Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AHISTORÍK,~E mb. 1. Johistorik. Trajtim ahistorik. Interpretim letrar ahistorik.
2. Që nuk dëshmohet se ka qenë me të vërtetë; që s’ka qenë i gjallë, që nuk i përgjigjet realitetit, që është i trilluar a i shpifur; Mendim johistorik. Figurë ahistorike. Karakter ahistorik. Moral ahistorik. Roman ahistorik (subjekt).
ARTIFICIÁL,~E mb. 1. Që është bërë ose është prodhuar me mjete të ndryshme nga njeriu, jo nga natyra; i prodhuar me lëndë sintetike; që është bërë sipas ngjashmërisë me një send natyror; jonatyror, sintetik; kund. natyror. Lesh (mëndafsh) artificial. Lëkurë artificiale. Lule artificiale. Dhëmbë artificialë dhëmbë të vënë. Frymëmarrje artificiale. mjek. Shi artificial. Liqen artificial. Satelit artificial. Rritje artificiale. Kushte artificiale. Gjuhë artificiale. Inteligjenca artificiale sistemet kompjuterike që imitojnë funksionet njohëse të njeriut, si të mësuarit, zgjidhjen e problemeve etj.; aftësia e një pajisjeje të imitojë aktivitet njerëzore: të arsyetuarit, të mësuarit, të planifikuarit, të krijuarit dhe ofrimin e rekomandimeve të personalizuara.
2. Që sillet në mënyrë jo të natyrshme; jo të çiltër. Sjellje artificiale. Buzëqeshje artificiale. Lot artificialë lot të rremë, lot krokodili.
✱Sin.: i shtirë, i rremë, i sajuar, i gënjeshtërt, i trilluar, i shpifur, dinak.
BALTÓS vep., ~A, ~UR kal. 1. Përlyej a fëlliq me baltë, bëj me baltë; përbalt. Baltos rrobat.
2. Ngjesh me këmbë dheun e njomë dhe e bëj baltë.
3. keq. E poshtëron duke shpifur, e përlyen, e njollos, ia nxin emrin e mirë; hedh baltë. I baltosi emrin e nderuar. I ligu të baltos kollaj. - Më baltose mua dhe gjithë njerëzit e ndershëm. Kanë goditur dhe kanë baltosur më të mirët. Ai ka baltosur ndërgjegjen tonë.
✱Sin.: përbalt, përlyej, fëlliq, leros, përlloç, llucëroj, llomit.
BÁLT/Ë,~A f. 1. Dhe i përzier me ujë, tokë e qullët zakonisht në fushë, nëpër udhë etj.; llucë, ledh, lym, tinë. Baltë e kuqe (e zezë). Baltë e bardhë deltinë e bardheme që përdoret për të larë kokën. Baltë shtambash deltinë e kuqe për të bërë enë balte. Baltë e madhe. Baltë vjeshte. Ngjyrë balte. Vend me baltë. Këpucë me baltë. Bëhet baltë. Bëhem me baltë. Zë baltë (udha). Lyej me baltë. Eci nëpër baltë. Bie (ngec) në baltë. Fshij baltën. E squllët si baltë. Fusha na bën baltë, mali bën furtunë, / Pritmë djalo, pritmë, sa të rritem unë. (folk.). Kali i huaj të lë në baltë. (fj. u.). Nuk i bie vlera floririt se hidhet në baltë. (fj. u.). I zoti e nxjerr gomarin nga balta. (fj. u.). Kur të bie gomari në baltë, lloj-lloj rrugësh të kallëzojnë. (fj. u.). Sa ka kosherja mjaltë, të gjithë të bëhen baltë. (fj. u.).
2. edhe sh. ~A, ~AT; ~ËRA, ~ËRAT Vend me dhè të përzier me ujë; copë dheu e njomur ose stërpikë uji e përzier me dhè. Pastroj baltërat. Heq baltat. Shkoq baltën.
3. Dhe (zakonisht deltinë) i përzier me ujë, i ngjeshur e i mbrujtur për të bërë enë, tulla etj., ose për të lyer murin. Baltë e pjekur. Baltë shtambash. Enë (poçe, tas) balte. Kandil balte. Mur me baltë. Kasolle prej balte. Gatuaj (përziej) baltën. Lyej me baltë.
4. Tokë në përgjithësi; truall, dhè; poet. toka mëmë, atdheu. Balta jonë. Balta arbërore. Ka lindur në këtë baltë.
5. Lëndë e butë si brumë që përdoret për punë të ndryshme; lënda me të cilën është bërë një gjë; fig. brumë. Baltë xhamash lëndë si brumë për të zënë anët e xhamave. Baltë dylli dyllë i zbutur që përdoret për të bërë qirinj. Unazë me baltë të keqe.
6. Lymi i disa ujërave minerale që përdoret si mjet kurimi. Baltë llixhe. Banjë me baltë.
7. edhe sh. ~ËRA, ~ËRAT Mbeturina të një lëngu që kullojnë në fund; fundërri, llum, llurbë; papastërti që zë diçka, zgjyrë. Baltë kafeje. Baltë vaji. Baltë duhani. Balta e kokës. Baltë veshi. Baltë dhëmbësh. Balta e dyfekut. I pastroj baltën çibukut (llullës).
8. fig. Formimi a përbërja e dikujt, brumë. Është nga e njëjta baltë.
9. fig., keq. Send a njeri pa vlerë; diçka që kushton fare lirë. U bë baltë dikush a diçka.
10. edhe sh. ~ËRA, ~ËRAT fig., keq. Diçka e ndyrë, ndyrësi, diçka e pandershme. Baltërat e shekujve. Balta e turpit. Pastroi baltërat.
✱Sin.: llucë, llum, lym, lyshtër, ledh, lerë, lëtyrë, llubatë, llapërçinë, lloç, llome, llomështi, llurbë, llurbëtirë, muzgë, tinë, fundërrinë, fundërri, zgjyrë.
♦ Ai *mur atë baltë do përçm. Ajo baltë për atë mur është përçm. ka gjetur shoku-shokun, janë të një brumi, si njëri, si tjetri; gjeti tenxherja kapakun; sipas kokës edhe festen. Baltë e dobët. 1. Njeri i dobët nga trupi, që nuk u qëndron dot sëmundjeve, lodhet shpejt etj. 2. keq. Njeri i pakarakter; njeri i paqëndrueshëm, që thyhet shpejt; njeri i lëkundshëm. Baltë e ngjitur keq. njeri i mërzitshëm, që të ngjitet nga pas e nuk të shqitet. Baltë e vjetër njeri me përvojë të madhe në punë dhe i rrahur nga jeta; ka pirë ujë në shumë burime (kroje); (është) ujk i vjetër (plak). Baltë e Zotit (e Perëndisë) njeri i thjeshtë, si gjithë të tjerët, dikush që nuk ka asgjë të veçantë nga të tjerët; njeriu me të mirat dhe të metat që ka. U bë baltë (dikush). 1. shih u bë dhè (dikush). 2. I ra vlera fare; u bë llucë. Iu bë baltë (dikujt) iu përul shumë, i vete pas i nënshtruar e i poshtëruar; i lëpihet; u bë baltë (e pluhur); iu bë lepitkë; iu bë opingë; iu bë bajgë bised.; i lëpin (i puth) këmbët. U bë baltë e bardhë (dikush) shih u bë baltë në fytyrë (dikush). I bëhet balta *flori (dikujt). U bë baltë në fytyrë (dikush) u zverdh, u zbeh shumë (nga frika, nga tronditja); u bë dhè (dikush); i ra çehrja e vdekjes (dikujt); iu zbardh buza (dikujt). Iu bë baltë pas këpuce (dikujt) keq. iu ngjit shumë dikujt sa e mërziti, nuk i ndahet fare, i shkon gjithnjë pas; iu bë bajgë pas opinge bised.; iu bë baltë; iu bë lepitkë; i lëpin (i puth) këmbët. Bëhem baltë e pluhur shkatërrohem krejt; shpartallohem; përulem përpara dikujt, i nënshtrohem tërësisht, bëj çdo gjë që do ai pa asnjë kundërshtim; i bëhem urë (e vig) (dikujt). Bën baltë (dikush) tall. rri kot, rri pa punë ose merret me diçka të padobishme; trazon baltën me shkop; tund (luan) derën; numëron qimet e postiqes; vret (numëron) miza. E bëri baltë (diku) ka shkuar dendur te dikush, e ka tepruar me hyrje-dalje të shpeshta; e bëri kalldrëm përçm. S’të bën baltë (diçka) është e nevojshme, duhet, s’të prish punë po ta kesh a të ruash. E bëri baltë e pluhur (dikë a diçka) e shkatërroi; e shpartalloi; e bëri pluhur (e hi). Bën baltë pa shi (dikush) tall. krijon probleme e shqetësime edhe kur s’ka shkak ose arsye, grindet kot së koti. Bën baltën e nuk bën vorba (dikush) nuk e çon deri në fund një punë, e lë diçka në mes; mbjell e nuk korr. E bën mjaltin baltë (dikush) është i keq nga shpirti e të prish çdo gjë, gëzimin, jetën e mirë, nderin, të vërtetën etj.; e bën të bardhën të zezë. E bëra rrugën baltë shkoj e vij tutje-tëhu për të mbaruar një punë, vete në shumë vende për të njëjtën gjë; sillem rrotull sa andej-këtej për të zgjidhur diçka, sorollatem varavinga; bëj çap e jak; hip e zbrit. Ra në baltë (dikush). 1. U fut padashur në një gjendje të keqe, ra në rrethana të vështira, ka ngecur në një punë. 2. I ra vlera; nuk ka forca e mundësi për diçka; ra në llum; ra në batak; ra në moçal; kund. doli (u ngrit) nga balta. Çan baltën për të tjerët (dikush) punon me gjithë fuqitë, derdh djersë e mundohet për botën; i vë gjoksin (diçkaje). Doli (u ngrit) nga balta (dikush) doli nga një gjendje e vështirë, e prapambetur ose poshtëruese; shpëtoi nga një hall, nga një vështirësi a nga një e keqe; doli nga bataku; kund. ra në baltë. *Flori në baltë (në pleh). Hëngri baltë (dikush) përçm. 1. Është munduar shumë në jetë; ka rrojtur me të keq, ka vuajtur në varfëri; u rropat. 2. mospërf. Vdiq; hëngri dhè; kafshoi (zuri, hëngri) gjuhën. Ha baltë me dhëmbë (dikush) vuan shumë, heq keq, u rraskapit (në jetë a në një punë); heq pikën e zezë; heq gurin e gjakut. Hedh baltë (mbi dikë a mbi diçka) e poshtëron duke shpifur, e përlyen, e njollos, ia nxin emrin e mirë; i hedh lerë (dikujt a diçkaje); i hedh gurë (dikujt); i lë hije të zezë (dikujt a diçkaje). E hedh në baltë (diçka) keq. e hedh poshtë si diçka pa vlerë, e flak; e shkel me këmbë. S’është baltë për tjegulla (dikush) mospërf. nuk ka fuqi a zotësi për të bërë diçka, nuk ka vlera për diçka të mirë. E kam gojën baltë kam një shije të keqe në gojë; më është pështirosur goja. Me *këmbë balte (argjile). E la në baltë (dikë). 1. E la në vështirësi kur duhej ta ndihmonte, nuk i dha ndihmën që priste; i doli i pabesë dhe e braktisi në rrethana të vështira; e la në llucë; e la në batak; kund. e nxori (e ngriti) nga balta. 2. Ia kaloi një tjetri, ishte më i aftë, më i zoti a më i fuqishëm se ai; qëndron shumë më lart se një tjetër. Nuk i la baltë nën thua (dikujt) ia zbuloi të gjitha të metat, veset, hilet, gabimet etj.; s’i la gjë pa ia thënë; ia nxori të palarat (në shesh). U lëshon baltë varreve (dikush) përçm. është njeri shumë i lig, nuk i lë të qetë edhe të vdekurit; nxjerr të vdekurin nga varri; ia ka shitur shpirtin shejtanit keq. Nuk mban baltë në vesh (dikush) është shumë i ndërgjegjshëm e i çiltër, nuk duron dot dyshime të kota mbi vete; e thotë hapur të vërtetën. Mbeti (ngeci) në baltë (dikush) ka mbetur në një gjendje të keqe, nuk i kapërcen dot vështirësitë e pengesat, nuk del dot nga gjendja e vështirë; mbeti (ngeci) në llucë; mbeti (ngeci) në moçal; mbeti në zall. Mbuloi balta baltën përb. thuhet kur vdes një njeri i keq, i pavlerë a i poshtër, që ka bërë shumë të liga (në kuptimin “mirë bëri që vdiq!”). E nxori (e ngriti) nga balta (dikë) e ndihmoi që të dilte nga gjendja e vështirë, e shpëtoi nga një vështirësi, nga një hall a nga një e keqe; e nxori (e ngriti) nga lluca; e nxori nga bataku; kund. e la në baltë. Nuk e nxjerr *gomarin nga balta (dikush). I qëroi baltën e thoit (dikujt) ia nxori të palarat; s’i la gjë pa thënë e pa bërë; ia numëroi një e për një të gjitha të këqijat. Trazon baltën me shkop (dikush) nuk ka punë e rri kot ose bën diçka të padobishme; bën baltë; tund (luan) derën; vret (numëron) miza; numëron qimet e postiqes; kërcet gishtërinjtë. I zuri thoi baltë (dikujt) filloi ta marrë veten nga ana ekonomike, nisi të dalë nga gjendja e keqe; doli mbi ujë1 (dikush); doli në sipërfaqe (dikush).
DENIGR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. I errësoj, i zvogëloj ose i ul qëllimisht vlerat e dikujt a të diçkaje, duke shpifur e duke folur keq për të, e nxij dikë a diçka përpara të tjerëve; prozhmoj, përgojoj. Nuk e lanë t’i denigronte shokët. E denigroi veprën (romanin). Deshi të denigronte tërë punën.
✱Sin.: zhvlerësoj, errësoj, zvogëloj, ul, përgojoj, njollos, poshtëroj, nxiros.
HISTORÍK,~E mb. 1. Që ka të bëjë me historinë, që i përket historisë, i historisë. Zhvillimi (procesi) historik. Studime historike. Shkenca historike. Monument (dokument) historik. Dëshmi (të dhëna) historike. Periudhë historike. Shkaqet (rrënjët) historike. Kategori historike.
2. Që dëshmohet se ka qenë me të vërtetë; që ka qenë i gjallë, i përgjigjet realitetit dhe nuk është i trilluar a i shpifur. Fakt historik. Figurë historike. Personazh historik.
3. Që është shumë i rëndësishëm për shoqërinë, që vlen të mbahet mend e të përkujtohet, i njohur, i shënuar; që ka hyrë në histori si diçka e rëndësishme; që është i lidhur me një ngjarje të rëndësishme të historisë. Datë (ditë) historike. Përvjetor historik. Kthesë historike. Kongres historik. Mbledhje historike. Vendim historik. Fitore historike. Rol (mision) historik. Përvojë historike. Vende historike.
4. Që mbështetet plotësisht ose pjesërisht në ngjarje të historisë, që paraqit a përshkruan një figurë ose një ngjarje të rëndësishme të historisë. Roman historik. Me subjekt historik. Këngët historike.
5. Që ndriçon rrugën e lindjes dhe të zhvillimit të pandërprerë të dukurive në etapa të ndryshme dhe në lidhje të ngushtë e dialektike me kushtet konkrete; që studion historinë e zhvillimit të pandërprerë të fakteve e të dukurive të një fushe të caktuar (për shkencat). Metoda historike e studimit. Vështrim historik. Analizë historike. Shpjegimi historik i dukurive. Gramatika (fonetika, leksikologjia) historike. Botanika (gjeografia) historike.
6. Që njihet e dëshmohet me anë të dokumenteve (në kundërvënie me prehistorinë). Periudha historike. Koha historike dhe prehistorike e një populli.
JOHISTORÍK,~E mb. 1. Që s’ka të bëjë me historinë, që nuk i përket historisë; kund. historik.
2. Që nuk dëshmohet se ka qenë me të vërtetë; që s’ka qenë i gjallë, që nuk i përgjigjet realitetit, që është i trilluar a i shpifur; që nuk mbështetet në ngjarje të historisë; që s’është historik; kund. historik. Personazh johistorik. Roman (subjekt) johistorik.
KRIJÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Foshnjë e porsalindur; fëmija i dikujt. Krijesë e pafajshme.
2. filoz. Çdo gjë që krijohet në mënyrë natyrale ose nga natyra (qenie, bimë, send etj.) dhe ekziston objektivisht. Krijesë e natyrës.
3. edhe fig. Krijim a produkt i të menduarit ose i trurit; shpikje; zbulim i ri. Krijesë e mendjes (e trurit) të njeriut.
4. fig., bised., mospërf. Diçka e shpifur; shpifje.
✱Sin.: foshnjë, fëmijë, krijim, shpikje, shpifje.
KRIJÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. edhe filoz. Veprimi dhe gjendja kur krijohet dika e re; shfaqje a lindje e diçkaje të re dhe ende e panjohur; krijesë natyrore dhe objektive. Krijimi i botës dhe i njeriut.
2. edhe fig. Zbulim krejt i ri si rezultat i aftësisë së mendjes dhe e shpirtit të njeriut. Krijimi i inteligjencës artificiale. Krijimi i një botëkuptimi të ri. Krijim i rremë (fantastik).
3. bised., mospërf. Diçka e shpifur; shpifje.
✱Sin.: krijesë, krijimtari, zbulim, ngjizje, shpikje, shpifje.
KRIJÚAR (i, e) mb. 1. Që është krijuar në mënyrë natyrore dhe objektive; që është rezultat i aftësisë mendore të njeriut; i zbuluar; i shpikur. Ngjarje të krijuara. Ndodhi (histori) e krijuar.
2. mospërf., shpërf. I shpifur, që s’është real a i vërtetë. Ishte diçka e krijuar.
✱Sin.: i shpikur, i sajuar, i formuar, i prodhuar, i ngjizur, i përftuar, i trilluar, fantastik, i shpifur.
LLANGÓSËS,~E mb. 1. Që ndot diçka; që e bën me njolla; që e lyen më shumë se ç’duhet. Mjeshtër llangosës. Nuse llangosëse. Makijazh llangosës.
2. fig. Që përbalt të tjerët duke shpifur e duke thënë gjëra të pavërteta; shpifës. Djalë llangosës. Vajzë llangosëse.
3. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit.
NGÓRDHUR (i, e) mb. 1. Që ka pushuar së jetuari (për kafshët), i cofët; kund. i gjallë. Kafshë e ngordhur. Pulë e ngordhur. Mish i ngordhur mish shumë i dobët.
2. fig., mospërf. Që i mungon gjallëria, i pafuqi, i mefshtë, ngordhalaq. Njeri i ngordhur. Rri si i ngordhur.
3. euf. Që është në ereksion, i ngritur.
✱Sin.: i cofët, i cofur, i ngordhët, i vdekur, i pafuqishëm, ngordhalaq, i mefshtë, i humbur, i mbetur, i shpifur.
♦ Gjeti *mish të ngordhur (dikush) mospërf. S’ha *pulë të ngordhur (dikush). *Morr i ngordhur (i vrarë) përb. bised.
PANATÝRSH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që nuk është i natyrshëm; i shtirë, i shpifur; kund. i natyrshëm. Qëndrim i panatyrshëm. Koalicion i panatyrshëm. Luhatje të panatyrshme të çmimeve. Mision i panatyrshëm. Pozicionim i panatyrshëm.
✱Sin.: i shtirë, i shpifur.
PAVËRTÉTË (i, e) mb. Që nuk përputhet me të vërtetën, që nuk pasqyron të vërtetën; që s’është me të vërtetë ashtu; jo i vërtetë; kund. i vërtetë. Pasqyrim i pavërtetë. Gjë e pavërtetë. Akuza të pavërteta. Janë të pavërteta ato që thonë.
✱Sin.: i paqenë, i shtrembër, i shtrembëruar, i rremë, fals, i shpifur, i gënjeshtërt, i sajuar, i trilluar, i pathemeltë, i paprovuar.
PÝK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Copë prej druri a metali, e ngushtë dhe e mprehtë nga njëra anë, që futet në plasën e një trungu dhe goditet nga sipër për ta çarë më lehtë. Pykë druri (hekuri). I ra pykës. E çau me pykë. S’luan lisi me fjalë, po do pykë e do sharrë. (fj. u.).
2. usht. Pjesë trupash që ka çarë forcat e armikut dhe ka hyrë në thellësi të pozicioneve të tij.
3. fig. Grindje e përçarje. Fuste pyka.
4. fig., mospërf. Njeri shumë i trashë nga mendja; ai që s’ka mësuar fare; kërcu, gdhe. Iku pyka pa mbaruar takimi.
5. si mb. Që është i trashë nga mendja; kokëtrashë, budalla. Ishte pykë fare.
✱Sin.: sfinë, fit, grindje, përçarje, gdhe, çarës, pykëzim, grindje, sherr, përçarje, i trashë, i metë, dërrasë.
♦ E ka bërë bishtin pykë (dikush) i është rritur mendja shumë, kujton se mund të hahet me këdo; i duket vetja trim, e mbivlerëson veten; e mban bishtin përpjetë; i është rritur mendja (dikujt); vret (rreh) lart; e mban hundën përpjetë. Bie pykë jam në një gjendje të vështirë, nga e cila nuk dal dot; zihem ngushtë. Çaj *dërrasa pa pykë. E kanë çuar në pyka (dikë) i bëjnë lëvdata të tepruara; e bëjnë të mburret e t’i pëlqejë vetja; bëjnë që ta ndiejë veten mbi të tjerët; e ngre në qiell; ia rrit mendjen (dikujt); ia ngre kryet2 (dikujt); i thur (i këndon) himne (dikujt); i thur ditirambe (dikujt) iron. Fut pyka (dikush) përpiqet të përçajë e të vërë në grindje dy vetë, duke i nxitur kundër njëri-tjetrit a duke shpifur; fut fite; fut kunja; fut spica. Futet (hyn) si pykë (dikush) ndërhyn atje ku nuk duhet, përzihet edhe aty ku nuk i takon; fut hundët (hundën). S’ha (s’merr) pykë (dikush) nuk i pranon fare këshillat dhe qortimet, nuk merr vesh sado t’i flasësh, nuk ndreqet, nuk thith; nuk ha shqip; s’ha të gdhendur; e ka kokën gdhe; nuk i hiqet asnjë ashkël (dikujt); s’lidhet as për bisht e as për krye. E la pykë (dikë) e vrau, e la në vend me një të goditur; e la top (në vend). Ka mbetur pykë në lis (dikush) është shumë ngushtë, nuk di nga t’ia mbajë, e ndien veten shumë keq, është në një gjendje të rëndë, ka shumë halle e kokëçarje; ka bjeshkën në shpinë; i mbeti (iu var) samari nën bark (dikujt). Pykë në diell. 1. Njeri shumë i varfër; kripë në diell; është (ka mbetur) trokë (dikush). 2. Dikush që nuk di a nuk merr vesh fare; njeri fare i paditur dhe jo i zgjuar, pykë, gdhe; tapë topi. Pykë nga mendja budalla, që nuk kupton a që nuk mëson dot, i trashë, gdhe; i trashë nga mendja (nga trutë, nga koka); rrotë nga mendja përb.; rrip nga mendja përb.; rrotë mulliri tall. Rrëzon *lisin për dy pyka (dikush). Shkojnë *mykë e pykë. E vuri në pyka (dikë) shih e vuri në lojë (dikë).
SHFRENÚESHËM ndajf., libr. Në mënyrë të shfrenuar; pa kontroll, tërbueshëm. Kërcente shfrenueshëm. Ditët rrodhën shfrenueshëm. Virusi u përhap shfrenueshëm. Kishin shpifur shfrenueshëm. E shfaqi shfrenueshëm dashurinë.
✱Sin.: tërbueshëm, harbueshëm, vrullshëm.
SHPÍFUR (i, e) mb. 1. I paqenë, i trilluar, i rremë. Akuza të shpifura. Fjalë (lajme) të shpifura.
2. bised. I panatyrshëm, i sajuar, i shpikur. Gjellë e shpifur.
3. mospërf. I dobët e i shëmtuar, që nuk shihet me sy; i ngordhur. Njeri i shpifur. Dele e shpifur. Rri si i shpifur.
4. si em. Mezi erdhi, i shpifuri.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë