut) pjesa e mishtë përgjatë shtyllës kurrizore në të dyja anët, filetë.
♦ E bëri peshk (dikë) bised. e rrahu shumë; e shqepi së rrahuri, e zhdëpi; e bëri pelte; e bëri petë; ia bëri kurrizin më të butë se barkun (dikujt); ia zbuti kurrizin (dikujt); i nxori rripa nga lëkura (dikujt). E hëngri *barin e peshkut (dikush) keq. Hyn *mish e del peshk (dikush) tall. S’të jep as barin e pezmit (e zgjebes) (dikush) keq. është shumë dorështrënguar; s’të jep as gur të çash kokën. Kërkon peshk në mal (dikush) i ka shkuar mendja për diçka të mirë, por që nuk gjendet; kërkon diçka thuajse të pamundur; kërkon thana në shënëndre (në dimër); kërkon qiqra në hell; kërkon litar prej rëre; kërkon kallëz në borë; kërkon qumësht nga delja shterpë; kërkon qumësht nga cjapi. Kërkon *shpatullën në peshk (dikush) iron. As *mish e as peshk. Peshku në det e tigani në zjarr iron. thuhet kur përfundimi a sigurimi i diçkaje është ende larg, kur një punë s’është kryer, ndërsa dikush kërkon para kohe të gëzojë të mirat e saj; është tepër herët për të bërë diçka, sepse mungon ende ajo që duhet; djali pa lerë e djepi blerë; kusia mbi prush e thëllëza në fushë; lepuri në mal e kusia në zjarr. Si peshku në ujë shumë mirë, në kushte shumë të mira, me të gjitha të mirat; shumë i kënaqur; kund. si peshku pa ujë (në të thatë, në zall). Si peshku pa ujë (në të thatë, në zall) pa mjete jetese, në ngushticë të madhe; pa mjetet, mjedisin e ndihmën e domosdoshme; shumë i pakënaqur; si barka në të thatë; kund. si peshku në ujë. Ta pjek peshkun në *buzë (dikush). Me *urdhër të peshkut iron. Zë peshk në bar (dikush) është shumë i shkathët, është shumë i zoti, bën të pamundurën; nxjerr vaj nga guri; s’ia ha qeni shkopin (dikujt).
SHPINÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Shpina e karriges, e kolltukut etj. Shpinorja e kanapesë.
2. sport. Vegël gjimnastikore në trajtë të një shkalle prej druri, që mbërthehet pas murit dhe shërben për ushtrime të ndryshme të trupit. Ushtrime në shpinore. Ngjitje e zbritje në shpinore.
3. Një copë rrobë e leshtë që e vinin gratë në shpinë për të mos i vrarë bucela.
SHPÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Pjesa e prapme e trupit të njeriut nga qafa e supet deri te mesi; pjesa e sipërme e trupit të kafshëve gjatë shtyllës kurrizore deri te vithet;. kurriz. Shpinë e drejtë (e kërrusur). Shpinë më shpinë. Muskujt e shpinës. Rruazat e shpinës shtylla kurrizore. Çantë shpine. Not në shpinë. I ktheu shpinën. Më dhemb shpina. E marr (e mbaj) në shpinë. Shtrihem (bie, fle) në shpinë. Armiku nuk na e ka parë ndonjëherë shpinën.
2. Trina e dorës a e këmbës, kurriz; ana e sipërme e pjesës së mesme të gjuhës. Shpina e dorës (e këmbës). Shpina e gjuhës.
3. Mbështetësja e prapme e karriges, e kolltukut etj., shpinore. Shpina e bankës (e karriges).
4. Pjesa e prapme e një veshjeje të sipërme, që mbulon trupin nga shpatullat e poshtë, kurriz. Shpina e palltos (e xhaketës). Shpina e trikos. Punoj shpinën.
5. Ana e prapme e një ndërtese, kurriz. Shpina e shtëpisë (e dyqanit). Në shpinë të shkollës.
6. Shpat ose kurriz mali a kodre.
7. Ana jo e mprehtë e thikës a e shpatës, ana pa dhëmbë e sharrës.
8. Vendi ku janë ngjitur a janë lidhur fletët e një libri, të një fletoreje etj.; pjesa e prapme e mbulesës së një libri, ku ngjiten kapakët. Shpina e librit (e fletores). Emri i autorit dhe titulli janë shtypur në shpinë.
9. fig. Vetja, kurriz. E provoi në shpinën e vet. Kishte dhjetë shpirt mbi shpinë (për t'i ushqyer). Rëndon mbi shpinën e tjetrit.
10. fig. Prapavijë, pjesa e prapme e frontit. Mbroj (siguroj) shpinën. I mori shpinën armikut. E sulmoi armikun në shpinë (nga shpina).
11. bised. Pjesa e sipërme, sipërfaqja. Shpina e detit. Mbetën të vrarët në shpinë të tokës. Doli në shpinë të ujit. Eci në shpinë të borës (kur ngrin bora).
♦Barkun *petë e shpinën (shpatullat) drejt (dikush). Me *bark e me shpinë. Në *bark e në shpinë. U bë (është) *bark e shpinë. Ia bëri shpinën (*kurrizin) më të butë se barkun (dikujt). I bie *barkut e shpinës (dikush). Rashë në shpinë (në kurriz) qesha shumë, u shkriva së qeshuri, u gajasa; mbaj (zë) brinjët me dorë; më ranë (m’u këputën, shtira) brinjët. Mos të rëntë shpina përtokë (përdhe)! ur. 1. Mos vdeksh kurrë! 2. Mos u turpërofsh kurrë! E di shpina (*lëkura, kurrizi) (e dikujt). E drejtoi shpinën (kurrizin) (dikush) u bë krenar, nuk është më i përulur e i nënshtruar. I fërkon shpinën (dikujt) keq. shih i fërkon krahët (dikujt) keq. I ha (i kruhet) shpina (*kurrizi, rruaza) (dikujt). Të ha pas shpine (pas kurrizit) (dikush) të tradhton a ta bën ta keqen fshehurazi; ta hedh pa e kuptuar, nuk është i besës; ta shkon ujin nën rrogoz; ta bën nën thua. I ha shpina *dhe (dikujt). E hodhi pas (prapa) shpinës (diçka) shih e hodhi pas (prapa) krahëve (diçka). I ka hipur në shpinë (në kurriz) (dikujt) e ka nënshtruar plotësisht dikë, bën si do vetë me të; e shfrytëzon, e detyron të mundohet a të punojë për të; i ka hipur në qafë (në zverk); e ka vënë nën vete (dikë). Të jep ujë me shpinë të dorës (dikush) shih të jep ujë me bisht të lugës (dikush). Ka *bjeshkën në shpinë (dikush). E ka mendjen (i ka mendtë) pas shpine (dikush) shih e ka mendjen (i ka mendtë) prapa kokës (dikush). Kërrusi shpinën (kurrizin) (dikush). 1. U shtrua në punë, iu fut punës mirë, me durim e me këmbëngulje; e uli (e shtroi) shpinën (kurrizin); e uli (e shtroi) qafën. 2. përb. Iu përkul e iu nënshtrua dikujt, pranoi pa kundërshtime të bëjë si thotë ai; kërrusi kokën; e uli (e shtroi) shpinën (kurrizin); e uli (e shtroi) qafën. Në *kokërr të shpinës. I ktheu shpinën (kurrizin) (dikujt) shih i ktheu krahët (dikujt). Ia la në shpinë (në *kurriz) (diçka). S’kam lindur shpinë për shpinë (me dikë) iron. jam fare i largët me dikë, s’kam të bëj fare me të, nuk jam as fis e as soj; jam ngrohur në një diell; e kam presh në kopsht (dikë). Mbaj *murin me shpinë keq. Më mban shpina (*kurrizi) (diçka). Ia ndreqi shpinën (dikujt) shih ia ndreqi samarin (dikujt). Të ngop me shpinë të lugës (dikush) të gënjen me premtime të kota, të kënaq pa gjë; të mashtron lehtë, të gënjen pa gjë, të bën të besosh fjalët e premtimet; të ngop me lugë të zbrazët; të jep ujë me shoshë; të ngop me erë; të mban me erë të mollës. I ngul *thikën pas shpine (prapa kurrizit, prapa krahëve) (dikujt). M’u ngjit *barku (mulla) për shpine (me kurrizin). U ngjitën shpinë më shpinë u bashkuan dhe e ndihmojnë shumë njëri-tjetrin; i vunë shpatullat (njëri-tjetrit). Ia punoi pas shpine (dikujt) ia hodhi, ia bëri një të keqe fshehurazi a me hile, jo haptas e ballazi; ia punoi prapa krahëve. Qëndron (vepron) prapa shpinës (së dikujt) keq. fshihet pas një tjetri dhe nuk del haptas, shtyn dikë tjetër të veprojë për të arritur një qëllim e fshihet vetë. Rron (ha) në shpinë (në *kurriz) (të dikujt). S’ia sheh (dot) *syrin (diçkaje). S’ia kanë parë shpinën (dikujt) është trim, i qëndron përballë çdo rreziku; s’ia ka mbathur ndonjëherë nga frika. I sheh edhe shpina (kurrizi) (dikujt) i sheh mirë dhe i kupton shpejt gjërat dikush; është shumë i zgjuar e i mprehtë; s’ia hedh dot kurrë; ka katër sy (dikush). Kur të shohë shpinën (*shpatullat, kurrizin) pa pasqyrë (dikush) iron. Me shpinë në tokë (përdhe) i nënshtruar, i gjunjëzuar, i përulur, i mposhtur, i mundur; me shpinë ulur. *Thikë pas shpine keq. E uli (e shtroi) shpinën (*kurrizin) (dikush) përb. Iu vu në shpinë (dikujt). 1. E ndoqi nga pas dikë e nuk iu nda; e ndoqi këmba-këmbës. 2. Iu qep duke i kërkuar diçka, e shtrëngoi a e detyroi të pranojë diçka, iu ngjit e nuk i ndahet derisa ta arrijë diçka. Ia zbuti shpinën (*kurrizin) (dikujt).
VIJÓSH,~I m. sh. ~Ë, ~ËT zool. (lat. Chelon labrosus; Risso) Lloj qefulli me pesë deri shtatë vija gjatësore në trup e me buzë të dala, buzaç, pa dhëmbë ose me dhëmbë shumë të vegjël, me dy pendë shpinore, të parën me rreze të fortë gjembore, të dytën larg nga e para. Mish vijoshi. Vijoshi i ujërave të ëmbla. Vijoshi i Adriatikut.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë