Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BUNGËZÉZ/Ë,~A f., bot. Shpardh.
DUSH/K,~KU m. sh. ~QE, ~QET 1. bot. (lat. Quercus robur, Quercus pedunculata, Quercus racemosa) Dru i lartë pyjor me kurorë të dendur, me gjethe të shumta e të dhëmbëzuara, që lidh lëndë dhe që e ka lëndën mjaft të fortë e të rëndë; emërtim i përgjithshëm i disa llojeve drurësh që kanë tipare të tilla të afërta, si p. sh. rrënja, bunga, qarri, shpardhi, valanidhi etj.; lis. Dushk i ri. Gjethe (degë, dru, lëndë) dushku. Prush (hi) dushku. Pyll me dushqe. Dushk i egër. Dushk gjethegjatë (gjethegjerë). Dushku i kënetave. Dushku pendor. Plasi dheu, doli dushku, më i madh dhëndri se krushku. (fj. u.). Ç’u mbush mali plot me dushk, / Plot me dushk, / Thot’ babai janë krushq, / janë krushq. (folk.).
2. Lënda e këtij druri që përdoret për ndërtim, për të bërë orendi etj. Dollap dushku. Qymyr dushku.
3. përmb. Degë të vogla me gjithë gjethe, të prera prej këtij druri, që grumbullohen për dimër si ushqim për bagëtinë. Mullar me dushk. Preu (bëri, vuri) dushk. Të ushqen me dushk.
4. krahin., vet. sh. Gjethet që mbështjellin kallirin e misrit, lëpushkat e misrit.
5. krahin. Duhan vjeshtak shumë i butë. Dushku i vjeshtës.
✱Sin.: lis, qarr, qarrbutë, bujgër, rrënjë, bung, shpardh, prrall, përnar, ilqe, valanidh, ashe.
♦ *Ashkë dushku (lisi, ahu). I bën dushku *arra (dikujt). Çau dushkun (dikush) shih çau ferrën (dikush). Sa dushk e bar shumë, pa masë; sa bari i tokës; sa rëra e detit. (Flet) për *gogla dushku në lëmë (dikush). Ia fut dushk (dikush) tall. flet pa u menduar mirë, flet kot; ia fut katundit. I dha dushkun (dikujt) shih i dha duart (dikujt). S’më laget dushku (për dikë a për diçka) nuk shqetësohem fare për diçka, nuk bëhem merak; s’më lagen drutë; s’më bëhet vonë; nuk më ftohet pilafi; nuk më ftohen fasulet bised. Ka mbetur në dushk (dikush) keq. është i prapambetur, është jashtë kohës; është prapa botës; i ka mbetur ora (dikujt). Mbjell në dushk (dikush) nuk punon ashtu si duhet, nuk bën punë të pastër; (punon) shkel e shko. *Pushkë në dushk. (Shkoi) dushk për gogla (diçka). 1. Shkoi kot, s’vlejti për asgjë; (shkoi) për dhjamë qeni. 2. iron. Shkoi me të hedhur, pa humbur e pa fituar gjë.
LIS,~I m. sh. ~A, ~AT 1. bot. Dru pylli i lartë, me gjethe me dhëmbëza anash, që lidh lende dhe që përdoret si lëndë ndërtimi e për zjarr; dushk. Lis i bardhë qarri. Lis i butë bungëbuta. Lis bujk bulgri. Lis i egër ashe. Dru (trung, lende) lisi. Sa më i gjatë është lisi, aq më shumë e zë era. (fj. u.). Pyje me lisa të dendur.
2. etnogr. Tërësia e pasardhësve që rrjedhin nga një baba a nga një nënë. Lisi i gjakut njerëzit që rrjedhin nga një baba. Lisi i gjinisë (i tamblit, i qumështit) njerëzit që rrjedhin nga një nënë.
3. si mb. Me trup të gjatë, të drejtë e të fuqishëm (për njerëzit). Ishte lis. E ka shtatin lis. U bë lis hodhi shtat mirë, u rrit shumë e u bë i fuqishëm.
✱Sin.: dushk, shpardh, ashe, pasardhës, shtatgjatë, trupgjatë, i fuqishëm.
♦ Kur të çelë (të njomet) lisi i thatë kurrë, asnjëherë; kur të bëhen lendet lajthi; kur të shohë kurrizin (shpinën) pa pasqyrë. Del si lisi para farkës (para sharrës, para sëpatës) (dikush) shih (shkoi, vajti) si cjapi te kasapi (dikush). As *farë e as fis, as degë e as lis. *Hije lisi. Nuk ka *hije lisi (për dikë). E ka hundën në lis (dikush) është mendjemadh, mbahet shumë më të madh; e mban hundën lart; e mban hundën përpjetë; e mban hundën në qiell; shet mend; vret (rreh) lart. Këqyr lisat (dikush) iron. e kalon kohën kot; vret (numëron) miza; dredh (tund) zinxhirin; trazon baltën me shkop. Lis pa degë (pa gjethe) njeri i vetëm, fillikat, pa njeri tjetër të afërm; pikë në lis. Lis me (shumë) degë njeri i zoti e me shumë shokë e miq; njeri që ka përkrahje të madhe; lis me rrënjë të thella. Lisi i gjakut etnogr. njerëzit që rrjedhin nga vija e babait. Lis i lartë njeri i fortë a i fuqishëm, që përballon rreziqet e vështirësitë dhe nuk thyhet. Lisi i qumështit (i tamblit) etnogr. njerëzit që rrjedhin nga vija e nënës. Lis me rrënjë të thella njeri i fortë në shoqëri, me themele të forta, që nuk tundet nga sulmet e të tjerëve; lis me (shumë) degë. Lis i thatë (dikush) shih lis pa degë (pa gjethe). Ka mbetur *pykë në lis (dikush). Qyshse ka mbirë lisi qysh prej shumë kohësh më parë, që në një periudhë të largët sa nuk mbahet mend mirë; (që) në kohën e baba Qemos; (që) në kohën e Noes. *Mizë lisi. *Pikë në lis. Pret (prish) tre lisa për një purtekë (dikush) shih pret ftoin për t’i lëshuar hije kungullit (dikush) keq. E pret lisin me një sëpatë (me një të rënë) (dikush). 1. Është shumë i fuqishëm a i zoti; të mbaron punë menjëherë. 2. iron. Kujton se është i fuqishëm a i zoti dhe i bie shkurt, pa e menduar thellë diçka; e bën si të lehtë diçka të vështirë. E pret lisin me thikë (dikush) ia hyn një pune shumë të madhe pa mjetet e nevojshme; ka guxim të tepruar ose vepron pa i matur mirë forcat e veta; e mat detin me pëllëmbë. Rrëzon lisin për dy pyka (dikush) shih pret (prish) tre lisa për një purtekë (dikush). Unë për lisa e ti për fshesa! iron. nuk kuptohemi fare me njëri-tjetrin, tjetër bëj unë e tjetër ti; ç’them unë e ç’thua ti!; njëri (i bie) gozhdës e tjetri potkoit.
MËLLÁK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. bot. (lat. Quercus frainetto) Lloj lisi me lartësi 30 – 40 m, me dru të fortë, elastik dhe rezistent, i cili rritet në gjithë gadishullin e Ballkanit, në jug të Italisë dhe në veriperëndim të Azisë; shpardh.
2. Druri i kësaj peme që përdoret për mobilie, për ndërtim anijesh, për traversa hekurudhore, për dërrasa të vozave etj.
✱Sin.: shpardh, shparth, shpalcë, shparr, bungë, bungël, bungëkeqe, ballgun, bllagun.
SHPARDH,~I m. sh. ~E, ~ET bot. (lat. Quercus frainetto, Quercus conferta, Quercus hungarica, Quercus farnetto) Lloj lisi me gjethe të gjera e të prera thellë, që rritet deri në dyzet metra i lartë e përdoret për lëndë ndërtimi; bulgri i ashpër, bunga e bardhë, bunga e keqe, qarri i zi. Pyll shpardhi. Dru shpardhi. Dërrasa shpardhi.
✱Sin.: ballgun, blagun, bllagun, bruç, bumallë, bungëkeqja, bungëzeza, bungël, bungër, llapan, mëllak, shparr.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë