Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PËRTHEK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Lidh thek më thek; mbërthej, kopsit; kund. shpërthekoj.
2. Shtrëngoj veshjen e ngjesh armën.
3. fig. E mbërthej me krahë, e pushtoj. Nuk e përthekonin dot as tre burra rrapin shekullor.
4. fig. E vë në vijë a e përfundoj mirë një punë etj., s’i lë gjë mangët.
✱Sin.: kopsit, mbërthej.
♦ S’ma përthekon *mendja (diçka).
SHPËRTHEK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR krahin., kal. Zbërthej; shkoqit. Shpërthekoj këmishën (jakën, xhaketën). Shpërthekoj pullat një nga një.
STRAMBULLÍKS vep., ~A, ~UR kal. 1. Zbërthej. Strambulliks xhaketën. Nuk e kishte strambulliksur akoma.
2. Shkul; nxjerr nga vendi. Strambulliks aparatin. E kishte strambulliksur prizën. Kujdes se mund ta strambulliksësh.
✱Sin.: shkopsit, shpërthekoj, shqyej, shkreh, shkallmoj, shpërthej.
ZBËRTH/ÉJ vep., ~ÉVA, ~ÝER kal. 1. E ndaj diçka në pjesët përbërëse, shkëput njërën nga tjetra të gjitha pjesët që e përbëjnë (për një makineri, një pajisje etj.); shkul, heq diçka që është ngulur a është mbërthyer te diçka tjetër; copëtoj, shqyej, shkallmoj; kund. mbërthej. Zbërtheu dërrasat. E zbërtheu makinën të gjithë. Zbërtheu pushkën (mitralozin). E zbërtheu me sqepar (me darë). Armë-zbërthe! (usht.).
2. Nxjerr a heq diçka nga vendi ku është futur, është mbërthyer a është kapur; shkopsit; kund. mbërthej. Zbërtheu rripin. Zbërtheu parashutën (çantën e shpinës). Zbërtheu kopsat. Zbërtheu xhaketën (këmishën, jakën, jelekun).
3. spec. E ndaj një lëndë a diçka tjetër në pjesët përbërëse; shpërbëj. Zbërthen albuminën. Spektografët e zbërthejnë dritën në përbërësit e saj (fiz.). Të gjithë numrat i zbërthejmë në faktorë të thjeshtë (mat.). Piklat e ujit zbërthejnë rrezet diellore duke krijuar ylberin shumëngjyrësh. Kuptimin leksikor e zbërthejmë në njësi më të vogla semantike (gjuh.).
4. fig. Shqyrtoj një çështje, një vepër a diçka tjetër, duke e ndarë në pjesët a në elementet përbërëse dhe duke e vështruar nga të gjitha anët, për ta bërë të qartë e të kuptueshme, për të nxjerrë përfundime e detyra, për t'ua përshtatur më mirë kërkesave etj.; analizoj; shtjelloj. E zbërthyen çështjen (problemin, konceptin, veprën). Zbërtheu një ushtrim. Zbërtheva tri teorema matematikore. Zbërthyen fjalimin (detyrat, udhëzimet, vendimet). E zbërthej më hollësisht (më qartë). E zbërtheu mirë e bukur. Kanë arritur të zbërthejnë gjithfarë të fshehtash planetare. E kam të vështirë ta zbërthej për t’ua bërë më të kuptueshme.
5. fig. E bëj dikë të flasë, ia arrij që të m'i thotë të gjitha sa di për diçka a për dikë. E zbërtheu mirë (plotësisht, deri në fund).
6. Heq nga zgjedha, çmbreh; kund. mbërthej. Zbërtheu qetë. I zbërtheu nga qerrja.
7. krahin. Hap, çaj diçka duke e thyer; shkallmoj, bëj pjesë-pjesë, shpërthej. Zbërtheu dy vezë. I zbërtheu kokën. Zbërtheu derën. U zbërtheu muret. Ia paska zbërthyer qerren fare.
✱Sin.: shkopsit, shpërthekoj, copëtoj, shqep, shqyej, shkreh, shkallmoj, shpërthej, shpërbëj, shkoqit, shqyrtoj, analizoj, shtjelloj, zhvilloj, shpjegoj, imtoj, përimtoj.
♦ I zbërtheu *brinjët (dikujt) keq. I zbërthej *dhëmbët (dikujt). Ia zbërthej *gojën (gjuhën) (dikujt).
ZGJEDHII vep., ZGJÓDHA, ZGJÉDHUR fig., kal. Arrij ta kuptoj, ta lexoj etj.; shkoqit, zbërthej. S'ia zgjedh dot shkrimin. Mezi zgjodhi dy radhë që kishte shkruar. Ia zgjodhi mendjen (dikujt) ia bleu mendjen. - A ma zgjedh dot këtë ëndërr? Pse ujku më doli i bardhë? (folk.).
✱Sin.: zbërthej, shkoqit, shqit, shpërthekoj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë