Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ARÚSH/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Ursus) Femra e ariut. Arushë e murrme (e bardhë). Këlyshët e arushës. Arushë bjeshke. Arushë polare.
2. bised. Njeri i fuqishëm e i guximshëm, njeri që nuk lodhet kurrë; mjet pune shumë i fuqishëm. Është arushë. Arushë mali.
3. Lodër e butë me pamje ariu. Arushë pelushi. Arushë pushi.
♦ Arusha (Qerrja) e Madhe astr. yjësia në gjysmërruzullin verior të qiellit, që përbëhet nga shtatë yje të renditura si qerre. Arushë mali përk. njeri i fuqishëm e i guximshëm; njeri që nuk lodhet kurrë. Si arusha në shpellë tall. i vetmuar, fillikat, larg njerëzve; njeri pa njeri; pa parë dy sy njeriu, pa parë dritën e diellit. Arusha e Vogël astr. yjësia në gjysmërruzullin verior të qiellit, që përbëhet nga shtatë yje të renditura si qerre, njëri nga të cilët (ylli i bishtit) është Ylli Polar i Veriut. Bën *gjumin e arushës (e ariut) (dikush) tall. Ku di arusha ç’është pitja iron. shih ku di dhia ç’është tagjia. Fle në *lëkurë të arushës (dikush). Futet në *shpellë të arushës (dikush) iron. I kërcen arusha në dasmë (dikujt) i ka punët shumë mirë, çdo gjë i vete mbarë; është i gëzuar. M’i la *këmbët e arushës në dorë (dikush). E ka lëpirë arusha (dikë) shaka. është pispillosur, i ka shtruar flokët si të lëpira; duke i shëmtuar; e ka lëpirë lopa shaka. Luan arushë (me dikë) keq. tallet me dikë, e sjell vërdallë sipas qejfit të tij; e vë në bisht të lahutës (dikë). (Zihen) për *lëkurën e arushës.
BÍR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Vrimë. Birat e shoshës. Birat e mureve. Bira e miut njëqind grosh. (fj. u.). Fjalët e hallkut e birat e gardhit nuk mbyllen. (fj. u.). Pushka sa ka birën, ka nafakën. (fj. u.).
2. Zgavër natyrore brenda një shkëmbi a mali; shpellë, guvë. Dhelprat kanë birat e zogjtë kanë çerdhet. (fj u.). Ku ka birë, ka ujk. (fj. u.).
3. euf. Organi seksual femëror.
✱Sin.: vrimë, brimë, vërë, mazgallë, vesh (i gjilpërës), shpofkë, vrajë, honi, çepojë, plasë, fyrlë, gavërz, por, guxhuverë.
♦ Bën birë në tel të çiftelisë (dikush) krahin. është shumë i hollë nga mendja, shpik e bën gjithçka; ka duar të arta. Bira (*vrima) e fundit e kavallit përçm. S’e çeli birën e gojës (dikush) përb. heshti, nuk foli fare; s’e hapi gojën; nuk tha asnjë gjysmë fjale. Hyn (futet) në birë (në *vrimë) të miut (dikush). Kërkon bira dhelprash (dikush) tall. e kalon kohën kot, bën punë pa punë; është dembel; pret të dalë miza nga qypi iron.; vret (numëron) miza. Më mbeti birë në zemër (diçka) shih më mbeti peng në zemër (në shpirt) (diçka).
CÓP/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT dhe ~ËRA, ~ËRAT 1. Pjesë e diçkaje të ngurtë, që është thyer, është shkëputur ose është ndarë nga e tëra. Copë e vogël (e madhe). Një copë bukë (djathë, mish). Një copë byrek. Copë teli. Copë tulle (guri, druri). Copë predhe. Copë pasqyre. Një copë letre. Copëra metali. I këput një copë. Thyej një copë. Heq një copë. Ha një copë. Pres në copa. Ndaj në dy copa. Kush kërkon copën e madhe, humbet edhe të voglën. (fj. u.).
2. Pjesë e diçkaje në përgjithësi, pjesë e një të tëre; një pjesë kohe, jete etj. Një copë tokë. Një copë rrugë. Një copë e jetës. Një copë kohë. Një copë herë një fare kohe, ca kohë, jo gjatë. Copëra bisedash. Gjumë me copa gjumë i ndërprerë, gjumë copa-copa. E bëj rrugën me copa e bëj rrugën pjesë-pjesë, duke u ndalur kohë pas kohe, jo menjëherë. Një copë një të tërë, pa e ndarë në pjesë.
3. Pjesë e shkëputur nga një vepër letrare ose artistike. Copa këndimi. Copa letrare. Copa muzikore. Copa melodish. Copa të zgjedhura.
4. Pjesë e një stofi ose e një pëlhure, që mjafton për të qepur një veshje, stof ose pëlhurë aq sa na duhet për një veshje; stof a basmë. Copë e bukur (e shtrenjtë, e lirë). Copë për fustan (për fund). Copë pantallonash. Blej një copë. Çoj një copë për të qepur.
5. sh. ~Ë, ~ËT Një send i veçantë në numrin e sendeve të njëjta (si njësi numërimi); një send si njësi për të llogaritur normën, punën, pagesën etj. Njëqind copë libra. Dyqind copë dërrasa. Pesë copë fshatra. Punë me copë. Shpërblim (pagesë) me copë. Shiten me copë.
6. fig. mospërfill. Përdoret pranë një emri për të treguar me mospërfillje një send a një njeri të vogël e të pavlerë; përdoret zakonisht me keqardhje për një njeri që është i pafuqishëm, i dobët e fatkeq ose për t’u mëshiruar. Një copë letër. Një copë burrë. Një copë grua. Një copë nuse. Një copë mësues. Një copë plakë. Një copë fëmijë. Atë copë shtëpi.
7. Pjesë e një dege të njomë ose e një filizi të një bime, që përdoret për shumëzimin e saj; kalem. Copa ulliri. Copa për mbjellje. Shumëzim me copa. Shtoj me copa.
8. bised. Vajzë a grua e bukur. Alamet cope.
✱Sin.: dasik, blanjë, kokërr, shqimëz, kokë, cukë, rrobë1, fragment, pjesë, kalem, thelë.
♦ Bëhem copë (copë e gojë). 1. Copëtohem fare; vritem keq, plagosem rëndë, dërrmohem; bëhem fërtele; bëhem thelë e copë; bëhem thekë e degë; bëhem feta. 2. Përpiqem me të gjitha forcat, bëj ç’është e mundur për të arritur diçka; përpiqem shumë për dikë, nuk kursehem, s’lë gjë pa bërë për të; bie copë; bëhem katërsh; çaj e ndaj; çahem e ndahem; bëhem urë e gurë. Të bëhet katërqind copash! (dikush) të përpiqet sa të dojë, të lodhet e të mundohet shumë e s’ka për ta arritur diçka; copë të bëhet! U bë *thelë e copë (dikush a diçka). M’u bë zemra copë u pikëllova shumë, ndjeva një dhembje të madhe; m’u bë zemra (shpirti) plagë; m’u bë zemra shpellë; m’u copëtua (m’u thërrmua) zemra; m’u ça (m’u çor) zemra; m’u shqye zemra (shpirti). E bëri copë (copë e çikë, thërrime, copë e thërrime) (dikë a diçka). 1. E copëtoi keq, e dërrmoi; e bëri copë-copë; e bëri sallatë; e bëri feta. 2. E shpartalloi krejt, e dërrmoi; e shkatërroi, e bëri të dështojë me turp; e bëri copë-copë; e bëri petë (peta); e bëri fërtele. Ia bëj samarin copë (dikujt) përb. 1. E mund për turp, e thyej keqas. 2. E qortoj rëndë dikë; e shaj, s’i lë gjë pa thënë; ia thyej samarin. Ma bëri zemrën (shpirtin) copë (dikush) më mallëngjeu shumë e më preku thellë; ma copëtoi (ma thërrmoi) zemrën; ma çau (ma çori) zemrën; ma shqeu zemrën; ma copëtoi shpirtin. Bie copë. 1. Përpiqem me të gjitha forcat, bëj çmos, copëtohem për dikë a për diçka; bëhem copë (copë e gojë); (jepem) me mish e me shpirt (pas dikujt a pas diçkaje). 2. Robtohem e lodhem sa s’ka ku të vejë më; këputem nga lodhja e nga stërmundimi; më bie bretku; më bien (më këputen) kryqet; më bien brinjët; më bie (më këputet) kurrizi; më bien kockat; më bien krahët copë. Më ra *goja (copë). Më ranë *këmbët copë. Më ranë krahët copë punova shumë, punova gjithë ditën, u këputa së punuari, u rraskapita; kam punuar shumë gjithë jetën sa jam lodhur; m’u këputën krahët; më ranë (m’ukëputën) kryqet; më ranë duart. Copë të bëhet! 1. (dikush). Të përpiqet me të gjitha fuqitë, fare të mos e kursejë veten; të bëhet katërqind copash!; dy copash të bëhet!; pre mish e ha! 2. Të ngjasë ç’të ngjasë!, çfarëdo që të ndodhë le të ndodhë; të bëhet ç’të bëhet! Një copë bukë diçka që nuk të bën përshtypje, që e sheh pa druajtje, si diçka krejt të zakonshme. Për një copë bukë shumë lirë, thuajse falas; për një bark bukë; për një kafshatë bukë; për pesë para; kund. sa frëngu pulën. Copë e çikë (copë e gojë, copë e trokë) krejt i grisur, si mos më keq, rrecka-rrecka; çikë e thërrime. Dy copash të bëhet! (dikush) të përpiqet deri në fund, të mos lërë gjë pa bërë; copë të bëhet! Copë mishi me dy sy përçm. njeri i qullët, i paaftë dhe jo i zgjuar, që s’është i zoti të bëjë gjë; tul me dy sy; mish pa kockë. (Është) copë e arnë (dikush) është shumë i varfër, është fare i këputur, nuk ka gjë prej gjëje; s’ka ku ta kapë (ku ta zërë) qeni (dikë); (është) kripë në diell (dikush); është (ka mbetur) krunde (dikush); kund. i pjell edhe gjeli (këndesi, kaposhi, kokoshi).
EKSPLORATÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Eksploruese. Njihet si eksploratore e ish-komplekseve industriale. Peshkaqeni tmerron eksploratoren. Eksploratorja e bllokuar në shpellë.
EKSPLORÚES/E,~JA f. sh. ~E, ~ET libr. Ajo që eksploron një vend. Eksploruesja e Mesdheut. Eksploruesja e deteve ndalet në port. Shpëtohet eksploruesja e bllokuar në shpellë.
EKSPLORÚESH/ËM (i), ~ME (e) mb. Që mund të eksplorohet. Kryeqyteti, i eksplorueshëm në çdo stinë të vitit. Do të kthehej në një vend të eksplorueshëm. Shpellë e eksplorueshme.
ÉRRËT (i, e) mb. 1. Që është pa dritë; që merr shumë pak dritë; kund. i ndriçuar. Natë e errët natë pa hënë. Dhomë e errët edhe foto. Shkallë të errëta. Shpellë e errët. Pyll i errët. Qiell i errët qiell i mbuluar me re. Pus i errët shumë i errët.
2. Që ka ngjyrë të afërt me të zezën; i mbyllur; kund. i hapur, i çelur. Ngjyrë e errët. E kuqe (blu, e gjelbër) e errët. Kostum (stof) i errët. Syze të errëta. Do t’u vija çarçafë të errët bujtësve. Flokë të errët të dendur.
3. fig. Që është i vështirë për t’u kuptuar ose për t’u shpjeguar, i paqartë; kund. i qartë. Vepër e errët. Pika të errëta. Periudhë e errët. Çështje e errët. Perspektivë e errët. Koncept shumë i errët. Lanë shumë pika të paqarta dhe të errëta.
4. fig. Që ka diçka jo të mirë a të fshehtë; që vepron në fshehtësi për qëllime të këqija. Punë të errëta. Qëllime (synime, plane) të errëta. Me rrugë (me mënyra) të errëta.
5. fig. Që është i mbushur me shqetësime e me vuajtje. E kaluara e errët. Në shekujt e errët (në vitet e errëta) të diktaturës. Kohët e errëta që kanë kapërcyer dy popujt.
6. fig. Që sjell prapambetje e padituri. Regjim i errët. Forcat e errëta. Norma të errëta kanunore. Botëkuptime të errëta.
7. fig. I vrenjtur, i ngrysur. Fytyrë e errët. Vështrim i errët.
✱Sin.: i errësuar, errëtak, i errur, i errshëm, i nxirë, i vrenjtur, i mjegulluar, i mbyllur, i ngrysur, i paqartë, i pakuptueshëm, i fshehtë, i panjohur, i dyshimtë.
♦ Në *ditë të errët. Me *mendje të errët. E sheh me *syze të errëta (diçka) libr.
GDHE,~RII m. sh. ~NJ, ~NJTË 1. Nyell i fortë në trungun a në degët e një druri. Gdheri i pishës. Dru me gdhe. Shkop me gdhenj. Dërrasë me gdhe.
2. Nyell i fortë në gishta. Duart i ka si masha, tërë gdhenj, tërë lesh.
3. fig. Njeri i trashë nga mendja, njeri i pagdhendur; njeri që s'merr vesh çfarë i thonë, kokëfortë. Ai ishte gdhë.
✱Sin.: nyell, i pagdhendur, i trashë, kokëfortë.
♦ *Dërrasë me gdhe (me nyjë) keq. Gjeti *turjela gdhenë. E ka kokën gdhe (dikush) është shumë kokëfortë, nuk dëgjon e nuk bindet, nuk ha fjalë e arsye, është kokë gdhe; nuk merr vesh e nuk kupton, është i trashë nga mendja, s’ia pret; e ka kokën gur; e ka kokën shkëmb; e ka kokën shpellë; e ka kokën me xhunga; s’ha (s’merr) pykë; s’ha të gdhendur; është kërcu (nga mendja). I ngeci *sharra në gdhe (dikujt). I zuri *sharra gdhenë (dikujt).
GJÁT/Ë (i, e) mb. 1. Që ka shtrirje të madhe në hapësirë në përmasën e gjatësisë; që zgjatet shumë nga njëri skaj në tjetrin; me gjatësi më të madhe nga sa duhet a nga sa është e zakonshme ose në krahasim me një tjetër; kund. i shkurtër. Rrugë e gjatë. Fije të gjatë. Me këmbë të gjata. Flokë të gjatë. Këmishë me mëngë të gjata. Valë të gjata (elektr.) valë me hapin e lëkundjes më të madh se 3000 metra. Ecën me hapa të gjatë. I pres drutë të gjata. I rri i gjatë fundi. Është bërë i gjatë. Burrë i gjatë. Bëhet më i gjatë zgjatet.
2. Që shtrihet në një madhësi të caktuar në përmasën e gjatësisë; që ka trup të lartë. Katër metra i gjatë. Një kilometër i gjatë. Sa i gjatë është?
3. Që është me shtat të lartë; kund. i shkurtër. Njeri i gjatë. Plep (lis) i gjatë.
4. Që zgjat shumë kohë, më shumë se zakonisht ose më shumë se një tjetër; që shtrihet shumë në kohë a që kërkon një periudhë kohe pak a shumë të madhe; kund. i shkurtër. Dimër i gjatë. Kohë e gjatë. Pushim i gjatë. Me afat të gjatë. Udhëtim i gjatë. Me jetë të gjatë! (fj. u.). Gjithë ditën e gjatë gjatë gjithë ditës. Gjithë natën e gjatë gjatë gjithë natës. Film me metrazh të gjatë.
5. Që ka vëllim të madh (për shkrime e për vepra letrare); i hollësishëm, jo i ngjeshur. Tregim i gjatë. Artikull i gjatë. Bisedë e gjatë.
6. gjuh. Që zgjatet më tepër kur shqiptohet, që ka gjatësi më të madhe në shqiptim; kund. i shkurtër. Zanore e gjatë. Rrokje e gjatë. Diftong i gjatë.
✱Sin.: i stërgjatë, picigjatë, i largët, gjatosh, gjatush, gjatarush, i zgjatur, i lartë, shtatgjatë, trupgjatë, shtatlartë, shtyllak, i hollësishëm.
♦ S’i bën drutë të gjata (dikush) shih i pret drutë të shkurtra (dikush). S’e bëri të gjatë (dikush) veproi shpejt a menjëherë, e vendosi dhe nisi ta bëjë diçka; i ra shkurt, nuk e zgjati; s’e bëri gjatë. S’ia bëri të gjatë (dikujt) nuk duroi a nuk priti shumë për t’i thënë a për t’i bërë diçka, s’ia zgjati; ia tha diçka copë e prerë; ia preu shkurt. *Gjuhët e gjata janë lodhur tall. E ka dorën të gjatë (i ka duart të gjata) (dikush) keq. 1. shih ka dorë1,2 (dikush). 2. Është i fuqishëm a ka përkrahje për t’u bërë keq të tjerëve; i ka mundësitë të arrijë atë që do, nuk e pengon asgjë; kund. i ka duart të shkurtra. E ka fytin të gjatë (dikush) ha shumë, s’lë gjë pa ngrënë, është grykës i madh; është i pangopshëm; ha me dy gryka. Nuk e ka të gjatë. 1. (dikush). Nuk do të rrojë edhe shumë, po i afrohet vdekja; do të vdesë së shpejti (për një të sëmurë rëndë a për një plak të thyer që është afër vdekjes); nuk e shpie (nuk e shtyn) më gjatë; nuk vete gjatë2; është në grahmat e fundit. 2. (dikush). Nuk do të jetë edhe shumë kohë në atë pozitë a në atë punë që ka, do të largohet a do të bjerë shpejt; nuk vete gjatë3. 3. (diçka). Nuk do të vazhdojë shumë, e ka fundin të shpejtë, nuk duron a nuk qëndron më shumë. E ka gjuhën (llapën) të gjatë (një pëllëmbë, një pash) (dikush) keq.1. Është llafazan i madh, flet shumë; thotë gjëra që s’duhet t’i thotë, flet mbarë e prapë; përflet të tjerët, merret me thashetheme; ka llapë të madhe bised.; s’i pushon goja (dikujt); e ka gojën çorap; e ka gojën kamare; e ka gojën shpellë. 2. Nuk mban dot gjë të fshehtë, i tregon të gjitha; e ka gjuhën lopatë tall.; e ka sqepin të gjatë; s’i vë fre gojës (gjuhës); s’i mban goja arra (dikujt). E ka hundën të gjatë (dikush) është mendjemadh, është fodull; shet mend; e mban hundën lart; e mban hundën përpjetë. E ka sqepin të gjatë (dikush) iron. flet shumë, me vend e pa vend; nuk i rrihet pa folur për çdo gjë e për këdo; e ka gjuhën të gjatë. I ka thonjtë të gjatë (dikush) keq. vjedh; e ka ves vjedhjen, vijon të vjedhë; grabit e rrëmben ç’të dojë; është me thonj; e ka dorën të gjatë (i ka duart të gjata); ka dorë. S’e ka vrapin të gjatë (dikush) nuk ka fuqi a aftësi që të vijojë një punë ose të përballojë një detyrë për një kohë të gjatë; nuk vete larg.
GÓJ/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Organ në pjesën e poshtme të fytyrës, që ka nofullat, dhëmbët, gjuhën, buzët dhe që shërben për të ngrënë, për të pirë, për të marrë frymë e për të folur; hapësira e këtij organi nga dhëmbët deri te gryka; organ i ngjashëm në gjallesat e tjera. S’kam vënë gjë në gojë nuk kam ngrënë gjë fare. Mendon vetëm për gojën (fig.) e ka mendjen vetëm për të ngrënë. Goja tret (edhe) malet (fj. u.). Shpjer gojën te buka e jo bukën te goja (fj. u.) përpiqu, puno që të sigurosh atë që duhet.
2. Buzët. Cepat e gojës. / bised. Dhëmbët. Jam mirë nga goja i kam dhëmbët të gjithë të shëndoshë. Ka vënë gojën. E ka gojën fushë i kanë rënë të gjithë dhëmbët.
3. bised. Pjesëtar i familjes; frymë, vetë (për të ngrënë). Ka gjashtë gojë për të ushqyer.
4. Organ i të folurit te njeriu; fig. ky organ, si shprehës e kumtues i mendimeve dhe i ndjenjave; gjuha; të folurit. Hape gojën! Fol! Mbylle (kyçe, mbaje) gojën! Mos fol!
5. Diçka e rrumbullakët a e ngjashme si ky organ. Goja e shpellës (e furrës).
6. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa bimë. Gojë asllan lulegojë. Gojë ujku lulegojë.
✱Sin.: buzë, dhëmbë, kafshatë, frymë, vetë, të folur, gjuhë, filiqe, grykë, fole, gojëz, syth, sqep, tytë, zdërre, kamare, shkarpë, gllup.
♦ *Arrë në gojë. Me *barkun te goja (te buza). Bëhem *copë (copë e gojë). U bë goja e botës (dikush) u bë turpi i botës, e tallin dhe e përqeshin të gjithë; u bë beja e dheut; iu nxi faqja; u bë gazi i botës. (U bëra) si *gjuha në gojë. S’më bën (s’më vete) goja s’e them dot diçka të rëndë, fyese etj. ose diçka tjetër që s’më pëlqen mua, nuk kam dëshirë a më vjen zor ta them diçka; s’dua të flas. Më ra goja (copë) fola shumë e vazhdimisht për diçka, po s’ma vuri veshin njeri; i fola dikujt pareshtur për një gjë, ia përsërita shumë herë për t’i mbushur mendjen për diçka etj., po ai s’më dëgjoi; u lodha së foluri për të njëjtën gjë; më vajti (më shkoi) goja (buza) te veshi (prapa veshit); më vajti goja prapa qafës; më zuri gjuha (goja) lesh; më ra gjuha përtokë. Ra (hyri) në gojë (të dikujt) e përflet dikush për keq, e përgojon; e merr (e mban) nëpër gojë (dikush). S'i bie gjuha në gojë (dikujt) keq. nuk pushon së foluri; s’i mbyllet (s’i rri) goja. Për *bukën e gojës. I buron (i nxjerr, i rrjedh) goja *mjaltë (dikujt). *Copë e gojë (copë e çikë, copë e trokë). S’e çeli *birën e gojës (dikush) përb. Çele gur gojën! iron. nuk flet fare dikush, rri gojëkyçur; s’e hap gojën; fol o gur fol, o mur! Më doli *shkumë (nga goja). I derdhi (i treti) *plumbin në gojë (dikujt) përb. (Ia di) sa *dhëmbë e dhëmballë ka në gojë (dikush). I do dardhat në gojë (dikush) iron. është dembel, nuk merret me asnjë punë; hajde bukë të të ha, hajde ujë të të pi tall.; është shtromë të fle, shtymë të bie. E do në gojë (dikush) keq. do që t’ia bëjnë gati gjithçka e të mos lodhet vetë, e do të gatshme çdo gjë, është dembel i madh; e do qofte; e do në tepsi. Një *fjalë goje... Flet me pesë gojë (dikush) mospërf. është llafazan i madh, nuk pushon së foluri; s’i pushon goja (dikujt). S’kam futur (s’kam vënë, s’kam shtënë) gjë në gojë nuk kam ngrënë gjë fare, jam esëll; jam i uritur. S’i futet *gjuha në gojë (dikujt). Me një gojë të gjithë njëherësh; njëzëri; me një zë. Gojë më gojë. 1. Duke ia thënë a duke ia treguar njëri-tjetrit me gojë; duke kaluar nga njëri brez në tjetrin me gojë a me të treguar, në mënyrë gojore; goja-gojës; gojë pas goje. 2. Vetëm për vetëm, pa qenë i pranishëm tjetërkush (kur flasim a bisedojmë me dikë); sy për (më) sy. Gojë pas goje goja-gojës; gojë më gojë. Me gojë të lan e me dhëmbë të çan (dikush) shtihet si i mirë, por të bën të keqen; është hipokrit; (është) mësallë me dy faqe. Gojët e liga (e këqija) keq. ata që flasin keq për dikë a për diçka ose merren me thashetheme; keqdashësit. Me gojë mbyllur pa folur fare, pa thënë asnjë fjalë, gojëmbyllur, gojëkyçur; pa marrë pjesë a pa ndërhyrë në një bisedë; i heshtur. Në gojë të ujkut (të qenit) në rrethana shumë të rrezikshme, para një rreziku të madh; në mes të armiqve të egër; në një gjendje të rëndë. Me *grurë në gojë (dikush) keq. Si *gjuha në gojë. Me *gjysmë goje. Sa i hëngri goja sa mundi, sa deshi, shumë, sa kish për të thënë deri në fund (kur dikush shan a qorton një njeri). Të ngrëntë goja *mjaltë! ur. S’më hahet goja nuk përtoj të flas a t’i them dikujt për një punë; nuk humbas gjë. Ç’ha goja e njeriut çdo gjë, të gjitha të mirat. Hanë në gojë të njëri-tjetrit shih pjekin bukë në një çerep, edhe keq. E hapi (e çeli) gojën (dikush). 1. Filloi të flasë, thotë diçka; tregon çka di; kund. e mbylli (e kyçi, e mbërtheu, e qepi) gojën. 2. Nuk rri pa folur; merr guximin të thotë a të kërkojë diçka; e ngriti zërin; e hapi tytën bised.; kund. e mbylli (e kyçi, e mbërtheu, e qepi) gojën. I hap (i çel) gojën (dikujt) i jap shkas tjetrit për të folur; e mësoj keq, i lë shteg që të kërkojë gjëra të tepërta që nuk i takojnë; i hap syrin; kund. ia mbyll (ia zë) gojën. S’e hap gojën (dikush) është i heshtur, nuk ndihet; është i urtë e i mbyllur në vetvete; nuk thotë asnjë fjalë, nuk flet fare; s’bëhet i gjallë; s’bën gëk (as gëk as mëk); çele gur gojën! iron.; kund. s’e mbyll gojën. E ka hapur (shumë) gojën (dikush) ka filluar ta teprojë me fjalë, thotë gjëra që s’duhen thënë a kërkon gjëra që s’i takojnë; nuk i kontrollon fjalët; përflet e shan shumë; e ka zgjatur gjuhën. Hap gojën e shikon qiellin (dikush) është dembel i madh e pret që gjithçka t’ia bëjnë gati të tjerët, nuk lëviz vetë, por pret t’i vijë çdo gjë vetiu. Iu hap (iu çel) goja (dikujt) ka filluar të flasë pa druajtje, ka marrë guximin të flasë a të kërkojë diçka; iu hap gryka. S’i hapet goja (dikujt) nuk ka oreks, nuk ka dëshirë për të ngrënë. I hoqi (i preu) *bukën e gojës (dikujt). S’e heq (s’e lëshon) nga goja (dikë a diçka) flet shumë për të, e përmend a e kujton vazhdimisht për të mirë, flet gjithmonë shumë mirë, me dashuri e me nderim, e lavdëron shumë; nuk e harron kurrë së përmenduri; e mban në gojë; e ka në gojë; i mbeti (i ngeli) goja (te dikush a te diçka); i mbeti (i ngeli) në gojë (dikush a diçka). I hoqi (i preu) *kafshatën e gojës (dikujt). E humbi gojën (dikush). 1. Humbi të folurit, u bë memec, nuk flet dot; i iku goja1. 2. Pushoi së foluri për diçka, nuk flet më; nuk ndihet, se e kupton që s’ka të drejtë ose nuk guxon; i iku goja2 (dikujt). I iku goja (dikujt). 1. Nuk flet dot më, bë memec; e humbi gojën1; kund. i erdhi goja. 2. U nguros (nga frika etj.); s’ka ç’të thotë a s’ka të drejtë të flasë më; e humbi gojën2; kund. i erdhi goja. Është *bilbil nga goja (dikush). Është *brisk nga goja (dikush). Është *çotë nga goja (dikush). Është gojë e bark (dikush) është hamës i madh, ha shumë; mendon vetëm për të ngrënë, e ka mendjen vetëm tek e ngrëna. Është *shpatë nga goja (dikush). Është me *shpirt në gojë (dikush). Është (i zoti) i gojës (dikush) di të flasë bukur, të mbrojë veten a të bindë të tjerët; është i rrjedhshëm në të folur; i punon goja (dikujt); i pret goja (brisk) (dikujt); i pret gjuha (brisk) (dikujt); është i gjuhës. I jep gojës (dikush). 1. Ushqehet mirë, nuk kursen për të ngrënë, ha sa do e çfarë do. 2. Nuk e përmban veten në të folur, flet shumë e pa u ndalur; s’i pushon goja (dikujt); s’e mbyll gojën; s’i pushon gjuha (dikujt). Ia dha *llokum (në gojë) (dikujt). Ka gojë (dikush). 1. keq. Flet mbarë e prapë, përdor fjalë të rënda, fyese etj.; është gojëprishur; ka gjuhë; ka llapë (të madhe). 2. (diçka). Dëshmon haptas për diçka, tregon qartë, flet vetë (për gjëra që duken sheshit). S’ka gojëI (dikush). 1. Është fjalëpakë, është i heshtur. 2. Është i urtë e nuk kundërshton, nuk kthen fjalë; bindet shpejt. 3. Nuk shan e nuk grindet me fjalë. S’ka gojëII (dikush) keq. s’i bie atij të flasë, se nuk është në rregull për vete; s’ka të drejtë të kërkojë diçka, se nuk i takon; e preu gojën; e ka (e mban) gojën të mbyllur. E kam në gojë (dikë a diçka). 1. E përmend a e kujtoj vazhdimisht për të mirë, flas gjithmonë shumë mirë për të; flas vazhdimisht për të njëjtin njeri a për të njëjtën gjë; e mbaj në gojë; s’e heq (s’e lëshoj) nga goja; më mbeti (më ngeli) goja2; më mbeti (më ngeli) në gojë (dikush a diçka). 2. Gati sa s’e them diçka, e kam në mend a e di, por s’po mundem ta shpreh, ta kujtoj, ta tregoj a ta përcaktoj si duhet; e kam në majë të gjuhës; më erdhi në dhëmbë (dikush a diçka). E ka gojën *ajkë (dikush). E ka gojën *arkë (dikush). E ka gojën si *arka e plakës (dikush). E kam gojën *baltë. E ka gojën *behar (dikush). E ka gojën *bilbil (dikush). E ka gojën (gjuhën) *brisk (dikush). E ka gojën për *bukë (dikush). E ka gojën *çorap (dikush). Ka gojë të ëmbël (dikush) është gojëmbël, është fjalëmbël. E ka gojën *të ëmbël (dikush). E ka gojën *fushë (dikush). E ka gojën *të hapur (dikush). E ka gojën *hudhër (dikush) keq. E ka gojën *kamare (dikush) përçm. E ka (e mban) gojën *të kyçur (dikush). E ka gojën (gjuhën) *të lëshuar (dikush). E ka gojën *llokum (dikush). E ka (e mban) gojën *të mbërthyer (dikush). E ka (e mban) gojën *të mbyllur (dikush). E ka gojën *mjaltë (huall) (dikush). E ka gojën *të prishur (dikush) keq. E ka gojën *sheqer (dikush). E ka gojën *shpellë (dikush). E ka gojën *të shthurur (dikush) keq. E ka gojën *thanë (dikush). E ka gojën *uthull (dikush). Ia lag gojën (dikujt) i jap fare pak për të pirë a për të ngrënë; njom (lag) gojën (dikush); njom (lag) grykën (dikush); njom (lag) fytin (dikush); njom (lag) gurmazin (dikush). M’u lag *gjuha në gojë. Laje (pastroje) gojën! iron. shih veten tënde e matu mirë para se të flasësh për dikë, nuk je i denjë as për ta zënë me gojë emrin e tij, s’ke të drejtë morale të flasësh për të; je larg vlerave të dikujt. Sa për të larë gojën iron. sa për të thënë se e bëra, sa për të shkuar radhën (kur ftojmë dikë, kur japim një këshillë etj.). E la me *gisht në gojë (dikë). Më la me gojë hapur (dikush a diçka) më çuditi shumë, më shtangu, më mahniti dikush me atë që thotë a që bën ose diçka e papritur, e pabesueshme a që s’ta merr mendja, një pamje mbresëlënëse etj.; më shastisi; më la gojëhapur. I lëngëzon goja (dikujt) shih i lëshon (i shkon) goja lëng (dikujt). Lëshon *barut nga goja (dikush). Ia lëshoi *frerin gojës (gjuhës) (dikush). S’e lëshon (s’e heq) nga goja (dikë) e do dhe e lëvdon shumë, flet vazhdimisht për të; e mban në gojë. E ka lëshuar gojën (dikush) shih e ka lëshuar gjuhën (dikush). I lëshon goja *jargë (dikujt). E lëshon gojën në *jonxhë (dikush) iron. I lëshon (i shkon) goja *lëng (dikujt). E lëshon gojën si në urov (dikush) keq. flet pa menduar, flet si t’i vijë për mbarë; nuk i vë fre gojës. Lëshon *tufan nga goja (dikush) keq. Iu lidh (iu pre) goja (dikujt) shih iu lidh (iu pre) gjuha (dikujt). Të lumtë goja! ur. rrofsh e paç veç të mira!; ashtu qoftë! (kur dikush këndon bukur, bën një urim a thotë një fjalë të mirë). Një *llaf goje... E merr (e mban) nëpër gojë (dikë a diçka) flet lloj-lloj fjalësh për dikë a për diçka, flet poshtë e përpjetë e si të mundë për të, e përflet, e përgojon; ra (hyri) në gojë (të dikujt); e ka hapur (shumë) gojën (dikush); e ka zgjidhur gjuhën (dikush); dëgjohet nëpër botë (dikush). Ta merr (ta rrëmben) fjalën nga goja (dikush) është shumë i zgjuar e i mprehtë, të merr vesh menjëherë, ta kap shpejt mendimin, e kupton shumë shpejt ku e ke fjalën. Të merr *kafshatën e gojës (dikush). Ta merr kafshatën nga goja (dikush) është shumë i shkathët dhe ta bën diçka shpejt e pa pasur mundësi të mbrohesh; s’e kap dot dikë a s’i shpëton dot atij. E ka marrë këmbën në gojë (dikush) e ka pësuar rëndë, i ka hyrë e liga, s’ka gjasa për t’u përmirësuar; e ka marrë ferra uratën. Ndan *kafshatën e gojës (e fundit) (me dikë). Mbaj gojën! mos fol më!; përmbahu! (i thuhet dikujt që është duke përdorur fjalë të rënda ose që të shan a të kërcënon). E mban në gojë (dikë a diçka) e përmend a e kujton vazhdimisht për të mirë, flet gjithmonë shumë mirë për të; e lavdëron shumë; e ka në gojë1; i mbeti (i ngeli) goja2 (për dikë a për diçka); i mbeti (i ngeli) në gojë (dikush a diçka); s’e heq (s’e lëshon) nga goja. S’i mban goja *arra (dikujt) keq. E mban gojën *mbyllur (dikush). I mban goja erë *qumësht (dikujt). Mbeta (ngela) me *gisht në gojë. I mbeti (i ngeli) goja (dikujt). 1. Nuk flet dot më, e ndërpreu të folurit; ngeci. 2. (për dikë a për diçka). Thotë a kërkon vazhdimisht dikë a diçka (kur zakonisht nuk e dëgjojnë a nuk ia plotësojnë dëshirën); e mban në gojë (dikë a diçka); e ka në gojë1 (dikë a diçka); s’e heq (s’e lëshon) nga goja (dikë a diçka); i mbeti (i ngeli) në gojë (dikush a diçka). I mbeti (i ngeli) në gojë (dikush a diçka) e përmend vazhdimisht, e thotë shpesh, vetëm për atë flet; e mban në gojë (dikë a diçka); e ka në gojë1 (dikë a diçka); i mbeti (i ngeli goja)2 (për dikë a për diçka); s’e heq (s’e lëshon) nga goja (dikë a diçka). Mbes pa gojë nuk flas dot një fjalë nga çudia, nga gëzimi, nga lumturia etj., s’di ç’të them nga habia, mahnitem, shtangem, ngrij; mbes me gojë hapur; mbes gojëhapur; më pritet goja. I mbeti (i rri) goja *çark (dikujt) iron. Mbes me gojë hapur çuditem shumë, shtangem, mahnitem me atë që bën a që thotë dikush, me diçka të papritur, të pabesueshme a që s’ta merr mendja, me një pamje mbresëlënëse etj.; shastisem; mbes gojëhapur; mbes pa gojë; më pritet goja. Mbeta me gojë thatë s’kam ngrënë dot asgjë, kam mbetur pa ngrënë; nuk kam as të ha; s’kam asgjë; mbeta gojëthatë. E mbylli (e kyçi, e mbërtheu, e qepi) gojën (dikush). 1. Heshti, pushoi së foluri, nuk flet më; i vuri kyçin gojës; iu pre goja (dikujt); e shkurtoi (e preu) gjuhën; e mban (e shtrëngon) gjuhën prapa dhëmbëve (ndër dhëmbë); e mbylli grykën; i qepi buzët; (nuk tha) asnjë gjysmë fjale; kund. e hapi (e çeli) gojën. 2. E ruajti një të fshehtë; nuk ia tregoi askujt ato që dinte; e rrudhi (e mblodhi) gojën; kund. e hapi (e çeli) gojën. Ia mbyll (ia zë) gojën (dikujt). 1. E bëj dikë të heshtë, të mos flasë; e zë ngushtë me fjalë sa nuk di ç’të thotë a nuk mund të kundërshtojë; ia mbyll (ia zë) gojën me shtupë; ia zë frymën; ia lidh gjuhën. 2. E heq qafe dikë duke i plotësuar diçka sa për ta kënaqur; ia plotësoj kërkesën dhe s’ka më arsye të ankohet; ia mbyll (ia zë) grykën keq.; kund. i hap (i çel) gojën. S’e mbyll gojën (dikush). 1. S’pushon së foluri, flet shumë e pa pushuar, është llafazan i madh; dërdëllit gjithë kohën; s’i mbyllet (s’i rri) goja (dikujt); s’i pushon goja (dikujt); nuk i rri gjuha (në vend, rehat, prapa dhëmbëve) (dikujt); i mbeti (i rri) goja çark (dikujt) iron.; kund. s’e hap gojën. 2. S’pushon së kërkuari diçka a së mbrojturi një mendim, nuk hesht; këmbëngul. S’i mbyllet (s’i rri) goja (dikujt) nuk rri dot pa folur; flet shumë, është llafazan i madh, s’pushon së foluri; s’e mbyll gojën (dikush); s’i pushon goja; nuk i rri gjuha (në vend, rehat, prapa dhëmbëve); i mbeti (i rri) goja çark iron. Ia mbyll (ia zë) gojën me shtupë (dikujt) nuk e lë dikë të flasë fare, e detyroj të heshtë, do apo nuk do ai; ia mbyll (ia zë) gojën1. I merret goja (dikujt). 1. Belbëzon; mezi flet e nuk i shqipton fjalët mirë; i është trashur gjuha. 2. Nuk di ç’të thotë, e ndien veten ngushtë, s’ka fjalë për të kundërshtuar. Ndan *kafshatën e gojës (e fundit) (me dikë). E ndreqi (e drejtoi, e rregulloi) gojën (dikush) foli mirë, i ndreqi fjalët, i zgjodhi mirë fjalët; tani thotë atë që duhet, flet si duhet; kund. e prishi (e ndyu) gojën. Më ngeci (më mbeti) në gojë (diçka) shih më ngeci (më mbeti) në grykë (diçka). Të ngrin *gjuha në gojë. S’ma nxë goja nuk dua ta them diçka, nuk e them dot, s’më bën zemra ta them (diçka të keqe a të turpshme); s’ma thotë goja. Si ta nxë goja! si mund ta thuash një gjë të tillë!, si nuk të vjen zor të përdorësh këto fjalë!, si nuk ke turp të flasësh kështu! Nxjerr *bukën e gojës. Nxjerr *kafshatën e gojës. Nxjerr *lerë nga goja (dikush). Nxjerr *myk nga goja (dikush). Nxjerr *sheqer nga goja (dikush). I nxori *shkumë (nga goja) (dikujt). Nxjerr *shyta (nga goja) (dikush). Njom (lag) gojën pi diçka ose ha fare pak (zakonisht pemë); ia lag gojën (dikujt); njom (lag) grykën; njom (lag) fytin; njom (lag) gurmazin. Me plot gojën. 1. Me gjithë zemër e me bindje, jo sa për të shkuar radhën; duke qenë i vetëdijshëm plotësisht, me siguri, pa asnjë farë dyshimi. 2. Pa druajtje, pa frikë, pa asnjë ngurrim, fare lirisht. E preu gojën (dikush). 1. Është në agoni, po vdes e nuk flet dot. 2. Nuk flet më për diçka a nuk kërkon më asgjë; s’ka gojë (të flasë, të kërkojë); e shkurtoi (e preu) gjuhën. I pret goja (brisk) (dikujt) shih i pret gjuha (brisk) (dikujt). I pret goja (gjuha) *hekur (dikujt). E prishi (e ndyu) gojën (dikush) filloi të flasë mbarë e prapë, të përdorë fjalë të rënda a të ulëta; ia prishi qejfin dikujt me fjalë, u shpreh kundër një dëshire a një kërkese; u grind me të duke përdorur lloj-lloj fjalësh të rënda; kund. e ndreqi (e drejtoi, e rregulloi) gojën. Iu pre (iu lidh) goja (dikujt). 1. Nuk flet dot më; mbeti pa gojë (dikush); e mbylli (e kyçi, e mbërtheu, e qepi) gojën (dikush); iu pre gjuha; i humbi fjala nga goja. 2. Ngriu në vend, shtangu nga frika, nga habia, nga një ndjenjë e fuqishme etj.; mbeti me gojë hapur (dikush); iu mpi gjuha. I punon goja (dikujt) flet lirisht e bukur, flet rrjedhshëm e pa vështirësi; i pret goja (brisk); i pret gjuha (brisk); është (i zoti) i gojës (dikush). S’i pushon goja (dikujt) flet shumë, është llafazan i madh; s’e mbyll gojën (dikush); s’i mbyllet (s’i rri) goja; i jep gojës (dikush); e ka gojën kamare (dikush) tall.; e ka gjuhën të gjatë (dikush; flet me pesë gojë (dikush) mospërf. Ta rrëmben *fjalën nga goja (dikush). I rrjedh goja (dikujt) shih është (i zoti) i gojës (dikush). E rrudhi (e mblodhi) gojën (dikush) e mblodhi veten që të mos thotë fjalë të rënda a të pahijshme, nisi t’i matë mirë fjalët; nuk e hapi gojën për të folur; e mbylli (e kyçi, e mbërtheu, e qepi) gojën. Më shpëtoi (më shkau, më rrëshqiti) goja thashë pa dashje diçka që nuk duhej ta thosha, më shpëtoi një fjalë që nuk duhej thënë; më shkau (më rrëshqiti) gjuha; më hëngri gjuha. Shpie gojën te buka përpiqem vetë për të siguruar atë që duhet, nuk e pres prej dikujt tjetër; luaj këmbët. Me *shpirt në gojë (ndër dhëmbë). Ia shtrëngoi *frerin gojës (gjuhës) (dikush). E ka shthurur gojën (dikush) keq. flet ç’t’i vijë, nuk e kontrollon veten kur flet; përdor gjithfarë fjalësh të ndyra, flet larë e pa larë, është gojëndyrë; s’i vë fre gojës (gjuhës); e ka lëshuar gjuhën. S’tregohet (s’rrëfehet) me gojë (diçka) është diçka shumë e madhe, shumë e rëndë, e habitshme a e jashtëzakonshme etj.; s’e tregon a s’e përshkruan dot sa e tillë është. I treti (i derdhi) *plumbin në gojë (dikujt) përb. M’u tha gojaI (për diçka) shih m’u tha buza (për diçka). M’u tha gojaII s’e thashë diçka që duhej ta thosha, nuk e tregova diçka që duhej ta tregoja; ndenja pa folur kur duhej të flisja patjetër, më mirë të kisha folur; pse heshta!; m’u tha gjuha. T’u thaftë goja! mallk. mos folsh dot më!; qofsh i mallkuar! (kur dikush thotë diçka të keqe a të kobshme, kur ndjell fatkeqësi, kur mallkon a është ogurzi etj.); t’u thaftë gjuha! Si s’m’u tha goja keq. ç’pata që e thashë diçka, nuk duhej të flisja a ta tregoja diçka, më mirë të mos kisha folur, pse s’heshta!; si s’m’u tha gjuha. Thaj gojën rri pa ngrënë; kursej shumë, ia heq gojës ushqimin; thaj barkun; thaj zorrën. Ia thau gojën (dikujt) nuk i dha gjë të hante, e la pa ngrënë për një kohë të gjatë; ia thau barkun; ia thau zorrën. Iu tha *pështyma në gojë (në fyt) (dikujt). S’ma thotë goja (diçka) është aq e keqe, aq e rëndë, aq e pështirë etj. sa nuk e përmend dot, më vjen keq a më vjen rëndë ta them; s’ma nxë goja. Më vajti goja prapa *qafës. Më vajti (më shkoi) goja (buza) te *veshi (prapa veshit). I vuri *kyçin (drynin) gojës (dikush). I vë *fre gojës (gjuhës). I vuri *gardh gojës (dikush). Ka vënë gojë (dikush) ka zënë e flet shumë për të tjerët, ka filluar të mbajë nëpër gojë të tjerët; ka zënë të përdorë fjalë të rënda, të ulëta etj., ka zënë të flasë mbarë e prapë; e ka lëshuar gojën; e ka lëshuar gjuhën. I vuri *kanxhën gojës (dikush). I vuri *kyçin (drynin) gojës (dikush). Nuk i vë *masë gojës (dikush). I vuri *pehriz gojës (dikush). I vuri *shtupën gojës (dikush). I vuri *tapën gojës (dikush). I erdhi goja (dikujt). 1. Po mëson të flasë, po shqipton fjalët e para (kryesisht për fëmijët); kund. i iku goja. 2. U qetësua, e mblodhi veten e filloi të flasë; kund. i iku goja. Ç’t’i vijë për goje si të mundë, pa e kontrolluar veten, pa kujdes e pa përgjegjësi, pa i peshuar fjalët. Do vrarë me *bukë në gojë (dikush). I zbërthej gojën (gjuhën) (dikujt) e bëj të flasë, e detyroj t’i thotë të gjitha ç’di; ia zgjidh gojën (gjuhën); i zbërthej dhëmbët. Ia zuri fjalën në gojë (dikujt) nuk e la të fliste më tej, ia preu fjalën, e bëri të heshtë. E zë në (me) gojë (dikë a diçka) e përmend, e kujtoj; flas për të; bëj fjalë (për dikë a për diçka). Më zuri goja *bar. Më zuri goja *erë. Më zuri goja (gjuha) *lesh. Zihet në gojë (dikush a diçka) përmendet, flitet për dikë a për diçka; bëhet fjalë (për dikë a për diçka).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë